– Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dënon ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri e vendit, Oliver Ivanoviç/
-Ambasadori Delawie: Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme/
-Media e Beogradit raporton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka ftuar për sot në mesditë “mbledhje urgjente të Këshillit për siguri kombëtare”/
–BBC: Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët për vrasjen e Ivanoviqit/
PRISHTINË, 16 Janar 2018-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/
Në veri të Kosovës është vrarë sot në mëngjes politikani serb Oliver Ivanoviç. Sipas medias serbe Ivanoviç është qëlluar “me pesë plumba nga prita” në hyrje te shkallët para zyrës së partisë së tij dhe sulmuesit kanë ikur nga vendngjarja me një veturë. Ndërkohë njoftohet se është gjetur një veturë e djegur.
Media e Beogradit raporton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka ftuar për sot në mesditë “mbledhje urgjente të Këshillit për siguri kombëgtare”.
PRESIDENTI THAÇI DËNON VRASJEN E OLIVER IVANOVIÇIT, KËRKON TË ZBARDHET SA MË SHPEJTË RASTI
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dënon ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” në veri e vendit, Oliver Ivanoviç.
“I ftoj organet e rendit që t’i ndriçojnë sa më shpejtë rrethanat e vrasjes së tij dhe aktorët e krimit të dalin para drejtësisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka apeluar te qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë për ndriçimin sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
DEKLARATË E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.
Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet.
Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.
KOMUNIKATË PËR MEDIA E POLICISË SË KOSOVËS
Policia e Kosovës dërgoi këtë komunikatë për media: Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.
Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.
Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.
Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.
MEDIA:KUSH ISHTE OLIVER IVANOVIÇ?
Oliver Ivanoviq fatkeqësisht nuk u mbijetoi plagëve, deklaroi drejtori i Spitalit në Mitrovicën veriore, Millan Ivanoviq, transmeton Koha.net.
Ai shtoi se Oliver Ivanoviqit nuk mundi t’i ndihmojë dhe se ai ndërroi jetë nga disa goditjet në pjesën e epërme të trupit.
Ai ka paralajmëruar se më shumë hollësi do të jepen në konferencën e shtypit të orës 10 e 30.
Mediat lokale në gjuhën serbe dhe ato të Beogradit raportojnë për shokun që ka shkaktuar vrasja e liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”. Oliver Ivanoviqit u vra sot në orën 8 e 15 minuta, deri sa po hynte në ambientet e partisë që drejtonte, në pjesën veriore të Mitrovicës, transmeton Koha.net.
Raportohet se në vendin ku ka ndodhur vrasja janë gjetur katër gëzhoja plumbash të revoles, që u përdor me shurdhues, ndërsa vetura “Opel Astra”, nga e cila u shti derisa ishte në lëvizje dhe me të cilën ka ikur dorasi, u gjet e djegur më larg nga vendi i vrasjes.
Po ashtu theksohet se urgjencën e kishte thirrur një fqinje që kishte dalë për të blerë bukë.
Ksenija Bozhoviq nga Iniciativa Qytetare ka deklaruar se Policia e Kosovës ka bllokuar zonën ku ka ndodhur vrasja.
Oliver Ivanoviq ka lindur më 1 prill të vitit 1953 në fshatin Rëzniq të Deçanit. Shkollën fillore dhe atë të mesme të Makinerisë-teknike e ka mbaruar në Mitrovicë. Ka qenë kadet i Akademisë Ushtarake të Zagrebit, por të cilën e braktisi pas tri vjetësh. Ndërkohë kreu Fakultetin e Makinerisë në Mitrovicë, ndërsa në Prishtinë ka diplomuar edhe në Fakultetin Ekonomik.
Ivanoviq ka punuar në ndërmarrjen transportuese “TransKosova” në Mitrovicë, në Fabrikën e pllakave të qeramikës “Mozaik” dhe në përfaqësinë e kompanisë “Hepok të Mostarit (BeH). Nga viti 1991 deri më 1998 ishtre në krye të Qendrës Sportive në Mitrovicë.
Postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Feronikel” në Drenas e ka ushtruar në periudhën deri më 2004, kur bëhet drejtor i, siç e quajnë mediat serbe, Shërbimit Kombëtar për Punësim në Kosovë e Metohi.
Kur më 1999 u formua Këshilli Kombëtar Serb, Ivanoviq bëhet kryetar i Këshillit Ekzekutiv për Kosovën veriore. Nga kjo pozitë u largua më 2001. Kur qeveritë e RFJ dhe të Serbisë formuan Qendrën Koordinuese për Kosovë e Metohi, zgjidhet shef i Shërbimit për zhvillim ekonomik dhe rekonstruksion. Nga viti 2008 ndodhej në postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovë e Metohi. Ishte anëtar i Partisë Socialdemokrate që tash nuk ekziston. Ishte instruktor dhe refer ndërkombëtar i karatesë. Ka qenë edhe instruktor i klubit të karatesë “Trepça”
Ka qenë i martuar dhe baba i tre djemve, – transmetojnë biografinë e tij mediat serbe.
Pas akuzave për krime lufte mbi shqiptarët në Mitrovicë , Ivanoviq kaloi tri vjet në arrest dhe qe dënuar me 9 vjet burgim. Ndërkohë, instancat përkatëse gjyqësore e lanë të mbrohet në liri, rikujton Koha.net.
***
Ambasadori i SHBA në Kosovë dënon vrasjen e Oliver Ivanoviç
-Delawie: Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme/
PRISHTINË, 16 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie deklaroi sot se e dënon në mënyrën më të fuqishme të mundshme vrasjen e dhunshme të Oliver Ivanoviçit në mëngjesin e sotëm, dhe shpreh ngushëllimet më të thella të ambasadës për familjen e tij.
“Thërras në të gjitha institucionet e drejtësisë të Kosovës – veçanërisht tash që policia, prokurorët dhe gjykatat janë të integruara – që të hetojnë këtë incident shpejtë dhe profesionalisht, dhe që të bijnë kryerësit para drejtësisë. Nxisim të gjitha palët që të shmangin retorikën e rrezikshme dhe të mbesin të qetë në këtë kohë të ndjeshme, dhe të ripërkushtohen për të vazhduar punën drejtë normalizimit të marrëdhënieve dhe përmirësimit të jetëve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë”, shprehet ambasadori amerikan në Prishtinë.
January 16, 2018
Ambassador Delawie’s statement on the murder of Oliver Ivanovic
I condemn in the strongest possible manner the violent killing of Oliver Ivanovic this morning, and extend the Embassy’s deepest condolences to his family. I call on all Kosovo’s justice institutions – especially now that police, prosecutors, and courts are integrated – to investigate this incident swiftly and professionally, and bring the perpetrators to justice. We urge all sides to avoid dangerous rhetoric and remain calm at this sensitive time, and recommit themselves to continue the work toward the normalization of relations and improvement of the lives of the citizens of Kosovo and Serbia.
DEKLARATË E KRYETARIT TË KUVENDIT TË KOSOVËS
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, dënon vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, si dhe ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq.Kryeparlamentari Veseli beson se organet e drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore që ky rast i rëndë të zbardhet sa më shpejtë dhe që autorët e krimit të dalin para drejtësisë.
BBC: Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët për vrasjen e Ivanoviqit
Korrespodenti i BBC-së nga Beogradi, Dejan Aleksijeviq, gjatë një raportimi direkt, ka thënë se vrasja e Ivanoviqit mund të jetë e ndërlidhur me mafien.“Duket vrasje tipike mafioze. Ivanoviq ka pasur shumë armiq. Ka qenë figure kontroverse”, ka thënë ai, raporton Koha.net.Tutje, Aleksijeviq ka theksuar se Beogradi zyrtar po tenton që për këtë vrasje të fajësojë shqiptarët.“Liderët e Beogradit po tentojnë të fajësojnë shqiptarët por dihet mirëfilli që veriu i Kosovës kontrollohet 100% nga serbët”, ka theksuar ai gjatë raportimit direkt në lidhje me vrasjen e politikanit serb në Veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.



