• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

26 nëntor 1912-Ismail Bej Qemali:“Ne nuk kërkojmë autonomi,por pavarësi.”

November 6, 2017 by dgreca

Intervista ekskluzive e Ismail Qemalit në Vjenë (1912)

2-ismail-qemali-315x200-300x190

 Nga Aurenc Bebja*, Francë/

1 Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Journal des Débats Politiques et Littéraires”, ka botuar të martën e 26 nëntorit 1912, në ballinë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Vjenë me gazetarin me inicialet M. P.

Udhëheqësi shqiptar ka folur asokohe për gabimet e rënda qeverisëse të xhonturqve, për qëllimet e tmerrshme të Serbisë në vendin tonë dhe mbi të gjitha për pavarësinë e Shqipërisë.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania” :

1 intervista

Letër nga Vjena

Ismail Qemali dhe çështja shqiptare,

Vjenë, 21 nëntor.

Ismail Qemal Beu, një nga udhëheqësit më të padiskutueshëm të Kombit Shqiptar, u ndal për disa ditë në Vjenë. Ai erdhi nga Budapesti, ku politikanët hungarezë i rezervuan një mikpritje të ngrohtë dhe ku personazhet zyrtare të monarkisë, pa u distancuar nga rezerva diplomatike e imponuar prej rrethanave, nuk i fshehën atij simpatinë dhe interesin e tyre për çështjen që ai mbron. Ai, me gjithë këmbënguljeve të tij, nuk arriti të takonte dukën Bertchold ; gjithsesi atë e vunë në kontakt me disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Momenti i vizitës së tij në Budapest rastisi, për më tepër, në kulmin e krizës austro-serbe : çështja e konsujve shqetësonte opinionin publik, tashmë i pakënaqur me qëndrimin e papajtueshëm të Serbisë për çështjen e porteve. Ismail Qemali gjeti në Austro-Hungari një atmosferë të favorshme për projektet e tij : ai dukej disi i shqetësuar dhe nervoz.

 “Po largohem sonte, më tha ai, për Trieste. Një anije austriake do të më çojë në Durrës, ku shpresoj të arrij para se të mbërrijë ushtria serbe. Nuk ka më kohë për të humbur. Miqtë e mi dhe unë do të përpiqemi të organizojmë një komitet mbrojtës në vend, një lloj qeverie të përkohshme. Por, duhet më në fund që Evropa të dalë nga indiferenca e saj dhe të manifestojë me anë të akteve interesin që dëshmon se ka për çështjen tonë të pafat. Në Austri, në Gjermani, si edhe në Francë dhe Angli, opinioni publik është në favorin tonë ; e drejta jonë njihet unanimisht dhe ruajtja e pavarësisë sonë duket se është në përputhje jo vetëm me parimet e diplomacisë evropiane, por edhe me interesat e fuqive të mëdha. Çfarë po pret Evropa për të na mbështetur ? Do të jetë e padobishme shpallja e të drejtës së kombit tonë për ekzistencë dhe autonomi kur ne nuk do të ekzistojmë më. Qëllimi i serbëve është i qartë : ata djegin, masakrojnë gjithçka gjatë rrugës së tyre; nuk u mjafton pushtimi i Shqipërisë, ata duan të shfarosin shqiptarët.”

Ismaili i moshuar uli kokën dhe heshti për disa çaste, pastaj rifilloi :“Ne nuk mundemi, nuk duam të bëhemi sllavë. Nga të gjitha kombet që popullojnë Ballkanin, i yni është më i vjetri. Është e vërtetë se ne nuk jemi shumë të civilizuar : kemi vuajtur kaq shumë ! Por, a është kjo një arsye që një pemë, për shkak të mungesës së kujdesit, të pritet se nuk ka lulëzuar ? Ne ishim të parët, pas vitit 1908, që u ngritëm kundër pretendimeve tiranike të qeverisë xhonturke. Duke kërkuar atëherë reforma dhe një trajtim më të drejtë, duke protestuar kundër kërkesave të papajtueshme me zakonet dhe kushtet tona, ne nuk mbronim ekskluzivisht vetëm të drejtat e racës sonë, por edhe ato të të gjitha kombësive : programet tona asokohe dëshmojnë për këto qëllime. Përpjekjet tona nuk patën sukses : ata u shtypën nga represionet më të padrejta dhe të dhunshme. Popujt e Ballkanit u bashkuan ; ata morën përsipër çështjen që ne tentuam të mbronim. Dhe sot që ata triumfojnë, veprimi i tyre i parë është që të kthehen kundër nesh ! Ata i njohin qëllimet tona, të cilat nuk janë armiqësore ndaj tyre : ne i konsideronim si aleatë. Ata e dinë se ne nuk do të ndjekim asnjë plan zgjerimi dhe propagande; ne kërkojmë vetëm një gjë : që të na lënë të jetojmë në territorin ku gjendemi.Dhe këtë pretendim, ne do ta mbështesim deri në fundin më ekstrem. Ne nuk do të lejojmë as aneksimin, as ndarjen dhe as zhytjen e popullit tonë në rrjedhën e një popullsie të huaj. Çështjet e gjetjes së formulës politike apo ajo për krijimin e një qeverie janë dytësore, dhe, në kohën e tashme, na shqetësojnë pak. Pika thelbësore është që tani e tutje ndjenja kombëtare mbizotëron mbi të gjitha ndjenjat e veçanta, preferencat politike ose rivalitetet konfesionale. Katolikët, ortodoksët, myslimanët, të gjithë shqiptarët janë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat e kombit dhe pavarësinë e Shqipërisë.”

Ismail Qemali pati përdorur gjatë bisedës fjalët “pavarësi” dhe “autonomi”. E pyeta nëse shqiptarët tashmë ishin të qartë për synimet e tyre. Ai bëri një gjest apatik :

 “Çfarë vlere ka të luash me fjalët ? – tha ai. Askush nuk e kishte dëshiruar më shumë se unë rigjenerimin e Perandorisë Osmane ; askush nuk ishte më i vendosur se unë për të sakrifikuar shumë, gjithçka që ishte e mundur për të sakrifikuar, që Turqia të bëhej një shtet modern, i qeverisur dhe i administruar mirë, i qëndrueshëm dhe i fortë. Ne jemi rebeluar vetëm kundër abuzimit të pushtetit nga një parti, e cila paragjykonte të drejtat tona dhe kishte për qëllim të na shtypte si komb. Kjo parti, tashmë, ka shkatërruar Turqinë : çfarë do të mbetet në Evropë nga Perandoria Osmane ? Nuk bëhet më fjalë për një Shqipëri autonome që i nënshtrohet sundimit të Turqisë. Lidhjet me një provincë të izoluar dhe të largët nga Perandoria do të ishin artificiale dhe të vështira për t’u mbajtur. Ne nuk kërkojmë autonominë, por pavarësinë : një pavarësi që nuk kërcënon askënd dhe madje u ofron disave garanci.”

Ismail Qemali e dinte se para se të shkoja për ta takuar, kisha takuar Hysen Xhahidin, ish-drejtorin e Taninës, i cili, duke u larguar nga Kostandinopoja, si arsye e kërcënimit të një dënimi, kishte gjetur strehim në Vjenë. Ai më pyeti se çfarë mendonte Xhahidi për ngjarjet dhe si e parashikonte të ardhmen. Unë nuk i fsheha se u befasova nga optimizmi i tij. Ai nuk kishte humbur asgjë nga entuziazmi dhe besimi i tij i mëparshëm. Përvoja që kishte dështuar në Evropë do të ripërtërihej në Azi, ku ajo kishte një shans më të mirë për të pasur sukses. Atje, asnjë besdisje, asnjë pengesë. Armenët nuk mund të përbënin një rrezik : ata kishin aq shumë interesa të përbashkëta me turqit ! Arabëve do t’u jepej një autonomi e gjerë. Progresi do të arrihej pak nga pak. Vendi do të organizohej, do të bëhej i begatë.

“Ëndrra ! – tha Ismaili. Asnjë realitet, kaq brutal dhe i tmerrshëm sa është, nuk do të zgjojë këta njerëz ! Ata kanë shkatërruar, nga gabimet dhe arroganca e tyre, situatën më të bukur e më të pashpresë në botë. Çfarë simpatie dhe besimi gëzonte Turqia në Evropë pas revolucionit ! Fakti ishte i papritur, dukej se u shfaq një fuqi jetike dhe energjitike me burime të pazbuluara. Evropa në tërësi i besoi Turqisë së re dhe i ofroi ndihmën e saj. Ata nuk kuptuan dhe shfrytëzuan asgjë. Sa herë kam provuar t’u hap sytë, u lutesha atyre që të mos shpërdornin avantazhet e një situate unike, të cilën vendi nuk do ta gjejë më kurrë ; Nuk do të përfitonin vetëm ata, por e gjithë Perandoria. Për disa muaj, ata u tjetërsuan nga të gjithë : fuqitë e mëdha, që u trajtuan me një mëndjelehtësi të pabesueshme, na kthyen shpinën ; në brendësi të Perandorisë, kombësitë e kërcënuara prej një politike të verbër dhe brutale, menduan të shkundnin zgjedhën që u bënte ekzistencën e tyre të pamundur. Rezultati i gjithë kësaj është historia e këtyre ditëve të fundit : pa dyshim, që ende nuk u duket mjaft e qartë.”

Ismail Qemali, ndërsa isha gati t’i them lamtumirë, këmbënguli përsëri me shpresën se do të shihte Fuqitë e Mëdha të Evropës, të mbështesnin, në mënyrë efektive, kërkesat e Shqipërisë. Ai dukej shumë i kënaqur me aranzhimet që pati në Austro-Hungari, shumë më pak me ato që shtypi italian shkruante prej disa ditësh. “Shtypi, i thashë, nuk e përkthen gjithmonë mendimin e qeverisë.” Ismaili tundi kokën dhe nuk u përgjigj.

– M. P.

Filed Under: Featured Tagged With: Aurenc Bebja, Ismail Bej Qemali:“Ne nuk kërkojmë autonomi, por pavarësi.”

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT