Nga Elida Buçpapaj/
(Grotesk)/
Politikanët e Shqipërisë londineze me maçkë e me kuçkë janë në eufori të plotë duke shijuar Brexit!I ka kapur aq shumë entusiazmi analizues sa kanë vendosur që me punimet e këtyre dy-tri ditëve botuar në shtypin e Tiranës të mbrojnë në Universitetin e metropolit Europianist nga një Ph.D. për të marrë titullin Brexit-ologë!
Janë gjetur po ashtu sponsorët për një seri botimesh dhe përkthimin e tyre në gjuhët angleze, franceze, gjermane, kineze dhe hindu.
Do të ketë edhe një çmim me emrin David Cameron për Brexit-ologun më të thekshëm shqiptar. Thuhet se do të vijë vetë Cameron në një Gala që do të jepet live në të gjithe televizionet kombëtare shqiptare përfshi BBC.
Maçkë e kuçkë e përdor si eufemizëm përkatërisht për opinionistët dhe portalët që po shkruajnë e botojnë me një bollëk të paparë oped-e, opinione, editoriale, shkrime, analiza, komente, reagime, polemika, debate, dialogje, monologje duke shkaktuar zili deri në Oksford për mënyrën se si janë duke i qarë hallin dhe përshkruar tash e mbas vetminë e madhe të Anglisë.
Po e analizojnë situatën në nivel kombëtar, kontinental dhe global se çfarë pritet pas referendumit të 23 qershorit, që për koincidencë përkon me datën e zgjedhjeve në Shqipëri, tri vite më parë.
Politikanët e Shqipërisë londineze po shqetësohen tmerrësisht për fatin e botës anglo-saksone, kur ata imagjinojnë shkëputjen e Skocisë nga Britania e Madhe, ditë e ëndërruar që nga koha e Sir Walter Scott e deri tek Sir Sean Connery, kryespiuni 007, më i famshëm i Mbretëreshës.
Pas shkëputjes së Skocisë i vjen rradha Irlandës së Veriut që t’i bashkangjitet Republikës së Irlandës.
Politikanët e Shqipërisë londineze po u qajnë hallin bursave, miliardave që shkrumbohen, uljes të vlerës së Pound-it, ndërsa nga ana tjetër e shohin legjitime që të qeshin nën hundë me të gjithë ish-Ambasadorët e Britanisë së Madhe në Tiranë që u jepnin leksione me qëllim integrimin e Shqipërisë në BE!
Dezintegrimin e ishullit, politikanët e Shqipërisë londineze, e shohin si hapin e parë të një efekti domino apo reaksion zinxhir, quajeni si të doni, a nuk doli Marine Le Pen menjëherë me thirrjen për Frexit, që pritet të shkojë deri tek dezintegrimi i BE-së. Nga BE të bëhet BExit!
Në këtë pikë politikanët shqiptarë me maçkë e kuçkë nuk përmbahen, nuk pyesin fare për sjelljen diplomatike dhe tallen për fushë! Sidomos me zyrtarët e BE-së dhe veçanërisht e kanë pikën e tyre të dobët Ambasadoren Vlahutin e cila do të mbetet pa punë kur të dezintegrohet BE-ja!
Kur të mbetet pa punë, parashikojnë politikanët shqiptarë, Ambasadorja Vlahutin do të bëhet ish-Ambasadorja Vlahutin dhe më në fund do ta mbyllë gojën e nuk do t’i lodhë me reformën në drejtësi. E çfarë i duhet Shqipërisë reforma për drejtësi tani kur të gjithë po dalin exit!
Por, politikanët shqiptarë nuk ngopen as me Brexit dhe as me BExit, pas dezintegrimit të BE-së syrin e parashikimeve e kanë përtej oqeanit, aty e kanë pikën e qejfit, sepse sipas tyre kur arrin të dezintegrohet ish-Mbretëresha e Deteve e përse të mos dezintegrohen sidomos SHBA-të, një ish-koloni e Brexit!
Dhe pastaj ajo puna e reformës në drejtësi is over. Mbyllet përfundimisht.
Nga dezintegrimi i SHBA do të krijohen 50 shtete, që do të kenë 50 DASH e në Shqipëri do të hapen 50 ambasada; nga çdo shtet i ish-SHBA do të dalë një president që do të emërojë në Shqipëri seicili nga një ambasador!
Ndërsa ky aktuali s’do të ketë çfarë të bëjë, aq më tepër që e ka tepruar shumë duke ndërhyrë deri në punët e brendëshme e shkelur sovranitetin!
Dezintegrimit dhe shkërmoqjes i shpëton vetëm Sali Berisha me të tijtë, Edi Rama me të tijtë, Ilir Meta me të tijtë, plus maçkat dhe kuçkat, sidomos ky Fatmir Mediu, me të gjithë të emëruarit në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, me gjithë presidentin, kryeprokurorin e shefin e SHIK-ut.
23 qershori 2016 do të do të hyjë në historinë botërore si data e startExit, ndërsa për klasën politike shqiptare kjo datë përkon me triumfin në rrang global të sistemit të tyre model dhe sfidues ndaj BE, SHBA, NATO, CIA, FBI, Interpol, ku të gjithë rrezikojnë të dezintegrohen përveç sistemit të Shqipërisë londineze që shkëlqen si fener ndriçues i mafies demokratike.