• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prometeu – heroi mitologjik dhe kulturor i njerëzimit modern

June 26, 2018 by dgreca

Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus/

Në këtë epokë dixhitale, ku frymojmë nën trysninë e sprovave të pambarimta, njerëzit shpeshherë nuk po gjejnë më kohë të shohin thellë brenda vetes. Po jetojmë në një botë që “lëviz shpejt”, ndërsa informacioni brenda saj, lëviz akoma më shpejt. Kujtesa jonë ka rënë pre e një imuniteti të brishtë, sepse ne marrim aq shumë informacione, saqë harrojmë lehtësisht ngjarjet dhe risitë e djeshme, duke i zëvendësuar me të sotmet që pretendojnë të rrëmbejnë vëmendjen tonë. Kështu, shpejtësia e informacionit bën që lajmi i mëngjesit të shndërrohet në histori, para se të zbresë mbrëmja.

Shoqëria bashkëkohore synon të harrojë kuptimin autentik të fjalës mit, në kundërshtim total me tezën se mitet përforcojnë vlerat tona morale dhe kanë rëndësi vendimtare në formimin qytetar. Miti është një produkt shoqëror i cili pasurohet në kohë dhe ripërmasohet, pa e humbur strukturën origjinale.

Në shoqërinë e sotme, miti shërben si një model për të justifikuar sjelljen njerëzore, prandaj ne mund t’i konsiderojmë mitet, si ide që orientojnë mendimin dhe sjelljen sociale, drejt shpjegimit të qartë të realitetit.

Mitologjia greke rrëfen, se në një kohë të largët sa nuk mbahet mend, perënditë e pavdekshme jetonin në malin Olimp; teksa në tokë qëndronin qeniet mjerane e të vdekshme: bimët, kafshët dhe njerëzit. Perënditë ishin të kënaqur me jetën e tyre atje lart, kurse njerëzit mbijetonin këtu poshtë.

Një ditë, Zeusi vendosi të shpërndajë disa dhurata apo virtyte për speciet e ndryshme të tokës dhe këtë detyrë, ua ngarkoi dy vëllezërve të oborrit të tij: Prometeut dhe Epimeteut. Ky i fundit pa marrë në shqyrtim mendimin e vëllait të vet, nisi nga zbatimi i detyrës. Luanit i dha guximin, kalit shpejtësinë, dhelprës zgjuarsinë, etj. Kur mbaroi me të gjitha dhuratat që Zeusi i kishte dhënë për qeniet e tokës, u kthye i lumtur në shtëpi dhe i tregoi Prometeut se sa mirë e kishte kryer punën. Ndërkohë që po bisedonin, vëllezërit u ndërgjegjësuan për një fakt të rëndësishëm: Epimeteu nuk i kishte dhënë asgjë njeriut. Për më tepër, ata nuk kishin më asnjë dhuratë për të shpërndarë …

Lindi pyetja: ç’ mund të bënin ata të dy? Regjimi despotik i Zeusit ishte i pajustifikueshëm për Prometeun, i cili ndjente dhembshuri të madhe për njerëzit, ndaj vodhi një shkëndijë zjarri nga karroca e artë e Heliosit (Diellit), ndezi me të një pishtar dhe ua dorëzoi atyre. Për këtë arsye, këta të fundit, pa qenë nevoja të jenë të shpejtë apo të fortë si kafshët e tjera, mundën të “dominonin” natyrën, pasi njohën shkencën dhe teknologjinë.

Zeusi i zemëruar, për t’u hakmarrë ndaj Prometeut e dënoi këtë të fundit, duke e lidhur pas një shkëmbi në Kaukaz dhe dërgoi një shqiponjë t’i hante mëlçinë. Tragjedia më e madhe ishte fakti se Prometeu duke qenë gjysmëtitan e gjysmëperëndi, vetvetiu ishte i pavdekshëm, dhe mëlçia e tij ripërtërihej çdo ditë, ndaj shqiponja rikthehej që të ushqehej, sërish me të. (Nga pikëpamja anatomike, mëlçia është organ i brendshëm i njeriut, me ngjyrë të kuqe të mbyllët, që gjendet në anën e djathtë të pjesës së sipërme të hapësirës së barkut, nën diafragmë dhe që kryen funksione të rëndësishme për formimin e gjakut, për prodhimin e lëngut të tëmblit etj. Ndërkohë në Greqinë e Lashtë, mëlçia mendohej se ishte vendi ku pulsonin emocionet njerëzore ).

Në këtë mënyrë, Prometeu me sakrificën e tij sublime, u bë mbrojtësi i madh i njeriut para perëndive, të cilët i quan një grup libertinësh (persona të caktuar, në veçanti burra, të dhënë pas kënaqësive sensuale, pa marrë në konsideratë parimet morale), më të shqetësuar për mirëqenien e vet personale dhe për argëtime, se sa për të zhvilluar një bashkëjetesë paqësore e të drejtë.

Nga ana tjetër, njeriu numëron dy cilësi të rëndësishme: inteligjencën dhe aftësinë për të krijuar struktura të reja rreth tij. Ne kemi meritën e jashtëzakonshme të përshtatjes së natyrës me nevojat tona. Qenia njerëzore, në sajë të përpjekjeve dhe të punës ka bërë përparime të mëdha, që do të thotë se në shumë raste, ajo mund të modifikojë natyrën dhe të përmirësojë kushtet e jetesës. Prometeu na dha vetëm një mjet, sepse përpjekjet e pareshtura kanë qenë përbashkësi e të gjithë njerëzimit. Falë punës dhe vendosmërisë, qeniet njerëzore kanë shenjuar nivele të kënaqshme të mirëqenies anembanë botës.

Me zhvillimin e shkencës ne jemi bërë gjithnjë e më praktikë, por shumë herë ky pragmatizëm ka qenë në dëm të humanizmit tonë. Duket sikur jemi shndërruar në skllevër të objekteve materiale dhe arritjeve të njëpasnjëshmë. Në botën tonë perpetuum mobile, arritja e një qëllimi është vetëm pika e fillimit për të përqafuar qëllimin tjetër. Ky përcaktim na klasifikon si “qenie të pakënaqura”, që  gjithmonë duam të shkojmë më tej, duke i shndërruar arritjet tona në trampolina, për të vazhduar të pangopur drejt majave.

Ndaj është e rëndësishme, të ndalemi një çast që të reflektojmë dhe të kënaqemi me ato që na përkasin apo që kemi arritur. Përndryshe do të shëmbëllenim si disa Sizifë fatkeqë, që çdo ditë shtyjmë gurin e radhës për ta ngjitur në mal dhe pas rënies së tij fatale, e gjejmë veten duke e rifilluar ngjitjen, nga e para; duke jetuar një jetë monotone, pa  shijuar asgjë…

Ne duhet të mësojmë nga Prometeu, pasi ai rrezikoi për ardhmërinë e njeriut, duke u armiqësuar me kryeperëndinë olimpike, Zeusin shungullues. Në pamje të parë, duket sikur perëndia-titan pësoi një disfatë të tmerrshme, pasi u dënua në përjetësi, por fatmirësisht, ai u çlirua nga Herakliu grek apo Herkuli romak.

Figura e Prometeut nuk u shpall humbëse, sepse emri i tij është skalitur me gërma të arta në historinë e njerëzimit, duke u përkujtuar si simbol i vetësakrifikimit, i pathyeshmërisë, i përparimit, i durimit dhe i ndriçimit të mendjes njerëzore. Sot e gjithë ditën, statuja e tij, me peshë tetë tonëshe, e praruar në bronz dhe e krijuar nga Paul Manship në 1934, ngrihet në Rockefeller Center’s Lower Plaza, në Nju Jork duke i risjellë vazhdimisht në kujtesë njerëzimit modern, mitin antik dhe heroin kulturor e sfidues të të gjitha kohërave.

Emri Promete personifikon një qenie të guximshme dhe të rrallë. Duke iu referuar modelit të tij, njësoj si titani mitologjik, edhe ne duhet të tregohemi të patrembur, joegoistë dhe të ndërmarrim rrezikun për të  mbrojtur parimet e vlerat tona, si dhe për të ndihmuar ata që ndodhen në pozita inferiore e të pafavorshme.

Siç shprehej dhe Isaac Asimov, shkrimtar amerikan dhe profesor i biokimisë: “Çdo përparim teknologjik mund të jetë i rrezikshëm. Zjarri ishte i rrezikshëm që në fillim, po kështu (edhe më shumë) ishte fjalimi – të dy janë ende të rrezikshëm në ditët e sotme, por qeniet njerëzore nuk do të ishin njerëzore pa to “.

Filed Under: ESSE Tagged With: Galidola Jorbus, Heroi mitologjik, Prometeu

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT