Dy fjalë rreth veprës së Nelson R. Çabejt “Prejardhja dhe formimi i popullit shqiptar” – Vëllimi i parë.Botuar në Albanet Publishing, viti 2017/
Nga Anton Çefa/
Këtë vepër madhore, ku njëmendësohet çështja sa rendësore aq e vështirë e prejardhja dhe formimi i poullit tonë, autori ia dedikon: “Popullit tim, mbijetues në kufirin e së pamundshmes”.
Në këtë vëllim parashtrohen rrënjët historike të popullit tonë, ndërsa rruga e formimit të tij do te jepet në një vëllim të dytë. Për trajtimin e lëndës autori ka shfrytëzuar të dhënat shkencore të deritanishme nga historia, gjuhësia, arkeologjia, etnografia, besimi, folklori, artet, gjenetika, etj., nga burimet shqiptare dhe të huaja. Siç shkruan autori: “Fatmirësisht, në historinë e prejardhjes së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe u përfshinë një numër dijetarësh, historianësh e gjuhëtarësh europjan e të rangut botëror, duke filluar me Leibnitz-in, Niebuhr-in, Mommsen-in, Kretschmer-in, Jokl-in; dhe, në shekullin e kaluar, me shkollën shqiptare të albanologjisë të Eqrem Çabeut, që e bëri Shqipërinë qendrën botërore të studimeve albanologjike.”:
Në vepër, duke filluar me “Vështrim i shkurtër i pikëpamjeve rreth formimit të popullit shqiptar”, flitet për banorët paraindoeuropian të Ballkanit Perëndimor, dyndjen indoeuropiane dhe formimin e etnosit ilir. Në vijim trajtohen çështje të tilla si : Ilirët dhe Iliria në kohën hisdhtorike, Epiri si pjesë e Ilirisë së Jugut, historia etnike e Ilirisë së Jugut përmes emrave të vendeve, urbanizimi, shteti ilir dhe tërësimi etnopolitik i Ilirisë së Jugut, ilirishtja – gjuha nënë e shqipes; bota shpirtërore ilire: morali, arti, folklori, muzika, besimi i ilirëve; rreth romanizimit të Ilirisë. Ky vëllim ka gjithësejt 550 faqe.
E gjithë vepra është një dëshmi e pamohueshme e së vërtetës shkencore që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, që kanë banuar në trojet e sotme shqipfolëse. Ajo është gjithashtu një dëshmi e njohurive dhe e përpikërisë, që e dallon autorin. Po bie një shembull: për të dëshmuar vërtetësinë e historisë etnike të Ilirisë së Jugut përmes emrave të vendeve janë analizuar 34 emra të tillë, që kanë zënë 58 faqe. Vepra mbështetet një një mori referencash tek të cilat është mbështetur ose i ka kritikuar autori, gjithësejt 1288. Siç na e thotë edhe vetë Nelsoni: prej tre shekujsh dijetarë të shquar shqiptarë e të huaj, që janë marrë seriozisht me studimin e prejardhjes së popullit tonë kanë arritur në përfundimin se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve që kanë banuar në trojet e sotme shqipfolëse.
Në vepër dëshmohet autoktonia iliro-shqiptare dhe hidhet poshtë si e pabazë pikëpamja e Weigand-it për prejardhjen trake të shqiptarëve.
Në kreun e dytë flitet për banorët paraindoeuropian të Ballkanit Perëndimor, duke trajtuar gjurmët arkeologjike të tyre, trajtohen edhe lidhjet gjuhësore të shqiptarëve me ta, besimi dhe arti i tyre. Pasojnë dyndjet indoeuropiane dhe i jepet një rëndësi e veçantë formimit të etnosit ilir, duke dritësuar parahistorinë e ilirëve përmes kulturës dhe gjuhës së tyre.
Në kreun IV, fillon historia e ilirëve, nga organizimi fisnor kalohet në formimin e mbretërive. “Duke filluar nga shekulli V para erës së re, u krijuan katër shtete të mëdha të pavarura: mbretëritë e Epirit, e ardianëve, e dardanëve dhe e pajonëve, të cilat rivalizonin me njëra-tjetrën, duke ruajtur një drejtpeshim të brishtë e të habitshëm si në rrafshin politik dhe në atë ushtarak . . .” vë në dukje autori. Trajtohen më poshtë shkaqet përse nuk u formua një shtet i centralizuar ilirjan. Me organizimin e shteteve ilire u kultivua vetëdija mbifisnore, etnike, tek ilirët. Autori jep gjithashtu disa tipare të karakterit ilir.
Duke folur pet pushtimin romak të Ilirisë, krahas dëmeve si ndërprerjes së procesit të zhvillimit te shtetet ilire, ndarjes së territorit në disa njësi administrative të veçanta, përhapjes së krishtërimit që lidhej me një ideologji mbietnike të këtij besimi, autori vë në dukje faktin se pushtimi romak e pengoi , por nuk e shoi vetëdijen “Ne” ndër ilirët, që ishte arritur më parë. Ndikoi në mënyrë të veçantë, ndër të tjera, urrejtjen dhe luftën kundër këtij pushtuesi. Lidhur me çështjen e vetëdijes etnike të ilirëve në kohën e pushtimit romak, autori trajton edhe problemin jashtëzakonisht të rëndësishëm të lindjes së gjuhës shqipe, “në saje të shndërrimeve të thella të strukturës gramatikore të ilirishtes, në përputhje me rrethanën e depërtimit masiv të latinizmave, që ishte një reagim vetëmbrojtës i ilrishtes për t’i shpëtuar romanizimit.”
Hollësisht më pas jepën kufijtë etnikë të ilirëve dhe si dëshmi e njëjtësisë etnike të Ilirisë së Jugut me Epirin, jepen emrat vetjakë. Shkencëtarët e fushave të ndryshme të dijes i kanë trajtuar ilirët si një nga grupet etnike të hershme, që mori pjesë në indoeuropianizimin e Europës prehistorike.
Autori ka venë në kahun e kritikës tendencën për një lloj ilirofobije, që priret të rrudhë konceptin mbi ilirët vetëm në “Illyri proprie dicti”, si tek arkeologu M. Garashanin, i cili lë jashtë territorit të ilirëve dhe bashkësisë ilire një pjesë të Dardanisë, japodët dhe panonët, duke i cilësuar si trakë. Historikisht, fiset ilire, që u formuan nga shkrirja e popullsisë parailire me ardhësit indoeuropianë, zënin një truall shumë të gjerë, që përfshinte gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në vijim, trajtohet Epiri si pjesë e Ilirisë së Jugut, dhe jepen sqarime për prejardhjen e emrit Epir, kufijtë e Epirit të vjetër, fiset epirote, gjuhën e tyre, vendemrat e shpjeguar me anën e shqipes ose që kanë evoluar në pajtim me fonetikën e saj. Flitet për kolonitë greke në bregdetin e Epirit, shtetet epirote dhe tregohet se Epiri për grekët e lashtë ishte një vend i huaj. Gjithashtu, shpjegohet historia etnike e Ilirisë së Jugut përmes emrave të vendeve.
Në një kapitull të veçantë trajtohet urbanizimi, shteti ilir dhe tërësimi etno-politik i Ilirisë së Jugut, duke filluar me lindjen e jetës qytetare, zhvillimin e qyteteve iliro-epirote, kolonitë greke në bregdetin ilir, zhvillimet e qyteteve iliro-epirote, vetëdijen etnike të ilirëve. “Vetëdija “Ne”, që i bashkonte ilirët, – shkruan Nelsoni, – nënkuptonte edhe veçimin e tyre nga gjithë joilirët, nga “Ata” ose “Të tjerët”. Në konceptin “Të tjerët” mund të mishërohej edhe ideja e “Armikut”, që ushqehej nga konfliktet e paprera të fiseve ilire me fiset e popujt e tjerë. Kjo tablo kërcënuese rriste solidaritetin e brendshëm fisnor e mbifisnor të tyre, duke favorizuar përpjekjet për formimin e shteteve ilire. Me formimin e mbretërive ilire, faktorët e mësipërm ndikuan edhe për formimin e vetëdijes dinastike, me kultin e mbretit dhe në përhapjen e miteve për prejardhjen heroike / hyjnore të tij e të familjes mbretërore.”
Trajtohet, gjithashtu, problemi i gjuhës shqipe si bijë e ilirishtes, dhe shpjegohet se “fjalët ilire që njohim janë shpjeguar vetëm me anë të shqipes; kështu, emrat ilirë, ato vetjakë, të lumejve, vendeve, bimëve, fiseve, popujve, etj., Jepen edhe huazimet ilire nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër dhe marrëdhëniet me trakishten. Autori thekson dhe argumenton që “shqipja është gjuhë indoeuropiane dhe bijë e ilirishtës”.
Flitet më pas për botën shpirtërore të ilirëve : moralin, folklorin, muzikën, vallet dhe veshjen, etj. Lidhur me besimin trajtohet totemizmi ilir, kultet, etapat e zhvillimit të fesë, panteoni ilir, kozmogonia dhe etnogomia e ilirëve.
Në kreun e XI, dhe të fundit, jepen shkaqet përse iliria e Jugut i shpëtoi romanizimit. “I ashtuquajturi romanizim në trevat shqiptare ose në Ilirinë e Jugut, në pëgjithësi, thotë autori, në thelb ka të bëjë me ndikimin romak në jetën e qyteteve ilire, por . . . preku vetëm përciptas zonën rurale, që përfaqësonte pjesën më të madhe të trojeve dhe popullsisë së Ilirisë së Jugut.”
Përfundimisht, po theksojmë që në këtë vepër, autori ka shpjeguar formimin e popullit tonë në mënyrë të gjithanshme, duke marrë në shqyrtim tërësinë e të dhënave historike, gjuhësore, arkeologjike, të artit, besimit, folklorit, etnografisë, etj. Vepra është një dëshmi e drejtësisë së faktit që ne shqiptarët jemi pasardhësit e ilirëve.
* * *
Botimet e Nelsonit
Për rrethanat në të cilat iu desh të punojë, kërkimet e Nelsonit shtrihen në një fushë relativisht të gjerë, duke filluar nga biologjia e aplikuar (veterinari) dhe teorike (biologji e përgjithshme, evolucion, gjenetikë dhe epigjenetikë), deri në fushën e albanologjisë (histori e popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe). Këto kërkime janë pasqyruar në mbi 80 artikuj shkencorë e popullarizues dhe në 16 libra të botuar deri sot.
Lista e librave të botuar
– Gjenetika në Shërbim të Njeriut (1977)
– Ç’është Imunologjia (1977)
– Gjenetika (bashkautor me B. Shehun) (1979)
– Nga Historia e Zhvillimit të Shkencës Shqiptare (1980)
– Mbi Natyrën e Jetës (1984)
– Njohja Shkencore dhe Biologjia e Sotme (1987).
– Probleme Filozofike të Biologjisë (1988)
– Quantic Evolution (2001)
– Neural Control of Development (2004)
– Epigenetic Principles of Evolution (2012)
– Building the Most Complex Structure on Earth (2013)
– Ilirët që Mbijetuan (2013)
– Vazhdimësi Iliro-shqiptare në Emrat e vendeve (2014)
– Në Gjurmët e Perëndive dhe Mitologjemave Ilire (2014)
– Epirotes – Albanians of Antiquity (2016)
– Prejardhja dhe formimi i popullit shqiptar – Vëllimi i parë (2017)
Veprat e mëdha shkencore që ka përkthyer në shqip :
– Origjina e Llojeve (1982) – përkthyer nga origjinali anglisht The Origin of Species (1859) e Çarls Darvinit
– Zbulimi i Ligjeve të Trashëgimisë (1987) – përkthyer nga origjinali gjarmanisht Versuche über Pflanzenhybriden (1865) të Gregor Mendelit, pajisur me një studim 35 faqesh për lexuesin shqiptar
– Autoktonia e shqiptarëve në Studimet Gjermane – me pjesë të zgjedhura nga vepra të 12 autorëve të mëdhenj gjermanë për autoktoninë dhe prejardhjen ilire të shqiptarëve, duke filluar nga viti 1705 deri në kohët e fundit. Përkthyer nga origjinalet gjermanisht dhe pajisur me shënime e një studim 37 faqesh)