*Presidenti Bujar Nishani dje, 5 Maj 2015, ne ALBANY, përshëndeti votimin e Rezolutës nga Senati i Nju-Jorkut për mbrojtjen e hebrnjëve në Shqipëri/
*Të pranishëm edhe një grup vatranësh me kryetarin Dr. Gjon Bucaj/
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, që ndodhet në Shtetet e Bashkuara te Amerikes, ka qenë dje, e Martë 5 Maj 2015, i ftuar në Senatin e Shtetit të Nju Jorkut, në Albany.
Veprimtaritë në Kryeqytetin e Shtetit të Nju Jorkut janë organizuar me rastin e 70 vjetorit të fitores mbi nazizmin, ku u paraqit Rezoluta për rolin e Kombit Shqiptar në mbrojtjen e Hebrejve. Kombi Shqiptar i karakterizuar nga Kodi i Nderit, Besa dhe bujaria tradicionale, u dha strehë mbrojtëse hebrejve të kërcënuar nga nazistët.
Presidenti Nishani është pritur me nderime të evcanta nga Karl Heastie ,Kryetar i Asamblesë së Nju Jorkut, nga senatori Xhefri Klein dhe nga ansambleistë të tjerë. I pranishëm ishte edhe miku i shqiptarëve, Norman Gershman, që është kthyer në një ambasador i përhershëm i shqiptarëve në komunitetin hebre dhë në mbarë botën për kontributin e shqiptarëve në mbrojtjen 100 për qind të hebrejve dhe ka promovuar BESËN SHQIPTARE në mbarë botën.Të pranishëm në veprimtaritë e organizuara ishin edhe klerikët shqiptarë.
Anëtari i Ansamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, i pari shqiptar në këtë tempull ligjvënës, z. Mark Gjonaj, me krenari prezantoi para ansambleistëve Presidentin Shqiptar, Shkëlqesiën e Tij z. Bujar Nishani. Z. Gjonaj, tha se ndjehej i nderuar që prezantonite para kolegëve të vet, Presidentin Shqiptar.
Ansambleisti Gjonaj përgëzoi mjeshtrin Norman Gershman, që përmes fotografive ka përjetësuar historinë e shqiptarëve që kanë mbrojtë hebrejtë, me mikpritjen dhe Kodin e Nderit-BESEN SHQIPTARE.
Kryetari i Ansamblesë, z. Karl Heastie , në shenjë nderimi për vizitën, ka nderuar Presidentin e Shqiperise, Z. Nishani me “BIG APPLE”.
Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë në mbledhjen e senatit të shtetit të Nju Jorkut ku është votuar rezoluta për rolin e kombit shqiptar në mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë të Botërore, e kërkuar nga anëtari i Asamblesë së Nju-Jorkut, Mark Gjonaj.
“Rezoluta që ju sapo miratuat vlerëson jo vetëm jashtëzakonisht dhe me të drejtë mbarë kombin shqiptar, jo vetëm popullsinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës, si dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, duke theksuar edhe njëherë, akoma edhe më shumë kësaj radhe, edhe pse kanë kaluar më se 70 vite, Besën” -theksoi presidenti Nishani.
Pas votimit të kësaj rezolute, Presidenti i Republikës u është drejtuar me një fjalë të pranishmëve në punimet e Asamblesë si dhe Senatit të Shtetit të Nju-Jorkut.
Në ceremoni ishin të ftuar shumë bashkatdhetarë, ndër ta edhe një grup vatranësh me në krye dr. Gjon Bucaj, Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Ishin të pranishëm edhe z. Asllan Bushati, zv/kryetar i Vatrës, Zef Balaj-anëtar i Këshillit të Vatrës, Zef Përndocaj, dhe Dalip Greca. Po ashtu kishin ardhë edhe veprimtarë të shumtë të komunitetit shqiptar.
Presidenti do mbajë një ligjëratë në ‘Manhattan College’, si dhe do të ketë takime me politikanë të Nju-Jorkut e personalitete të shquara shqiptaro-amerikane me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave humane të shqiptarëve.
Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë takime edhe me drejtuesit e Fondacionit “Raoul Wallenberg”, me organizatën “Sisterhood of Salam” dhe “Ethnic Understanding”, të cilat punojnë në promovimin e dialogut ndërfetar.
Në përfundim të vizitës së tij, Presidenti Nishani do të mbajë një ligjëratë me temë: “Mbi tolerancën fetare” në Manhattan College, Riverdale si dhe do të përshëndesë aktivitetin, që do të mbahet në B’nai Jeshurun Sinagogue.
Ky aktivitet mbahet në shenjë vlerësimi ndaj ndihmës së vyer që dhanë shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve.(DIELLI)