• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleksander Gera poeti i fjalës së heshtur dhe i fjalës së shpallur

March 20, 2017 by dgreca

4anton-cefa

Nga Anton Çefa/ 

Aleksandër Gera u lind në Fier me 26 dhjetor 1926 nga një familje shkodrane.  Shkollën fillore e kreu në Shkodër, po ashtu edhe të mesmen në liceun françeskan  “Illyricum” dhe në liceun e shtetit “At Gjergj Fishta” (dega klasike). Në lice shquhet për mendimet e tij intelektuale e të lira në fushën e artit, sidomos atij letrar, gjë që u bë shkak për  përjashtimin nga liceu i Shkodrës dhe nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë . Mbas dy vjetëve arrin ta mbarojë atë, dhe fillon punën si mësues letërsie deri në vitin 1953, kur arrestohet me akuzën për agjitacion e propagandë, dhe dënohet me 10 vjet burgim.

Mbas daljes nga burgu, në nëntor 1954 (amnestia e parë dhe e fundit në Shqipëri),  fillon punën në shtëpinë e kulturës në Bushat, dhe pastaj për 20 vjet në bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, në Sektorin e Albanologjisë, të Fondeve të Gjuhëve të Huaja e të Antikuarit. Vazhdon të japë ndihmesën e madhe si metodist. Gjatë këtyre viteve arrin të kryej studimet në Istitutin e Lartë Pedagogjik, dega “Letërsi”, në Shkodër.

Që në moshë të re e dallon një dëshirë e flaktë për poezinë, por njëkohësisht është i prirun edhe kah muzika e piktura. Në burg shkruan poezi dhe merret me përkthime nga spanjishtja. I lirë, i kushtohet sidomos teksteve të këngëve për kompozitorët dhe miqtë e tij si Prenk Jakova, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tish Daija, etj , por pa u shkëputur nga poezia. Ndër botimet e shumta përmendim përmbledhjet poetike: “Lugina e qetë”, “Gjurmë të kohës”, “Kangë e zbritun nga malet”, “Nora e Hotit”, “Kangë agimesh” etj.; por gjatë viteve të diktaturës, shkruan edhe poezi disidente, të cilat ai i quante me një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Vitet e fundit punoi me ngulm mbi to, për t’ i lënë të gatshme për botim.

Në vitin 1997, botoi poemën autobiografike : “Via Lucis” (“Rruga e dritës”), kushtuar së shoqes Luçie Gera – Vuksani. Vitet e fundit të jetës, mbas vdekjes së gruas, Sandri emigroi në Itali, në Torino, ku vdiq, më 22 prill 2001.

*   *   *

Kur, mbas përmbysjes së diktaturës, në vitin 1992, punova si anëtar i këshillit redaktorial të gazetës “Shkodra”, (e para gazetë demokratike lokale, që u botua mbas rënies së komunizmit), i pata kërkuar një intervistë, dhe ai më pati dërguar një “Intervistë – Autodafe”,  si e quajti ai, të cilën po e bie këtu të plotë:- Ju, Sandër, keni shkrue tekste kangësh së paku tash 47 vjet. Ato janë muzikue nga Prenkë Jakova, Tish Daija, Tonin Harapi, Kolë Gjinaj, Mark Kaftalli, etj. dhe dikur janë këndue nga bilbilat e Shkodrës Pjetër Gjergji, Gac Çuni (i vdekun mizorisht në burgun e Burrelit), Mark Kaftalli, etj.

Po, a vetëm tekste kangësh?

– Po nuk e fillove me kangë jetën, me çfarë tjetër do ta fillosh? Ato kangë kanë qenë limonadat e para në sofrën e madhnueshme të poezisë. Në Shkodër, po nuk e fillove me shtregullat klasike e baritoret e maleve, më thotë mendja se asht zor me këndue.

-E pastaj filloi poezia ?

-Atëherë kanë fillue “Sonatat e Kain Abelit”. Kam ulë kokën ndër “Epitafe te Zalli i Kirit”, jam freskue në “Pika shiu në tokën e rreshkun”, jam endë në soditje te “Bukuria e gjarpnit” (nji roman në vargje), dhe megjithatë kam qenë “Alastor flatërdjegun” e nuk po përmend libra të tjerë që kam botue nën duertrokitjet e realizmit socialist, të cilët i ka shfrye zemra me gojë të mbyllun. Mos u çudit, po legjenda e Sizifit më ka kapë edhe mue, si mallkim, qysh në vitin 1945, dhe qysh prej asaj kohe, kam qeshë, kam lotue, kam mallkue, kam shpresue, tue bartë gurët në shpinë. Kam nynykatë gojëmbyllun “Sonatat e Kain Abelit”, si të gjithë, i heshtun mbrenda Aeropagut të shëmtuet, e tue i lidhë të gjitha shfrimet e mia poetike në fillin e Arianës, e cila, them të drejtën, më ka dashunue dhe po më nxjerr nga labirinti për të puthë pa frikë flijimin e Rozafës sonë të nepërkambun..

-Ma së fundi, i the të gjitha, po të uroj që Sonatat gati gjysmëshekullore të dalin në dritë e të këndohen pa ia pasë frikën asnjë Minotauri.”

* * *

Së bashku me këtë “Intervistë – Autodafe”, më dërgoi edhe pesë poezi disidente të shkruara në vitet e diktaturës, të cilat po i botoj më poshtë.

Ai nuk arriti të botojë asnjërin prej titujve që kemi përmendur më lart, në intervistën e tij, e që ai i quante me një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Dy poezi që më dërgoi nga Italia, e bija, Paola Gera, janë nxjerrë nga përmbledhja e titullueme “Gufime kangësh të theruna”. Dorëshkrimet gjinden pranë së bijës, Paola Gera (në Itali).

Kritika letrare e ka vlerësuar poezinë e Gerës.

“Tradicionalja me vazhdimësinë e saj ma përfaqësuese dhe modernia me praninë mbizotnuese si strukturim bazë poetik dhe në ndërsjellje figurative transmetojnë forcën domethanëse të poezisë së Sandër Gerës” shkruan në kopërtinën e brenshme të “Via Lucis”, kritiku Hasan Lekaj.

“Poezia e Gerës shëmbëllen me një produkt të harmonisë mes traditës dhe modernitetit, në poezinë tonë. Me siguri që në rendin ekzistues të monumenteve të poezisë shqipe, ajo do të afirmojë vokacionin e saj autentik, tue i imponue këtij rendi ndryshime cilësore estetike, të tilla ndryshime që imponuen, me botimin e tyre, poezia e Camajt dhe e Zorbës”, shkruan po aty kritiku Arben Prendi.

Poezitë disidente që më dërgoi Sandri:

     Feniks

Një shpend i vonë rreh flatrat.

Ndjej çukitje thellë e thellë

E një drithtimë.

Më ndez një mall për bardhësinë

E kangëve

Që bulojnë në krahanore çupash

E më ndez një puthje sqepi

Që ma ther zemrën e shkretë.

Për vite e vite

Në gjoks m’flen një feniks.

Nuk do ta dija,

Po të mos vdiste

E prap

Po të mos ngjallej.

(1947) 

     Çdo gja më kujtohet

Çdo gja më kujtohet. Zhurma, aeroplanat

E qielli i zymtë si një tempull lashtësie

Gati me derdhë mallkimet e Zeusit.

Çdo gja më kujtohet. Hija e vdekjes, udhët

Plot pluhun e me gjak prej kah mërgohej

Frika me dhimbjen zharg kah e panjohuna.

Çdo gja më kujtohet. Lamtumira loti e gjaku,

Fate të ndrydhuna ndër gryka pushke

Tek endej një trishtim i humbun

Kah horizonti i mbyllun i njerzimit.

Çdo gja më kujtohet. Edhe gazi i ndritun

I rinorve tek kalonin tue tallë frikën

Nën sqetulla të përbindëshme të Marsit

Si nën një hark triumfi. Sepse e dinin,

Ata, kështu duhej të qeshnin, të qeshnin

Ndoshta me plagë edhe në krahanorë e gazi i tyne

Gjithmonë ylber – shpatë historie.

Çdo gja më kujtohet . . .

Sot, mbas pak vitesh,

Edhe në pluhun lulja don me çelë.

(1948)

Rrëshajë 

Shpatullash i shkrryhej hija e togës së Neronit

Trishtim i shuem.

Shikoi e s’qeshi.

Në sytë i dilte një shkëndi epshore

E furishme për ndoj sulm.

Çoi dorën e nuk preku.

Një grusht i shtrydhte lang

Me helmatisë agimet foshnje.

 

Kaluem nën te si nën çudinë bamirëse

Me u terë nga shtërgatat.

Po ai

U ndal e s’foli, shikoi e u ngërdheshqeshi,

Çoi grushtin si një shtagë. . .

 

E kur, kokultë e të dëshpruem u kthyem

Tue hedhë lulet për tokë,

Për shpatullash na kapi e na plandosi

Der’ që kaloi mbi shpinat tona

Rrëshajë e etëshme për gjak.

(1950)

 

     Mumje

 

Sa qeshë fëmijë askush s’më tha ke za të bukur,

Tingull të shkyem e ke diku n’korin e turbull.

E u rrita në krahnorin përvëlues plot me plagë lulesh,

E u thava për një varg ta virshe n’gushë shqiponjash,

E u thava për një strofë ta pikëzoja ndër ballna dashunie,

E u thava për një krah flutrues pa cak e pa kufi.

 

Sa qeshë fëmijë askush s’më tha ke za të bukur.

Tash po  ta kem’ nuk kam ma gojë të njomë.

Gjatë motesh,

Tue puthun mumjet n’piramidën e krahnorit,

Buzët u ftohën, kangët u gurëzuen.

(1953)

 

     Patkoni

 

Gjeta një ditë një patkue kali.

E mora tinzë, ogur ta kisha në shtëpi.

Në dhomën e vetmueme e vara te një gozhdë,

Që fati i gjorë t’buronte poezi.

 

S’ish gja kjo punnë. Patkoni ogurzi

Tunndej në mur e tamthat m’i shkallmoi,

I lypa ndjesë, kah nuk e lashë te rruga,

Ndoshta ndoj kali mund t’i sillte fat.

 

Po për çudi, një ditë, kur doja me këndue,

Ai qeshi e u dridh e gozhda e lëshoi,

E ra  mbi kangën time, buzët m’i përgjaku,

Me ndryshk e pluhun keqas m’i fërkoi.

 

Pastaj si një kunorë, t’vruguemin ballë m’mbërtheu.

Aty, sot e asaj dite,

Sfingje e pashpirtë qëndron . . .

(1955)

 

 

 

 

 

Nga përmbledhja ” Gufime Kangësh të theruna”

 

    

Flutura zjarri

 

Askush s’e din ma mirë se hijet

sonte

se çfarë po shkruejmë me gjurmët tona

n’errësirë . Askush.

….E ti, Statujë hyjnore,

e fshehun ndër gryka malesh , je larg –

flutur zjarri që nuk kapet .

Askush s’e din ma mirë se hijet

sonte

çfarë po skalisim me gjurmët tona

n’errësirë . Rrëshqanas

kaptojmë mbi një andë rr t’adhurueme

tue drashtë mos t’ shklasim mbi gjumin e saj …

Ngarendim tue këputë ndoj fije yjzish –

me fijet në gojë

jemi zogj nate me krande folesh në sqep…

…E nuk kujtohemi ç’po shkruejmë –

në një copë kozmosi

fatin e hapave , që ikin , ikin

puthje të gacta në buzët robina –

në buzët tona

që për natë dridhen në ma t’idhtën lamtumirë .

Mos u çudit !

Jemi skllevër të hijeve . E na duket

se nga goja e tyne parafolëse

po dëgjojmë një Afroditë

hakmarrëse –

dëshrake t’na gjujëzojë , t’na kthejë n’statuja

mù ndër kambë Pigmalionash të shastisun…..

 

         Po ata,

Patjetër do të na falin

 

Asht e largët dita,

kur dielli hyni ndër sytë e mi

bashkë

me mjegullinën e shekullit të luftës.

Me dashë sot me kujtue

nuk kam ma sy të thellë . Në ballë

kanë mbetë dy gaca sa me ndritë sapak.

Asgja ma tepër.

Çdo gja

kur vrap m’u qas, qè zjarri vetë –

endje motesh

në zhgun të murrmë netësh të pasigurta.

Kujtimet kur i mbledh në dhomë të fshehtë ,

gjithmonë një dorë tejpase

porsi shigjetë , m’i hedh ndër sy ….

E kur shpresoj

me pritun fishekzjarre –

prap më ndriçojnë dy gaca

te votra e mallëngjimit tim.

Ah, jetë lojcake !…. Jeta –

ka përmbytje,

të çon e të rrëzon, të mbyt e të ringjall,

gjithmonë tue lanë gjurma kalvaresh

tinëzisht kudo-

edhe ndër shpresa profetike…..

Rrallë

kur me kujtime njerëzit kanë mall –

ajo hyn pa u kuptue e shkrime vetë n’kujtime –

tue zgjidhë gjarpijt e Laokoontit

të lidh ylberet që kërkojnë me lindë .

E pa u kujtue, të vdekunit harrohen…

……Ndoshta

pse atë ditë dhjetori, kur me diellin

ndër sy më hyni mjegullina e shekullit –

unë u hutova përballë netëve

e humba trashigimin e të vdekunve.

Po ata, patjetër do t’na falin.

Sepse, e dijnë ma mirë se na –

kudo që janë në për shkretitë e tokës së djegun

e nëpër gropa kockash të shkallmuem….

Ata na falin .

S’ka se si t’mos falen kangët mumje

mbrendë piramidash ngrehalucë n’ këtë shekull

mbi gjoksin e kuq të mizorisë ….

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksander Gera, Anton Cefa, poeti i fjales, se heshtur

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT