
KORONAVIRUS: JA PËRGJEGJËSIA E KINËS
Nga Milena Gabanelli dhe Luigi Offeddu- Përktheu Eugjen Merlika –
Ndodhi edhe me pandeminë e Coronavirusit: Kina, antare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga 1945 me të drejtë vetoje, hesht ose mohon gjithmonë kur i kërkohet llogari për atë si i respekton të drejtat njerëzore, në këtë rast lirinë e informimit. Këtë herë heshtja e saj paguhet nga shumë Vende të tjera.
South China Morning Post, e përditëshmja historike e Hong Kongut, sjell më shumë se njëherë njoftime nga burime qeverie: infektimi i parë i mikrobit të ri është regjistruar në Kinë më 17 nëndor 2019. Njoftimi ndaj OBSH-së duhej t’ishte i menjëhershëm, por autoritetet presin 31 dhjetorin para se t’i njoftojnë zyrës përkatëse të saj një “polmonit të çuditshëm” të shfaqur në Wuhan në tregun e kafshëve të gjalla. “Wet market” ishin treguesit e para-ardhësit Sars – Cov 1 të vitit 2002. Por vetëm më 9 janar 2020 Pekini flet për një “koronavirus të ri” t’afërt me Sarsin e mëparshëm. Më 30 janar OBSH lëshon piskamën ndërkombëtare.
Ndërkaq biznesi dhe turizmi botëror shkojnë e vijnë nga Kina sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vetëm në muajin e dhjetorit e vetëm me Evropën ka patur 5.523 fluturime (të dhënat e Eurokontrollit). Simbas burimeve të Enac – Enti kombëtar italian i aviacionit civil – më 13 janar, ndërsa përgatitet lockdown-i Wuhanit, Pekini firmos me Italinë (që nuk di asgjë) një përkujtesë marrëveshjeje për një shtesë deri në 164 fluturime javore për secilin, nga të cilët 108 me fillim të menjëhershëm. Më pas u ndaluan. Çmimi i atij muaji e gjysmë heshtjeje është i pallogaritshëm. Kina mohon çdo përgjegjësi e kundërvepron ndaj humbjes së besueshmërisë me shtypjen e lirive në Hong Kong, me synimet e reja strategjike në Detin e Kinës Jugore, me grushtin gjithënjë e më të rëndë mbi pakicat etnike, mbi lirinë e brëndëshme të shprehjes, me akullin në marrëdhëniet me kishën katolike, me kërcënime arrogante ndaj shteteve sovrane.
Arrestimi i Jimmy Lai-t
U mbajt i fshehtë deri pak orë para botimit, natën e 30 qershorit: shtatëmijë fjalë, 66 nene. “Ligji i ri mbi sigurinë” ndëshkon me dënime deri në të përjetëshme hamëndje të krimeve si “ndarje, përmbysje apo veprimtari armiqësore, marrëveshje me Vënde të huaja për të kërcënuar sigurinë kombëtare”. I përpunuar në Pekin, i dha fund një viti e gjysmë protestash në Hong Kong, sot krahinë administrative e veçantë, por që me paktin Pekin – Londër duhet të ruante disa liri qytetare themelore deri në 2047: “një Vënd i vetëm, dy sisteme”. Protestat kishin filluar sepse Kina mëtonte të dënonte në gjykatat e Pekinit të paditurit për krime të hamendësuara (edhe politikë) të kryera në Hong Kong. Mëtimi më pas u tërhoq, por ndërkaq “Pekini – shpjegon një burim – ka përfituar nga hutimi i Perëndimit, i shkaktuar nga pandemia, për të miratuar ligjin mbi sigurinë kombëtare”. Kështu, të shtyra një vit zgjedhjet e parashikuara për gjysmën e shtatorit (hulumtimet jepnin opozitën liberale në 60” të miratimeve), të ikur në mërgim drejtuesit kryesorë demokratikë, qindra arrestime vetëm në ditët e para, në pranga edhe botuesi liberal Jimmy Lai, me dy bijtë, zyrtarisht për “marrëveshje kunër bashkësisë së Shtetit kinez”. Dymbëdhjetë qytetarë të Hong Kongut janë arrestuar në javët e fundit sepse kërkuan të arrinin Taivanin me varkë. Londra i ka ofruar “një rrugë të re mërgimi” tre milionë qytetarëve banorë të Hong Kongut që në 1997 zgjodhën, në marrëveshje me Pekinin, që të ruanin pashaportën e tyre kineze. Përgjigja e Pekinit: “nuk i quaj të vlefshme ato pashaporta”.
Nyja Taivan
Nga janari 2021 Taivani do të ketë një pashaportë të re. Në kapak fjala “Republika e Kinës” nuk lexohet më, në vëndin e saj “Taivan”. Një shenjë shqetësuese për Pekinin që ka qortuar gjithmonë: “nëse ata do të shpallin pavarësinë, ne do të ndërhyjmë ushtarakisht”. Sepse Taivani, në fakt i pavarur nga 1949, nuk është një Shtet i pavarur i së drejtës, nuk ulet – nga mungesa e vullnetit të Pekinit – në organizatat ndërkombëtare. Për Kinën është një “tërësi kryengritëse”, të cilën e njohin diplomatikisht vetëm 14 shtete. Vetëm një shembull: Pekini ka ndaluar që OBSH të ftonte në mbledhjen e saj të nivelit të lartë Taivanin si shëmbull të mbarështimit të mirë shëndetësor. OBSH i është bindur. Nuk është vetëm çështje e krenarisë perandorake, por kryesisht gjeostrategjike, sepse Deti i Kinës Jugore është në qendër të planeve të tij të shtrirjes: i mbushur me ishuj artificialë kinezë, është një minierë e nëndetëshme me 11 miliard fuçish nafte dhe 190 trilion metro kubësh të gazit natyror. Taivani është pajisur: të gjithë planet e tij ushtarake janë hartuar mbi një hamëndje mësymjeje tokujse të ardhur nga Kina, e cila nga ana e saj është e armatosur me teknologji t’aftë për të shkatërruar e vrarë pa ndërhyrjen njerëzore.
Ekzekutimet
Simbas Amnesty International Kina mban rekordin botëror të ekzekutimeve kapitale, të parashikuara për 46 krime të ndryshme, përfshirë edhe subversionin (pështjellimin). Ekzekutimet janë “mijra në vit”. Por Pekini thotë se nuk ka “statistika të ndara”, se numuri përfshin dënimet me burgim të përjetshëm dhe ata me pesë vjet. Në praktikë i quan sekret Shteti. Vetëm në 2014 OKB ka miratuar 20 porosi kundër dënimit me vdekje, të gjitha jo të detyrueshme, të rrëzuara nga Pekini si të “pazbatueshme e në kundërshtim me realitetin kinez”. Pa përgjigje edhe protestat e Këshillit të OKB për të drejtat njerëzore: madje në prill 2020, pikërisht n’atë Këshill prej të cilit ishte dorëhequr përfaqësuesi amerikan, Kina e rrëzuar nga “qortimet” periodike të Pallatit prej Xhami sa i përket temave të lirisë e drejtësisë, ka fituar një vënd të sajin deri në 2021. Ndoshta sepse, pohon “Qendra për një Siguri të Re Amerikane”, po mbush zbrazësirën e lënë nga Trump-i në organizatat ndërkombëtare dhe sepse sapo ka premtuar një dhurim OKB-së prej 2 miliard dollarësh në harkun e dy viteve.
Shtypja e pakicave etniko – fetare
Tibeti është një krahinë autonome. 3,1 milion banorët e tij janë pothuaj të gjithë budistë, me gjuhën e tyre dhe njimendësinë kombëtare që arrin në vitin 127 p.K. Kanë kërkuar gjithmonë pavarësinë nga Pekini dhe kanë paguar një çmim: tempuj të shkatërruar e shtypje e përgjakëshme. Dalai Lama, çmim Nobel për Paqen, jeton në mërgim në Hindinë e Veriut, ka hequr dorë nga çfarëdo fuqie pushtetore dhe nga vija pavarësore. Por kërkon ende “mëshirë” dhe respektin e të drejtave njerëzore. Në krahinën autonome perëndimore të Hsingiangut jetojnë 23 milionë banorë, 47 % e të cilëve janë myslimanë ujgurë. Është e papranueshme për Pekinin kërkesa e tyre për liri fetare. Shtypjes së dhunëshme i tërnohet “riedukimi politik” ose “formimi ideologjik e qytetar” nëpërmjet punës së detyruar. Në një shtatorin e shkuar World Uyghur Congress, me rastin e vizitës në Berlin të ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, i kërkoi ndihmë qeverisë gjermane: nga 1 deri në tre milionë ujgurë janë të dënuar pa padi në kampet e “riedukimit”, ku ndodhin tortura dhe shterpëzime të dhunëshme. Gjermania ka protestuar shumë herë, edhe se në Hsingiang gjinden fabrika gjermane si Volkswagen (në Urumçi), Siemens, Basf. 4022 kampet e riedukimit janë shfuqizuar formalisht në 2013, por një dron anglez ka filmuar skena në një kamp të Hsingiangut ku mijëra njerëz prodhojnë lodra, veshje dhe mallra me çmim të ulët, më pas të shitura në Perëndim. Pekini e ka hequr qafe si një propagandë trumpiane, por nuk autorizon hyrjen e mbikqyrësve të OKB-së, të kërkuar nga 22 Shtete me një letër të Këshillit për të drejtat njerëzore. Në letër mungonte firma amerikane, e tërhequr tashmë para një viti. Ndërkaq ujgurët e mërguar n’Evropë, e tashmë qytetarë të Hollandës apo të Finlandës, kërcënohen nga agjentë kinezë: “Mendo për familjen tënde”. Në Mongolinë e jashtëme, e pavarur që nga 1921 dhe e banuar nga pasardhësit e Xhengis Khanit, nga ky vit mësimi nuk do të bëhet më në gjuhën vendore, por do të jetë e detyrueshme gjuha kineze.
Marrëdhëniet Kinë – Vatikan
Sot në Kinë janë 10 milion katolikë, 101 ipeshkvij, 146 dioqeza, 4000 priftërinj, rreth 4500 murgesha. Po përfundon marrëveshja e përkohëshme Pekin – Romë e vitit 2018. Do të duhej të vërtetonte se fjala e fundit e urdhnimit të ipeshkvijve i përket Papës. Një kompromis teorik, pra. Por gjëndja e vërtetë është krejt ndryshe, pohojnë burimet katolike: marrëveshjet nuk janë respektuar nga regjimi, kishat janë të mbyllura e të zotëruara nga flamuri i partisë e kush synon të punojë në një zyrë shtetërore duhet të heqë dorë më parë nga çfarëdo besimi fetar. Ose më saktë: Shteti shpall lirinë fetare dhe njeh zyrtarisht pesë besime, por pastaj i shpjegon antarëve të partisë se çdo kult është “anestezi shpirtërore”, e papajtueshme me qënien në parti. Por triska e asaj partie në fakt është e domosdoshme për t’u futur në punë shtetërore. Ndërkaq misionarët italianë duhet të kthehen në shtëpi, përfshirë Bernardo Cervellera, drejtori i AsiaNews.
Kërcënimet ndaj Shteteve sovrane
Çfarë i ndodh zërave kritike? Cheng Lei, qytetare australiane e lindur kineze dhe një gazetare e njohur e TV publik të Pekinit, ka përfunduar në arrestim shtëpiak në një vënd të panjohur, pa asnjë padi të qartë. Drejtuesit e Tienanmenit janë në mërgim ndërmjet SHBA, Francës, Australisë dhe Italisë. Kërcënimet shtrihen edhe kundrejt Shteteve sovrane. “Me miqtë ne përdorim verën e mirë, dhe pushkët me armiqtë” hungëroi ambasadori kinez në Stokholm kur qeveria suedeze lajmëroi se do të vlerësonte me një çmim botuesin e shkrimtarin Gui Minhai, suedez i lindur në Kinë, ku ishte dënuar me dhjetë vjet për spiunazh të hamendësuar. Gjatë udhëtimit evropian ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u ndalua më 3 shtator në Republikën Çeke, e duke i u drejtuar Presidentit të Senatit Miloš Vystrčil, që sapo ishte kthyer nga vizita në Taivan, deklaroi tekstualisht “do t’a paguani shtrenjtë oportunizmin tuaj politik”. Më 31 gusht kishte kaluar nga Norvegjia. Një gazetar kishte pyetur ministrin se çfarë mendonte ai për mundësinë e shtrirjes “djemve të Hong Kongut” të Nobelit për Paqën. Përgjigja: “Norvegjia nuk duhet të shfrytëzojë Çmimin për të ndërhyrë në punët tona të brëndëshme, duhet të mendojë më mirë të kultivojë marrëdhënie “të shëndosha” që janë sendërtuar më së fundi mbas “dimrit të ngrirë” që vazhdoi mbas Nobelit të dhënë më 2010 disidentit të burgosur Liu Xiaobo”.
Çmimi i heshtjes
Sa vlen liria e fjalës në një botë gjithënjë e më shumë të ndërlidhur, që duhet të bëjë llogaritë me kërcënime shëndetësore e të ngrohjes globale, e në të cilën Kina ka një rol qëndror? Juristi i universitetit të Pekinit He Weifang ka thënë: “Mungesa e lirisë së fjalës e të shprehjes ka ndihmuar përhapjen e infeksionit”, e kishte theksuar një koleg i tij i ndritshëm, Xu Zhangrun, i arrestuar. Li Wenliang, okulisti kinez që e veçoi i pari virusin, në fillim u ndal, pastaj u qortua, më së fundi u bë viktimë. Sot në botë numërohen pothuajse një milion të vdekur dhe një rënie e ekonomisë globale. Kina nuk ka kërkuar falje dhe mburr sipëraninë e modelit kinez, që ka mbarështuar në mënyrë të jashtzakonëshme pandeminë, ndërsa Vëndet demokratike nuk janë në gjëndje. Sot deklaron se ka vetëm tetë raste në 1,4 miliard banorë. Është e pamundur të dihet sa i vërtetë mund të jetë ai numur. Nuk ka dyshim se Shtetet e Bashkuara, Brazili e ndonjë Vend evropian të kenë nënëvleftësuar, por si do të kishin shkuar punët nëse autoritetet kineze do të kishin njoftuar menjëherë bashkësinë ndërkombëtare për atë që po ndodhte? Nuk do t’a dijmë kurrë, ashtu sikurse nuk do të dijmë saktësisht se çfarë ka ndodhur që hulumtimi ndërkombëtar i pavarur, i votuar njëzëri në OBSH në maj, është ende vetëm një copë letër.
“Corriere della Sera”, 27 shtator 2020 Përktheu Eugjen Merlika