Profesor Arben Ivanaj, Shefi Shërbimit të Hematologjisë, QSUT “Nënë Tereza”, Tiranërrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Profesor Ivanaj analizon situatën në Shqipëri pas hapjes së shkollave, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave, dhe apelon për më shumë investime në shëndetësi dhe rritje të kapaciteteve në drejtim të trajtimit të sëmundjeve kronike, rritje të kapaciteteve diagnostike dhe të reanimacionit. Me Profesor Arben Ivanaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
SHQIPËRIA PËRBALLË COVID-19
Aktualisht në vendin tonë numri i të infektuarve ditorë është mesatarisht 150- 160 në ditë, Shqipëria nuk paraqitet keq për nga numri ditor i të infektuarve, por jo mirë me mundësitë që kemi, dhe paradoksalisht gati të gjitha vdekjet erdhen pas daljes nga karantina. Çfarë do të ndodhë me hapjen e shkollave? Personalisht kam kritikuar që në fillim strategjinë e propozuar nga OBSH, kam qenë më tepër për modelin Suedez, pra kundër mbylljes totale, aktualisht në Suedi ka afërsisht 22 raste për 100 000 banorë, ndërsa në shumë vende të tjera numri ditor i kalon 50- 60 raste në ditë, por ky model kërkon ndërgjegjësim të lartë të qytetarëve dhe ruajtjen e distancimit fizik sa më të mirë. Nga ana tjetër kërkon sistem shendetësorë të aftë t’i përgjigjet sfidave, fatkeqësisht kjo pandemi gjeti të gjitha vendet e papregatitura, këtu bën pjesë dhe Shqipëria. Ushtritë, në përgjithësi janë për një moment të dhënë të historisë, kur të n’a sulmojë armiku, për anologji dhe sistemi shëndetësorë është për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve, kur, në raste mergjence shëndetësore dhe jo vetëm, pra çdo ditë, në këtë kuptim, çdo shpenzim për shëndetësinë nuk shkon kurrë kot. Pa shëndet të mirë asgjë nuk mund të arrihet, këtë duhet të kuptojnë mirë politikëbërësit dhe për të ardhur në vendin tonë, që modeli Suedez të funksionojë duhet të kemi një sistem shëndetësorë të ngjashëm me Suedinë. Fatkeqëshisht për arsye të mos dashjes dhe të influencës politiko-mafioze, sistemi jonë shëndetësorë, në këto 30 vite, ka ngelë shumë i prapambetur dhe larg standartit më të mirë të rekomanduar. Hapja e shkollave është e domosdoshme dhe nuk besoj se do të kemi nje rifillim të pandemisë, ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin, infeksione ka pasur dhe në të kaluarën dhe do të ketë në të ardhmen, por ne duhet të punojmë fort t’i përgjigjemi sfidave të ditës dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë të ofrojmë më të mirën në drejtim të trajtimit të sëmundjeve kronike, «të zakonshme», kjo situatë duhet të bëhet një mësim i mirë për të gjithë. Duhet të rrisim kapacitetet tona diagnostike dhe të reanimacionit, duhet të rialokojmë fondet publike në drejtimin e duhur, në sistemin shëndetësor ka para, por përdorimi i tyre është shpesh jo në efiçencën dhe jo në drejtimin e duhur.
TRAJTIMI I PACIENTËVE ME PLAZËM HIPERIMMUNE
Fatkeqësisht nuk ka mjekim të mirëpërcaktuar për të sëmurët me Covid-19, janë disa medikamente të përshkruara si efikase në stade të ndryshme të sëmundjes, si Hydroclorokina, dexamethazoni, remdesivir etj, plazma hiperimmune dhe mbi të gjitha oksigjenoterapia. Plazma hiperimmune është përdorur prej dekadash në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme me rezultate mediokre, përherë të parë është përdorur në trajtimin e gripit spanioll. Përsa i përket plazmës hyperimmune në USA janë trajtuar afërsisht 25 000 të sëmurë. Studimet aktualisht flasin se përdorimi i convalescent plazma mund të jetë benefice. Më 24 mars 2020 u miratuan ga FDA si alternativë mjekimi në kushtet e urgjencës. Janë dy studime (kinez dhe hollandez) aktualisht të randominizuara, të cilat për herë të parë kanë vlerësuar efktin e plazmës hipperimmune në covid19. Parimi i veprimit lidhet me idenë se, të sëmurët të cilët janë të infektuar me covid-19 dhe shërohen, pas 21 ditesh ata kanë prodhuar antitrupa, IgG, të cilat janë efikas kundër virusit. Personat e shëruar, të cilët paraqesin një sasi të caktuar antitrupash kundër covid-19 në semurim e tyre (në gjak), ju kërkohet të dhurojnë plazmën e tyre, e cila është pasur me antitrupa, IgG, kjo plazëm do të përfuzohet te i sëmuri me covid-19, mendohet dhe është konstatuar në praktikë, se antitrupat lidhin virusin dhe e shkatërrojnë atë, duke përmirësuar shenjat klinike te të së murit. Aktualisht janë mbi 20 studime, në proces, të randominizuara të cilat priten të japin një tablo të plotë mbi rolin e plazmes hiperimmune në trajtimin e covid-19. Aktualisht FDA rekomandon përdorimin e convalescent plazma në tre situata, në stidimeklinike (clinical trial), përdorim i gjërë në qëndra të caktuara dhe trajtimin e pacientëve të veçantë si alternativë e vetme. Në Tiranë para disa javësh ka filluar prodhimi nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të plazmës hipperimmune dhe përdorimi i saj në praktikën klinike në shërbimet ku trajtohen të sëmurët me covid-19. Për momentin nuk kemi rezultate të mjekimit, është shpejt, por në të sëmurët e përdorur, toleranca e mjekimit ka qenë e mirë. Në përgjithësi dhurimi i gjakut në Shqipëri ka probleme në të kuptuarit e rëndësisë se dhurimit vullnetare të gjakut, akoma ne nuk jemi të vetmjaftueshëm në gjak dhe produktet e tij. Por ka pasur gadishmëri nga ish-të sëmurët me covid-19 të dhurojnë plazmën e tyre.
BETEJA NDAJ COVID-19, NJË PËRJETIM PERSONAL
Ka qenë ditë shumë e vështirë, dita diagnostikimit të sëmurit të parë të infektuar, dhe shtimi i të sëmurëve me cancer gjaku të infektuar me covid-19, kjo erdhi pas hapjes të përgjithshme në fillim të qershorit. Pastaj patëm një numër të lartë të personelit të infektuar, infermirë dhe mjek të pavionit, ditë të vështira, ruajtja dhe vazhdimësia e trajtimit të të sëmurëve dhe në të njëjtën kohë kujdesi për kolegët dhe infermierët e pavionit, ishte shumë e vështirë, humbja e betejës me covid-19 e njërit nga pedagogëve të hematologjisë, kolegut tonë, ishte një dramë me vete për të gjithë pedagogët e fakultetit të mjeksisë. Nderim të veçantë për të gjithë personelin mjeksorë të infektuar dhe veçanërisht për ata të cilët humbën jetën nga ky virus. Kjo pandemi tregoi domosdoshmërinë e investimeve inteligjente në shëndetësi për të qenë gati në shërbim të të sëmurëve dhe në të njëjtën kohë nxorri në pah dobësitë në përgjithësi të sistemit shëndetësorë, informimi, edukimi, epidemiologjia, diagnostikimi, trajtimi dhe marrja në ngarkim të të sëmurëve me sëmundje infektive në përgjithësi, por nga ana tjetër tregoi se, trajtimi i të sëmurëve me kancer, të sëmurëve me sëmundje kronike në përgjithësi nuk presin të kalojnë emergjencat shëndetësore, mendoj se duhet riparë nga e para strategjia shëndetësore në përgjithësi, kjo jo vetëm lokale por dhe më gjerë. Kjo pandemi tregojë se dhe OBSH, ka limitet e veta dhe nuk është e aftë të përgjigjet në kohë të gjitha sfidave të dhëna.
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA
Faleminderit për këtë mundësi. Shqipëria, vendi jonë ka nevojë për të gjithë bijtë e tij kudo ndodhen, Shqipëria nuk është në vendin që i takon, ka shumë probleme, shpesh ne në Shqipëri n’a duket se nuk ka dritë në fund të tunelit, por me dashuri për atdheun dhe me përkushtim për të ardhmen, me punë dhe vetëm me shumë punë, besoj se dhe vendi jonë shumë shpejt do të gjejë vendin e vet mes vendeve të zhvilluara. Shqiptarët kanë parë dhe shohin te shqiptarët e Amerikës, shembullin më të mirë, se me punë mund të arrihet gjithçka, dhe në përgjithësi shohim te USA mikun e mirë tek i cili mund të mbështetesh në të mirë dhe në të keq, i cili të gjindet gjithmonë pranë në të gjitha vështërsitë. Faleminderit për mundësinë për të folur me Ju.