• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dëshnicarët, me zemër dhe shpirt atdhetar

March 18, 2017 by dgreca

LETER PER EDITORIN E DIELLIT/:

Përshëndetje zoti kryeredaktor !                                                                                                                                Të falenderoj shumë për impenjimin dhe përpjekjet e vazhdueshme në promovimin dhe ruajtjen e vlerave pozitive të shqiptarëve emigrantë në Amerikë, që nga më të hershmit e deri te më të vonët. Meritë keni edhe për publikimin dhe pasurimin, me rubrika të ndryshme të jetës dhe veprave të tyre nga shoqata “VATRA”, nëpërmjet faqeve të gazetës “Dielli”, të cilën e drejtoni me kompetencë e profesionalizëm, i vetmi burim informacioni që kemi ne këtu në Shqipëri. Personalisht të jam mirënjohës, sepse nëpërmjet Jush arrita të njihem me fakte të panjohura, që gjyshi im, Çoban Malushi, ka qenë anëtar i degës numër 19 “VATRA” që në themelim të saj, më 23 janar 1913, i treti nga e majta në rreshtin e dytë  dhe po ashtu në fushatën e 3 qershorit 1917 ka dhënë ndihmesë me 10 dollarë. Kjo më ka nxitur prej kohësh për të bërë një shkrim, gjë vendosa ta realizoj me rastin e 100 vjetorit të fushatës së  shoqatës “VATRA”. Në se e gjykoni se mund të botohet,do të të falenderoja së tepërmi.

Me shumë respekt, miqësisht nga Tirana, Petrit Malushi

Dëshnicarët, me zemër dhe shpirt atdhetar/

 

1 Petrit malushi

Nga  Petrit  Malushi/

images-2
Eshtë  vështirë, thuajse në çdo rast kur dikush rastësisht apo jo rastësisht, tek shpreh mendim e opinion për përmetarët  brenda  të cilëve përfshihen edhe dëshnicarët, të mos flasë me konsiderata dhe admirim për cilësitë dhe vetitë e tyre. Dhe kjo ndodh fare natyrshëm, pa asnjë lloj imponimi, duke pohuar një të vërtetë të prekshme, nëse punon me një përmetar e dëshnicar,  e ke koleg, je fqinjë me të, ke pirë një kafe, e ke mik, apo qoftë edhe kur ke bërë bisedë pak minuta, sa për të pirë një cigare. Banorët e Përmetit dhe të zonës së Dëshnicës, ndër vetitë e shumta të shkëlqyera dhe pozitive si mikpritja, shpirti i pastër, zemërgjerësia, humanizmi, toleranca, arsimdashja, harmonia fetare kanë të ngjizur  edhe atdhetarizmin e patriotizmin.

1 DeshnicaBaza e kultivimit të këtyre vetive, zakoneve dhe veseve kanë qenë dhe janë familjet përmetare e dëshnicare me traditat e kulturën e asaj zone, që  i përcjellin ato brez pas brezi, prej më të moshuarëve tek më të rinjtë dhe i mbartin me vete kudo që shkojnë, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj. Historia  është e mbushur me plot shembuj të kësaj natyre, që nga kohët më të hershme.  Për ilustrim mjafton të përmendet demostrimi i tyre gjatë  Rilindjes, para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, në Luftën e Parë Botërore,  në vitet  pas saj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e socializmit apo në vitet e tranzicionit. Në fakt kjo është një temë që asnjëherë nuk shteron dhe nuk mund të thuhet se është thënë gjithëçka. Mund të shkruhen vëllime e seri pa mbarim librash historie, autobiografie, monografi, romane,novela, tregime, vjersha, drama e sërish dalin fakte e ngjarje të reja,  pasi  përmetarë e dëshnicarë gjen në çdo qytet të Shqipërisë dhe në çdo shtet të botës, e ata kudo lënë gjurmë për mirë e jo për keq.
Fakte që i ruan historia
Por shkak për këtë shkrim u bë afrimi i 100 vjetorit të Fushatës së Shoqërisë Patriotike „VATRA“ në Amerikë për mledhjen e ndihmave financiare në mbështeje të politikës për mbrojtjen e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, pasi  shteti i ri shqiptar ishte i pafuqishëm. Saktësisht nxitësi i drejtëpërdrejtë ishte miku dhe shoku im i ngushtë, shrimtari dhe publicisti përmetar e dëshnicar, Nuri Dragoj, të cilin mbase nuk gaboj nëse shprehem se nuk ka përmetar që s´e njeh. Duke u kthyer te tema e shkrimit, vlen të theksohet se pikërisht para 100 vitesh, në vitin 1917, më 3 qershor „VATRA“ çeli fushatën me synimin e lartpërmendur, në mbarë Amerikën, ku kishte emigrantë shqiptarë, të cilët u treguan të gatshëm për të kontribuar me sa të mundnin. Natyrisht  të shumtë ishin edhe përmetarët e dëshnicarët. Për të qenë sa më konkret për lexuesit e këtij shkrimi, po japim fragmente të botuara dhe të ribotuara të atij viti për këtë ngjarjeje historike me peshë kombëtare. Kështu gazeta  “Dielli” e datës 30 qershor 2014, me autor Dalip Grecën, ka hedhur në faqet e saj artikullin e gazetës “Dielli“ të datës 3 qershor  1917, ku shkruhet  për fushatën e Vatrës për shpëtimin e Shqipërisë, të shoqëruar edhe me një listë me emra të ndihmëtarëve vatranë për shpëtimin e Shqipërisë, fushatë që nisi pikërisht më 3 Qershor 1917.“ Fushata i parapriu,-risjell në këtë shkrim kryeredaktori Dalip Greca,- Konferencës  së Paqes  ku  çështja shqiptare dhe Pavarësia e shtetit do të ishin në qendër të debateve, me oreksin e shtuar të fqinjëve tanë për  t´i rrëmbyer  copa të tjera Shqipërisë  Londineze. Vatra kishte marrë  përsipër  që të mbronte të drejtat e shetit shqiptar inekzistent gjatë luftës dhe kishte vendosur përfaqësuesit diplomatikë në Angli-Londër, Zvicër, Uashington etj të cilat i paguante me shpenzimet e saj. Ambasadori Mehmet Konica në Londër dhe dr. Mihal  Turtulli në Zvicër ishin ndër më aktivët. Nga raportet e Mehmet Konicës prej Londre shihej rreziku i coptimit të Shqipërisë që gjatë luftës ishte e okupuar. Kush do t´i dilte për Zot Shqipërisë?  Qeveria Shqiptare nuk egzistonte. Kolonitë Shqiptare me përjashtim të Vatrës, ishin të paralizuara për arsye të luftës.  Barra i ra Vatrës që kishte mbetur  i vetmi  zë për shpëtimin e Atdheut. Shqiptarët, punëtorë të Amerikës, që ishin mbledhur rreth Vatrës, e vlerësuan jo barrë, por detyrë të shenjtë daljen zot të Atdheut. Për të përballuar shpenzimet e mëdha që nevojiteshin për këtë ndërmarrje kombëtare, nuk mjaftonin mijëra dollarë, por duheshin qindra mijëra. Atë kohë një punëtor i mirë merrte 8-9 dollarë në javë. Si do të grumbulloheshin qindar mijëra? Po familjeve që kishin në Shqipëri, çfarë do t´u dërgonin? Sipas llogarive duke futur dhe frymën kombëtare si faktor inspirues, udhëheqësit e Vatrës, ia nisën fushatës  duke synuar që së paku të mblidhnin 40 deri  50 mijë dollarë”. Ditën që  Vatra  e hapi fushatën “ Për shpëtimin e Shqipërisë”, më  3 Qershor 1917,  Noli dha kushtrimin me poezinë e famshme  “ Jepni  për Nënën”.  Me shpenzimet e “VATRES” u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u organizua mbrojtja e Shqipërisë. Sipas Konicës shpenzimet e bëra që nga fillimi i aktiviteteve e deri në vitin 1922 arritën shifrën 197.072.89 dollarë. Në atë shkrim  jepen edhe emrat e shteteve dhe vendeve të Amerikës ku ndodheshin dhe punonin emigrantët shqiptarë, anëtarë të “VATRES”, që  dhanë ndihma  financiare si : LAUSANE, SVICRE; MANCHESTER.N.H; ROKLAND,ME; ASHTABULLA,OHIO; ËARREN,MAS; HATHORREN.MASS; MAYNARD.MASS; E.MILLINOCKET.ME; GARDNER.MASS; LEAVEËORTH.KANSAS; ËESTER.OHIO; AUGUSTA.ME; NILES.O; ROCLAND.ME; DUNKIRK N.Y; BANKOR.ME; ËATERVILLE.ME; MADISON.ILLYNOIS; MINOA.N.Y; SYRACUSE.N.Y; HAVERHILL. MASS; GLENDIVE.MONTANA; SANFORD-SPRINVALE.ME; BATH.ME; MECHANICVILLE.CONN; CONCORD.NH;LYNN.MASS; Sipas mundësive kontributet kanë qenë nga 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,15,20 e deri në shifra 1000 dollarë, shifër  kjo e shënuar nga Dr. Mihal Turtulli.  Shpirti patriotik dhe ndjenjat atdhetare për fatet e Shqipërisë  vlonin edhe te emigrantët dëshnicarë e përmetarë. Edhe pse dollarët fitoheshin me vështirësi dhe ata punonin në punë mjaftë të rënda, kishte prej tyre  që dhanë fitimet e një jave pune.  Midis emrave të shumtë që përmenden në atë shkrim një numër i madh  janë përmetarë e dëshnicarë. Ja disa prej tyre: Qani M.Gostivishti, Mehmed H.Gostivishti, Hasbi T. Podgorani, Tefik Ramis Pavari, Sefer Ali Podgorani, Hysen Jemin Podgorani, Myrto Alush Podgorani, Hamit Airedin Podgorani, Dule Sherif Podgorani, Mehmed Zenel Malëshova, Spiro M. Naska Leusa, Peneleon M. Postenani, Athanas Buçka Lashova, Qirjako Bojaxhi Lashova, Themistokli Duhani, Sotir Anesti Lashova, Lambi D. Çarshova, Lazar Botzi Çarshova, Vangjel  Petridi  Peshtani,  Konstandin Dhimitri Trebicka, Adem Dane Maxhanji, Muhamet Qazim Podgorani, Maksut Ali Ribanji, Sefer Ymer Çoroguni, Vëll. Mato Trebicka, Vëll. Nikolla Trebicka, Brahim Hysen Potgorani, Lici Petro Trebicka, Hari Apostol Trebicka, Zonjusha Theodora Adams, Sulejman Hysen Xhananji, Qazim Isa Fratari, Çoban Malush Leskoveci, Hasan Hamet Tolari, Murat Isuf Tolari, Veli Shaban Potgorani, Bakush Zenel  Çoroguni, Hasan Isuf Potgorani, Nexhip A. Bënja, Muharem Hasan Maxhani, Haxhi  Myslim Këlcyra, Xhemal Adem Tolari, Alim Shem Badlonja, Husen Muharem Ribani, Agush Mecan Senicani, Rusten Vakush Zhepova, Myslym Duli Zhepova, Kalem Adem Senicani, Sadik Rakip Bedyqasi, Dine Kamber Çoroguni, Sherif Sejat Seniçani, Kamber Islam Senicani, Guri D. Opingari, Thimi Angel Odriçani, Zonja Vana K.Ogreni, Kostaq M. Ogreni, Zonjusha Tefta K. Ogreni, Apostol L. Bënja, Gaqi P. Novosela, Loni S. Naum, Hasan Myslim, Qamil Kamber Çoroguni, Qenan Duro Panariti, Hasim Panariti, Ibrush Mehmet Panariti, Riza Teme Panariti, Nail Banush Përmeti,Vait Bakush Përmeti, Xhafer Asllan Panariti, Daman Xhemal Përmeti, Bajram Brahim Përmeti, Hamza Gani Përmeti, Bajram Hajdar Panariti, Abas Jaup Panariti, Sefer Zyla Panariti, Xhemal Oran Panariti, Deme Muke Panariti, Xhelo Sherif Panariti, Nuredin Elmas Panariti, Kamber Rakip Panariti, Safet Xhemal Përmeti, Karafil Shaban Përmeti, Jonus Seran Panariti, Kaçi Latif Panariti, Hasan Jaup Panariti, Refat Tair Panariti, Liço Rahman Panariti, Sabri Frashëri, Faslli Teme Panariti, Banush Feta Përmeti, Abdulla Ahmet Përmeti, Çerciz Osman Miçani, Rakip Ali Panariti, Muhamet Nuredin Frashëri, Riza Mehmet Përmeti, etj. Por ishte puna intensive dhe e palodhur e shoqërisë“VATRA” , themeluar qysh më 28 prill të vitit 1912, që arriti të sensibilizojë çdo shqiptar të Amerikës.
Federata  Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”
Themelimi  i “VATRES” erdhi  si domosdoshmëri  historike në funksion të çështes kombëtare, menjëherë pas formimit të shtetit të ri shqiptar. Pas shumë takimesh e negociatash midis tyre, shqiptarët e Amerikës ngarkuan komisionin e bashkimit, në përbërje të të cilit ishin : Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Paskal Aleksi dhe delegatët e shoqërive : Elio Tromara, Llambi Çikozi, Kristo Kirka, Kosta Vasili dhe Kosta Kota, që të merrej me hapat e mëtejshëm. Kështu më 23 mars 1912 u organizua mbledhja e parë, ku u qartësua qëllimi i shoqërisë. Mbledhja e dytë u mbajt më 24 mars 1912 , në të cilën  u diskutua organi i shtypit që do të përdorej nga shoqata, ndërsa mbledhja e tretë më 31 mars  1912, dhe në të u vendos  emri  i shoqatës. Pas këtyre tri mbledhjeve të rëndësishme, ku u trajtuan të gjitha problemet, pasi  mbledhje  të tjera të zakonshme ishin mbajtur edhe në datat 15,17 e 22 mars, më datën 28 prill 1912, në Boston  u themelua shoqëria “VATRA”, që u quajt Federata Pan-Shqiptare e Amerikës. Më datën 13 qershor 1912 ajo u njoh zyrtarisht edhe nga institucionet ligjore të shtetit amerikan. Shoqëritë shqiptare që u mblodhën për themelimin e VATRES, me përfaqësuesit e tyre ishin : “Besa-Besën”, në Boston, “Kombëtarja”, në Ëorchester, “Flamuri i Krujës”, në Boston, “Mirëbërësja”, në Sarakusit, dhe “Skënderbeu” në Gorry Jani.  Menjëherë pas mbledhjes themeluese “VATRA” krijoj degët e saj, numri I të cilave arriti mbi  65, kudo ku kishte emigrantë shqiptarë në Amerikë. Dega numër 1 u krijua në Boston, më 12 maj 1912, dega nr. 2  në Lyn Mass, më 26 maj 1912, dega nr.3 në Peobody  Mass, më 30 korrik 1912, dega nr. 4 në Manchester N.H më 2 qershor 1912, dega nr. 5 në Ëarchester Mass më 19 maj 1912 dhe Tauntan Mass më 2 qershor 1912, dega nr. 6 në Leëiston  Maine më 28 qershor 1912, dega nr. 7 në  Bidefford-Saco më 16 qershor 1912, dega nr. 8 në South Framinghom Mass më 19 maj 1912 dhe Brocton Mass më 19 qershor 1912, dega nr.9 në Hudson – Marboro Mass më 26 maj 1912, dega nr. 10 në Southbridge, Mass më 16 qershor 1912 e kështu me radhë edhe degët e tjera.
Përmetarët dhe dëshnicarët anëtarë të “VATRES”
Natyrisht edhe emigrantët e fshatrave të Dëshnicës së Përmetit  e mirëpritën këtë fakt dhe  të gjithë u bënë pjesë e degëve të kësaj shoqërie patriotike duke e mbeshtetur atë shpirtërisht, moralisht e financiarisht.  Falë dokumenteve të kohës në Amerikë, organeve  drejtuese të shoqatës  “VATRA”, të zgjedhurve në këto organe, arkivit të pasur, të plotë dhe të qartë e të saktë, gazetës “Dielli” , organ I kësaj shoqate që nga themelimi e deri në ditët e sotme, drejtorëve, kryeredaktorëve dhe redaktorëve të saj, me nivel sipëror profesional, pasionant  e ndjenja kombëtare, edhe pse ka kaluar mbi një shekull, gjithëçka është ruajtur e freskët pa lënë pluhurin e viteve të mbulojë asgjë. Dhe emrat e mbiemrat e vatranëve patriotë dëshnicarë, shpesh të shoqëruar edhe nga emrat e fshatrave si simbolikë e moshumbjes  së identitetit  të  tyre, janë të pranishëm kudo, në të gjitha  degët. Deri tani na kanë rënë në dorë disa dokumente për themelimin e degës numër 19, të cilat po i botojmë në këtë shkrim.
Dega nr.19 e “VATRES”, vetëm dëshnicarë
Duke lexuar materialet e disponueshme për formimin e degës së “VATRES” me numër 19,  vëren se më të shumtët janë dëshnicarë.  Për konkretizim të kësaj, po botojmë një pjesë të dokumenteve të asaj kohe, ku tregohet themelimi i degës nr.19 të VATRES, më 23 janar 1913 në Concord, Neë Hampshirë, shoqëruar me fotografi dhe me disa prej emrave, që identifikohen lehtësisht se janë nga : Maxhanji, Podgorani, Ribanji, Corgunji, Xhananji, Fratari, Leskoveci, Tolari, Bënja, Këlcyra, Senicani, Badlonja etj. Ja si pasqyrohet ky fakt në dokumentet dhe shtypin e kohës në Amerikë, për themelimin, anëtarët e kryesisë dhe anëtarët e thjeshtë. “Më 26  janar, 1913, u themelua  Dega No. 19 e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, në Concord, Neë Hampshirë. Kryesia e kësaj dege përbëhej nga :Kryetar Z.Sotir V.Katundi, sekretar Z.Spiro N.Goroshjani, arkëtar Z.Kostandin D.Trebicka, kontrollorë Z. Vangjel N.Trebicka, Asllan Maksut Tolari dhe Zenel  Adem Ribani. Disa nga anëtarët e kësaj dege janë : Kostandin Dhimitri Trebicka, Adem Dane Maxhanji, Muhamet Qazim Podgorani, Maksut Ali Ribanji, Sefer Ymer Çorogunji, Vëll. Mato Trebicka, Vëll Nikolla Trebicka, Brahim Hysen Potgorani, Sulejman Hysen Xhananji,  Qazim Isa Fratari, Çoban Malush Leskoveci (i treti nga e majta, në reshtin e dytë), Hasan Hamet Tolari, Veli Shaban Ribanji, Xhafer Qazim Potgorani, Bakush Zenel Çoroguni, Islam Ramadan Çoroguni , Nexhip A. Bënja, Muharem Hasan Maxhani, Haxhi Myslim Këlcyra, Xhemal Adem Tolari, Alim Shem Badlonja, Husen Muharrem Ribani, Agush Meçan Seniçani”. Shpresojmë që me këtë shkrim, duke shfrytëzuar materialet e pakëta që na kanë rënë në dorë,  të kemi evokuar  sado pak vlerat me pozitive të përmetarëve dhe dëshnicarëve, vecanërisht ato atdhetare dhe patriotike.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Dëshnicarët, dhe shpirt atdhetar, me zemër, Petrit Malushi

Shqip,të flasim bukur dhe saktë

December 5, 2015 by dgreca

Nga   Petrit  Malushi /                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                      Çdo gjuhë, nga  përdoruesit e saj, bëhet funksionale vetëm  nëpërmjet të dëgjuarit , të folurit, të lexuarit dhe  të shkruarit.  Por ndërsa  dy aktet e para, pra të dëgjuarit dhe të folurit, realizohen  prej  çdo personi  që në fazat e para të jetës, si  procese  biologjike, dy aktet e tjera , të  lexuarit dhe të shkruarit  janë të  kushtëzuara me arsimimin gjatë rritjes dhe zhvillimit fizik e intekektual  të njeriut. Pashmagshmërisht  janë  fjalët dhe mënyrat e të folmeve të  mjediseve  familjare, ku i çdo sapolindur vjen në jetë , që  vënë shtresat e para të fjalorëve dhe trajtat  e ligjërimeve  te kushdo. Më pas në institucionet  arsimore  merren njohuri e koncepte shkencore , që njerëzit  të flasin e të shkruajnë sipas rregullave të përcaktuara gjuhësore.  Nga ky nivel ata i kanë të gjitha mundësit që të reflektojnë  ndaj  çfarë  kanë  marrë jo në  përputhje me këto rregulla.

Realiteti

Realisht të folmet  e mjediseve familjare, shoqërore, sociale  dhe zyrtare, nuk  arrijnë të demonstrojnë  një të folur  korrekt,  sipas rregullave  të shkencave e disiplinave  gjuhësore që mësohen  në  jo pak vite në shkollat e të gjitha niveleve e degëve  të  arsimit parauniversitar, apo edhe në atë universitar,  madje edhe  jashtë  kësaj kornize.  Arsyet  janë  nga  më  të ndryshmet , objektive dhe subjektive, që nuk mund  të  tejkalohen ,  pra gjuha e folur s’e arrin dot perfesksionin e gjuhës së shkruar.  Do të ishte një arritje  në se të gjithë folësit, megjithse tek disa ekziston dëshira,  në çdo mjedis,  do të bënin përpjekje  ta  përdornin  gjuhën siç e  mësojnë  edhe në të folur. Problemi  është se, si gjuha e folur edhe  gjuha e shkruar  demonstrohen, pra  përdoren  në jo pak raste, me deformime  nga  ajo që mësohet  në tekstet mësimore.                          Në se do të kishte një institucion statistikash, shifrat për këto shkelje ndoshta do të shkonin në nivelet  të pamendueshme.  Specialistë të fushës së gjuhësisë, gjuhëtarë të niveleve të ndryshme, mësues të lëndëve të  gjuhës  shqipe e letërsisë, apo edhe njerëz të fushave të tjera,  që  kanë vlerësuar se  mund të japin ndihmesë, kanë  trajtuar  vazhdimisht  në mënyrë konkrete e analitike si duhet dhe si nuk  duhet  folur dhe shkruar, pra kur është  folur e shkruar gabim dhe si duhet  folur e shkruar saktë.  Faktet  kanë qenë e janë të shumta  në raport me rregullat e morfologjisë, sintaksës, drejtshkrimit, drejtshqiptimit,  kulturës  gjuhësore, fonetike e leksikore,  në  marrëdhëniet  brenda  vetë  gjuhës shqipe dhe në marrëdhëniet  e saj me gjuhët  e tjera.  Dhe askush i kësaj fushe nuk e ka të vështirë,  në se vendos të trajtojë çështje me një tematike të tillë, të kërkojë  e gjejë  fakte të reja. Veç  mjediseve, mediat elektronike dhe të shkruara , shtëpitë botuese, që nga numri, lloji, niveli, kohështrirja e programeve,numri  i  faqeve  etj, etj,  janë  “të pasura”  në  këtë drejtim.

Kur lexojmë dhe dëgjojmë

Po u referohemi mediave  dhe shtëpive botuese pasi  janë mjete të komunikimit masiv dhe të drejpërdrejta,  ku  pasqyrohet  ashtu  siç  është  realisht  formimi dhe niveli  gjuhësor  së pari  i çdo botuesi, drejtori, kryeredaktori, redaktori,  gazetari dhe së dyti i të  ftuarve,  të intervistuarve, politikanëve, shtetarëve, specialistëve  të çdo fushe  e deri  te qytetarët  apo  banorët  më  të  thjeshtë të zonave rurale,  pa  asnjë  lloj diferencimi,  të  cilët përzgjidhen  për të  qënë  të pranishëm  brenda  kornizave të  emisioneve  televizive e radiofonike  apo  në faqet e gazetave e revistave.    Vetë  forca e medias është e tillë që të imponon  tërheqje vëmendjeje  dhe  pëqendrimin  për  gjithçka  që parakalon në ekran  edhe në  fraksion të  sekondit,  apo lexon në radhët e një kryeartikulli dhe artikulli kur shfleton një gazetë  a  revistë.  Sytë  dhe veshët e secilit  duket sikur luajnë rolin e pajisjeve të  një “skaneri  gjuhësor”  që s’u shpëton  asgjë,  ndërkohë që shkeljet  gjuhësore mund  të  kalohen  normalisht në një bisedë  familjare, shoqërore, tavoline, takim  të rastësishëm , shërbim në supermarket etj.

Pse nuk jemi folës të mirë ?

Po pse nuk bëhemi  dot  “folës të mirë”  ne  përdoruesit e gjuhës ?  Arsyet ? !  Janë  të shumta e të natyrave të ndryshme, është folur  e shkruar për to dhe synimi i këtij shkrimi është të përpiqemi ta flasim dhe shkruajmë gjuhën ashtu siç  e mësojmë.  Shkeljet  gjuhësore apo deformimet e shtrëmbërimet  në disa raste  janë krejt të papranueshme.  Kur një politikan ngatërron gjinitë e emrave, apo të përemrave vetorë  të vetës së tretë,  nuk  përshtat mbiemrin në gjini numër dhe rase me emrin,  një shtetar  bën lëmsh trajtat e shkurtra apo të shkurtra të bashkuara, një zyrtar i ndërton fjalitë me rend  jo të drejtë, një gazetar nuk di t’i vendosë foljet në kohët  dhe mënyrat e tyre, ngatërron vendosjen e emrit në fjali sipas rasave,  trajtën e shquar me të pashquarën, nuk përputh  shenjën më shënjuesin pra formën  me  përmbajtjen e fjalës, del  nga tematika, bën pyetje si  komente ,  në gazeta intervistat duken si përshkrime,  futen fonema që nuk i ka alfabeti i gjuhës shqipe, hiqen të tjera  që nuk duhet të hiqen, në shkresat zyrtare datat nuk shkruhen si duhet  të ndara nga muaji  dhe viti me pikë, ka përzierje të shkronjave të shtypit me ato të dorës, nuk përdoren kur duhen shkronjat e mëdha dhe shënjat e pikësimit në fillim, në mes apo në fund të fjalisë, zëvendësohen fjalët  shqipe  me fjalë të huaja të  panevojshme… reagimi  vjen  natyrshëm.

Sigurisht,mund të bëhemi

Sërish , përse të ndodhin kaq shumë shkelje gjatë përdorimit të gjuhës shqipe, gjithnjë referuar asaj se si ajo mësohet në shkollë,  dhe , a mundet ne të arrijmë nivelin e një  folësi  të mirë ?  Duke analizuar të gjithë faktorët,  në kontekstin e jetës  së njeriut, familjarë, shoqërorë, socialë, intektualë etj,  peshën  kryesore e mban ai arsimor.  Më konkretisht, të gjithë  kryejmë  arsimin e detyruar të ulët e nëntëvjeçar, pjesa  më e madhe edhe arsimin e mesëm  e  të lartë, e pas përfundimit të çdo viti shkollor, në dokumentet  përkatëse nuk  mungojnë edhe vlerësimet e niveleve sipërore.  Mësimi i gjuhës shqipe  me rubrikat e të  folurit, të dëgjuarit, të lexuarit e të shkruarit fillon qysh në klasën e parë e nuk ndërpritet deri në klasën e dymbëdhjetë apo të trembëdhjetë të shkollës  së  mesme, me ngarkesë javore pesë, katër, tre e dy orëshe,  sipas  cikleve përkatës.  Gjatë kësaj shtirjeje në programet mësimorë  trajtohen  të gjitha dukuritë gjuhësore dhe rregullat që duhet  të zbatohen gjatë  përdorimit të fjalëve e fjalive, njësive më të vogla e më të mëdha se to, për t’u bërë folës e shkrues të mirë.  Në orët mësimore trajtohen  fonemat, morfemat, fjalët, togfjalëshat, fjalitë, paragrafet, tekstet,  kuptimet e fjalëve, funksionet  e tyre,  fjalëformimi, klasat e fjalëve, kategoritë gramatikore të tyre etj, etj. Brenda  një  viti  shkollor me  javë  të plota  mësimore, e  më  tej  në dymbëdhjetë vite, nuk ngelet asgjë  pa  thënë, pa u shkruar e pa u analizuar. Sigurisht  jo gjithçka që mësohet  në  shkollë  sistemohet  në mënyrë të plotë  në vetdijen e secilit,  megjithatë  konceptet  bazë  vështirë se fshihen nga  kujtesa përfundimisht.                                                                                                                                                                                                                                                                                                         Po atëherë,  të përpiqemi   të  mendojmë se  duhet të flasim ashtu siç mësojmë në shkollë,  të  mbajmë mend sa më shumë rregulla nga ato të mësuara  gjatë viteve të shkollimit, të bëjmë  autokontrolle të  ligjërimeve tona, të reflektojmë  ndaj shkeljeve tona gjuhësore, të dallojmë  tek të tjerët  shtrëmbërimet  gjuhësore,   të vlerësojmë  mjedisin ku ndodhemi, pozicionin nga flasim, nivelin e dëgjuesve dhe të bashkëbiseduesve etj, etj.  Të përpiqemi  të  mbajmë  mend  që  në strategjinë e të  folurit veç cilësive të një folësi të mirë, të  kemi parasysh se  të folurit është një akt thelbësor  i veprimtarisë së përditshme të çdo njëriu. Të dish të flasësh është një aftësi e rëndësishme, por edhe e vështirë për ta zotëruar. Njerëzit mësojnë që të vegjël  të flasin, por të dish të flasësh si duhet është krejt tjetër gjë.  Të dish të flasësh do të thotë të jesh folës i mirë.  Kjo  është e rëndësishme në të gjitha situatat ligjërimore të folësve ,  por rëndësi të veçantë merr në situatat zyrtare dhe kur  flitet  para një publiku me nivel, që vëmendshëm do të kuptojë atë që thuhet e gjykon  mënyrën e të folurit.  Ndërkohë që në strategjitë e të shkruarit  të mos  harrojmë se të dish të shkruash është një aftësi shumë e rëndësishme për jetën e përditshme, si  në shkollë edhe në çdo mjedis tjetër familjar, zyrtar, pune, shoqëror , social  etj. Por për të qenë një shkrues i mirë do të thotë të dish të shkruash një tekst të vërtetë, të saktë, të rregullt e koherent që është me të njëjtën linjë me situatën komunikuese.

Çfarë mësojmë në shkollë ?

Më poshtë , për  të mos lodhur kontigjentin e  lexuesve që  s’tregojnë  asnjë lloj interesi  për  gjuhën  pasi,  ose janë folës  “shumë, shumë të mirë”, ose janë antonim jo i plotë i tyre, po sjellim fare pak  shëmbuj nga më tipikët , kur rëndom  në të folur dhe në të shkruar  përballemi  me  shkelje të rregullave  të mësuara  në shkollë. Theksojmë edhe një herë , synimi i këtij shkrimi është ndihmesa  qoftë  edhe minimale  për  të  pare të folurin dhe të shkruarin në raport me çka mësohet  në  programet  mësimorë, për të reflektuar sado pak.  Kujtojmë se, krahas njohurive për gjuhën  në të gjitha klasat, në  klasën e nëntë, në  pjesën e dytë të “Gjuha shqipe” , ku jepen njohuri  nga  “Morfologjia” në rubrikën “Njohuri gjuhësore”  (faqet 180-182) shtjellohet  tema  mëismore “Përemrat vetorë dhe trajtat e shkurtra” . Në  hyrje të kësaj teme , në krye të faqes, të futura në korniza , jepen pesë objektivat  dhe pesë  qëllimet  e kësaj teme. Midis të tjerave, madje të parat janë : Të mësojmë: – Përdorimin e drejtë në rasë, numër dhe vetë të  përemrave vetorë dhe të trajtave të shkurtra e të bashkuara- që të arrijmë : Të përdorim në rasën, numrin dhe vetën e duhur  përemrat vetorë dhe trajtat e shkurtra e të bashkuara.   Pas rikujtimit se çfarë tregon përemri vetor  i secilës vetë, në cilat rasa dalin trajtat e shkurtra dhe si formohen trajtat e shkurtra të bashkuara, ilustrimit me dy fragmente teksti, për të dalluar përdorimet e sakta dhe jo të sakta të përdorimit të trajtave të shkurtra në gjuhën e folur dhe të shkruar, jepen shëmbuj për gabimet që bëhen në përdorimin e përemrave vetorë dhe të trajtave të shkurtra në rasë, numër dhe vetë. Gabime në  rasë: Shpesh në vend të trajtave të rasës emërore ose kallzore ne, ju  përdoren trajtat e rasës dhanore neve, juve.  E gabuar  – Mendoj që neve duhet ta hedhim hapin e  parë. (rasa dhanore). E saktë – Mendoj që ne duhet ta hedhim hapin e parë. ( rasa emërore). Gabime në numër : Shpesh hasen përdorime të gabuara të trajtës së shkurtër të  rasës dhanore të vetë së tretë njëjës (atyre ) i në vend të shumësit (atyre) u. Kur kundrinori  i zhdrejtë është një emër  ose përemër në numrin shumës , edhe trajta  e shkurtër duhet në shumës , pra u dhe jo i. E gabuar – Këto nuk i përgjigjen fjalëve që kam thënë unë.  E saktë – Këto nuk u përgjigjen fjalëve që kam thënë unë. Gabime në vetë : Gabohet dhe në përdorimin e trajtës së shkurtër të vetës së tretë shumës (atyre u) në vend të vetës së dytë shumës (juve ju  ose  ju ju ) si dhe e kundërta .  E gabuar – Juve u kam folur herë  pas here, por nuk keni zënë mend.  E saktë – Juve ju kam folur herë pas here , por nuk keni zënë mend. Ndërsa  në  “Kulturë gjuhe” (faqja 283), shkruhet : “ Të mësojmë : Ç’janë ligjërimet dhe stilet e gjuhës standard – që të arrijmë  – Të dallojmë e të përdorim drejt në të folur e në të shkruar ligjërimet dhe stilet e shqipes standard”.  Në këtë temë mësimi , sërish si në klasat e mëparshme,  rikujtohet se gjuha shqipe e folur ka tre ligjërime dhe e shkruar ka katër stile:  ligjërimin e shkujdesur, ligjërimin bisedor, ligjërimin libror dhe stilin e veprimtarisë shkencore e teknike, stilin e veprimtarisë shtetërore e administrative, stilin e veprimtarisë shoqëore e politike, stilin e veprimtarisë letrare dhe artistike. Për secilin rast jepen veçoritë dhe ilustrimet me shëmbujt përkatës.  Nga klasa e tetë  mjafton të përmendim te “Emrat”  (faqja 159) përdorim e gabuar të trajtave të pashquara  e të shquara , “Numërorët” ( faqja 171), tek  të cilët vetëm numërori  tre del  në  trajtën e gjinisë femërore tri  shoqe dhe në trajtën e gjinisë mashkullore  tre shokë.  Në faqen 187 lexohet se ka disa mënyra për shkrimin e datës : muaji shënohet me fjalë, muaji shënohet me shifra arabe dhe ndahet nga data dhe viti me pikë, muaji shënohet me shifra romake dhe ndahet nga data dhe viti me pikë.  Por  po këtu  te “Mbani mend” shkruhet : “ Nuk këshillohet ndarja e datës nga muaji dhe viti me vijë të pjerrët”.  Nga klasa e shtatë  brenda këtij shkrimi ia vlen të sjellim në kujtesë  mësimin e faqes 194, ku ndër të tjera  citojmë : “Përemrat vetorë të vetës së parë dhe të dytë nuk kanë trajta të vaçant për gjininë , pra ata përdoren si për gjininë mashkullore edhe për gjininë femërore. Përemri vetor i vetës së tretë ka trajta të veçanta për gjininë mashkullore dhe për gjininë femërore(ai/ajo, ata/ato)”.  Gjykojmë se shëmbujt e mësipërm  janë të mjaftueshëm për arritjen e  qëllimit të këtij shkrimi. Pra  me qenë se të gjithë arsimohemi , i kemi mundësitë  për t’u bërë  “folës të mirë” të gjuhës shqipe, ashtu siç e mësojmë në  shkollë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: dhe saktë, Petrit Malushi, shqip, të flasim bukur

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT