Këto ditë studiuesi i pasionuar Nelson Cabej i shoqëruar nga dr. Hasan Ademaj vizitoi Shtëpinë e Vatrës, pas një vizite në Francë. Ai u prit nga editori i Diellit Dalip Greca. Z. Cabej, i njohur për studimet e tij akademike të botuara në SHBA, që kanë tërhequr vëmendjen e qarqeve akademike dhe që janë tërhequr nga më shumë se 1000 biblioteka universitare në SHBA, solli librat që dr. Arsim Spahiu, i cili jeton në Paris, ia dhuroi Bibliotekës së Vatrës. Librat e dhuruar, që tashmë janë në iventarin e Bibliotekës së Vatrës, dhe mund të shfrtëzohen nga lexuesit dhe studiuesit,janë këto:
*Dr. Arsim Spahiu”Orakulli i Dodones dhe Epirotet”-Mitologjia dhe Feja Epirote- Vellimi I
*Dr. Arsim Spahiu- TRIPTIK EPIROT
*Dr. Arsim Spahiu- SHTETI EPIROT
* Dr. Arsim Spahiu -GJUHA E EPIROTËVE TË VJETËR
* Dr. Arsim Spahiu – PELLAZGËT DHE ILIRËT NË GREQINË E VJETËR
Dr. Arsim Spahiu, i njohur në fushën e studimeve historike, u lind më 1942 në Prizren, në gjirin e një familje Lumjane nga Katundi i Kolesianit. Që në moshë të re ai tregon interesim për Historinë e Shqipërisë, por pasi kryen Gjimnazin në Kukës, në vitin 1960, i jepet e drejtë studimi në degën e Fizikës, në USHT. Në vitin 1962 internohet familiarisht në rrethin e Lushnjës, nga ku lirohet vetëm pas 29 vjetësh. Në vitin 1991 emigron në Francë, ku kryen studimet universitare në Histori, në Universitetin e Besancon-it. Më 2002 merr Gradën e Masterit në Histori dhe në Vitin 2005, mbasi mbron tezën mbi “Pellazgët dhe Ilirët në Greqinë e Vjetër”, merr Gradën e Doktorit në Histori të Universitetit të Franche-Comte’-së.
Ka botuar edhe “Iliriciteti i maqedonasve e epirotëve”,”Pellazgët e Ilirët në Greqinë e Vjetër” etj. Po ashtu dr. Arsim Spahiu ka botuar edhe dy romane, të shkruar gjatë kohës së internimit. Romani “Drenicarët” i botuar në 2001 është pritur mirë nga lexuesit.Dr. Arsim Spahiu është bashkëpunëtor i rregullt i gazetave në Tiranë.
Federata Vatra dhe Gazeta Dielli e falenderon Dr. Spahiun për librat e dhuruar dhe i uron sukses në fushën e studimeve dhe të krijimtarisë letrare.
Ne Foto: Studuesi Nelson Cabej me dr. Hasan Ademaj ne Biblioteken e Vatres