Nga Astrit Lulushi/
Ajo që ndodh brenda njeriut është mister. Nëse dikush të thotë jo, mos e beso, sepse është pretendim, ose rezistencë me mendje ndaj realitetit.
Gjërat kurrë nuk ekzistojnë kot, as për hir të të qenit, ato gjithmonë shndërrohen në kuptim. Një muzg është i zymtë, fund i ditës, por njeriu e kthen në mbrëmje të këndshme, çka është iluzion, që e bën të pretendojë se gëzohet.
Kështu, pretendimi shoqëron jetën. Jepi një qeni diçka, dhe ai kërcen e tund bishtin. Nëse nuk ke gjë për t’i ofruar, as ai nuk e ndjen ardhjen tënde. Kështu ndodh edhe me miqtë e rremë.
Madhështia është përvojë kalimtare. Personi që përjeton lavdi, shkruan Francis Bakon, tallet nga të diturit, admirohet nga idiotët, është idhulli i parazitëve, dhe skllav i vetmburrjes. Por gjithësesi, ai duhet të ketë një ndjenjë se është pjesë e diçkaje të veçantë, a një elite. Pa këtë mit, nuk i qëndron dot as madhështisë së rastit. Njerëzit i duan pretendimet e njëri-tjetrit, falsitetin dhe çfarëdo fytyrash me maska që veshin. Pastaj e quajnë dashuri.
Njeriu ka shumë jetë a faza të saj. Për të gjitha ndryshimet, madje edhe për më të dëshiruarat, ndjen melankoli; çfarë ka lënë pas është pjesë e vetes; i duhet të vdesë para se të mund të hyjë në një jetë tjetër, dhe kështu me radhë i ndërron derisa e gjithë jeta, e përbërë nga jetë të tilla të vogla, shuhet.
Pse pretendon se je, kur vërtet mund të jesh? A është qëllimi i leximit të një libri që t’u thuash të tjerëve se e ke lexuar? Por edhe nëse e lexon për të mësuar sepse dëshiron të mos kesh paragjykime, a nuk është ky pretendim paragjykim në vetvete? Por kjo është natyra e njeriut; mendon me mençuri dhe vepron pa mend. Njeriu ndjehet i lumtur vetëm sepse shpreson, thotë Aristoteli.