• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në 613-vjetorin e Lindjes

May 11, 2018 by dgreca

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj/*

Arbëria, ishte e ndarë midis shumë familjeve fisnike apo principatave të pavarura, të cilat ndodheshin vazhdimisht në gjendje lufte mes tyre, me qëllim për të mbizotëruar Arbërinë.

Gjatë kohës që u shfaq familja e Kastriotëve nga krahina e Matit në Shqipërinë e Mesme, bëri që të ndryshojnë ngjarjet dhe situatat historike të kohës si në Arbëri dhe Europë, gjatë gjysmës së dytë të shek. XV.

 Ai është i vetmi në të gjithë historinë e popullit tonë, që mban titullin Hero Kombëtar, që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar për vlerat e larta të figurës së tij.Kryetrimi Gjergj, konsiderohet nga historianët dhe ekspertët ushtarakë si një udhëheqës i përsosur betejash ushtarake, mjeshtër taktikash dhe ushtarak i lartë i shquar në beteja të vogla në terren të thyer malorë, sikurse është Shqipëria, në një pjesë të mirë të saj.Në këtë mënyrë Gjergji shfrytëzoi natyrën malore të vendit dhe njohu me hollësi terrenin fushor të betejës. Ai diti gjithnjë t’i impononte armikut planet e tij luftarake, të cilat i kryente me shpejtësi ose i ndryshonte sipas rrethanave që i krijoheshin, duke pasur kështu gjithnjë sukses në çdo betejë.

Gjergj Kastrioti i përkiste fesë së krishterë.U konvertua nga osmanët në mysliman, pasi e morën peng në ushtrinë turke dhe më pas u rikthye përsëri në fenë e të parëve të tij të krishterë.  

Gjergji lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogël, dhe fëmia i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familja e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën).

Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Osmanët barbarë morën Krujën (1414-1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (Stanishin), u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

Për një periudhë rreth 10-vjeçare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të porsa të nënshtruar e vasalë (të cilët vareshin direkt nga Perandoria Osmane), për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane dhe islame, si komandantë të zotë, islamik të përkushtuar dhe pushtetarë apo feudalë të bindur.

 Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem, mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij iu vu emri mysliman Skënder dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël.

Burimi kryesor dhe më i rëndësishëm, për Gjergj Kastriotin, është vepra e Marin Barletit, ku të dhënat kanë ardhur duke u vërtetuar, plotësuar dhe korigjuar në një varg rastesh edhe nga shumë burime të tjera osmane.

Më 1430, pas një deshtimi shkatërrimtar në luftë me otomanët pushtues, Kastriotët humbën thuajse gjithë zotërimet, dhe iu nënshtruan tani regjimit të timarëve, kurse edhe Gjoni vetë u detyrua me dhunë të konvertohej në islam.

Situata në ish zotërimet e tyre mbeti e turbullt.  Perandoria Osmane menjëherë ia hoqi të drejtën e trashëgimisë së të atit dhe si masë ndeshkuese osmanët e larguan më 1438 nga posti i qeveritarit të vilajetit të Krujës, të cilën e gëzonte më parë.  Kësaj situate jo të mirë Kastriotët u përpoqën t’i përgjigjen me revolt, duke kërkuar mbështetje tek Venediku e Raguza dhe menjëherë fillojnë kontaktet e para të lidhjes me mbretërinë e Napolit.  

Në tetor të vitit 1443 trupat e bashkuara polake e hungareze, të komanduara nga kryetrimi hungarez Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin iu drejtuan viseve verilindore shqiptare, dhe, siç shkruante ai, ushtria e tij “…rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.” Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443, në afërsi të Nishit, ku ishte i pranishëm edhe heroi kombëtar shqiptar Gjergj Gjon Kastrioti.  

Shpartallimin e forcave osmane në këtë betejë, Gjergj Kastrioti e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkëluftëtarë, pjesmarrës në betejën e Nishit dhe i shoqëruar nga i nipi, Hamza Kastrioti, Gjergji u nis në drejtim të Principatës së Kastrioteve.  Aksioni i tij për tu rikthyer në vendlindje ishte paramenduar shumë mirë, qysh herët.

Në Dibër filloi grumbullimi i forcave antiosmane shqiptare e cila erdhi duke u zgjeruar dora dorës në gjithë vendin. Kjo ishte prova se shqiptarët ishin gati për një kryengritje të përgjithshme.  

Në kështjellën e Krujës së çliruar, më 28 nëntor 1443, u ngrit krenar përsëri flamuri i Kastriotëve me shqiponjën e zezë dykrenore me fushë të kuqe, që u bë tani e tutje flamuri historik i luftëtarëve për liri të popullit shqipëtar.  Pas fitoreve të para të viteve 1443-1444, filluan gjithnjë e më të forta kundërgoditjet e ushtrive osmane, në të cilat niseshin nga bazat e tyre të mëdha në portat e trojeve shqiptare, në Ohër, Manastir, Kostur e Shkup me forca gjithnjë e më të mëdha, me ekspedita të organizuara vit për vit me një rregullsi të paramenduar.  

Vetëm në Shqipëri dështoi politika osmane islame e frikësimit, e mbështetur në epërsinë numerike dhe armatimit. Duke shfrytëzuar veçoritë e terrenit shqiptar, luftën tradicionale popullore dhe duke e kombinuar si mjeshtër i artit luftarak me operacione të mëdha strategjike-taktike dhe ndeshje frontale, Gjergj Kastrioti kundërshtarin otoman të lodhur me pusi e kurthe, alarme e shqetësime të vazhdueshme, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe e shkatërronte përfundimisht.

Gjergji e kuptoi se për zhvillimin e luftës antiosmane në Shqipëri ishte i shumë nevojshëm edhe bashkëpunimi me forcat e jashtme europiane, të interesuara për t’iu kundërvënë vërshimit barbar islam osman.

Që më 1443-1444 e më tej 1448-1456 Gjergj Kastrioti krijoi lidhje me udhëheqësin hungarez Janosh Huniadin, për të arritur një front të përbashkët në Kosovë, dhe për t’i ndihmuar forcat hungareze që luftonin në Belgrad.  

Ai e zgjeroi bashkëpunimin me sundimtarët e fundit ballkanas, mbretin e Bosnjës, despotët e Sërbisë dhe të Artës, me kryepeshkopin e Ohrit, të cilët qenë në fakt më të interesuar të përfitonin nga lufta që zhvillohej në Shqipëri.  

E rëndësishme gjatë kësaj kohe ishte edhe zgjerimi i bashkëpunimit me shtetet perëndimore më të afërta Republikën e Venedikut, Mbretërinë e Napolit, papatin e Romës, duke llogaritur se ishte vetë interesi i këtyre shteteve që të ndihmonin aktivisht, materialisht e ushtarakisht luftën në Shqipëri për të siguruar krahët nga sulmet osmane prej Ballkanit.  

Titulli Atleti i Krishtërimit, që iu dha udhëheqësit shqiptar prej papa Nikollës V, u konfirmua më vonë nga pasardhësit e tij Kalisti III, Pius II dhe Pali II.   Kështu papa Kalisti III, e vlerëson shumë figurën e heroit tonë, kur shkruan: “Gjergj Kastrioti ishte si një digë e patundur. Ai ndaloi vërshimet e furishme të baticës islame otomane dhe i vuri fre shpërthimit të saj mbi Europën kristiane.”  Sot, në botë emrin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar në Tiranë, Shkodër, Prishtinë, Zyrihu, Paris, Romë, Chicago, Shkup, etj. Buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Detroit, New York, Milano, Kalabri, Kanada, Kosovë, Tiranë.  

Varri i tij, që ndodhej në kishën e shën Nikollës në Lezhë, u dhunua nga pushtuesit dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq.  Dy herë, papa Piu II, kërkoi të vinte në Shqipëri, me qëllim kurorëzimin si mbret të Gjergj Kastriotit.

Figura e Skënderbeut bëhet një nga temat qendrore të arteve figurative shqiptare, qysh nga epoka e Rilindjes Kombëtare. Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazë modelesh, më tej shkoi Spiro Xega, autor i një cikli romantik-heroik prej më se tetë veprash. Edhe ikonografi V. Zengo e ka pikturuar Skënderbeun në një kompozim (1937) sipas një gravure evropiane.

Për figurën e Gjergj Kastriotit në Letërsinë botërore

Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha latinisht prej autorësh italianë, miq të M. Barletit, i cili i vuri në krye të botimit të parë të veprës së tij për heroin.

Këto u pasuan në shek. XVI nga një radhë krijimesh poetike, ndër të cilat më të njohura janë sonetat e poetëve të Rilindjes, si francezi P. Ronsar (1576), që ngre lart bëmat e Skënderbeut dhe anglezi E. Spenser (1596), i cili e krahason Skënderbeun me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Në prozën artistike të kësaj kohe Skënderbeu u shfaq në romanin -Tmerri i turqve – (1548) i italianit Antonio Posenti.

Kujtimi i luftërave heroike të Skënderbeut vijoi të gjente jehonë në veprat letrare edhe të shek. XVII. E kësaj kohe është poema – Skënderbeida (botuar në Romë më 1623) e poeteshës së njohur ilaliane Margerita Sarroki, që e vizatoi Skënderbeun si hero të vërtetë dhe kalorës fisnik.

Cilësitë morale të Skënderbeut si luftëtar i pamposhtur i lartësuan në veprat e tyre edhe: gjermani Jakob Kokert (Kengë mburrëse, 1643) dhe francezi Zhan Bysier (poema – Skënderbeu – 1658).   Autori i njohur anglez K. Marlou shkroi veprën – Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit. Rrugën e tij e ndoqën edhe dramaturgë të shumtë nga disa vende të Evropës, si Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj.

U hartuan një varg dramash, tragjedish dhe librete për opera dhe balete. Shkrimtari i madh spanjoll Lopes de Vega shkroi veprën Princi Skënderbeg, që i takon llojit të komedive të famshme. Për personazhin e tij janë shkruar në të gjithë botën mbi 600 libra, mes tyre romane, libra historikë dhe tregime, madje edhe legjenda, duke e ngritur në piedestal figurën e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit. 

Të huajt për Gjergj Kastriotin

Shumë autorë e kanë parë figurën e Gjergj Kastriotit si një hero, strateg dhe vizionar të madh dhe të papërsëritshëm.

“Heroi ma i madh i të gjitha kohërave, për veprat faktike që ka bërë.” – Julius Pisko, 1894.

Napoleoni I, në kujtimet e tij të treguara në Sh. Helenë, heroin tonë e vë në radhën e katër gjeneralëve më të mëdhenj të botës (Memoiren Napoleons, herausgegeben von F.M. Kircheisen).

“Gjergj Kastrioti… ua kalon të gjithë strategëve të vjetër e modernë, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse.“ – J. Wolfe.

“Gjergj Kastrioti ishte një ndër gjeneralët më të mëdhenj, që kishte jetuar ndonjëherë.“ – Ludwig Holberg, 1739.  

“Gjergj Kastrioti kishte aftësi të rralla, i shpejtë dhe i qartë me intelekt të rrallë, i fuqishëm dhe me një guxim të pathyeshëm, prandaj ai me forcat e tij prej trimi ndali furinë e Perandorisë Osmane.” – Alberto Guglielmotti, 1871.

James Wolfe, heroi i Quebekut, në një letër të tij thotë midis tjerash se “Ai (Skënderbeu) ua kalon gjithë oficerëve, të vjetër dhe modernë, në prija ushtrishtë të vogla.

Ndërsa filosofi i madh freng, Voltaire, shpreh mendimin se sikur Perandorët bizantinë të kishin qenë si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes mund të kishte shpëtuar.

*Mbajte me 6 Maj 2018 ne Akademine Perkujtimore organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodres dhe Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.

Filed Under: Opinion Tagged With: 613 vjetori i Lindjes, Gjergj Kastrioti, Prof. Gjon Frani Ivezaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT