INTERVISTA/ Flet mësuesi tropojan Gëzim Prengzi/
-Sot në Bashkinë e B.Currit në bazë të dhënave të zyrës së punës ka 1490 të papunë që trajtohen me përkrahje sociale/
– Mbeten të pazgjidhura problemet e fshatit në lidhje me ujin e pijshëm dhe për vaditje/
– Potencialet intelektuale të Tropojës duhet ta ngrejnë zërin e tyre që ta çojnë në vendin që meriton/
– Politikanë, gazetarë a njerëz me kulturë që pa e njohur aspak apo për qëllime diskriminuese ndonjëherë i përcajtojnë tropojanët si ‘’veriorë’’/
– Mungesa e reanimatorit bën që të sëmurët duhet të dërgohen për Gjakovë, Kukës e Tiranë/
– Pushteti vendor në këto vite nuk ka bërë punë e duhur për rregullimin e mosmarrëveshjeve për tokën
-Hera e parë që procesi i legalizimeve ecën normalisht/
-Gjakmarrja, ku 10-vjeçarin e parë të tranzicionit të rrethin e Tropojës ku humbën jetën rreth 200 djem tani situata është krejtësisht e qetë/
– Sot qyteti i B.Currit ka afërsisht 60 emigrantë të cilët pjesa më e madhe tyre kanë shkuar në Francë/
– Institucionet e drejtësisë në rrethin e Tropojes si kudo në Shqipëri janë ndër më të përfolurat/
– Gjatë viteve të tranzicionit sipërfaqja pyjore është përballur me diegiet dhe prerjet pa kriter/
– Në rrethin e Tropojes të drejtat e grave respektohen dhe është një shembull i mirë në këtë drejtim/
– Shkollat e rrethit të Tropojes kanë bibliotekat e tyre por nuk mund të themi se ato janë plotësisht të përshtatura me shijet dhe moshën e fëmijeve/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Tropoja, rrethi verilindor i Shqiperisë me sipërfaqe 1043 km2 dhe popullsi 21600 banorë që kufizohet në veri verilindje me Kosoven dhe viset shqiptare në Mal të Zi dhe lidhet me to me qafat e kufirit shqiptaro-shqiptar, qafa e Borit, qafa e Vranicës, qafa e Ali Çelës, qafa e Morines, qafa e Prushit, vendlindja e Eposit të Kreshnikëve, vatra e ndezur e kryengritjeve dhe ngjarjeve historike kyçe në pika kyçe të historisë sonë kombëtare me heronj e dëshmorë në periudha të ndryshme të historisë. Tropoja e resurseve natyrore e intelektuale, kulturore e sportive, letrare artistike dhe figurave politike, pas viteve 90 përballet me lëvizjet demografike dhe largimit të potencialeve njerëzore intelektuale drejtë qendrës së vendit dhe Diaspores kanë bërë që popullsia e saj sot të jetë në më pak se gjysmën e asaj të vitit 1990, është përballur në këto vite tranzicioni shpesh me ngjarje të dhimbshme dhe të pamerituara, me iluzione dhe etiketime të pabazuara aq sa denigruese po aq kundërvënëse për hir të politikës jodinjitoze të gjithë klasës politike shqiptare.
Cilat janë problemet e pazgjidhura?
Është e pafalshme për gjithë qeveritë e pas viteve ’90 që gjendja e rrethit të Tropojes të jetë ashtu siç është sot, megjithëse është bërë një punë e mirë ne rrjetin e rrugëve që lidhin B.Currin me Kosoven, me Valbonen dhe Hasin, mbeten të pazgjidhura problemet e fshatit në lidhje me ujin e pijshëm dhe për vaditje si dhe problem i spitalit të B.Curri-it duke mos patur mjekë të të gjitha specialiteteve dhe mungesën e reanimatorit çka bën që të sëmurët duhet të dërgohen për Gjakovë, Kukës e Tiranë. Potencialet intelektuale të Tropojes duhet ta ngrejnë zërin e tyre që ta çojnë në vendin që meriton Tropojen me vlerat e saj njerëzore, politike, ekonomike, turistike, kulturore, historike e arsimore, lagrë disa ‘’kokave të ndritura’’ politikanë, gazetarë a njerëz me kulturë që pa e njohur aspak apo për qëllime diskriminuese ndonjëherë i përcajtojnë tropojanët si ‘’veriorë’’.
1. Tropoja aktualisht sa banorë ka, sa shkolla, sa spitale dhe sa librari?
– Tropoja e 21600 banorë, nga këta Bashkia e B.Currit ka 8367 banorë. Tropoja ka 31 shkolla, 24 shkolla 9-vjeçare, 6 shkolla të mesme të bashkuara, gjimnazi ‘’Asim Vokshi’’ dhe një shkollë 9-vjeçare pilot ajo ‘’Ali Podrimja’’ në B.Curri. Tropoja ka 1 spital në qytetin B.Curri, qendra shëndetësore në çdo lagje të qytetit dhe qendër komune me mjek familje dhe ambulacë në çdo fshat të rrethit.Përveç bibliotekës së qytetit B.Curri dhe ato në qendër të komunave, në qytetin e B.Currit ka 4 librari që shesin libra të fushave të ndryshme, artistike, shkencore, politike, historike etj.
2. Cilat janë problemet e qytetit në drejtim të legalizimeve, si po zhvillohen ato?
– Në lidhje me legalizimet ka disa probleme që kanë të bëjnë me pronësinë mbi tokën pasi qyteti i B.Currit është i ndërtuar në ish-fshatin Kolgecaj dhe pronarët e ligjshëm të tokës kërkojnë kompensimin e tokës së tyre. Zyra e rrethit që merret me problemet e legalizimeve shprehet se ‘’ procesi i legalizimeve ecën normalisht sipas udhëzimeve që kemi nga qendra e prefekturës Kukës ku ata varen.
3. Sa është papunësia në këtë qytet dhe cilët janë sektorët kryesorë të punësimit?
– Sot në Bashkinë e B.Currit në bazë të dhënave të zyrës së punës ka 1490 të papunë që trajtohen me përkrahje sociale. Të punësuarit e qytetit janë të punësuar në sektorë kryesorë si në atë të arsimit, shëndetësisë, ndërmarrjes së shfrytëzimit të H/C Fierzë dhe vijnë më pas ata të sektorit të rendit public dhe të atij privat.
4. Cilat janë problemet e pronësisë mbi tokën, si është shpërndarë toka në këtë zonë?
– Rrethi i Tropojes është një rreth që ka pak tokë bujqësore, 7387 Ha tokë, toka është shpërndarë në kufinjtë e vjetër. Ka patur probleme në zonat ku janë ndërtuar sektorë të ndryshëm dhe objekte si dhe në disa fshatra ku para hyrjes në kooperativë kanë zbritur nga fshatra malore për në ato fushore dhe pas vitit 1990 pronarët e tokës kanë paturmosmarrëveshje me të ardhurit aty. Pushteti vendor në këto vite nuk ka bërë punë e duhur për rregullimin e këtyre mosmarrëveshjeve çka ka bërë që një pjesë e këtyre fshatarëve të detyrohen të largohen ose të ngelin të ngushtuar në ato vende.
5. A ekziston fenomeni i gjakmarrjes?
Fenomeni i gjakmarrjes pothuajse në Tropoje nuk ekziston. Me gjithë situatat e dhimbshme të 10-vjeçarit të parë të tranzicionit të rrehtin e Tropojës ku humbën jetën rreth 200 djem tani situata është krejtësisht e qetë. Tropojanët e kanë kuptuar se kthesat historike në vendin tonë kanë qenë gjithnjë të dhimbshme të cilat kanë patur si katalizator politikën. Tropojanët e kanë kuptuar tashmë se kthesat historike në vendin tonë kanë qenë gjithmonë të dhimbshme dhe kanë patur katalizatorë politikën gjithashtu kanë mësuar se duhet të shmangen nga politika që organizon grupazhe në sherbim të qëllimeve të tyre politike. Sot në Tropoje nuk ka asnjë fëmijë të ngujuar siç pretendohet në ndonjë media.
6. Sa emigrantë ka qyteti dhe sa ndikojnë ata në ekonomitë familjare?
– Sot qyteti i B.Currit ka afërsisht 60 emigrantë të cilët pjesa më e madhe tyre kanë shkuar në Francë dhe mundësia e tyre nuk është aq e madhe për të ndihmuar familjet e tyre në B.Curri. një pjesë tjetër që kanë shkuar prej vitesh në vende të zhvilluara kanë ndihmuar dhe kanë ndikuar pozitivisht në ekonominë e familjeve të tyre.
7. A ka dëmtime të pyjeve, si ruhen pyjet? Shkatërrimi I dikurshëm, prerjet pa kriter a janë ndaluar?
– Rrethi i Tropojes është i favorizuar përsa i përket sipërfaqes pyjore, ajo ka 43140 ha pyje, masivet më të mëdha janë ato të pyjeve të gështenjes, të ahut dhe të pishës. Gjatë viteve të tranzicionit sipërfaqja pyjore në një pjesë të madhe të saj është përballur me diegiet dhe prerjet pa kriter, shpeshherë djegiet janë bërë me dashje dhe për të marrë insvestime gjoja për rigjenerimin e tyre por një veprim I tillë ka qenë një katastrofë natyrore. Këto kanë ndodhur edhe në zonat turistike siç janë: Parku Kombëtar I Valbones dhe zona të tjera të rrethit. Këto vitet e fundit ka një lloj frenimi përsa I përket dëmtimit të pyjeve. Jo vetëm shteti por edhe organizatat joqeveritare dhe shkollat duhet të bëjnë një punë më të madhe për sensibilizimin e opinionit për vlerën e madhe që kanë pyjet duke bërë që të ndërpritet dëmtimi I sipërfaqes së gjelbër.
8. Institucionet e drejtësisë a kanë funksionuar sipas parimeve dhe a ka patur probleme sin ë tërë drejtësinë shqiptare, si korrupsion etj?
– Institucionet e drejtësisë në rrethin e Tropojes si kudo në Shqipëri janë ndër më të përfolurat. Kjo vjen ngaqë pothuajse në shumë raste të veprave penale dhe të tjera nuk është dhënë dënimi I merituar për shkak të korrupsionit çka ka bërë që rastet të jenë të përsëritura dhe besimi te këto organe ka rënë. Mosqënia në lartësinë e duhur e këtyre organeve për të vepruar sipas parimeve bëhet shkak për përsëritje të veprave kriminale dhe rasteve të dëmtimit të pasurisë shtetërore e private.
9. Gratë si respektohen, a është një shoqëri e civilizuar në drejtim të drejtave të grave apo ende një shoqëri konservatore? A ka gra në drejtim të isntitucionet shtetërore dhe në ato të qeverisjes vendore?
– Në rrethin e Tropojes të drejtat e grave respektohen dhe është një shembull i mirë në këtë drejtim, ato janë të integruara në të gjitha sferat e jetës ekonomike, shoqërore e sociale. Në këtë drejtim them se shoqëria jonë është e civilizuar në këtë drejtim dhe është shumë larg asaj konservatore. Ndryshe nga opinioni i gabuar dhe shpesh i përgjithësuar që ekziston me termin ‘’Veriu’’, tropojanët janë një shembull i mirë i përqafimit të shpejtë të së resë dhe evolimit të shpejtë kulturor larg dogmave të paragjykimit dhe shkeljeve të së drejtës së grave. Gratë në rrethin e Tropojes sot janë drejtuese në institucionet e mjekësisë, në shkolla dhe drejtuese të degëve ekonomike në Bashki e Komuna dhe në gjitha sferat e jetës.
10. A vijnë libra jashtëshkollorë në zonën tuaj dhe sa janë të lidhur nxënësit me këto libra?
– Shkollat e rrethit të Tropojes kanë bibliotekat e tyre por nuk mund të themi se ato janë plotësisht të përshtatura me shijet dhe moshën e fëmijeve. Një ndihmesë të madhe për të qenë më afër preferencave të tyre është ‘’Biblioteka Lëvizëse’’ e cila ka bërë një punë mjaft të mirë, gjithashtu edhe biblioteka e qytetit të B.Currit për plotësimin e mungesave që kanë bibliotekat në shkolla.