Ndoshta mendimi për t’u bërë mjeke më pati lindur që në fëmijëri nga leximet e librave, madje e pata përcaktuar do të bëhesha kirurge që të shpëtoja të sëmurët duke vepruar jo vetëm me mendje dhe me zemër, por edhe drejtpërsëdrejti me duar. Dhe, unë nuk do të isha në këtë jetë në rast se Profesori kirurg, Petro Cani dhe kirurgia e mrekullueshme ruse Margarita Basha në një tryezë operacioni më shpëtuan si në përralla duke bashkuar copat e trupit tim dhe duke i spërkatur me “ujë gjallë e vdekur”. Megjithëse nuk u bëra mjeke, unë gjatë gjithë jetës kam lexuar libra që kanë lidhje me mjekësinë edhe ndiej tjetër emocion kur ndeshesh me libra të shkruar nga mjekë shkrimtarë.
Gjatë ditëve kur ishim të ngujuar nga virusi 19, vijoja të lexoja librin e Profesor Doktor Fedhon Meksit “4 Burra”, një libër i shkruar me shumë përkushtim dhe dashuri për burrat që i janë përkushtuar kombit shqiptar: Mahmud Pashë Bushati, Ali Pashë Tepelena, Naum Bredhi Veqilharxhi dhe Vangjel Zhapa. Doktor Meksi me shumë durim ka hulumtuar në mëse 100 libra dhe dokumente për të ndriçuar këto figura të vyera, të cilat i bëjnë shumë nder historisë së Shqipërisë. Detyra e çdo njeriu është të bëjë diçka për Atdheun e vet.
Ditët e fundit lexova në dorëshkrim librin e sapopërfunduar nga Profesor Doktor Fedhon Meksi “Yjet e Mjekësisë Shqiptare”, libër që është një konstelacion i shndritshëm yjor kushtuar shtatë mjekëve të shquar të mjekësisë tonë. Ata janë: Dr. Frederik Shiroka, Profesor Doktor Selaudin Bekteshi, Profesor Doktor Petrit Gaçe, Profesor Doktor Panajot Boga, Doktor Jorgji Adhami, Profesore Doktoreshë Adelina Mazreku, U. M. Jani Basho.
Mjeku i shquar, Frederik Shiroka është quajtur ”kirurgu me duar të arta” Unë si fëmijë i vogël e kam parë me sytë e mi doktor Shirokën hipur mbi biçikletën që nuk e ndante kurrë nga vetja dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin duart e tij të veshura me dorashka lëkure. Doktor Frederikun, kirurgun e talentuar virtuoz që pati studiuar në Austri e kërkuan për ta pasur në klinikat e tyre të kirurgjisë që nga Austria dhe deri në Amerikë, por përgjigjja e tij ishte e prerë: “Kirurgjia nuk ka atdhe, kirurgu ka.” Ai operoi me mijëra njerëz pa përfillur orarin e punës dhe ishte i vetëdijshëm teksa thoshte: “historinë e mjekësisë shqiptare / po e shkruaj me majën e bisturisë.” vdekja e zezë rrinte aty pranë, iku në një moshë të re, kur kishte aq shumë për të ndihmuar dhe shëruar të tjerët. Funerali i tij u përcoll nga mijëra njerëz dashamirë dhe adhurues të veprës së tij.
Emrin e Profesor Doktor Selaudin Bekteshit, e kemi dëgjuar mijëra herë teksa prindër të shqetësuar tregonin probleme të shëndetit të fëmijëve të tyre dhe këshilla e miqve ishte: “Po nuk e keni shpënë tek doktor Bekteshi?”Këta mjekë të rrallë kaq të veçantë që ka pasur Shqipëria, jo vetëm kryenin me pasion e përkushtim punën e tyre, por bënin gjithçka që të aftësonin edhe të tjerët duke filluar nga studentët e duke vijuar me mjekët e rinj, jo thjesht nëpër qytete, por edhe në fshatrat më të thella të Atdheut. Në vitet që fillimisht ka punuar doktor Bekteshi: vitet 50-të, 60-të edhe problemet me sëmundjet e fëmijëve ishin të shumta duke u shtuar këtyre edhe epidemitë e ndryshme, veçse përgjegjësia për jetën, për të ulur vdekjet foshnjore i mobilizonte mjekët deri në vetëmohim.
Për Profesor Doktorin Petrit Gaçe, pata dëgjuar për operacionet e tij të suksesshme që bënte në zemrën e pacientëve, ishin rastet e para në vendin tonë dhe natyrisht që ishte risi për kirurgjinë dhe mjekësinë shqiptare. Ai u kthye prej studimeve universitare nga Shën Petërsburgu në profesionin kirurg i përgjithshëm e më tej me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm duke kryer operacione nga më të vështirit në kirurgjinë e enëve të gjakut, madje deri tek djegiet më të rënda që preknin sipërfaqe të mëdha të trupit të të sëmurit. Përvojën e tij ai e ndau me studentët dhe nën shembullin e tij u formuan sa e sa kirurgë.
Një përshtypje të veçantë më ka lënë puna e jashtëzakonshme e Profesor Doktorit ortoped Panajot Boga, një punë titanike të operosh mijëra fëmijë të lindur me difektin e të çaluarit tek foshnjat, veçanërisht tek vajzat. Jo vetëm kaq, ai kurrë nuk e la bisturinë nga dora duke operuar kockat e pacientëve në shtyllën kurrizore, në gjymtyrët e sipërme apo të poshtme. Ai ishte edhe një pedagog i shkëlqyer.
Para pak vitesh, unë pësova një thyerje të kockës së thembrës dhe u takova me Doktor Panojotin, ai pa grafinë time dhe u habit: “Kam kaq vite që merrem me kocka dhe nuk kisha parë kurrë një thyerje kaq të drejtë, kaq të përpiktë, edhe sikur të doja ta prisja me sharrë a diçka tjetër nuk mund të bëhej kaq e saktë!” Ai qeshte me gaz dhe bëmë shaka sepse më tha që të bëja disa hapa të ecja dhe unë nuk çaloja, por ecja normal.
Doktor Jorgji Adhami: thuajse nuk dija asgjë për këtë mjek dhe mësova aq shumë duke lexuar këtë libër. Dikur kur shkonim në shkollën fillore dëgjonim për raste kur për fëmijë të përcaktuar mësuesit e porositur u jepnin kinina dhe thonin se ato kokrrat e verdha ishin shumë të hidhura. Dinim fare pak, thuajse asgjë fare se ndërkaq bëhej luftë e madhe kundër malaries dhe në vendin tonë këtë luftë të pashoqe e udhëhiqte një shkencëtar i vërtetë Doktor Jorgji Adhami, i cili porsi heronjtë e mjekësisë botërore doctor Alexander Fleming, doctor Robert Koch, dhe doctor Norman Buthane e të tjerë luftonte dhëmb për dhëmb me mushkonjat i ndiqte ato kudo që ndodheshin duke e vënë veten përballë rrezikut vdekjeprurës. Punonte pa orar larg shtëpisë bënte vetë klasifikimin e mushkonjave derisa arriti në zhdukjen e plotë të malaries në vendin tonë.
Ndërsa po mendoj për këta mjekë kaq të shquar, vura re se pesë prej tyre janë kirurgë (jo më kot paskësha menduar edhe unë dikur për t’iu kushtuar kirurgjisë!). Vetëm se këta kirurgë vepronin me bisturi e kjo ndodhte gjatë pesëdhjetë e ca viteve më parë, ndërsa tani veprohet dhe me metoda të përparuara: shumë operacione në veshka, në tëmth e të tjera kryhen direkt me rreze lazer
Sërish një kirurge: Profesore Doktoreshë Adelina Mazreku. Unë ndihem me fat dhe e lumtur që midis këtyre burrave të renditet edhe një femër kaq e zonja si Adelina dhe jo vetëm kjo, por sepse Adelina është një nga mikeshat e mia më të mira. Ne jo vetëm që të dyja bisedojmë për letërsi, librat që lexojmë, muzikën, artet në tërësi edhe për mjekësinë, por Adelina më ka ndihmuar për dhjetëra mike të miat kur kanë pasur nevojë për vizitën e saj, operacionin apo mjekimet e ndryshme. Adelina me zërin e ëmbël, me shpjegime të përpikta të sqaron, unë i them “ shëron me psikoterapi” Dihet në të gjithë Shqipërinë puna e përkushtuar e Adelinës në specialitetin e saj: mjeke onkologe. Dihen shumë e shumë raste që gra apo burra të sëmurë me kancer kanë shpëtuar nga kjo e keqe duke e kapur sëmundjen që në fillim të herës. Me qindra janë studentët, të cilët kanë mësuar prej Doktoreshës Adelina dhe tani me përkushtim vijojnë detyrën e tyre të nderuar mjekë onkologë.
U. M. Doktor Jani Basho. Është në nderin dhe krenarinë time si poradecare që të shkruaj pak fjalë për këtë njeri dhe mjek të jashtëzakonshëm. Meqenëse kemi patur një lidhje farefisnore emrin e Doktor Jani Bashos e kam dëgjuar që në fëmijëri kur mbesa e tij, Zugrafa, shpesh nëpër biseda e përmendte me emrin përkëdhelës “Vançi”. Ky mjek i shquar bëri sa mundi për Shqipërinë duke ngritur dy spitale: civilin dhe ushtarakun, më tej shkollën e mamive duke qenë një mësimdhënës i shkëlqyer dhe nga përvoja e tij dolën me dhjetëra e dhjetëra mami. Nuk mund të rri pa përmendur se për zotësinë e tij e kërkuan për ta mbajtur në profesionin e mjekut disa klinika në Europë madje deri në Amerikë, por zemra e tij rrihte veç për Mëmëdheun. Me kulturën e tij të veçantë ai përballoi denjësisht dallgët e jetës, mjafton fakti kur pas çlirimit i dogjën tri mijë libra në oborrin e shtëpisë, libra që kishin vlera të jashtëzakonshme edhe për studimet historike albanologjike, përveç mjekësore.
Në një radhë me Doktor Jani Bashon renditen edhe këta poradecarë: albanologu Gjergj Pekmezi, shkrimtari dhe përkthyesi Mitrush Kuteli, poeti Lasgush Poradeci, arkitekti Kristo Sotiri, të cilët i bëjnë nder Shqipërisë.
E vlerësoj këtë libër me titullin kuptimplotë “Yjet e Mjekësisë Shqiptare” shkruar me kaq dashuri nga Profesor Doktor Fedhon Meksi. E vlerësoj sepse na rrëfen mirënjohjen e tij ndaj këtyre figurave të shquara të mjekësisë. Mirënjohja është në ballë të gjithçkaje. Detyra jonë është t’i nxjerrim në dritë t’i vemë në dukje këto figura kaq të shquara që bëjnë Kombin. Profesor Doktor Fedhon Meksi me durim e këmbëngulje duke gërmuar nëpër dokumente, duke përdorur një bibliografi të zgjeruar, duke biseduar me miq e të afërm të mjekëve, të cilët përshkruan na ka dhuruar këtë libër të veçantë. Jetojmë në vite të vështira në kohë të trazuara kur mjekët po ikin nga Atdheu vetëm për një pagesë më të lartë për punën e tyre. Më duket se shifrat janë: një mijë infermierë dhe shtatëqind mjekë të larguar.
Mjekët e përshkruar në këtë libër nuk ngurruan aspak për të vënë gjithçka në shërbim të Atdheut sepse Mitrush Kuteli ka lënë porosi në Testamentin e vet: “Atdheu është Atdhe edhe kur të vret!”