Shkruan:Prof Dr Hakif Bajrami/
Letër publike Samuel Zhbogarit, përfaqësues i BE-së në Kosovë, me rastin e ndalimit të rivarrosjes së eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje
Zotëri Guvernator Samuel Zhbogar, kombet e robëruar gjithmonë kanë dëshmuar prova se diçka u vlon në zemër si e posaçme nga perceptimi i historisë përballë kombeve që e gëzojnë lirinë, por që në shumë raste të robëruarin nuk e kuptojnë. Ezopi i famshëm e përshkruan një skenë bisede në mes të nënës dhe të birit të saj të verbër. Me një rast nëna i drejtohet birit: “Nuk është tragjedi që të kam lindur të verbër, por është tragjedi që po rren”. E ju mos na shitni demokraci se për rivarrimin e Isa Boletinit në Vlorë paskan vendosur dy qeveritë. Jo, ky popull e kupton shumë hollë politikën “demokratike”. Gaboheni nëse e vlerësoni vetëm në bazë të varfërisë së egër që është mbjellë këtu nga kolonizatorët klasikë dhe neoliberalë.
Serbia postfashiste e ka sjellë Ballkanin në kohën e Luftës së Ftoftë, duke punuar me leje të Moskës. Zotëri i nderuar Zhbogar, tash doni të tregoni se nuk kemi pasur prokurorë dhe gjykatës të guximshëm. Jo, ata ishin këtu dhe janë po nuk kanë kompetenca. Bile jo të gjykojnë vendorët, por as të shkruajnë për krimet, ishte e “ndaluar në heshtje”. Po ne kemi duruar falë besimit në SHBA. Dhe këtë realitet besoj se do ta mbajmë me Besë të pathyer. Njëherësh si historian, Ju garantoj se më 1992 -1999 nga Ushtria jonë Çlirimtare nuk është vrarë ndonjë serb: fëmijë, plak, plakë, asnjë femër, asnjë civil pa armë. E kundërta ka ngjarë nga pushteti i Beogradit, i cili kishte këtu 60000 ushtarë, 12000 paramilitarë, 63 civilë mercenarë dhe vendas të armatosur, që kanë bërë mizori të papara. Mbeturinat e tyre neofashiste kanë mbetur të veprojnë në Kosovë. Ato mbeturina janë aktive edhe sot. Por krimet duhet të hulumtohen dhe të gjykohen. Krime si historian e di që nuk vjetrohen. E njoh shumë mirë punën e Vizentalit në hulumtimin e kriminelëve.
Zotëri i nderuar Zhbogar, në Kosovë për fat është instaluar më 1999 pushteti i kombinuar nga politika euroatlantike. Sa herë që drejtësia është vënë këtu në pikëpyetje, në shesh kanë dalë politikanët me kredibilitet dhe çështja ka dalë nga kolapsi, për të cilin punojnë ditë e natë qeveritë e Beogradit dhe të Moskës. Shqiptarët, zotëri i nderuar, e njohin pasojën e robërisë më shumë se kushdo tjetër në Evropë. Ky pohim dëshmohet në shembullin më eklatant të ndjekjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ne shqiptarët si popull, duke mos llogaritur në pasoja, i strehuam dhe i shpëtuam si askush më mirë. E bëmë atë gjest civilizues sepse ne kultivojmë Besën dhe respektin për varret e të parëve. Prandaj, ne kemi shumë arsye popullore të kemi shpresë edhe në varrin e Isa Boletinit, sepse si njeri që nuk urrente asnjë popull dëshmoi para Evropës se ne e meritojmë pavarësinë. Çka ngjau me fatin tonë dihet.
Zotëri Guvernator Samuel Zhbogar, jam i detyruar të drejtoj pak në histori. Isa Boletini para Emil Zollës së famshëm që me verën “akuzoi” e shpëtoi një oficer hebre (Drajfusin). Ndërsa, vigani i Boletinit më 1881-1908 u doli në ndihmë afro 250 000 refugjatëve shqiptarë që i kishte dëbuar Serbia parafashiste nga vatrat e veta stërgjyshore nga Shqipëria Veriore (Sanxhaku i Nishit, Pirotit e deri në afërsi të Prishtinës dhe të Shkupit). Isa Boletini tërë pasurinë e vet e shkriu për t’i ndihmuar të pastrehët që i kishte përzënë Serbia. Kështu ky njeri i rëndomtë do të shndërrohet në lider të pakontestuar. Isa Boletini i ka mbrojtur edhe serbët vendas të Vilajetit të Kosovës. Valiu i Kosovës më 1889 në Mitrovicë iu ka drejtuar atyre 12 shtëpive serbe vendase që: “ Jeni në besë të Isa Boletinit”. Pra mos u frikësoni.
Zotëri Guvernator Samuel Zhbogar, po ta përkujtoj aktin e Avni Rrustemit në Paris më 1920. Ai e vrau një tradhtar shqiptar që quhej Esat Pasha. Por gjykata e nderuar franceze e liroi Avni Rrustemin se vrasjen nuk e ka bërë me paramendim, por ka qenë i detyruar nga disponimi i popullit. Ku mundet më mirë drejtësia ta japë provimin se në këtë rast. Pse pra i bëni atentat të dytë liderit tonë popullor Isa Boletinit që u vra në pabesi në Podgoricë, jo me dëshirë të popullit të nderuar malazez, por me urdhër të Petrogradit, Beogradit dhe Vaselenës të Stambollit, besa edhe të oborrit të Sulltanit. Ja pra pse shqiptarët e duan Isa Boletinin në oborrin e shtëpisë së tij stërgjyshore. Mjaft me plagë të vjetra mbi këtë popull sepse nuk e meriton.
Zotëri Samuel Zhbogar, të lutem mos i detyroni të bëjnë atentatin e dytë mbi Isa Boletinin këta pushtetarët tanë, sepse për karrige ta dini janë në gjendje të bëjnë çdo gjë. Por të mos habiten se ka Emil Zolla, Avni Rrustema, Isa Boletina edhe sot në Evropë, të paktën. Për të mos urryer asnjë, populli më ka mësuar: Hasan Prishtina, Isa Buletini, Adem Demaçi. Unë nuk merrem me politikë, por kam doktoruar në politikë. Si historian të lutem mos puno që të gjykojë gjyqi i historisë, se ai është më i rëndë se ai i Emil Zolës!
Si historian kam përshtypjen se ndaj historisë së kombit tim jeni duke u sjellë me një nënçmim të çuditshëm, madje pak më të ngurtë dhe të moderuar sesa që kishin këtu si robërues despotët e Beogradit. Populli shqiptar duhet ta dini se në esencë nuk e urren asnjë komb tjetër. Mu për këtë ka mbijetuar në këtë nyje strategjike jo vetëm për Ballkanin. Në shumë raste me sjelljet e juaja të sajuara tani prej kabineteve, pa dalë kurrë për të mësuar diçka në popull, jeni duke u përpjekur të na lustroni historikisht, politikisht, ekonomikisht dhe “shkencërisht” duke u dukur sikur jeni dofarë valinjsh mesjetarë. Po duhet ta dini se edhe valinjtë, edhe gospodarët, po edhe seniorët dhe zotërinjtë, kombi shqiptar nuk i duron edhe pse është në udhëkryq dhe nëpër të provojnë të kalërojnë të gjithë, ama të gjithë. Kështu është dhe kështu na duket se jeni kah veproni. Sot ç’është e vërteta, është duke u zhvilluar luftë shumë e egër nëpër Evropë që shqiptarët të paraqiten sa më tepër të paditur dhe si të “tillë” jo të aftë që të qeverisin vetveten. Kjo sëmundje evropiane, neve shqiptarëve na është e njohur qe dyqind vjet.
Zotëri Guvernator i nderuar Samuel Zhbogar, në Kosovë është kah eksperimentohet sikurse të ishte ndonjë koloni klasike. Po e them publikisht. Më 2001 i kemi njoftuar guvernatorët e UNMIK-ut se në Kosovë duhet të themelohet një Gjykatë, e cila do t’i hetonte dhe gjykonte padrejtësitë e bëra. Nuk e kemi quajtur as “speciale, as e posaçme”, por gjykatë në të cilën Kosova dhe shqiptarët do të dilnin faqebardhë para botës. Paraardhësit e juaj, Zotëri e kanë luftuar këtë ide publike dhe legale me kërcënim. Madje, na e kanë ndaluar ekspozitën mbi krimet e bëra në Kosovë 1989-1999. Këtë e ka bërë me urdhër Hans Hakerup. Tani në rastin që po ju drejtohem Juve me urdhër të Beogradit na e ndaloni varrosjen e kolosit të Luftës Çlirimtare jo vetëm për shqiptarët, Isa Boletinit në vendlindje. E di se ju është urdhëruar që FSK-ja nuk guxon të dalë në veri të lumit Ibër. Ani mirë. Këtë “gjellë” evropiane ju na e keni kurdisur, UNMIK-u ia ka qitur vajin, ndërsa Ju po e biberosni me këto ndalesa. Po mbushen katër muaj që shqiptarët për çdo ditë po i përkujtojnë varret masive nëpër Kosovë. Kështu ngjan qe 16 vjet. A keni ngritur ndonjë akuzë se kush i bëri ato krime mbi civilët duarthatë nëpër Kosovë, kushdo qofshin ata, kush ju ka penguar. Çfarë çmimi doni të na e varni në qafë tani si popull i persekutuar. Pse mbani murin e ri të “Berlinit” në Mitrovicë, kur ai fare nuk është i nevojshëm. A e dini sa kriminelë strehohen në atë pjesë veriore të Kosovës. Po, e dini fare mirë. E po ju them se letrën po e shkruaj më 14 maj 2015 , në përvjetorin kur në Qyshk të Pejës 26 kriminelë serbë iu drejtuan të lidhurve në pranga: “Tash do t’ua presim kokat, fare nuk do të ndjeni dhimbje”.
Aty ishin dy priftërinj zotëri, evropianë me pedigre prej demokratësh. Po, po, nga Zyra e Juaj, lokaliteti Makofc, nuk është as tri (3) kilometra. Keni dalë Ju për t’i parë varret aty. Aty, njerëzit janë prerë me sharrë publikisht nga kriminelët e Arkanit dhe të Millosheviqit, që njihen dhe asgjë nuk u ka ndodhur deri më sot. Po, kur më 2001 e refuzuat kërkesën tonë gojore ta formojmë një Gjykatë që do t’i gjykonte krimet, ju e refuzuat me kërcënim. Tani kërkoni Gjykatë Speciale vetëm për Kosovë, madje në mënyrë hipokrite duke akuzuar se “nuk keni qenë të zotët ta themeloni vetë Gjykatën. Tash do t’ju tregojmë ne si bëhet drejtësia”. Po ta them edhe këtë, se jam ai që konventat e Gjenevës i kam përhapur në të gjitha zonat operative përmes Zyrës së Adem Demaçit, ku isha në rolin e këshilltarit të UÇK-së. Dje (më 2001) nuk bënte të themelohet Gjykata, tash duhet ta themelojmë, madje kërcënoheni se do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Punë e madhe shumë nëse e formon. Ne jemi i vetmi popull në Evropë që jetojmë në geto, ndërsa standardet e ligjet e Evropës i kemi si zakone shumë më të rrepta e ai është Kanuni. Me këtë ligj nuk ka askush të drejtë ta torturojë palën që ndiqet. Bile nëse është në besë, i dëmtuari e ka për detyrë ta ushqejë dëmtuesin nëse i rrezikohet familja. Të nesërmen del dhe e vret dhe nuk e torturon fare. Por torturat e kazamateve “civilizuese” evropiane dhe aziatike, ne shqiptarët i njohim ma mirë sesa hebrenjtë kampet e përqendrimit, sepse kemi vuajtur nëpër kampe përpara hebrenjve të nderuar. Mu për këtë arsye kur u hap Muzeu i Holokaustit në Çikago iu kam drejtuar atij auditoriumi me kërkesë të tyre me këtë titull: “Besa shqiptare dhe dituria hebreje janë virtytet më të larta të civilizimit”. E pra Samule Zhbogar, ma jep besën se do të ma lejosh ta rivarrosim në vendlindje Isa Boletinin se aty të parët e tij kanë jetuar denbabaden. Mos krijoni skena që njerëzit ta marrin vetë drejtësinë në dorë, kur krijohen vakuume të padrejtësisë. Pikërisht mbi këtë filozofi makabër të robëruesve ka lindur kanuni si “prodhim vendor”, sepse nuk i ka besuar drejtësisë së kolonizatorit.
Po e përfundoj. Deri dje na keni copëtuar copa-copa trojet tona në pesë shtete. Tani keni filluar të na i ndaloni edhe rivarrimet. Më thuaj a duhet të ndryshojmë ne apo duhet të ndryshoni Ju. Ne, t’ju them të drejtën për fajde dhe korrupsion kemi dënime të pafalshme kombëtare dhe fetare. Ne për hafije dhe kriminelë kemi norma shumë të ashpra. Na lejoni ta ndërtojmë edhe ne demokracinë, jo të vetmuar, por në kolektivitet evropian. Por, mos na i ndaloni varrimet aty ku njerëzit lindën, punuan dhe bënë histori, siç është Isa Boletini. Ne e dimë se me çfarë presioni qeveritë kukull të Prishtinës dhe Tiranës e kanë propozuar rivarrimin e kolosit të lirisë në Vlorë. Ne nuk duam që rivarrimi të politizohet, dronët dhe spektaklet na duhen për dëshmi, por jo për mbulesë të mjegullave politike. Varri i Isa Boletinit e ka vendin aty ku ka lindur, në Buletin.
Me nderime,
Prof Dr Hakif Bajrami
Prishtinë, 14 maj 2015.
Për gazetën Dielli e zgjodhi Neki Lulaj