Të hënën me 28 Prill, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka ditëlindjen e 102.Një grup shqiptarësh që jetojnë e punojnë në Uashington DC dhe që komunikojnë përmes rrjetit elektronik “Albanian Professionals of DC” dhe Dega e VATRËS për Uashington DC, u mblodhën të Premten me 25 Prill pikërisht për të shënuar ditlindjen e 102-të Federatës PanShqiptare të Amerikës “VATRA”.
Në këtë aktivitet që u emërua” Toasting VATRA’s 102nd Birthday- Një dolli për VATRËN, në ditlindjen e saj të 102-të” morën pjesë shumë bijë e bija shqiptarë. Disa prej pjesmarrësve kishin sjellë edhe fëmijët e tyre. Disa kishin udhëtuar nga larg. Dr.Indrit Reso dhe zonja e tij kishin udhëtuar nga Williamsburgu për të marrë pjesë në festim e për t’u bërë pjesë e festës. Përtërihet kështu me këtë veprimtari një traditë e kahmotshme vatrane.
Festuesëve u ishin bashkuar edhe diplomatet në Washington si Znj. Daniela Kristo Nesho dhe znj. Edita Bucnica, përfaqësuese përkatësisht të Ambasadës shqiptare dhe asaj të Kosovës në Uashington DC.
Aktiviteti kaloi në një frymë tepër miqësore, argëtuse , por edhe diskutuese për tema të ndryshme dhe meqë ishte rasti për VATRËN shumë kush shprehu interes dhe drejtoi pyetje lidhur me Federatën Panshqiptare të Amerikës, të djeshmen,historinë mes dy shekujve jetë.
Shqiptarët në DC shpesh herë mblidhen për të shënuar ditë gëzimi apo për të kujtuar ditë të vecanta nga historia e kombit shqiptar por edhe për të këmbyer përvoja, për të ndihmuar njëri-tjetrin apo thjesht për të këmbyer dy fjalë në gjuhën e bukur shqipe. Dhe nuk mund të mbeste jashtë kujtesë një ditë si kjo, ditëlindja e Vatrës që orientoi Kombin, të Vatrës, që luajti rolin e shtetit, kur shteti pat ”vdekur”. Kush prej popujve të ballkani,nuk do ta ëndrronte një organizatë të atillë në fondin e historisë së vet, që ta kishte ditëlindjen para shtetit të vet të Pavarur?
Aktivitetet e shqiptarëve në DC kanë qenë tepër mbresëlënëse dhe janë pasqyruar dhe mirëpritur në shtypin shqiptaro-amerikan si edhe në shtypin e vendlindjes.
Vlen të theksohet dëshira dhe vullneti i Z.Holti Banka i cili jo vetëm siguroi lokalin e takimit, por komunikoi dhe siguroi organizimin e aktivitetit si dhe kishte sjellë edhe flamurin kuq e zi për këtë aktivitet. Fotot shoqëruese, për të cilat falenderojmë të palodhurin Z.Arsim Cejku, flasin më shumë se një lajm në fjalë dhe nga Uashingtoni, sikurse dukemi në foto, plot gëzim e dashuri, të gjithë shqiptarët përshëndesim dhe urojmë:VATRA GËZUAR DITLINDJEN E 102-të!
Me këtë thirrje bashkohen të gjithë shqiptarët që nga Bostoni historik, Nu Jorku i qëndresës e deri në Alaska dhe Toronto!(Korresp i Diellit)