• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PETICION MBARËSHQIPTAR PER LIRIMIN E DEPUTETES DONIKA KADA-BUJUPI

November 26, 2015 by dgreca

Në Tiranë nisma: Peticion dërguar presidentes Jahjaga për lirimin e Donika Kada- Bujupi/

PETICION MBARËSHQIPTAR/
I bëjmë thirrje Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga që të urdhërojë lirimin e menjëhershëm e pa kushte të deputetes Donika Kada – Bujupi sepse së pari nuk ka bërë asnjë krim por ka ushtruar të drejtën e saj për të mbrojtur interesat e popullit shqiptar të Kosovës dhe gjithashtu se është turp që ndërkohë që lakohen emrat e zyrtarëve lartë për korrupsion dhe allishverishe, gjendet kohë e vend të arrestohet dhe burgoset një femër përfaqësuese e ligjshme e popullit. Kjo i jep Kosovës një njollë sa i përket trajtimit të femrave shqiptare, që në të vërtetë në Kosove është edhe ashtu plot problematika dhe duhet bërë gjithnjë e më shumë për emancipimin e shoqërisë qe ende ka një mentalitet të vjetruar në trajtimin e grave e vajzave shqiptare. Prokurorët meshkuj arrestojnë një femër deputete, ky akt i pa precedent i jep Kosovës gjithashtu një fytyrë provincializmi anakronik dhe prapambetje në sy të botës perëndimore në të cilën aspirojmë të gjendemi në të ardhmen .
Shpresojmë qe kjo kërkese do te merret parasysh.
Nismëtar i Peticionit
Kolec Traboini

Filed Under: Opinion Tagged With: Donika Kada Bujupi, Jahhjaga, Kolec Traboini, Peticion

Kosovë-Bllokadë, peticion, protestë…

October 13, 2015 by dgreca

-Kryesia e Kuvendit përgatitje për seancë plenare, opozita paralajmëron vazhdim bllokade, në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të fundit në Bruksel, ku edhe sonte pritet takim kryeministror Kosovë-Serbi-
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Në Kuvendin e Kosovës është ftuar për nesër mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: Përgatitjet për seancën plenare.
Kuvendi i Kosovës, i bllokuar nga opozita e me të gjitha seancat plenare të ndërprera në sesionin vjeshtor rimblidhet këtë javë, ndërkohë që kërkohet zhbllokimi. Por, opozita edhe sot ka paralajmëruar vazhdim të bllokimit të Kuvendit, si dhe protesta, të cilat u zhvilluan edhe gjatë natës së kaluar në Prishtinë pas arrestimit në mbrëmje e deri në lirimin e liderit të parë të LVV-së, Albin Kurti.
Javën e kaluar, pas zhvillimeve gjatë ditës së 8 tetorit me gaz lotësjellës të hedhur nga opozita në mbledhjen plenare të Kuvendit, është mbajtur mbledhja e Kryesisë, së bashku me shefat e grupeve parlamentare. Në mbledhje, ndonëse nuk morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit dhe shefat e të tre grupeve parlamentare të opozitës, LVV, AAK e Nisma, Kryesia vendosi për mbajten e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës në 15 tetor, e cila do hapej me deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Ndërsa, jo seanca të reja të Kuvendit të Kosovës, pa garantuar mbarëvajtjen e tyre, është opinioni i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili ka dënuar ashpër përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave dhe kërkon nga subjektet politike opozitare të ndalojnë praktikën e bllokimit të punimeve në Kuvend.
Në kundërshtim të 4 marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë të 25 gushtit – të raundit të 28-të të takimeve të kryeministrave dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, opozita kosovare ka organizuar edhe peticion dhe ka mbledhur mëse 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, ka bojkotuar tre mbledhjet e kaluara të Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, bojkoton edhe komisionet parlamentare.
“Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme”, thuhej në letrën e opozitës drejtuar qytetarëve javën e kalur.
“E vetmja mundësi reale në këtë situatë është që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje ose të bie bashkë më to”, ka deklaruar sot në konferencë të jashtëzakonshme për shtyp Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk mund dhe nuk do bëhet tërheqja e nënshkrimeve nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd në Bruksel, që janë ndërkombëtare dhe që bazohen në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013”, ka theksuar qeveria kosovare.
Pas kthimit nga Brukseli, raundi i 28-të i dialogut me Serbinë në nivel kryeministror, Mustafa ka njoftuar në mbledhje të qeverisë dhe në konferencë shtypi se, “paketa e katërmarrëveshjeve të 25 gushtit 2015 përfshinë: marrëveshjen për kodin telefonik, marrëveshjen lidhur me heqjen e pengesave të Serbisë në zbatimin e marrëveshjes për energjinë, parimet themelore për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe poashtu marrëveshjen lidhur me heqjen e barrikadave nga ura e Mitrovicës”.
“Këto marrëveshje janë në pajtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në pajtim të plotë me ligjet e Kosovës, ndërsa kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve tona që ne i kemi krijuar me Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, e aprovuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Kryeministrat e Kosovës e Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt nomalizimit të marrëdhënieve pritet të takohen sot në darkë në Bruksel në raundin e 29-të të dialogut në nivel të lartë kryeministror, të nisur në tetorin e para tre viteve me raundin e parë, që pasonte nisjen bisedimeve teknike. Për takimin më të ri, media serbe njofton se kryeministri Vuçiç udhëton sot drejt Brukselit dhe paralajmëron se tema e bisedimeve do të jëtë përparimi i deritashëm në dialogun në normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e marrëveshjeve.
Në Bruksel, kryeministrat Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillonjë takimin e gjashtë të tyre, ndërsa nga 28 raundet deri tash të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Kosova dhe Serbia në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, takimin e parë kryeministror në Bruksel e kanë zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Bllokadë, Peticion, proteste

ORGANIZATA ÇAMERIA DHE 11 SHOQATA NË SHBA I DORËZUAN PRESIDENTIT NISHANI PETICIONIN PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME

September 27, 2014 by dgreca

Të Premten në mbrëmje, 26 shtator 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani, me kërkesën e Vatrës, priti në New York, një përfaqësi nga Organizata Shqiptaro Amerikane Çamëria në Amerikë dhe Kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Buçaj, që shoqërohej nga editori i Diellit, Dalip Greca. Përfaqësia e Shoqatës Çamëria kryesohej nga Kryetari Fuat Mamo dhe sekretari Endri Merxhushi dhe Armand Braho.
Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, i uroi mirëseardhjen në SHBA dhe e garantoi se Vatra dhe Komuniteti Shqiptar, vlerësojnë veprimtarinë e tij në krye të Shtetit Shqiptar. Po ashtu Kryetari Buçaj, falenderoi për imazhin e bukur që dhanë shqiptarët me rastin e pritjes së shkëlqyer që iu rezervua Papa Franceskut me 21 Shtator në Tiranë, duke i treguar Botës se Shqiptarët janë vend i civilizuar, kanë kulturë perëndimore dhe përcollën pasurinë më të çmuar shpirtërore, bashkëjetesën fetare.
Dr. Buçaj e falenderoi presidentin për vlerësimet që i ka bërë diapsorës së Amerikës, veçanërisht Federatës Vatra.
Presidenti Nishani, tha se e vlerësonte shumë mikpritjen dhe bujarinë e komunitetit shqiptar dhe rolin e madh që ka luajtur dhe luan Vatra në historinë tonë Kombëtarae. Përherë e kam vlerësuar, tha Presidenti, dhe do ta vlerësoj edhe në të ardhmen atë ç’ka ka bërë Vatra për Kombin, në çastet më të vështira të tij. Na takon të gjithëve, tha presidenti, që ta bëjmë të njohur atë ç’ka ka bërë Vatra për çështjen tonë Kombëtare.
Presidenti Nishani vlerësoi rolin e madh që diaspora shqiptare luannë ditët e sotme.Këtu në diasporë, tha ai, egzistojnë kapacitete intelektuale dhe atdhetare, që Kombi duhet t’i shfrytëzojë më mirë.
Kombi ynë ka vuajtur nga pushtuesit dhe nga diktatura komuniste, ku u godit ashpër inteligjencia, nacionalizmi, edhe vatranët që i kishin shërbyer aq shumë Atdheut.
Dr. Buçaj kujtoi me këtë rast edhe propozimin që ka bërë Vatra për dekorimin e martirëve vatranë të pushkatuar e burgosur nga diktatura.
Kryetari i Shoqatës Çamëria, Fuat Mamo, i arratisur nga Shqipëria komuniste në fillim vitet ’80, e falenderoi presidentin për pritjen dhe për vlerësimin e çështjes Kombëtare dhe kërkoi që të bëhen veprime konkrete për të çuar drejt zgjidhjes përfundimtare çështjen çame. Ne tha z. Mamo, kemi ardhë së bashku me Vatrën, por edhe me mandatin e shumë shoqatave të tjera këtu në SHBA, për të përcjellë shqetësimin e komunitetit Çam të Amerikës, por dhe më gjërë, për moszgjidhjen e çështjes çame, e cila për mendimin tonë nuk është shumë në konsideratë nga politika dhe shteti, pavarësisht fjalëve. Natyrisht, tha z. Mamo, ne e vlerësojmë që qeveria e ka futur në programin e saj, dhe hapat e parë janë hedhë, por ne kërkojmë zgjidhje dhe jo qëndrim në vend. Sot, tha Mamo, edhe kryetari i vatrës ndjehet çam dhe ka ardhë në këtë takim për këtë problem, por edhe bashkatdhetarët tanë nga Malësia, Plavë-Gucia, Ulqini, Kosova, janë me në. Me këtë bashkim zërash të diapsorës shqiptare, pa dallime partiake, ne duhet t’i përcjellim edhe një mesazh politikës shqiptare, që të gjejë pikat e bashkimit së paku për çështjen Kombëtare.
Duke i dorëzuar peticionin për zgjidhjen e çështjes Çame, kryetari i Shoqatës Çamëria, i shprehu besimin persidentit se zërin e tyre do të çonte atje ku duhej dhe se ky peticion, do të shërbejë si shtysë për të mos e lënë në heshtje tragjedinë çame, gjenocidin, e pa pranuar të shtetit grek.
Nga shoqata Çamëria falenderuan presidentin dhe shprehën shqetësimet për çështjen çame, Endri Merxhushi dhe Armand Braho.
Duke marrë Peticionin, presidenti Nishani, falenderoi për besimin që shoqata Çamëria, Vatra dhe shoqatat e tjera të bashkuara në këtë shqetësim, treguan ndaj institucionit të Presidentit të Republikës.
Z. Nishani evidentoi faktin se edhe në drejtim të çështjes Çame gjërat kanë lëvizur për mirë. Tani flitet më hapur dhe problemi shtrohet në mënyrë institucionale edhe nga shteti shqiptar. Ai tregoi se për të parën herë çështja Çame është shtruar nga institucioni i Presidentit nga ai gjatë takimit me Presidentin Grek, Papulias, të cilit i tha se ka ardhë koha që çështja çame të shihet si një çështje që nuk mund të shmanget. Kjo u deklarua edhe gjatë konferencës para gazetarëve. Gjithësesi , tha presidenti për çështjen çame duhet të punojmë të gjithë, nuk duhet të punojë vetëm shoqata Çamëria, apo vetëm Partia që përfaqëson këtë komunitet në Parlament, por edhe partitë e shoqatat e tjera. Kjo është pjesë e pazgjidhur e çështjes tonë Kombëtare.
Pjesmarërsit në takim falenderuan presidentin për pritjen dhe marrjen e Peticionit.
***
Në këtë Peticion për avancimin e zgjidhjes së Çështjes Çame, drejtuar Presidentit të Republikës, Organizatës Shqiptaro Amerikane Çamëria iu bashkuan Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”, Fondacioni ‘’Plave Guci’’-New York; Shoqata Atdhetare ‘’Malesia e Madhe’’-Detroit; Shoqata Atdhetare’’ Ana e Malit’’-New York; Fondacioni ‘’Ded GjonLuli’’-New York,Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’-New York;Fondacioni Humanitar ‘’Malesia’’-New York;Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’-New York; Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’- Chicago, Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe në Bronx, Shoqata “Rugova” në New York.(Korrespondenti i DIELLIT)
***

PETICION

Republika e Shqipërisë 26 Shtator 2014

Drejtuar: Presidentit të Republikës së Shqipërisë

Z. Bujar Nishani

Shumë i nderuar Z. President;
Ju përcjellim përshëndetjet më të sinqerta dhe vlerësojmë veprimtarinë tuaj demokratike për shqiptarët dhe Shtetin Shqiptar në funksionet e ushtruara, më parë si Ministër e tani si President i vendit.
Ne, shqiptarët e Amerikës, kemi jetuar dhe jetojmë gjithmonë me shqetësimet e vëllezërve e motrave tona në vendlindje, dhe përcjellim me vëmëndje të madhe çdogjë që shkon në dëm të popullatës shqiptare, kudo si në Kosovë, Mal tëZi, Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe në Çamëri. Ne jetojmë këtu në vendin kampion të lirisë dhe demokracisë, në këtë vend të bekuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,jemi organizuar në shoqata të ndryshme dhe bashkëpunojmë me njëratjetrën me frymën patriotike të trashëguar brez pas brezi nga Konica, Fan Noli etj.
Ne që po ju shkruajmë jemi shqiptarë Çamë, të dëbuar pas një dhune të përgjakshme në vitet 1944-1945 nga trojet tona. Ne kemi shumë çështje me interes kombëtar,dhe i jemi drejtuar e i adresohemi seriozisht komunitetit shqiptar dhe ndërkombëtar.
Siç e dini, Çamëria është sot nën administratën e Greqisë dhe ka mbetur për fat të keq edhe sot e kësaj dite. Si anëtarë të bashkësisë shqiptare këtu që jetojmë e punojmë në SHBA, jemi të shqetësuar për shqiptarët e krahinës shqiptare të Çamërisë martire edhe kemi të drejtë të pyesim dhe t’i drejtohemi qeverisë sonë: “Çfarë pobën qeveria shqiptare për Shqiptarët e Çamërisë këto vitet e fundit?”
Z. President;
Çamëria, është njëkrahinë vitale shqiptare, si nga aspekti ekonomik, kulturor,por edhe gjeostrategjik. Dialekti shqipi Çamërishtes është më i vjetri në gjuhën shqipe (në këtë dialekt Dhespoti i Çamërisë detyrohet të përkthejë Dhjatën e Re më 1877, se besimtarët e krishterë nuk e kuptonin meshën në gjuhën greke), dhe jo për çudi edhe mbas mbi 500 vjetëve flitet ende sot nga pasardhësit tonë edhe në jug të Italisë. Sot vetëm në Shqipëri jetojnë mbi 300.000 shqiptarë të ardhur ose me prejardhje nga Çamëria. Diskriminimi ndaj popullsisë çame ende vazhdon.
Po ju drejtohemi juvesi president i Shqipërisë për të mbrojtjur të drejtat njerëzore për të gjithë shqiptarët.
Qeveria greke, nëpërmjet Ambasadës dhe zyrave të saj,vazhdon ti refuzojë hyrjen çamëve me banim në Shqipëri me arsyen e mosarsyes se kanë lindur në Greqi. Ata faktikisht kërkojnë të vizitojnë vatrat ku kanë lindur dhe të vendosnin një tufë me lule në vendet ku kanë qenë varrezat e të parëve të tyre.Aq më tepër, si mund të pretendohet për respektimin e te drejtave njerëzore, veçanërisht për të drejten e pronës, kur nuk u jepet e drejta për të hyrë legalisht në Greqi?!
Sot në Kuvendin e Shqipërisë gjendet një Rezolutë si platformë për zgjidhjen e çështjes çame që përmban 13 pika, të cilat mbështeten dhe marrin në konsideratë qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Deklaratën Universaletëtë Drejtave të Njeriut dhe legjislacionin shqiptar.

Z. President:
Po ju drejtohemi Juve z. President për një afrim dinjitoz, demokratik të gjithë vendeve të Mesdheut, për një të ardhme paqësore dhe vëllazerore midis popujve të ndryshëm të ndërhyni që Çështja Çame, si problem i të drejtave të njeriut të marri zgjidhjen e duhur.
Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kufijve, por kërkojmë të njihen të drejtat tona;
– Kërkojmë dënimin e genocidit grek të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë;
– Riatdhesimin dhe njohjen e të drejtave si; shtetësinë, gjuhën, pronën, traditat dhe kulturën;
– Kompensimin prej mbi 70 vjetësh të çshrytëzimit të padrejtë të shtepive, pronave dhe pasurive të tjera nga pronarët e paligjshëm.
Duke u nisur nga fakti se Qeveria e sotme e ka vënë në programin e saj Problemin Çam, atëherë duhet që pranë Ministrisë së Punevë të Jashtme të ngrihet sa më parë komisioni për të drejtat e popullit te Çamerisë.
Ne z. President, jemi të shqetësuar për më tepër, se disa qarqe nacionaliste greke të sponsorizuara edhe nga elementë grekofilë këtu në Amerikë, këmbëngulin në këtë drejtim, në një kohë që në Greqi nuk njihen pakica kombëtare shqiptare. Me të drejtë na është rritur shqetësimi me mosabrogimin e ligjit të luftës të vitit 1940 nga Greqia, mos ndoshta dikush përpiqet që në rrethana të caktuara ta vëjë në veprim?! Kjo mund të duket si diçka absurde kur të dy vendet, Shqipëria dhe Greqia, janë anëtare të NATO-s dhe për më tepër kanë nënshkruare dhe Paktin e Miqësisë më 1996, por ne nuk shohim predispozicion të palës greke për ta zgjidhur një herë e mirë problemin çam.
Zgjidhja e kësaj çështjeje do të ndikojë pozitivisht edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje pasi e ardhmja e Shqipërisë është në Komunitetin Europian. Shpresojmë që shteti shqiptar,që ju keni nderin të drejtoni, të përdorë të gjithë mekanizmat juridike dhe politike për ta zgjidhur këtë dramë të popullsisë çame.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ORGANIZATA ÇAMERIA, Peticion, presidenti Nishani, Vatra

Artikujt e fundit

  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT