Një ditë pasi autoritetet franceze deklaruan se ishte bashkë-piloti i fluturimit të Germanwings, ai që e kishte çuar avionin drejt përplasjes, shumë pyetje mbesin ende pa përgjigje.
Të martën, më 24 mars, avioni ishte nisur nga Barcelona për në Dyseldorf, dhe ishte përplasur në Alpet franceze, duke lënë të vrarë të 150 personat në bord, 144 udhëtarë dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit. Në mesin e tyre, më së shumti kishte gjermanë dhe spanjollë.
Dhe ndërkohë që 18 kombe mbajnë zi për qytetarët e tyre, që humbën jetën në këtë tragjedi, autoritetet gjermane kanë bastisur shtëpinë e bashkë-pilotit, Andreas Lubitz, 27 vjeçar, i cili jetonte në Dyseldorf, për të kuptuar arsyen e veprimit të tij.
Prokurorët gjermanë thanë se ai e ka mbajtur të fshehtë një sëmundje nga punëdhënësit e tij. Në shtëpinë e tij, hetuesit kanë gjetur fletë-udhëzime nga mjekët, por që ishin të shqyera. Një prej tyre ishte udhëzim për të marrë ditë pushimi në ditën e fluturimit.
Prokurorët nuk e potencuan se për çfarë sëmundjeje bëhej fjalë në rastin e zotit Lubitz, por mediat gjermane raportojnë se ai ka vuajtur nga depresioni dhe ka pasur nevojë për mbikëqyrje.
Ata thanë gjithashtu se nuk ka pasur asnjë shenjë që do të dëshmonte ndërlidhjen e tij me ndonjë organizatë terroriste, ndërsa ata që e kanë njohur, thonë se Lubitz asnjëherë nuk ka dhënë shenja të keqbërjes.
Të dhënat e analizuara nga një pjesë e incizimeve që janë gjetur në njërën nga kutitë e zeza, flasin se autopiloti ishte riprogramuar për të nisur rënien e shpejtë të avionit.
“Ne në Lufthansa kemi mbetur pa fjalë”, ka thënë Carsten Spohr, drejtor ekzekutiv i linjës ajrore gjermane Lufthansa, e cila në pronë ka edhe linjën Germanwings.
Britmat në avion
Kutia e Zezë e cila ka regjistruar zërat në kabinën e pilotit përmban britma rrënqethëse. Kapiteni, i cili ishte bllokuar jashtë kabinës, dëgjohet duke trokitur fuqishëm në derë dhe duke kërkuar të hyjë në kabinë.
Ndërkohë, frymëmarrja e bashkë-pilotit ishte stabile dhe e qetë, pa ndonjë shenjë të ndonjë sulmi të mundshëm në zemër apo sëmundjeje tjetër, thonë autoritetet.
Pasagjerët e frikësuar dëgjohen duke bërtitur deri në çastin e fundit të këtij fluturimi.
Kapiteni ka mbetur jashtë kabinës, pasi kishte shkuar në tualet dhe kishte kërkuar që bashkë-piloti ta marrë drejtimin e avionit.
Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA, linjat ajrore janë detyruar që hyrjen në kabinën e pilotëve ta mundësojnë vetëm brenda kabinës.
Operacionet e kërkimit
Operacionet e kërkimit tash janë përqëndruar në gjetjen e kutisë së dytë të zezë, e cila gjithashtu mund të ofrojë më shumë informacione për minutat e fundit të këtij avioni.
Qeveria franceze ka kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, FBI, të ndihmojë në hetimet rreth këtij rasti.
Familjarët e viktimave tashmë gjenden në Francë dhe po presin trupat e pajetë të të afërmve të tyre, apo atë çfarë ka mbetur prej tyre, pasi të ketë përfunduar identifikimi i mbetjeve mortore.
Disa mbetje janë gjetur, por shumë të tjera jo. Vendi ku është përplasur avioni është zonë e thellë malore, qasja në të cilën mund të bëhet vetëm me helikopterë.
Bashkë-piloti ka “rrëzuar qëllimisht avionin”
Bashkë-piloti i avionit të rrëzuar të Germanëings ka “përshpejtuar zbritjen” e avionit, derisa ishte vetëm në kabinën e pilotëve, ka thënë të enjten prokurori i qytetit Marseille, Brice Robin.
“Kjo mund të bëhet vetëm në mënyrë të qëllimshme”, citojnë mediat botërore zotin Robin.
Sipas tij, bashkë-piloti ishte gjallë deri në përplasjen e avionit, meqë dëgjohej frymëmarrja e tij e qetë në kabinë. Sipas tij, bashkë-piloti ka qenë shtetas gjerman, Andreas Lubitz, 28 vjeçar.
Hetuesit francezë i dhanë këto komente pasi kanë analizuar të dhënat nga incizimi i zërit në kabinën e pilotëve të avionit Germanwings, që u rrëzua në Alpe të Francës, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në të.
E përditshmja New York Times, ka raportuar se dëshmia nga incizimi tregon se njëri nga pilotët ishte larguar nga kabina dhe më nuk ka mundur të kthehej.
“Personi jashtë ka trokitur lehtë në derë, por nuk ka pasur pëgjigje”, i ka thënë një hetues i paemëruar gazetës, duke u mbështetur në incizim, dhe ka shtuar se ”ai pastaj e ka goditur derën më fuqishëm, por pa përgjigje…nuk ka pasur kurrfarë përgjigje nga ana tjetër”.
Ky hetues, ka shpjeguar se “mund të dëgjohet se ai është përpjekur ta thyejë derën nga poshtë”.
Aeroplani i tipit Airbus A320, fluturonte nga Barcelona për në Dyseldorf, ditën e martë, kur u rrëzua në shpatijet e maleve me shpejtësi të madhe, pasi ka rënë për tetë minuta pa dërguar thirrje alarmi.
Sipas masave të ashpërsuara të sigurisë, pas rrëmbimeve të aeroplanëve më 11 shtator 2001, në Shtetet e Bashkura, autorizimi për ta hapur derën e pilotit mund të bëhet vetëm nga brenda dhe nga piloti.
I cituar nga gazeta amerikane, një zyrtar i lartë ushtarak, i përfshirë në hetime, tha se audio-incizimi kishte lënë të kuptohet se ka pasur një bisedë “shumë të qetë dhe të rrjedhshme” ndërmjet pilotëve në pjesën e hershme të fluturimit.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, e kanë vizituar vendin e largët të përplasjes së aeroplanit në Alpet e Francës për të nderuar të 150 njerëzit që e kanë humbur jetën. Shumica prej viktimave ishin gjermanë dhe spanjollë.
Hollande, Merkel dhe Rajoy, i kanë falënderuar ekipet e kërkimit dhe janë takuar me banorët e fshatit, Seyne-les-Alpes, ku po vazhdon operacioni për gjetjen e mbetjeve njerëzore.
Gazeta londineze, Guardian, ka raportuar se grupi prej 16 nxënësve gjermanë dhe dy mësuesve, thuajse e humbën fluturimin, për shkak se një nxënëse kishte harruar dokumentin e identifikimit.
Por, i zoti i shtëpisë ku ajo ishte mysafire, me të shpejtë ishte kthyer prapa e kishte marrë dokumentin dhe e kishte çuar nxënësen në aeroport.
“Kjo është diçka që ta thyen zemrën”, e ka cituar gazeta një zyrtar në qytetin spanjoll, ku nxënësit gjermanë kishin qëndruar në kuadër të një programi arsimor për këmbim nxënësish.