-Kryeministri Ramush Haradinaj në takim me Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Pete Marocco: Kosova e gatshme të kontribuojë për paqen në rajon dhe botë/
NJU JORK, 24 Shtator 2018-Gazeta DELLI/ Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, në një takim sot në Nju Jork me kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj tha se SHBA-të vlerësojnë sukseset që ka shënuar Kosova dhe do të jenë mbështetëse në rrugën e saj euroatlantike.
Njoftimi i dërguar thekson se, në takimin e zhvilluar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është biseduar për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe për veprimet e ndërmarra në funksion të konsolidimit të brendshëm të vendit, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të gjitha mekanizmave të sigurisë dhe për angazhimin e Kosovës në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
“Kosova është e gatshme që të kontribuojë për paqen në rajon dhe botë”, citon komunikata kreun e qeverisë kosovare.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Marocco për të arriturat në Kosovë në përmbushjen e reformave, zhvillimin ekonomik, dhe në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
“Qeveria është duke punuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit. Ne kemi institucione kredibile që mund të kontribuojnë në ruajtjen e paqes në vend dhe rajon”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar gjithashtu se fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të vendit duke u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare, do t’i mundësojë Kosovës që të jap kontributin e saj në sigurimin e paqes së qëndrueshme./b.j/
Kryeministri Haradinaj takoi në Nju Jork, shefin e MCC-së
Nju Jork, 24 shtator 2018- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në ShBA, ka takuar Kryeshefin Ekzekutiv të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Brock Bierman.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar kryeshefin e MCC-së, për kontributin e gjithanshëm që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për popullin dhe shtetin e Kosovës.
“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj, i cili njëkohësisht e njoftoi kryeshefin Bierman për të arriturat e konsolidimit të shtetit.
Ndërkaq, Bierman gjatë bisedës me kryeministrin Haradinaj, vlerësoi përkushtimin e Qeverisë së tij në përmbushjen e agjendës shtetërore.
Programi i MCC-së për Kosovën, përkrahë përpjekjet e Qeverisë për të ulur shpenzimet e energjisë në ekonomi familjare dhe biznese, dhe për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien me përqendrim në reformat institucionale dhe të politikaveAmerika, partnere e Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.
-Kryeministri Haradinaj: ShBA-të, partner i vendit në të gjitha fazat e shtetndërtimit/
Nju Jork, 24 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me senatorin amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Njoftimi dërguar nga qeveria e Kosovës thekson se, në këtë takim Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Senatorin Johnson për progresin e arritur në vend, veçmas në fushën e rendit dhe ligjit dhe përkushtimin e Qeverisë në fuqizimin ndërkombëtar të vendit, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, punën drejt transformimit të FSK-së në Ushtri dhe tema të tjera me interes për vendin.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se Kosova është e përkushtuar që të forcojë partneritetin bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo fushë me interes për të dyja vendet, duke ritheksuar qëndrimin e Qeverisë për miqësinë e përjetshme me ShBA-të dhe orientimin e pakthyeshëm euro-atlantik.
“ShBA-të ishin krah nesh në secilën etapë të shtetndërtimit tonë dhe orientimi ynë si vend është krah politikave të miqve tanë”, ka thënë Kryeministri Haradinaj.
Nga ana tjetër, Senatori Johnson ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë së vendit në tema të ndjeshme për sigurinë dhe ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur vendin në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Pjesë e takimit ishin edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitaku.