Shkruan:Endri PODA/ Asistent dhe Doktorant i Universitetit t Gjenevës/
‘‘Terrori i Serbisë Pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999’’,ribotimi i pestë i plotësuar dhe i shtypur perfekt në Shtypshkronjën « Arbëria Design », në Tetovë, vazhdoi rrugëtimin e tij të suksesshëm të promovimit, në Gjenevë të Zvicres. NËn kujdesin e ShoqatËs sË StudentËve ShqiptarË tË Gjenevës (AEAG-ShSShGj) dhe falë përkushtimit të z. Emrush Tafili – ish i burgosur politik, profesori i mirënjohur Nusret Pllana u mirëprit mes shumë pjesëmarrësish në një nga sallat më prestigjoze të Universitetit të Gjenevës.
Fjalën e hapjes e mori Fortesa Mehmeti, anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Studentëve pranë këtij Universiteti, e cila pasi prezantoi shkurtimisht aktivitetet e Institucionit studentor shqiptar, përshendeti të pranishmit, mes të cilëve znj. Mira Bregu (diplomate pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Gjenevë), z. Arjan Kashtanjeva (zv. Konsull i Republikës së Kosoveës në Gjenevë), z. Salih Sefa (Konsull i Republikës së Kosovës ne Zyrih), z. Ali Mehmeti (Kryetar i Komunitetit Shqiptar në Gjenevë) dhe z. Thierry Apothéloz (kryetar i komunës Vernier në Gjenevë).
Ali Mehmeti vuri në dukje rëndësinë që mbart dokumentimi i krimeve mbi popullsinë e pafajshme shqiptare, ndërsa Mujë Shala (anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Studentëve), theksoi se amaneti i dëshmorëve të atdheut për një Kosovë të lirë dhe demokratike duhet çuar deri në fund.
Më pas, për të pranishmit u shfaq, dokumentari ‘‘Rrugëtimi i një libri nëpër botë’’. Ky dokumentar shoqëronte të gjitha promovimet e suksesshme të profesor Pllanës, dhe mbi të gjitha deshmonte përkrahjen e fuqishme të çështjes shqiptare prej profesorëve dhe intelektualëve të Universiteteve më prestigjioze botërore.
Pas përfundimit të dokumentarit, Profesor Pllana iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve dhe të pranishmëve tjerë. Në qasjen e tij, profesori nënvizoi rëndësinë historike të dokumentimit të masakrës serbe ndaj shqiptarëve të pafajshëm, vrasjen e më shumë se gjysëm milioni shqiptarëve në periudhën e viteve 1844-1999, nga regjimet fashiste serbe, mosbarazimin e viktimës me dhunuesin, dhe gjithashtu dëshiren e madhe të shqiptarëve të Kosovës për t’u integruar sa më shpejt në strukturat euro-atlantike. Në shenjë kënaqësie me përgjigjet e Profesor Pllanës, të pranishmit në sallë e përcillnin atë me duartrokitje të shpeshta frenetike. Vlen të theksohet se, libri në fjalë me ribotimin e pestë të radhës, i sajuar në shtatë gjuhë : shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht e maqedonisht është pasuruar edhe me 140 faqe maeriale shtesë, shokuese dokumentare si ; Masakra e Bujanit e vitit 1912, Masakra e Kabashit dhe Korishës, Masakra e Konjuhit e vitit 1912, Masakra e Studimes, Masakra e Therandës(ish- Suharekës), Masakra e Paklekut, Masakra e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, Masakra e Fortesës(ish Bella Cerkës), Masakra e Izbicisës, Masakra e Kralanit, Masakra e Skënderajt me rrethinë, emrat e rreth 1600 fëmijëve të vrarë në periudhën e viteve 1981-1999, Lista e kriminelëve serbë me më shumë se 300 emra prej tyre, si dhe Kapitulli i fundit i librit i titulluar : « Të tjerët për librin… », me 21 kumtesa, recensione, komente e vështrime të autorëve më të njohur evropianë e botërorë për librin e Profesor Pllanës.
Pas një bashkëbisedimi tepër miqësor me gazetarin dhe publicistin e mirënjohur zvicerian z. Raymond Zoller, ky i fundit e falënderoi profesorin për studimin e tij dhe e nxiti që të vazhdojë kërkimet e tij shkencore, me qëllim ndriçimin e lexuesit me të tjera fakte të pazbuluara deri më sot.
Në fund, pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me profesorin në një banket të përgatitur nga organizatorët. Prof. Pllana, pasi nënshkroi për lexuesit e tij, premtoi se do ta vazhdonte me energji të pashterueshme, misionin e tij atdhetar, anë e mbarë botës.
Pa ngurrim mund të themi, që në Gjenevë, çështja shqiptare në përgjithësi dhe libri publicistik ‘‘Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999’’ në veçanti u vlerësuan me notën 10.