PROMOVIMI I LIBRIT “FAIK KONICA DRITËHIJET E NJË DIPLOMATI” TË STUDIUESIT AGRON ALIBALI/
Në NUOVO RESTORANT, Worcester MA më 23 shtator gjatë drekës u organizua prej degës së shoqërisë Vatra promovimi i librit “Faik Konica dritëhijet e një diplomati” ARGETA LMG, Tiranë 2016, shkruar prej Agron Alibalit. Ishin të ftuar nderi: autori i librit, prof. Nikolla Pano (folës kryesor), z. Van Christo Konsull Nderi i R.SH. në Massachusets dhe zonja Kostandina Lukes këshilltare e Bashkisë së qytetit.
Mbas ngrënies së drekës, z. Frank Zdruli, një nga organizatorët, e hapi takimin duke prezantuar me emra shumë prej pjesëmarrësve. Më tej e mori fjalën z. John Lito, kryetar i degës së “Vatrës”. Ky pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe falenderoi pronarët e restorantit, zotin dhe zonjën Gjoçaj, për bujarinë e tyre dhe gatimet e shijshme; tha se krijimi i degës së shoqërisë “Vatra” në Worcester MA gjatë vitit 2016 ishte një shprehje e mirënjohjes ndaj asaj që ka bërë e bën kjo shoqëri atdhetare për mëse 100 vjet ndaj popullit shqiptar kudo ku ky jeton. Dega jonë ka gati 30 anëtarë, por shpresojmë të shtohemi, sepse gjithnjë e më shumë shqiptaro-ameriaknët po e kuptojnë se sa më i organizuar të jetë një komunitet, aq më i vlefshëm është për diasporën dhe atdheun. Një nga detyrat tona si degë është të vlerësojmë personalitetet e shquar që e kanë drejtuar “Vatrën” dhe komunitetin shqiptar në SHBA. Pikërisht këtë synon edhe takimi i sotëm duke bërë të njohur e duke i vlerësuar materialet e shumta që ka mbledhur dhe interpretuar z. Alibali në librin e tij kushtuar veprimtarisë diplomatrike të Faik Konicës.
Nga ana ime mund të them se përfitova mjaft nga leximi i këtij libri duke mësuar fakte të rinj lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Konicës, Fan Nolit, Kristo Kirkës, Kostandin Çekrezit, etj.Në të ardhmen mendojmë të organizojmë dhe takime të tjera për të vlerësuar krijimtarinë e shkrimtarëve të shquar Visar Zhiti, Pëllumb Kulla, Gazmend Kapllani, etj, që jetojnë në SHBA, si dhe punën studimore të prof. Robert Elsie-t, albanolog i shquar kanadez, që jeton e punon në Gjermani. (Për fat të keq prof. Elsie vdiq disa ditë mbas kësaj ceremonie, më 2 tetor)
Prof. Nikolla Pano, studiues i njohur i historisë sonë kombëtare dhe pedagog në disa Universitete të SHBA-ve lexoi anglisht një material pesë faqesh, të cilin e quajti variant të papërfunduar për botim. Ai dha vlerësime për jetën e Faik Konicës dhe librin e z. Alibali. Ai tha se e kishte pëlqyer studimin e ri, prandaj mori rrugën e gjatë për të erdhur këtu nga Çikagoja e largët.Ky studim i ri, vijoi prof. Pano, nuk është një biografi, por sjell fakte nga jeta e Konicës si diplomat dhe i vlerëson. Faiku ishte diplomati i parë zyrtar midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ai ishte një personalitet kompleks. Libri që kemi sot ka sjellë shumë informacion nga jeta e kolonisë shqiptare në Amerikë në vitet 1909 – 1942 kur veproi Konica këtu.
Ky studim nxjerr në dukje shumë vlera të panjohura të Faik Konicës si njeri, si diplomat e atdhetar, por njëheresh ai tregon dhe anët e dobëta të tij, ato që autori i quan hije. Aty njihemi dhe me shumë ngjarje konkrete që ngjallin interes për lexuesit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të viteve 1926-1942.
Interesante është se këtu sillen fakte të cilat nga një anë dëshmojnë modestinë e Faikut, por nga ana tjetër dhe mendjemadhësinë e tij. Për shembull, Faiku u tregua modest kur u pyet prej një botuesi anglez i Fjalorit Biografik për ta futur emrin e tij midis diplomatëve të shquar. Ai iu përgjigje se në atë fjalor nuk duhej futur ai, por vëllai i tij, Mehmet Konica, diplomat kariere që në kohën e Perandorisë Osmane, kur ishte 19-vjeçar. Mirëpo më tej ky intelektual modest i tha për veten e tij se mund ta them pa e tepruar që unë jam themeluesi i lëvizjes shqiptare ashtu sikurse dhe autori më i mirënjohur në gjuhën shqipe, por kjo nuk ka të bëjë me diplomacinë. Pra një formulim i tillë për vendin dhe rolin e tij në lëvizjen kombëtare shqiptare, konkludoi Pano, nuk ka si të mos na krijojë idenë se Faik Konica ishte në të njëjtën kohë dhe mendjemadh, njeri që e mbivlerësonte rolin e vet.
Ky vit, viti 2017 është vit përkujtimor, sepse 75 vjet më parë ndodhi vdekja e Faik Konicës (15 dhjetor 1942).
Faik Konica dhe Fan Noli ishin dy drejtuesit kryesorë, dy personalitetet më aktivë dhe më me influencë midis shqiptarëve të Amerikës, të cilët bashkëpunuan ngushtë me njëri tjetrin për një kohë të gjatë si intelektualë të kulturës letërsisë dhe politikës së kësaj kolonie. Ata e ndërtuan veprimtarinë atdhetare duke krijuar tre institucione themelore: 1. Kisha Orthodokse Shqiptare, ku Noli dha ndihmesën kryesore duke u shuguruar prift e duke përkthyer librat e liturgjisë. Faiku, ndonëse me origjinë myslimane ndihmoi dhe ai në mëkëmbjen e këtij institucioni. 2. Gazeta “Dielli”, të cilën së pari e drejtoi Noli e pastaj Konica e më tej dhe gazetarë të tjerë të talentuar, të cilët me shkrimet e tyre e kthyen atë në një tribunë ku u rrahën problemet e lëvizjes kombëtare shqiptare. 3. Shoqëria “Vatra” të cilën e krijuan të dy bashkë me disa shokë, e cila luajti rol të madh sidomos gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore e më vonë e vijon të jetë ende një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike, që po merr zgjerim në ditët tona si mori këtu në Worcester me krijimin e degës së re.
Mirëpo pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924, Konica i drejtoi Nolit një varg kritikash lidhur me gabimet që ky bëri gjatë qëndrimit në pushtet si kryeministër i qeverisë. Më tej Konica vijoi ta kritikonte Nolin për përqafimin e ideve komuniste në vitet 1926-1932. Madje ai jo vetëm e kritikoi, por dhe si diplomat i Shqipërisë në SHB kërkoi që qeveria amerikane të mos e lejonte Nolin të kthehej në Amerikë, si element me bindje komuniste. Këto Alibali e quan ndër dobësitë dhe hijet më të errëta të Konicës, që unë i jap të drejtë.
Duke qenë Noli e Konica dy personalitetet më të rëndësishëm të komunitetit, bashkëpunimi dhe grindjet midis tyre nuk kalonin pa pasoja midis shqiptaro-amerikanëve të asaj kohe. Grindjet e tyre sollën përçarjen e anëtarëve të shoqërisë “Vatra”. Përkrahësit e Nolit krijuan një degë të re të kësaj shoqërie me qendër në Detroit MI, kurse përkrahësit e Konicës mbajtën shoqërinë e vjetër që ishte krijuar në Boston.
Më tej referuesi theksoi: “Unë nuk kam asnjë ngurrim që të shpreh se ky libër padiskutim është një punim tërësor i mbështetur në studimin e dokumentacionit të punës dhe karrjerës diplomatike të Faik Konicës dhe misionit të tij në Uashington. Unë e përgëzoj autorin për punën këmbëngulse duke u futur në arkivat shqiptare, si dhe të fundit të gjetura përmes Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Italisë. Rezultatet vlejnë për përpjekjet e bëra. Këto materiale sigurojnë edhe informacione ndihmese përtej njohjes së deritanishme apo që janë përdorur rreth jetës dhe karrjerës së Faik Konicës. Në zbulimet e reja më të fundit autori ka qënë në gjendje të përmbledhë fushën e veprimtarisë së Konicës. Një gjë që mua mu duk interesante dhe që edhe juve mund ta gjeni të tillë kur ta lexoni librin ku janë tregime, letra të shkruara dhe korrespondenca, përmbledhje të ndryshme nga shqiptarë dhe të huaj që e pyesnin dhe donin qendrime mbi çështjet si femrën shqiptare, gjuhën, kulturën, turizmin pra ca pyetje si ato që edhe z. Van Kristo përballet nganjëherë nduke qenë në rolin e tij si konsull nderi i shqiptarëve në Boston”…
Në këtë pikë unë desha t’ju tregoj diçka që Faik Konica Dëmtoi me shërbimin e tij si konsull ku ju kundërvu rikthimit të Fan S. Nolit nga azili në Europë deri më 1932”.
Më tej prof. Pano tregoi se pas ardhjes së Nolit në SHBA të dy atdhetarët bashkëpunuan për të mirën e Shqipërisë, sidomos pas pushtimit të atdheut prej Italisë Fashiste. Kjo ngjarje solli bashkimin e gjithë emigrantëve ashtu si gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore.
Zotin Alibali e përgëzoj edhe për kërkimin këmbëngulës dhe gjetjen e 276 librave të bibliotekës së Faik Konicës të cilat i shpuri në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, punë e cila përbën kapituj më vete në këtë studim.
– Nuk më mbetet tjetër veçse t’ju këshilloj ta blini e lexoni këtë libër dhe autorit t’i uroj suksese të metejshme.
Më tej e mori fjalën autori i librit, z. Agron Alibali, i cili pasi falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit, tregoi si i lindi ideja e kërkimit të librave të bibliotekës së Faik Konicës dhe e studimit mbi veprimtarinë e tij diplomatike. Ai tregoi se ideja i lindi gjatë kohës kur ndiqte studimet në Universitetin Harvard ku u njoh me dosjen e ish studentit Faik Konica, që ishte regjistruar si shqiptari katolik. Lexova pastaj dhe dosjet e ish studentëve të tjerë shqiptarë të kësaj shkolle, si Fan Noli, Kostë Çekrezi, Koço Tashko, Hamdi Sulçebe, etj. Më vonë u njoha me dëshirën gojore të Konicës, sipas së cilës librat e tij duhej t’i dërgoheshin Bibliotekës së Shqipërisë, dëshirë që u ishte thënë miqve të tij si Vasil Pani.
Gjatë kërkimeve hap pas hapi, ky studiues mundi që nga 3000 (tre mijë) librat e paketuar në 32 arka prej të dërguarve të Vasil Panit në Vashington DC mezi gjeti katër. Pastaj djali i atdhetarit Antony Athanasi, z. Pol Athanas, e njoftoi se në një nga ambjetet e familjes Athanas ruheshin dhe 272 copë të tjera, të cilat mund t’i merrte. Kjo pasuri u shpu vitin e kaluar në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, sipas vullnetit të Konicës.
Ndjekja e punës diplomatike nëpër arkivat e Ministrisë së Jashtme të Italisë dhe të SHB-ve e ndihmoi studiuesin të gjente një korrespondencë të pasur të Ministrit shqiptar Faik Konica me Ministrinë e Jashtme të shtetit shqiptar dhe me Departamentin e Shtetit amerikan. Kjo korrespondencë, vuri ai në dukje, nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit të R. SH., por qenden vetëm në Arkivin e Ministrisë së Jashtme Italiane dhe asaj amerikane. Pasuria e kësaj korrespondence është e madhe. Aty del qartë madhështia e punës së këtij diplomati përmes ndihmës që ai u dha shtetit shqiptar dhe shumë shqiptaro-amerikanëve. Mirëpo, shtoi Alibali, këtu dëshmohen dhe gabimet e hijet e tij si diplomat e politikan, mbasi ai luftoi disa veprimtarë të shquar si Fan Nolin, Kristo Kirkën, etj.
Në mbyllje, z. Alibali tha se ishte i interesuar të dëgjonte dhe sugjerime e vërejtje, sepse synonte që të bënte një ribotim të librit.
Fjalën e mori z. Frank Zdruli, i cili e përgëzoi autorin për zbulimin e shumë fakteve të reja lidhur me jetën jo vetëm të Konicës e Nolit, por edhe të veprimtarëve të tjerë si Kostë Çekrezi, Vasil Pani, Kristo Kirka, të Mbretit Ahmet Zogu, etj. Lidhur me Kostë Çekrezin ai shtoi se duhej vlerësuar më shumë krijimi prej tij i shoqërisë “Shqipëria e Lirë” e cila u krijua në vitin 1942 dhe synonte të krijonte një qeveri shqiptare në emigracion, të cilën pranoi ta njihte Departamenti i Shtetit. Kjo qeveri duhej dërguar në Shqipëri në mënyrë që t’i priste rrugën krijimit të ndonjë qeverie tjetër ose kthimit të Mbretit Zog. Mirëpo me këtë ide nuk ranë dakord Konica dhe Noli të cilët shprehën mendimin se në fund të Luftës në Shqipëri do të ishte më legjitime të kthehej Mbreti i dëbuar dhe pastaj populli të vendoste me votën e tij llojin e regjimit…
– Unë mendoj se mospramini i mendimit të Kostë Cekrezit, ishte një gabim i Konicës dhe Nolit, sepse ajo qeveri e mbështetur prej qeverisë amerikane do t’i kishte mbyllur rrugën ardhjes së forcave komuniste në pushtet, than në mbyllje folësi.
Më tej e mori fjalën, prof. Thanas L. Gjika, i cili pasi e përgëzoi autorin për punën disavjeçare nëpër arkivat ameriakne e italiane, mbështeti mendimin e autorit për nevojën e përgatitjes së një botimi të ri të studimit më të përmbledhur, të shkarkuar nga disa kuriozitetet me pak vlerë. Meqenëse autori shprehu dëshirën për sugjerime e vërejtje unë, tha folësi po ndalem vetëm në disa sugjerime e vërejtje. Një prej tyrë është nevoja për të cituar jo vetëm arritjet e prof. Jup Kastratit e Nasho Jorgaqit, por dhe ato të studiuesve të tjerë seriozë si Ilir Ikonomi, Fotaq Andrea, Beqir Meta, etj që kanë sjellë kontribut të shquar në studimet e jetës e veprës së Faik Konicës dhe të shoqërisë Vatra. Për variantin e ri duhet të shfrytëzohen edhe shumë shkrime të Konicës botuar në gazetat “Dielli”, “Shqiptari i Amerikës”, etj.
“Zoti Alibali, ashtu si unë dhe studiues të tjerë, vijoi Gjika, ishim edukuar gjatë rinisë sonë, që ta vlerësonim kalimin e Fan Nolit në vitet 1926-1927 nga pozitat e një demokrati në pozitat e një prokomunisti, si një ecje përpara, si një meritë botëkuptimore të tij. Kurse qëndrimin antikomunist të Faik Konicës dhe të demokratëve e nacionalistëve, ta dënonim e kritikonim si qëndrim jopërparimtar. Mirëpo krimet e shumta që kryen diktaturat komuniste dhe dështimi i komunizmit në plan botëror si ideologji dhe si sistem shoqëror, na tregoi se të tilla vlerësime ishin të gabuar dhe se ne duhet të çlirohemi nga politizimi dhe t’i vlerësojmë veprimtarët e historisë sonë me objektivitet dhe nën dritë të re. Pra ne, dmth dhe z. Alibali, nuk duhet ta kritikojmë Konicën për qëndrimin e tij konsekuent antikomunist, për kritikat që ai i bëri Nolit si prokomunist dhe as për letrat që ai i dërgonte si Ministër i Shqipërisë Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme të SHBA-ve për të penguar ardhjen në Amerikë të Nolit prokomunist.
Kur Noli shpalli se nuk do të merrej më me politikë (1932-1933), Konica kërkoi lejimin e tij në SHBA dhe rifilloi bashkëpunimin me të për çështjen kombëtare, bashkëpunim që vijoi deri në vdekjen e Konicës. Pra Konica nuk gaboi dhe nuk luajti rol përçarës, por i qëndroi besnik botëkuptimit të tij antikomunist.
Ndërkohë Faik Konica, i cili gjatë Rilindjes Kombëtare mbajti një qëndrim proasustriak dhe në vitet 1919-1942 mbajti qëndrim proamerikan, përkrahu politikën e këtyre vendeve, i informoi ato për gjendjen e lëvizjes kombëtare shqiptare, etj, nuk duhet quajtur “agjent” e “spiun” sepse këto fjalë në gjuhën shqipe kanë marrë një përmbajtje pejorative, fyese, kurse kjo marrëdhënie me këto dy fuqi proshqiptare nuk ka pasur asnjë përmbajtje spiunimi antishqiptare”.
Puna për kërkimin e librave të bibliotekës së Faik Konicës ka rëndësinë e vet dhe autori bëri mirë që u përpoq të gjente sa mundi, por më i rëndësishëm është kërkimi edhe i dorëshkrimeve të këtij autori, që kanë mbetur pa u botuar e që urojmë të mos kenë humbur. Midis këtyre veprave dëshmohen në gazetën Dielli katër: 1.Komedia “Mustaqet”, që ishte luajtur në skenë nga grupi tetral i qytetit Malburough MA., 2. Një përmbledhje me skica e tregime me titull “Kondili i kuq”, 3. Një novelë me titull “Tryeza e fshirë – një përrallë sociale dhe filozofike” dhe 4. “Themelet e gjuhës shqipe” një studim sintezë për gjuhën shqipe. Persnalitete si Noli dhe Qerim Panariti që hapën arkat me libra dhe dorëshkrime të Faik Konicës, zgjodhën dhe botuan vetëm një nga dorëshkrimet, dorëshkrimin anglisht të veprës “Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Jug-Lindore”. Ata kanë përgjegjësinë që veprat e tjera në dorëshkrim nuk i botuan të paktën në gazetën Dielli si nënfletë leteare. Të tjerët më vonë ose i nënvleftësuan e i hodhën diku, ose dikush i mori me synim që t’i ruante, por sot nuk dihet ku janë.
Më tej folësi tha se mosndodhja e letërkëmbimit të Konicës me qeverinë Shqiptare e atë amerikane në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë e ka burrimin tek krimi i madh që kreu Enver Hoxha në dhjetor 1944 – janar 1945 kur sapo mori pushtetin, u dha të dërguarve të Beogradit gjithë arkivin e jashtëm të shtetit shqiptar të viteve 1922 – 1944. Eshtë rasti që kjo tradhëti kombëtare të vihet në dukje në një libër të tillë, mbasi ky krim jo vetëm varfëroi dokumentacionin e shtetit tonë, por, si ka treguar studiuesi Kastriot Dervishi, ndihmoi zbulimin jugosllav për të gjetur shumë emra patriotësh shqiptarë që vepronin në Jugosllavinë e vjetër kundër politikës antishqiptare. Këto të dhëna shpunë në eleminimin fizik të 50.000 (pesëdhjetë mijë) patriotëve shqiptarë në Jugasllavinë e Titos brenda viteve 1945-1948.
Së fundi, Gjika shtoi se studiuesi Alibali para se ta dërgojë për shtyp variantin e ri, është mirë t’ua japë dy specialistëve të cilët duhet ta lexojnë e të japin me shkrim vlerësimet e tyre, të cilat duhen botuar brenda librit si parathënie, ose në kapakun e prapmë të librit.
Më tej e mori fjalën z. Sotir Pani, djali i Vasil Panit, mikut të Konicës dhe ish kryetar i Vatrës së Bostonit, i cili tha se humbja e librave të Faikut ka ndodhur gjatë qëndrimit në depot e kryekishës së Shën Gjergjit dhe gjatë transferimit të qendrës së shoqërisë Vatra nga Bostoni në New York, pra në vitet 1956 – 1992.
Zonja Neka Doko dhe z. Artur Vreka vijuan diskutimet, kurse Julia Gjika lexoi disa prej fjalëve të arta të Faik Konicës nxjerrë nga libri i studiuesit Fotaq Andrea “Faik Konica – Përlindësi modern Fletore Koniciane” ZENIT Tiranë 2016.Mbas këtij takimi profesor Pano i shoqëruar prej zotërinjve Zdruli dhe Steffon bëri një vizitë te Kisha Shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, ku mysafiri shprehu kënaqësi për pikturat murale të piktorit të talentuar Dhimitër Çika, si dhe për pastërtinë e ambjenteve të godisë së pensionistëve “Illyrian Gardens”.
***