Prof.As.Dr Berndard Zotaj “MJESHTËR I MADH” prezanton ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, botimin e librit “Epopeja e Fitimtarëve” mbi rëndësinë e jashtëzakonshme në historinë e Shqipërisë që ka lufta e Vlorës në 100 vjetorin e saj. Me Prof.As.Dr Berndard Zotaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
LUFTA E VLORËS, NJË LUFTË POLITIKO-USHTARAKE DHE ATDHETARE
Lufta e Vlorës pa dyshim ishte një sfidë e gjithanshme politiko-ushtarake dhe atdhetare. Parë në pamje të zhvillimit të veprimeve luftarake, ishte një epope e madhe, e hapur dhe e vërtetë, e natyrës ushtarake. Sfidë ndaj arrogancës, këmbënguljes dhe kokëfortësisë së pushtuesit, për ta mbajtur Vlorën me forcën ushtarake të ndarë padrejtësisht nga pjesa tjetër e Shqipërisë së pavarur të vitit 1912. Kjo luftë, e cila klasifikohet si një kryengritje popullore, në këndvështrim atdhetar, ndonëse u zhvillua në Vlorë dhe në zonat përreth, për nga ndjeshmëria dhe solidariteti atdhetar, u përhap shumë shpejt në të gjithë vendin. Çështja e Vlorës u shndërrua në një çështje kombëtare të të gjithë shqiptarëve, e materializuar edhe me vullnetarët që arritën nga të gjitha trevat e tjera të vendit. Kjo luftë dhe operacioni i saj luftarak, në thelb, ishin sfidë në përballje me tregues të luftimit tradicional shqiptar dhe me ata klasikë të operacioneve ushtarake. Kjo sfidë, gjendej pothuajse kudo, në përmasat e pjesëmarrjes, në kohëzgjatjen dhe shtrirjen e veprimeve luftarake, sikundër gjithashtu në natyrën dhe format e organizimit të kryengritjes, mobilizimit e përdorimit luftarak të forcave pjesëmarrëse në të, siç ishin të pranishëm dhe ndërtimi në funksionimin e drejtimit, nga fillimi deri në përmbylljen e objektivave të luftës. Zgjidhja u gjend dhe në çështje të tilla përcaktuese të një operacioni si, në ekuilibrimin e mirëmenduar të raporteve të forcave me armikun përherë superior, në përqëndrimin dhe shpërndarjen e forcave kryengritëse vullnetare, gjatë dhe sipas drejtimeve të veprimeve e etapave luftarake të tij, në zbatimin e taktikës tradicionale të gërshetuar suksesshëm me atë frontale bashkëkohore, përdorimin e formave taktike rezultative në shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve e të rajoneve të fortifikuar por të shkëputura të pushtuesve, si dhe në shumë aspekte të tjera të rëndësishme të kësaj lufte.
STRATEGJIA E LUFTËS
E parë në një vështrim që shkon përtej euforisë, frymës së miteve dhe legjendave, ajo luftë solli vërtet disa të veçanta në zbatimin e treguesve të artit ushtarak të kohës. Tërheqin vëmendjen sidomos taktikat e përdorura me sukses prej luftëtarëve vlonjatë për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve të fortifikuara, të ngritura prej armikut në vijat e mbrojtjes, si në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Matohasanaj, Llogora, Himarë, Tepelenë dhe në Qafën e Koçiut, Termopilen e Vlorës. E parë në një vështrim simbolik, por dhe duke e vlerësuar e nisur sidomos nga të dhënat që vinë nga ajo kohë, Lufta e Vlorës mund të quhet edhe një “Shkollë”, e cila në përfundim “diplomoi dhe gradoi” oficerët e parë të saj. Lufta e Vlorës përbën një simbolikë, një shembull të qartë të luftës që mund të bëjë dhe të fitojë një populll, sado i vogël, për të rifituar lirinë, idenditetin dhe integritetin e vendit të tij. Në emër të tyre ai mund të japë pa hezitim si çmim edhe jetën e bijve të vet!
DREJTUESIT KRYESORË TË LUFTËS
Kështu që në kuadrin e 100 vjetorit të kësaj lufte, bëra të mundur të përshkruaj zhvillimin e veprimeve me përmasa më të mëdha dhe me rëndësi vendimtare të Forcave të Shullërit për tërë operacionin e Luftës së Vlorës; paraqitjen e të gjithë drejtuesëve kryesorë që drejtuan dhe udhëhoqën kryengritësit “rrebelë” të çetave të Shullërit, të figurave patriote dhe atdhetare të fshatrave që përbëjnë Shullërin; të akteve heroike të atyre luftëtarëve që dëshmuan në këtë luftë; të luftëtarëve të plagosurve, e që luftonin në pozicione; të pasqyrimit të këngëve si pjesë e folklorit të Shullërit të ngritura në beteja dhe në veprimtarinë luftarake të kësaj lufte. Pavarësisht mjaft botimeve nga autorë shqiptar dhe të huaj, në këtë studim të mirëfilltë të karakterit monografik veçanërisht në fushën e artit ushtarak, kam paraqitur betejat dhe veprimtarinë luftarake të Forcave të Shullërit, si një ndër forcat e kësaj lufte të vendosur në drejtimet kryesore të luftimeve si në Kotë, majë Vreshtave të Mëdha dhe në Qafën e Koçiut.
Vërtetë Lufta e Vlorës është e njohur në përgjithësi dhe në detaje të shkëputura, por fillimisht do të bëj një trajtesë të thjeshtë për lexuesin për kujtesë të të gjithë Luftës së Vlorës, që nisën me përgatitjet, organizimin, planin e luftës si dhe fazat në të cilat kaloi kjo luftë deri në çlirimin e Vlorës.
FSHATRAT E LABËRISË NË LUFTË
Këtë trajtesë të përgjithshme të Luftës së Vlorës e bëj me qëllim që në shtjellimin e ngjarjeve të luftës, lexuesi të përqëndrohet në vendin dhe rolin e çdo ngjarje të asaj lufte a veprimi luftarak, ku propogandistë janë luftëtarët, komandantët drejtues, figura të njohura të krahinës, si dhe formacionet e Shullërit. Po bëj dhe një sqarim që mund të duket i tepërt, por në realitet, mendoj se është i nevojshëm për t’u sqaruar, përse këto çeta të fshatrave u bashkuan dhe formuan Forcat e Shullërit. Kuptimi i fjalës “shullër” është i thjeshtë, sipas shkrimtarit Eqerem Canaj, është vend që rrihet nga dielli në shumë orë të ditës. Kjo edhe në krahasim me Kurveleshin e Poshtëm dhe fshtrat që shtrihen rrëzë malit të Tartar, që dielli pengohet nga malet, si: Bolena, Kuçi, Vërmiku, Vajza, Ploça, Sevasteri. Smokthinën, perëndia e ka parë me të dy sytë, ndaj, së bashku me diellin, i ka falur dhe begatinë. Ndërsa për atë që kur është thirrur “Shullër” nuk ka ndonjë të dhënë, ndoshta, që kur ka filluar të flasë njerëzimi, kryesisht në periudhën e formimit të fshatrave. Ndasitë midis tyre, kufizimet e pronave, mandej luftërat etj., është cilësuar vetvetiu me emërtimin “shullër”, kuptohet emërtim popullor mbi konceptin e veprimit diell-tokë. Fshatrat e Shullërit, (Vajzë, Velçë, Ramicë, Matogjin e Bashaj), me këtë emër quhen dhe këto tri të fundit, që në origjinë realisht quheshin Hasko-Gjin, Mato-Gjin e Memo-Gjin e sot thirren me emrin “Smokthinë” që domethënien e ka vend fiqsh ose fiqishte, të cilat i rreh dielli më shumë. Mesapliku është një krahinë në rrethin e Vlorës në rrjedhjen e mesme të Lumit të Shushicës. Kjo krahinë nga Lindja dhe Perëndimi rrethohet me male deri në 2000 m lartësi (Griba, Çipini i Bolenës, Çipini i Smokthinës, Çika, Lungara). Krahina ndahet në dy pjesë: Rrëza (në anën e majtë të luginës, rrëzë vargut Çikë-Lungarë), ku hyjnë fshatrat Vranisht, Tërbaç, Brataj, Lepenicë, Gjorm, dhe (në anën e djathtë të luginës, rrëzë Gribës dhe Çipinit), Shullëri ku hyjnë fshatrat Velçë, Ramicë, Bashaj, Matogjin, Shalës-Mesaplik.
FALËNDERIM
Falënderoj për ndihmesën e dhënë në përfundimin e librit RECENSENTË: Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, REDAKTOR: Dr. Asllan Zemani dhe KONSULENT: Xhemil Çela, si dhe të gjithë dashamirësit që kur i kam pyetur për probleme të veçanta më kanë dhënë mendime të vlersimet. Falenderoj dhe M&B per punen e kujdesshem dhe shembullore ne paraqitjen e librit.