• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRINCIPATA E ARBËRIT – SHTETI I PARË I SHQIPTARËVE, KISHTE ORIENTIM E VEPRIMTARIM PERËNDIMOR

December 28, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Doktoranti mirditor e kryeqytetas, Nikollë Loka, ndër vite pune të frytshme, me kumtimet e mongrafitë e tij shkencore, ia ka mbrri të ketë jo vetëm profilin e vet, por edhe formatin e tij, si një studiues i mirënjohur i historisë prej nga i hershmi antikitet ilir deri në kohët e sotme moderne, çka e ridëshmon dhe tek vepra ma e re “Principata e Arbërit – Shteti i parë i shqiptarëve”(Tiranë, 2015).
Kjo vepër, e këtij lloji, me këtë frymë, prej kaherit i mungonte ditës së sodit, po kësaj vepre i mungonte dhe një studiues me shpirt si Nikollë Loka, trojenik i trevës së Mirditës, ku Principata e Arbërit pati shtrat e shtat historik, që e vno në dukje, e skanon, e skalit me gjurmë e brumin e fakteve, në sofrën e realitetit.
Nikollë Loka, me ashtin e palcën e vet studimore, me mendjen e penën e tij hulumtuese e krijuese, ka në skedarin e kohës e të historisë disa vepra me interes e vlera kombëtare si “Genivs Illvrici –Dyzet e dy perandorët ilirë të Romës”, “Dinastitë iliro-shqiptare me famë botërore”, “Iliria Biblike, Shejtorët iliro-shqiptarë – nga Konstandini i Madh te Nënë Tereza (me bashkautor, av. Gjet Kola), “Arnautomania – 44 kryevizorë dhe 170 vjet qeverisje shqiptare në Perandorinë Osmane”, “Preng Bibë Doda i Mirditës” (dritëhijet e një burrështetasi kandidat për fronin mbretëror të Shqipërisë dhe dy herë zv/kryeministër e dy herë ministër), “Imzot Nikollë Kaçorri – burrështetas shqiptar në altarin e Atdheut” (me bashkautor, prof. Angjelin Shtjefni), “Llesh Zef Doçi i Lurës – Forca e mendjes, pesha e fjalës”, “Kuvendi i Fanit dhe Pamundësia e Piemontit Shqiptar”, “Bajraktar Prengë Mark Prenga – Flamurtari i Mirditës”, “Dera e Parë e Fanit”, “Studime historike, recensione, publicistikë” (Vëll. I), etj. Titujt e këtyre botimeve të tij monografike shkencore flasin vet për historianin Nikollë Loka, ashtu sikurse vet Nikollë Loka e ka thanë fjalën e tij në lartësim për historinë e trevës së Mirditës e të truallit kombëtar shqiptar.

Nikollë Loka është dhe poet e, për ma shumë e ma mirë dhe një poet antologjik në rreth dhjetë botime të tilla në Itali, është dhe publicist me vargni shkrimesh në mediat shqiptare (print e elektronike) të Shqipërisë, të Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Amerikës, Zvicrës, Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, Kanada, etj. Dhe në veprat e tij studimore e gjejmë poetin dhe publicistin, e takojmë Nikollë Lokën historian.

E thashë kryefjalë, se Nikollë Loka është doktorant, pasi i vazhdon studimet e thelluara për historinë e arsimit shqiptar e, në këtë lami e ka në përmbyllje tezën e doktoraturës së tij. Ai ka kumtuar dhe në veprimtari shkencore tribunale si në konferencën shkencore mbajtur në prag të Vizitës të Atit të Shenjtë – Papa Francesku në Shqipëri me kumtesë për kontributin e Vatikanit në themelimin e arsimit shqip (e botuar dhe në veprën “Vatikani dhe Arbëria”); në konferencën shkencore kushtuar 800-Vjetorit të Shtetit të Arbërit kumtoi në Tiranë për zhvillimin e arsimit në Arbërinë Mesjetare; në konferencën shkencore kushtuar Betejës së Dytë të Kosovës të vitit 1448 kumtoi në Prishtinë për arsimin në Kosovë në dy shekujt e parë të sundimit osman, etj.
2.Vepra “Principata e Arbërit – Shteti i Parë i Shqiptarëve” i historianit Nikollë Loka e ripohon Orientimin Perëndimor të Shqiptarëve. Edhe përkundrejt faktit historik se pushtimet e huaja janë përpjekur gjithqysh për ta çvendos drejt Lindjes ka ndodh tjetra: shqiptarët kanë ecur drejt Perëndimit.
Në këtë vepër kemi të pasqyruar vërtetësisht e lartësisht proçesin e identifikimit të aristokracisë shqiptare. Në se ma para ajo ishte pothuaj e shkrirë deri përtej administratës zyrtare me klasën sunduese byzantine dhe kishte dukshëm prirje kozmopolite, me Principatën e Arbërit bujaria vendase, aristokracia arbnore, del si përfaqësuese e shqiptarëve. E, prej kësaj kohe, shqiptarët patën princat e tyre. Njëherash dhe shqiptarët u orientuan për rreth tyre. Ky ishte modeli ma i mirë i bashkimit të shqiptarëve me princat e vet në të gjitha trojet arbnore, çka u krye madhnisht në kohën e Skënderbeut, me Kuvendin e Beslidhjes të Lezhës, etj.
Pa mëdyshje historike, Principata e Arbërit lindi në territorin në mes Shkumbinit e Drinit, por shumë shpejt u zgjerue vertikalisht e horizontalisht edhe jashtë kësaj hapësire gjeo-politike. Madje, si arbër u identifikuan të gjitha trevat shqipfolëse që ndodheshin në një hapësirë etno-historike e gjeografike mbi dy-tre herë ma të madhe se vet Principata e Arbërit. Këtë na e thotë qartë dhe vepra në fjalë e studiuesit kontributiv Nikollë Loka.
3.Sigurisht, kryeqyteti i Principatës së Arbërit ishte Kruja një qytet me madhështi që e ka lanë emnin e vet në historinë mesjetare shqiptare, por ndoshta për vet veçoritë e këtij qyteti elitar, proçesi i pavarësimit filloi në periferi të Principatës. Historiani Nikollë Loka argumenton se krahas Peshkopatës Ortodokse të Krujës krijohet dhe Ipeshkvnia Katolike e Arbërit me qendër në Ndërfanë të Mirditës, duke qënë emblema e parë katolike në brendësi të trojeve etnike shqiptare.
Enklava tjetër katolike Tivar-Ulqin-Diokle ishte nën ndikimin e princave serbë e për rrjedhojë nuk i shërbente proçesit të shtetformimit të shqiptarëve. Ajo çka përveçon autori ka të bajnë me faktin se me Ipeshkvninë Katolike të Arbërit pjesa e popullatës së Arbërit u largue dhe fetarisht nga feja ortodokse duke krijue një identitet të vetin.
Letra e princ Dhimitrit për Papën për t’u kthye ai dhe bujarët e tjerë edhe populli në besimin katolik, pavarësisht se nuk ishte një qëndrim mirëfilli politik, ndikoi dhe ma vonë, ndër dekada e shekuj, që dhe Peshkopata Ortodokse e Krujës të bahet katolike.
Natyrisht duke qënë në kufi në mes dy botëve ortodokse dhe katolike patjetër që treva e madhe e Arbërit ka marrë e dhanë me këto dy botë, por për interest e veta Abati ka nxitë dhe mbështet formimin e shtetësisë tek shqiptarët duke e parë këtë si zgjerim të vetin në Ballkanin ortodoks.
4.E, në fund, diçka për autorin e parathanies së veprës shkencore “Principata e Arbërit – Shteti i parë i Shqiptarëve”, për avokat Alfred Duka, studiues, një personalitet i ri i trevës së madhe të Mirditës, pasardhës dinjitar i njëres nga dyert e mëdha arbnore-shqiptare, nga Dera fisnike e Perlatit (Duka). Kjo derë e madhe, e moçme, e njohur, Duka, e ka prejardhjen e gjenezës së vet nga një prej degëve princore të Dukagjinëve (Duka-Gjini). Në Shtetin e Skënderbeut ka pasë një atdhetar të shquar kombëtar. Pjetër Përlati i thoshin. Përndryshe dhe Pjetër Duka. E, albanologët Franc baron Nopça, Milan Shuflaj e At Giuseppe Valentini, akademiku Kristo Frashëri, etj. ia skalitin emrin e veprat Pjetër Perlatit (Duka) si abat i Manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, si komandant i forcave arbnore në mbrojtjen e Kështjellës së Stefigradit, etj. E tradita e kontributeve kombëtare ecën dhe në genet e breznive të sodit, pasi jo vetëm avokati e studiuesi Alfred Duka, por edhe djali i tij, Geraldi, ndonëse në moshë studentore, ka botue dy libra për historinë diplomatike e politike të shqiptarëve: “Habsburgët, Austro-Hungaria dhe Shqipëria” (2014) dhe “Kongresi i Berlinit dhe Shqiptarët” (2015).
5.Doktorant Nikollë Loka, personalitet publik, letrar e shkencor i mirënjohur si poet, si publicist, si historian, si veprimtar shoqëror, prej këtij viti, 2015, është dhe një personalitet me status juridik, është një institucion shkencor e civil. Ai është president i Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli”. Edhe Gazulli, edhe Loka, te dy, janë rrënjas nga Mirdita e Madhe e Historisë Kombëtare. E, kësisoj lidhen brezat e kohët ndërveti: Gazulli i shek. XV e Loka i shek. XXI. Te dy rrënjas nga treva amësore e Principatës së Arbërit – Shtetit të parë të Shqiptarëve.
Pasi ia kemi mbyll dhe të fundit faqe veprës shkencore për Principatën e Arbërit të historianit mirditor e kryeqytetas, Nikollë Loka, shohim në retrospektivë e në perspektiv, se me Shtetin e Arbërit proçesi i shtetformimit tek shqiptarët pati një proces të pandalshëm, por asnjëherë nuk mundëm të krijonim një shtet kombëtar në të gjitha territoret etnike shqiptare. Ky proçes, me sa po duket, edhe pas shpërbërjes gjeo-politike të ish Jugosllavisë së Krajlëve, të Titos e të Millosheviqit, prapë se prapë po iu mbetet detyrë misionare kombëtare brezave etnik shqiptar.

Tiranë, 27 dhjetor 2015

Filed Under: Histori Tagged With: Nikoll loka, proncipata e Arberit, Ramiz Lushaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT