Ne Foto:Dedë Gajtani/
Më së tepërmi, emri i tij lidhet me Shkodrën, ku mori mësimet e fëmijërisë dhe të rinisë në Kolegjin Saverian të jezuitëve, një Institut i njohur brezni mbas breznish, që sendërtuan vlera të larta në fushën e atdhetarisë, të kulturës, të shkencës, të arteve, etj. Shkollimin e lartë në kolegjin “Propaganda fide”, Romë.
Shkodra ka qenë dhe është qyteti që e ka lidhur dhe e lidhë atdheun me Europën Perëndimore, duke i ushqyer breznitë e reja me kulturën e saj, arritjet e saj në zagnat e dijes, artit, shkencës. Një rol të veçantë në këtë hulli ka luajtur letërsia artistike dhe në këtë mjedis letrësia e përkthyer nga letrësia botërore, ku emri i Dedës zë një vend të çmueshëm. Ai renditet në radhën e përkthyesve shkodranë më të njohur e më të mirë si Ernest Koliqi, Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj, Nikollë Dakaj, etj.
Nata e errët, e ftohtë dhe e gjatë e periudhës së diktaturës ka errësuar dhe, më përtej, ka mohuar realizimet e niveleve të larta të krijimtarisë letrare të talenteve shkodrane; megjithëkëtë nuk ka mundur t’i zhbëjë. Një disidencë e heshtur ka dhënë frytet e saj. Letërsia e shkruar në heshtje ka vlerat e saj si shfaqje e shpirtit krijues, si përmbajtje e veprës letrare dhe si formë e saj. Ajo gjalloi në Shkodër, e cila, si qendër e lashtë dhe e rëndësishme tradite e kulture, nuk mund të binte lehtë viktimë e verbër e propagandës komuniste, e gënjeshtrës dhe e mashtrimit.
Disidentët shkodranë e kuptuan mirë, e gjykuan drejt, dhe e ndoqën hap pas hapi kohën që jetuam, kështu që vepra e tyre është pasqyrë shpirtërore e intelektualit të ndershëm, e hije-dritave ku luhatej ndjenja dhe mendimi, ideali dhe brenga e kohës, një pasqyrë ku vezullon ideali human, dhimbja e thellë për popullin që po vuante të zezën e ullirit, pasqyra ku flakëron dinjiteti i njeriut dhe i krijuesit. Do të mbeten në historinë e letërsisë emrat e lavdishëm të disidentëve shkodranë: Zef Zorba, Tefë Krroqi, Ernest Perdoda, Primo Shllaku, Sander Gera (pjesërisht). Këtij grupi i takon edhe Deda dhe autori i këtij shkrimi.
Shkodra është qyteti që e bëri poet Gajtanin që në vitet e rinisë. Motivet, prozodia, veçoritë e stilit poetik, terësia e mjeteve artistike, liçencat poetike, fjalori tejet i pasur i takojnë asaj. Për t’u shënuar është që Deda eci në gjurmët e Mjedës, si vazhdues i denjë i rrugës që pati hapur ai.
Ndjenja e dashurisë për Atdheun haset në shumë poezi dhe i takon kohëve të ndryshme. Në një poemë që i është kushtuar “Kalasë së Rozafatit”, Rozafa i flet të birit, piçirukut të vogël, që kërkon t’ia bien me e pa për herë të fundit:
“ . . . – Mos harro, o bir -!
Se nana jote njiktu asht ba fli,
Që ti të rritesh, i fortë dhe i lirë
Për Shqipëri.”
Si poet tejet i ndieshëm, kur është larg, poetizon për mallin, që përbën një nga lejtmotivet e tij kryesore. Një mall i konkretizuar nga një dhimbje e thellë shpirtërore dhe një dëshirë e pamposhtur: mall për atdheun, mall për Shkodrën, mall për familjen, mall për shoqërinë, etj.
“Në qytet të amshueshëm përmbi shtatë kodra,
ndojherë kur lodhun m’bien sytë prej ballit
rri tuj menduemun, sa e bukur asht Shkodra!
E kjaj prej mallit.”
Te Deda hasim të gjitha llojet e lirikës: lirikat politike, filozofike, erotike, lirikat e peisazhit, etj. Të tërheqin vërejtjen përshtatjet nga letërsia e huaj: “Atdheu”, simbas L. Orsinit, “Kushtrimi i Kosovës” dhe “Lidhja e Prizrenit, simbas G. Berchet. Në poezinë e parë ushton kushtrimi i luftës për çlirim nga pushtuesi serb:
“Sot, ju burra, pra Atmes kreshnike,
zbardhnia faqen si në luftë a zakoni!
Sot për atme a ndezë lufta, Fitoni!
Përmbi shpata fitimi ju rrin.”
Në poezinë “Lidhja e Prizrenit”, është po ajo situatë, tashmë e konkretizueme në një organizatë politike mbarëshqiptare, e cila krijon ushtrinë e vet, dhe hidhet në luftë për çlirimin e atdheut nga sundimi shekullor turk dhe për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Poeti si gjithnjë hedh kushtrimin:
“Në kambë, bre burra! Si burrat e motit,
Mos t’korisim n’ ditë t’ sodit Malcinë!
T’ lshojm kushtrimin m’e pshtuemun Shqypninë!
Pse Shqypnija, sot t’ gjithve na ftoi.”
Shumë motive poeti i ka kushtuar punëtorit, sidomos bujkut, duke përshkruar jetën e vështirë të tyre, punën e mundshme që të sigurojnë bukën e gojës, duke e përballuar atë me urti e me nder. “Rrin tuj mihë atje/ sa ka çilë drita, nji djalë”. I gëzohen punës “lehtë nji kangë tue këndue nën za”, dhe falënderojnë Zotin.Një mori motivesh realizohen nën dritë-hijet e kujtimeve të shumta e nga më të ndryshmet, gjithnjë të përshkuara nga një ndjenjë e fuqishme dhe një ideal i fisëm. Kujtime familjare, kujtime shkollore, kujtime të kohëve të ndryshme, kujtime të stinëve; të gjitha shoqëruar nga një përmallim i thellë.
Gajtani është i njohur si një ndër përkthyesit më të mëdhenj të poetëve të huaj. Ka qenë poliglot, ka zotëruar latinishten, greqishten e vjetër, italishten, spanjishten, gjermanishten, anglishten. Deda e ka pasuruar letërsinë tonë me poezitë e poetëve të shquar: A. Rossini, A. Manzoni, A. Aleadri, G. D’Annunzio, H. Heine, V. Hygo, L. Ariosto, G. Barsottini, Brunamonti, Carrer, G. Gapparozzo, D. Guerrazzi, G. Chiarini, A. G. Cesareo, T. Colonna, Chateubriand, L. Pignoti, G. Mazzoni, G. Carducci, Delille, V. Da Filicaia, G. Debato, Paul Deroulede, U. Foscolo, A. Fusinatto, Longffellow, A. Fogazzara, T. Grossi, J.W. Goethe, A. Graf, G. Giusti, I. Kasandrie, Ada Negri, G. Prati, G. Leopardi, R. Fucini, V. Maro, G. Marradi, A De Musset, B. Menzini, Mayo, A. Novaro, E. Nencioni, G. Pascoli, P. Parzaneze, B. Prina, E. Praga, E. Panzacchi, G. Pastocchi, A. Poliziano, Ruskin, Rinaldi, G. Catullus, Friedrich Schiller, Shelley, B. Sestini, T. Tasso, J. Da Todi, E. Von Bauerfeld, N. Tommaseo, Felic Uda, G. Zanella, A. Zadro, Hebel, C. Bertola,
Duhet vënë në dukje se nga këto poetë, në përgjithësi, ka përkthyer disa poezi, p. sh., nga Manzoni: tetë poezi, nga Leopardi : shtatë poezi, etj. Gjithsejt ka përkthyer 130 poezi.
Deda ka botuar në revista dhe gazeta të ndryshme si “Kumbona e së Dieles” (Shkodër), “Rrezja Jonë” (Shkodër), “Shkëndia” (Tiranë), “Mbas Teje” (Shkodër), “Jehona e së Dielës” (Shkodër), “Balli i Rinisë” (Tiranë), “Zani i Shna Ndout” (Shkodër), “Aurora Consurgens” (Shkodër), “Bashkimi i Kombit” (Tiranë), “Cirka” (Tiranë), “ Familja e Krishterë” (Tiranë ). Gjatë periudhës së diktaturës nuk ka botuar.
Ai ka nënshkruar me emrin e plotë, por dendur ka përdorë edhe pseudonimin “Firsi”. Nëse i vemë një emërues të përbashkët veprimtarisë së tij letrare si poet dhe përkëthyes do të themi: të gjitha poezitë dhe poemat i përshkon një moral i lartë kristian, një atdhetarizëm i flaktë dhe një dashuri e spikatur për Shkodrën.