Nga Merita B McCormack/
Uashington DC- Fundjava e datave 14, 15 dhe 16 Nëntor 2014 do të mbetet e paharruar në kujtesën e shumë Shqiptaro-Amerikanëve dhe shumë Amerikanëve që patën fatin e mirë të takohen dhe të mësojnë për historinë e Shqipërisë, për të kaluarën jo shumë të largët, për martirët, për faljen e pajtimin, si dhe për shpresën e së ardhmes.
Fundjava filloi me takimin në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Divizioni Europian. Pjesëmarrësit ishin të fushave të ndryshme, duke përfshirë Diplomatë Amerikanë që përgatiten të shkojnë për të punuar në ambasadat Amerikane në Shqipëri e Kosovë, shkollarë, studjues amerikanë, këshilltarë nga Komisioni i Lartë i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut si dhe shqiptaro amerikanë që jetojnë e punojnë në Uashington DC.
Merrnin pjesë edhe shkëlqesia e tij Ambasadori Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Uashington DC Z.Gilbert Galanxhi dhe zonja e tij Eva, Znj. Mamica Toska, Ministre Fuqiplotë e Ambasadës Shqiptare në Uashingtn DC, Z. Sami Kastrati, Zv.Ambasador i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Znj.Daniela Kristo-Nesho, Konsulle e Republikës së Shqipërisë në Uashington DC. Në takim mori pjesë edhe Dr.Gjon Buçaj, President i Federatës pan -shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe vatranë nga Uashingtoni. Aida dhe Gjergj Balaj, çifti nga Nju Jorku, ishin shoqëruesit e Dom Gjergjit në gjithë këtë fundjavë dhe fotot janë kortezi e tyre.
Nisur nga suksesi i vizitës papnore në Shqipëri, Dom Gjergj Meta ishte i ftuar nga Divizioni Europian në Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe ai bëri një prezantim të shkëlqyer lidhur me motivet e vizitës së Atit të Shenjtë, me mesazhet që ai përcolli dhe me homazhet që ai bëri. Bashkëorganizatore e aktiviteteve në DC për Dom Gjergjin ishte edhe Dega e Vatrës për Uashington DC.
Dom Gjergji e paraqiti prezantimin e tij në gjuhën angleze duke kapur tre aspekte kryesore të cilat ai i përmblodhi në temën domethënëse: “ Mbi krahët e shqiponjës: “Triptiku i një udhëtimi apostolik: Martirizimi, Bashkejetesa dhe Shpresa ne Shqiperi”
Prezantimin e hapi Drejtori i Divizionit Europian dhe njëkohësisht edhe kreu i Koleksionit të librave e materialeve në gjuhën shqipe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Z.Grant Harris. Para se ta prezantonte Dom Gjergjin, Z.Harris vuri në dukje se organizatorëve iu desh të ndërronin sallën e takimit për shkak të numrit të shumtë të pjesëmarrësve, gjë që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Kjo, tha ai, tregon se ka shumë interes për temën dhe ligjeruesin. Prezantimi i Dom Gjergjit u prit me shumë interes dhe vemendje nga audienca. Përmbajtja e ligjeratës ishte tejet e pasur, informative, edukative dhe e shëndoshë teologjikisht e filozofikisht. Elokuenca dhe anglishtja e Dom Gjergjit shtuan në bukurinë e lehtësinë e përcjelljes së mesazhit dhe në absorbimin e tij nga të pranishmit. Kjo u duk qartë edhe nga pyetjet e shumta që iu bënë Dom Gjergjit dhe nga shoqërimi disa orësh për drekë që iu bë atij nga një grup i madh pjesëmarrësish në drekën pas takimit.
Eshtë për të theksuar se prezantimi ishte i balancuar, i preku të gjitha aspektet e jetës shqiptare dhe Dom Gjergji foli jo vetem si prift katolik e për probleme pastorale lidhur me kishën dhe besimtarët katolike, por edhe si një shqiptar që mbart me vete shqetësimin kombëtar për çështje që kanë të bëjnë me shoqërinë shqiptare në të kaluarën dhe në ditët tona. Ai theksoi se kujtesa dhe falja janë dy gjëra që shkojnë krah për krahu dhe duhen bërë të balancuara e të jenë procese produktive. Duke u folur pjesëmarrësve e sidomos duke iu drejtuar në veçanti diplomatëve të ardhshëm të ambasadës amerikane në Tiranë në Uashington DC për vizitën e Papës në Shqipëri në pjesën: Martirizimi: kujtesë dhe falje, Dom Gjergj Meta tha se:
“E kaluara nuk mund dhe nuk duhet të harrohet. Ajo duhet t’u mësohet brezave të rinj, ashtu sikurse ka qenë, pa deformime apo zbutje. Për fat të keq, ka sot në Shqipëri edhe akademikë e njerëz të shkencave historike që duan të rivendosin në panteon apo të rivlerësojnë figura kriminale, që gjatë komunizmit kanë vrarë ata vetë e kanë dhënë urdhër të vriten njerëz të pafajshëm. Ky gjest rehabilitimi në vetvete është kriminal. I ngjan fort negacionizimit të shoahut të Luftës së Dytë Botërore. Një shoqëri e lirë dhe demokratike nuk mund t’ia lejojë vetes këtë gjë. Është e rëndësishme të kujtojmë për të mos harruar, se ndryshe mund të përsërisim.”
Dom Gjergji referoi në anglisht, ndërsa pyetjeve iu pergjigj në shqip. Shumë dilomatë amerikane bënë gjithashtu pyetje në shqip. Perkthimin e përgjigjeve nga shqipja në anglisht e bëri Nesti Gjeluci, Shqiptaro-Amerikan në Uashington DC.
Pas takimit mbresëlenës në Bibliotekën e Kongresit dhe drekës në ato ambjente, Dom Gjergji pati një tur privat të koleksioneve shqipe aty.
Darka e bollshme për të nderuar Dom Gjergjin si mysafir i veçantë ndër shqiptarët në Uashington u sponsorizua nga disa familje Shqiptaro-Amerikane vatrane, dhe u mbajt në shtëpinë e Eduard dhe Dana Buçajt. Aty merrni pjese klerikë, diplomatë e shkollarë, besimtarë e adhurues të Zotit.
Disa priftërinj nga Dioqeza e Arlingtonit ishin pjesëmarres dhe aty u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër, dëshmia e Dom Ernest Troshanit, dhënë më 21 Shtator 2014, para Papa Franceskos në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Kjo dëshmi ishte në gjuhën angleze dhe e lehtësoi komunikimin. Në atë mbrëmje iu bënë disa pyetje Dom Gjergjit sërish dhe ai iu përgjigj si zakonisht, duke folur të vërtetën dhe duke e përcjellë atë me bukurinë e fjalës shqipe. Enkelejda Shtjefni, një vajzë shqiptare e porsa mberritur ne Amerike, bëri një perkthim fantastik për atë mbrëmje.
E nesermja, e shtuna e datës 15 nëntor filloi herët. I shoqëruar nga çifti simpatik Aida dhe Gjergji Balaj, Dom Gjergji udhëtoi në Virxhinian e Veriut, ku bëri koncelebrim të Meshës së Shenjtë në Kishën e Shën Gjonit të Dashur në qytetin Meklejn , Virxhinia, afër Uashingtonit, famulli e Dioqezës së Arlingtonit dhe ku jetojnë edhe disa familje me origjinë shqiptare.
Pas Meshës aty, Dom Gjergji u takua me meshtarë e besimtarë dhe bëri nje prezantim verbal dhe me DVD lidhur me martirët shqiptarë, faljen, pajtimin dhe kërcënimin e lirive themelore te njeriut në ditët e sotme.
Ai bëri edhe një prezantim te shkurter viziv te kishës se Shën Luçisë ku ai është famulltar.
Meshtarët e kishës se Shën Gjonit dhe besimttarët e kësaj famullie e pritën shumë ngrohtë dhe e mbushën sallën e konferencave të kishës, aq sa disa pjesemarrës që nuk gjenin dot vend ku te uleshin, qëndruan më këmbë.
Besimtarët pjesemarrës në prezantim, të prekur nga historitë e treguara dhe duke parë në video gjendjen e ndërtesës së kishës së Shën Luçisë dhe ndërtesat rreth saj, bënë ngadonjë dhurim personal të hollash, sipas mundësive, për Dom Gjergjin, i cili i falenderoi ata nga zemra dhe ne emër të besimtarëve të famullisë së tij. Ndërsa prezantimi u bë në gjuhën angleze, pyetjeve të pjesëmarrësve Dom Gjergji iu përgjigj në shqip. Ato pergjigje i përktheu në Anglisht sërish Nesti Gjeluci.
Pas këtij aktiviteti në Meklejn, Dom Gjergji, me ftesë të “Zërit të Amerikës”, seksioni shqip, vizitoi studjot e ketij insititucioni amerikan shoqëruar nga çifti Balaj dhe Rudina Dervishi, gazetarja e njohur e Zerit. Në orën 12 të ditës sipas orës së Uashingtonit, Dom Gjergji u intervistua nga gazetarja tjetër e njohur e Zërit të Amerikës Keida Kostreci, në programin e lajmeve “Ditari”
***
Pas intervistës Dom Gjergji pati një takim me disa amerikanë të interesuar për Shqipërinë, lirinë e besimit dhe fenë katolike në përgjithësi, të cilët e shoqëruan Dom Gjergjin edhe në Basilikën Mariane Kombëtare “The National Shrine of the Immacualte Conception” në DC, ku Dom Gjergji pati edhe një takim të këndshëm të rastit edhe me Kardinalin Timothy Dolan të Nju Jorkut, që ndodhej aty për një pelegrinazh një ditor me besimtarë nga Nju Jorku. Kardinali Dolan e përgëzoi Dom Gjergjin për veprimtarinë e tij në DC. Dom Gjergji vizitoi Basilikën tej e mbanë dhe bëri një lutje speciale edhe në kapelën ku gjendet mozaiku replikues i ikonës legjendare “Zonja e Këshillit të Mirë” (Zoja e Shkodrës).
Darka atë mbrëmje u bë në një restorant në Uashington DC, ku të pranishmit falenderuan Dom Gjergjin për vizitën dhe i uruan atij suksese.
Të nesërmen , të Dielën më 16 Nëntor, Dom Gjergji, koncelebroi Meshën e Shenjtë të së Dielës dhe u takua me shumë meshtarë e besimtarë të tjerë në kishën e Shën Gjonit të Dashur, dhe kështu përfundoi këtë vizitë tre ditore në kryeqytetin amerikan. Besimtarë nga kjo famulli i dhuruan Dom Gjergjit për përdorim personal një replikë të krucikifsit të kishës së tyre si kujtim për të mbajtur mend dashurinë e madhe qe Zoti ka për njeriun, aq sa flijoi birin e tij per të na shpëtuar ne, krijesat e tij. Dom Gjergji u largua nga DC në mesditën e së dielës.