• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Protesta në Shkodër…

December 12, 2020 by dgreca

Nga Gresa Kraja/*

Një efektiv i Policisë së Shqipërisë ka mbetur i plagosur gjatë përleshjeve me protestuesit në qytetin e Shkodrës, pasi këta të fundit thyen dhe i vunë zjarrin orendive të selisë së Partisë Socialiste në këtë qytet. Marshimi i thirrur në Shkodër për protestë ndaj vrasjes së Klodian Rashës nga një polic në një lagje të Tiranës, përshkallëzoi në dhunë kur një grup të rinjsh iu drejtua mesditën e së shtunës selisë së Partisë Socialiste. Policia reagoi duke shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama përmes një postimi në Twitter ka akuzuar opozitën për keqpërdorim dhe abuzim të të miturve.

“Terroristët e Boko Haramit i përdorin fëmijët si kamikazë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri si streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare kjo është tejet e dhimbshme”, ka shkruar Rama.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi nga Partia Demokratike, me anë të një statusi në Facebook, ka reaguar lidhur me ngjarjen. Ajo ka thënë se të rinjtë nuk ishin pjesë e protestuesve, ndërsa theksoi se pasi ka parë përshkallëzimin e situatës ka njoftuar autoritetet e policisë.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime”, shkruan Voltana Ademi.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Partisë Socialiste kanë thënë se ngjarja është nxitur nga opozita. Drejtuesi i shtabit elektoral të socialistëve për qarkun Shkodër, Ilir Beqja tha se tashmë pas djegies së selisë së PS-së protestat nuk kanë më lidhje me vrasjen e Klodian Rashës.

Shqipëria që disa ditë po përballet me protestues që kërkojnë drejtësi për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga një polic. Policia ka bërë të ditur se 87 protestues u arrestuan përgjatë tre ditëve të protestave. Ata kanë thënë se Klodian Rasha ka thyer orën policore kundër pandemisë, ka qenë i armatosur dhe ka bërë disa lëvizje të dyshimta.

Miq dhe familjarë të Rashës kanë thënë se ai nuk ka qenë i armatosur. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, dha dorëheqje pas vrasjes së 25-vjeçarit duke thënë se “vendi ka nevojë për një model të ndryshëm sjelljeje politike”.

* Evropa e Lire/ Fotografite-Kortezi MAPO

Filed Under: Featured Tagged With: Gresa Kraja, protestat, shkoder

PROTESTAT SI FORCË MORALE PËR TË BËRË NDRYSHIMET E NEVOJSHME

June 4, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli /

Protestat që filluan në shtetin Minnesota pas vrasjes brutale nga policia të një afrikano-amerikani u përhapën shpejt anë e mbanë Shteteve të Bashkuara dhe në shumë vende të botës, ndërsa vazhdojnë gjithnjë në disa qyztete të mëdha e të vogëla amerikane.  Shumica e protestave ishin paqësore, por pati edhe shumë raste ku protestat u shfrytëzuan nga huliganë dhe grupe ekstremistësh, përfaqsues të ideologjive të ndryshme esktreme, të cilëtmorën pjesë në veprime dhune, vjedhje dhe thyerje dyqanesh.  Nga ana tjetër, në një shfaqje solidariteti të pa parë më përpara në Amerikë, e në botë jo se jo, disa prej këtyre protestave paqësore në shumë qytete të Amerikës, iu bashkuan edhe oficera të policisë, në solidaritet me kërkesat e protestuesve për drejtësi dhe kundër përdorimit të dhunës nga policia, siç u pasqyrua në Minneapolis të shtetit Minnesota para një jave, një ngjarje kjo që shkaktoi reagime të ashpra anë e mbanë vendit.  Për arsye të dhunës dhe shkatërrimit nga disa individë dhe grupe ekstremiste, disa qytete janë detyruar të shpallin orarin e ndalim-qarkullimit dhe disa governatorë shtetesh mobilizuan Gardën Kombëtare për të ruajtur qetësinë dhe për të mbrojtur pronat. 

Personalitete të njohura të jetës politike dhe shoqërore kanë komentuar vdekjen e afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd në duart e policisë së qytetit Minneapolis, përfshir ish-presidentët Barak Obama, Xhimi Carter, Bill Clinton e Xhorxh W. Bush, ndër të tjera perosnalitete të fushave të ndryshme të shoqërisë amerikane.  Më tërhoqi vëmendjen, veçanërisht, deklarata e ish-presidentit republikan Xhorxh W Bush, i cili i shikon protestat paqësore – ndoshta jo si një kërcënim ndaj rendit e qetësisë – por edhe si një forcë morale për reflektim dhe si një shtytje të re për bërjen e ndryshimeve të nevojshme në shoqërinë amerikane, kur është fjala, sidomos, për trajtimin e afrikano-amerikanëve nga policia dhe nga forcat e rendit — – një trajtim ky që komuniteti afrikano-amerikan deri tani e ka konsideruar si të njëanshëm dhe të disfavorshëm ndaj afrikano-amerikanëve, sidomos ndaj të rinjëve të këtij komuniteti.

Megjithëse ish-Presidenti Bush dhe bashkshortja e tij Laura shprehen të pikëlluar për vrasjen brutale të Xhorxh Floyd-it dhe të shqetësuar për gjëndjen e krijuar në vend si rrjedhim i kësaj vrasjeje, thonë se tani nuk është koha të japim mësime e leksione, por është koha që të dëgjojmë dhe të reflektojmë për “dështimet tona tragjike”.

“Mbetet një dështim tronditës që shumë afrikano-amerikanë, veçanërisht të rinjtë afrikano-amerikanë, ngacmohen dhe kërcënohen në vendin e tyre të lindjes. Është një forcë morale”, theksoi ish-presidenti Xhorxh Bush, “kur protestuesit paqësorë, të mbrojtur nga forcat, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe përzbatimin e ligjit, marshojnë së bashku me protestuesit paqësorë, për një të ardhme më të mirë.  Kjo tragjedi – e një serie të gjatë tragjedishë të ngjashme – shtron pyetjen që është dashur të bëhej shumë më heret:  Si t’i japim fund racizmit sistemik në shoqërinë tonë?  Mënyra e vetme për të parë veten në një dritë të vërtetë për këtë çështje është të dëgjojmë zërat e aq shumë personave të lënduar dhe të pikëlluar.  Ata që mund të kenë vendosur për t’i heshtur ato zëra, nuk e kuptojnë Amerikën dhe as mënyrat se si ky vend duhet të bëhet një vend më i mirë”, për të gjithë, u shpreh Z. Bush, në reagimin e tij ndaj vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd në Minesota.  

Në deklaratën e tij, ish-presidenti republikan shkruan se, “Sfida më e madhe e Amerikës, për një kohë të gjatë, ka qenë dhe është se si të bashkojë njerëz me prejardhje të ndryshme nga e gjithë bota, në një shtet të vetëm drejtësie dhe mundësishë të barabarta”, për të gjithë.  Z. Bush paralajmëron se “Doktrina dhe sjelljet e bazuara në një superioritet racial që dikur gati kishte përçarë vendin tonë – kërcënojnë gjithnjë unitetin e këtij vendi”, ka deklaruar Z. Bush.

Ish-presidenti Xhorxh Bush u shpreh se shumë njerëz, me të drejtë, kanë dyshimet e veta në sistemin e drejtësisë në vendin tonë.  Afrikano-amerikanët, shtoi ai, janë dëshmitarë të shkeljes së përsëritur të drejtave të tyre, ndërkohë që nuk shohin ndonjë përgjigje ose zgjidhje urgjente dhe adekuate nga institucionet amerikane. Por Zoti Bush thotë se beson në drejtësinë e qendrueshme në Amerikë dhe se ajo do të realizohet me mjete paqësore, duke marrë një qendrim kundër dhunës së përdorur nga grupet dhe individë ekstremë, në protestat e ditëve të fundit. “Vjedhjet nuk janë çlirim dhe shkatërrimi i pronës nuk është përparim.  Por, ne gjithashtu jemi të vetdijshëm se paqja e qëndrueshme në komunitetet tona kërkon drejtësi të barabartë.  Sundimi i ligjit, në fund të fundit, varet nga drejtësia dhe nga legjitimiteti dhe kredibiliteti i sistemit juridik.  Vendosja e drejtësisë së barabart për të gjithë, është gjithashtu detyrë e të gjithëve” theksoi Z. Bush.   Kjo, sipas ish-presidentit Xhorxh Bush do të nevojit, “Përpjekje të qëndrueshme, të guximshme dhe krijuese.  Ne u shërbejmë më mirë fqinjëve tanë kur përpiqemi të kuptojmë hallet dhe përvojën e tyre.  Ne i duam fqinjët tanë si veten kur i trajtojmë ata si të barabart me ne, duke i mbrojtur dhe duke treguar dhembëshuri ndaj tyre.  Ekziston një mënyrë më e mirë – mënyra e mirëkuptimit, e angazhimit të përbashkët dhe veprimit të guximshëm dhe në paqën e rrënjosur në drejtësi.”, nënvijoi ish-presidenti Bush.  Ndonëse në deklaratën e tij me rastin e vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd nga policia në Minnesota, Z. Bush shfaqi shqetësimet e tija në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, e të cilat rezultuan në protesta të mëdha anë e mbanë vendit—ai prapseprap shprehu besimin e tij se vendi do bëhet më i mirë nga kjo përvojë sado e hidhët, ashtu siç ka ndodhur edhe në shumë raste të tilla në historinë e Amerikës.  “Jam i sigurt, se së bashku, amerikanët do të zgjedhin mënyrën më të mirë”, për të zgjidhur problemet e tyre, ka përfunduar deklaratën e tij, ish-presidenti Xhorxh W. Bush, duke thënë se, “Zgjidhjet e problemeve të shoqërisë amerikane mund të realizohen më së miri duke jetuar e vepruar në bazë të idealeve themelore amerikane – në bazë, pra, të vërtetës themelore se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta dhe të paisur nga Perëndia me disa të drejta të veçanta.

Ndërkaq, për zhvillimet e fundit në Amerikë – përfshir protestat gjithëpërfshirse kundër vrasjes së afrikano-amerikanit Xhorxh Floyd nga policia e qytetit Minneapolis u shprehen të gjithë ish-presidentët që ende jetojnë – përfshir edhe ish-Presidentin Barak Obama — i pari president i Amerikës me origjinë afrikano-amerikane.  Në reagimin e tij, Z. Obama tha se ka ardhur koha që të nxirren në pah problemet raciale të shoqërisë dhe për të venë, njëkohësisht, “njerëzit në pushtet në një pozitë të pakëndshme”, përsa u përket këtyre sfidave shoqërore.  Ish-presidenti demokrat u bëri thirrje protestuesve që të kenë “Shpresë edhe pse ndiheni të zemëruar…se ndryshimi po vjen…ndryshime epike në vendin tonë”, që sipas tij, “do të jenë po aq të rëndësishme sa ato që kam parë në jetën time”.  Z. Obama e mbylli mesazhin e tij  duke thenë se këto protesta masive sot dallohen nga lëvizjet për të drejtat civile të 1960-ave, sepse sipas tij, kësaj radhe,“Këtu ka diçka ndryshe”, duke shtuar se ata që protestojnë e marshojnë sot, përbëjnë një përfaqësim shumë më të madh të Amerikës sesa 50 vjet më parë. 

Fuqia e të pafuqishmëve, do ta cilësonte ish-disidenti, aktivisti i të drejtave të njeriut dhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, per ndryshimin, protestat, si force moralie

PROTESTAT NE SHBA, KATER GRUPET EKSTREMISTE

June 2, 2020 by dgreca

Katër grupe ekstremiste dyshohen të jenë përfshirë me dhunën në protesta/

– Supremacistët e bardhë…”Djemtë Boogaloo”… Antifa- Anarkistët*

Mes protestave të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara mbi vdekjen e George Floyd-it ndërsa mbahej nga policia, zyrtarët e shtetit kanë fajësuar provokatorë të jashtëm ekstremistë, duke thënë se ata përzihen me protestuesit e ligjshëm për të nxitur dhunën.

Guvernatori i shtetit Minesota Tim Walz citoi raportet e pakonfirmuara të shtunën se supremacistët e bardhë kishin qëndruar prapa protestave të dhunshme në Minneapolis, ku Floyd-i, i cili ishte afrikano-amerikan, vdiq të hënën e kaluar.

Kur nuk ishte bërë ende një deklaratë e tillë, Presidenti Donald Trump drejtoi gishtin drejt ekstremistëve të një ngjyre të ndryshme: aktivistëve antifashistë të krahut të majtë të njohur si antifa.

Duke fajësuar Antifa-n për dhunën që ndodhi në protesta në të gjithë vendin, Presidenti Trump u zotua ta përcaktojë atë si një organizatë terroriste.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr, nga ana e tij, paralajmëroi se dhuna e ushtruar nga antifa dhe grupe të tjera të ngjashme është “terrorizëm i brendshëm” dhe se do të trajtohet si e tillë.

Në vazhdim i hedhim një vështrim lëvizjeve ekstremiste të dyshuara për përfshirje në protesta:

Supremacistët e bardhë

Supremacistët e bardhë janë individë dhe grupe që besojnë në epërsinë e racës së bardhë, kundërshtojnë imigracionin dhe, në disa raste, mbrojnë dëbimin nga vendi i jo të bardhëve. Ndërsa dikur lëvizja prodhonte grupe të organizuara si Ku Klux Klan dhe organizatat neo-naziste, lëvizja është bërë gjithnjë e më e shpërndarë dhe pa një udhëheqës në vitet e fundit, me shumicën e anëtarëve që veprojnë tani në internet.

Megjithëse shumë supremacistë të bardhë nuk mbrojnë dhunën, një numër në rritje i individëve të frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të djathtë kanë kryer sulme vdekjeprurëse me armë vitet e fundit. Elementët e dhunshëm të ekstremit të djathtë njihen si “përshpejtuesit” sepse kërkojnë të përshpejtojnë një luftë të re racore. Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka thënë se shumica e hetimeve të FBI-së për terrorizmin e brendshëm përfshijnë grupe të bardha supremaciste.

“Djemtë Boogaloo”

Një mishërim relativisht i ri i lëvizjes paraushtarake kundër qeverisë, djemtë Boogaloo janë një komunitet në internet i aktivistëve pro-armëve që dëshirojnë një boogaloo të dytë, termin e tyre për luftë civile. Lëvizja u ngrit verën e kaluar kur supremacistët e bardhë përvetësuan termin për një arsye të tyren: një luftë racore në vend të një lufte civile, thotë Megan Squire, profesore e shkencës kompjuterike në Universitetin Elon. Kryesisht të bardhë, edhe pse jo ekskluzivisht të tillë, anëtarët e lëvizjes Boogaloo kanë qenë duke e promovuar veten si libertarianë që luftojnë tiraninë, sipas zonjës Squire.

Antifa

Në varësi se kë pyesim, antifa, shkurtim i fjalës antifashist, është një lëvizje e aktivistëve të majtë që kundërshtojnë neo-nazistët dhe grupet e tjera ekstremiste ose, siç e thotë një kritik, një “lëvizje ekstreme anarkiste-komuniste”.

Duke u organizuar në mediat sociale, ndjekësit e antifas shfaqen në mitingje të krahut të djathtë të veshur me të zeza dhe duke mbajtur maska, dhe shpesh përfshihen në konfrontime të dhunshme.

Simpatizuesit e Antifës ishin në mesin e kundër-protestuesve që dolën kundër mitingut “Bashkimi i së djathtës” në vitin 2017 në Charlottesville, Virginia, që u shndërrua në një ngjarje të dhunshme.

Qendra Jugore e Ligjit për Varfërinë thotë se nuk e etiketon antifan si një grup urrejtjeje pjesërisht sepse anëtarët e saj “nuk promovojnë urrejtje bazuar në racë, fe, etni, orientim seksual ose identitet gjinor”.

Duke pasur parasysh që antifa nuk është një grupim, është e pasigurt sesi Presidenti Trump synon ta etiketojë atë si një organizatë terroriste. Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Anarkistët

Me simpatizantët nga e djathta dhe e majta, anarkistët e shohin qeverinë si të paligjshme dhe përpiqen të mbjellin kaos. Historia e tyre në Shtetet e Bashkuara shtrihet në më shumë se një shekull, kur një anarkist vrau Presidentin William McKinley në vitin 1901.

Sot, shumë anarkistë të rinj janë anëtarë të Aksionit Anti-Racist, një rrjet kombëtar i shoqatave antifa, sipas Qendrës Ligjore Jugore të Varfërisë (SPLC). Kritikët shpesh denoncojnë ndjekësit e antifa-s si anarkistë, me Presidentin Trump që fajëson për protestat e fundit të dhunshme “anarkistët e majtë radikalë”.

“Në pjesën më të madhe, anarkistët që shohim këtu në Shtetet e Bashkuara kanë tendencë të jenë më të zhgënjyer me të majtën progresive,” tha Brian Levin, profesor i drejtësisë penale në Universitetin e Shtetit të Kalifornisë.

Por anarkistët gjithashtu lulëzojnë nga e djathta. Për shembull, Anarkistët Kombëtare të Zonës së Gjirit, “parashikojnë një luftë të ardhshme racore që do të çojë në enklavat neo-fisnore, vetëm me njerëz të bardhë, të cilat do të quhen” Zonat Autonome Kombëtare “, sipas SPLC-së.(Kortezi Zeri I Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: ekstremiste, kater grupet, protestat

Kryeministri Mustafa: Protestat janë të ligjshme, por është koha për festë

May 14, 2016 by dgreca

Mustafa:Më së miri ka qenë që sot në Prishtinë të kremtohen fitoret shumë të mëdha që i ka arritur Kosova gjatë këtij muaji, duke përfshirë rekomandimin për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA dhe proceset tjera/

Istog, 14 maj 2016/ Protestat janë të ligjshme, por është koha për festë, u shpreh sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa. Gjatë vizitës në Istog, në prononcimet e dhëna për disa medie të pranishme ka shpalosur qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet në vend dhe protestën e opozitës në Prishtinë. Kryeministri Mustafa ka thënë se më së miri ka qenë që sot në Prishtinë të kremtohen fitoret shumë të mëdha që i ka arritur Kosova gjatë këtij muaji, duke përfshirë rekomandimin për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UEFA dhe FIFA dhe proceset tjera.

“Është hera e parë pas gjithë kësaj pritje që ne u barazuam me qytetarët e tjerë evropianë dhe duhet të përjetohet si sukses i të gjithëve, jo vetëm i pozitës por i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Po ashtu të kremtojnë edhe anëtarësimin tonë në UEFA dhe në FIFA sepse janë organizatat më të mëdha botërore përkatësisht evropiane të futbollit. Ne do të jemi qytetarë të barabartë dhe pjesëmarrës të barabartë me të gjithë. Po ashtu, kemi edhe projekte tjera botërore sidomos këtë të MCC-së që e kemi fituar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është një prej projekteve që iu kanë dhënë pak vendeve por është në bazë të meritave që i ka Kosova, ashtu siç i kemi marrë të gjitha të tjerat me meritë”, tha kryeministri.

 Mirëpo, siç u shpreh kryeministri Mustafa, protesta është çështje legale, është e garantuar me Kushtetutë, është shprehje e mendimit të njerëzve, të qytetarëve dhe opozitës.

“Është mirë që kanë bashkëpunuar me organet e sigurisë, e kanë paraqitur protestën me kohë, që flet se i kanë respektuar të gjitha kushtet dhe ne do të dëgjojmë se çfarë thonë qytetarët. Ajo që është e mundshme të bëhet, natyrisht, gjithmonë do të jemi të vëmendshëm për kërkesat e qytetarëve, mirëpo janë disa gjëra të cilat unë mendoj se janë shumë të qarta edhe për këto dy parti politike edhe për qytetarët. Çështja e Asociacionit është rregulluar dhe përkufizuar shumë qartë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo do të bëhet ashtu si Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe çështja e Demarkacionit për të cilën edhe Komisioni ynë shtetërorë, edhe Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë, edhe Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kanë vërtetuar se është aty ku ka qenë përpara vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Tani ne s’po vëmë kufij të ri, vetëm po rishënohet kufiri i cili ka qenë. Në qoftë se, eventualisht herë do kurdo, vërehet se është bërë ndonjë gabim edhe pala malazeze por edhe marrëveshja e parasheh që gabimet të rregullohen me pajtimin e dy qeverive, kështu që s’do të ketë asnjë problem”, tha kryeministri.Sa i përket kërkesës për dorëheqje të Qeverisë, kryeministri Isa Mustafa ka thënë Qeveria do ta çoj mandatin deri në qershor të vitit 2018, sepse është një Qeveri e cila po tregon suksese shumë të mëdha në proceset e integrimeve euroatlantike, të thellimit të miqësisë me ShBA-të, të reformave strukturore e ekonomike.

“Këto i kemi arritur në kushtet më të rënda që një Qeveri ka punuar pas luftës, sepse s’na u kanë dhënë as 100 orë normale që të punojmë e jo 100 ditë që të testojmë vetveten”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për bashkëpunim me opozitën që bashkërisht të zgjidhen preokupimet dhe nevojat e qytetarëve.

“Sepse vota nuk është vetëm e pozitës, është edhe e përfaqësuesve përkatësisht e deputetëve të opozitës, ata kanë të drejtë të bëjnë kërkesa, kanë të drejtë të korrigjojnë pozitën dhe për ata janë në Kuvend dhe unë i ftoj që ata të kthehen në Kuvend, që të bashkëpunojmë, që të japin vërejtjet aty, dhe ashtu siç veprojnë demokracitë tjera të veprojmë edhe ne, jo jashtë Kuvendit”, tha kryeministri.

 Lidhur me mbarëvajtjen e protestës, kryeministri Mustafa ka shprehur bindjen se ajo do të jetë e qetë, duke iu referuar zotimeve të AAK-së edhe të NISMA-s.

“Ata e kanë marrë për obligim që të kujdesen që dikush të mos hyjë t’ua prishë protestën dhe besoj se vetë fakti që ata nuk e kanë ndjekur rrugën e dhunës dhe s’kanë dashtë ta vazhdojnë atë rrugë garantojnë se do të jetë një protestë e qetë, në të cilën ne do të kemi kujdes për çdo kërkesë dhe për çdo çështje që shtrohet”, tha kryeministri Mustafa./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: janë të ligjshme, Kryeministri Mustafa, për festë, por është koha, protestat

TE ENJTEN NISIN PROTESTAT E OPOZITES

March 5, 2015 by dgreca

Grupi parlamentar i PD-së dhe trupa e krerëve të degëve në rrethe ka vendosur mbrëmë mbajtjen të enjten të një proteste të jashtëzakonshme, për largimin e kreut të parlamentit dhe për hapjen rrugë të një procesi të gjerë për dekriminalizimin e jetës publike/
Partia Demokratike ka vendosur të nisë protestat, të enjten e javës së ardhshme. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi mbrëmjen e djeshme, një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi lidhur me qëndrimin që do të mbajë selia blu mbi situatën e krijuar, pas deklaratave të deputetit të përjashtuar nga PS, Tom Doshi. Strukturat në PD, degët në rrethe dhe grupi parlamentar kërkuan mbajtjen të enjtjen me 12 mars, një protestë masive në Tiranë, për të nxitur dekriminalizimin, deri në largimin e Ilir Metës nga detyra pas akuzave që bëhen ndaj tij për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Protesta do të bëhet edhe në kuadër të pasigurisë së madhe në vend, kundër kriminalitetit, tritolit e atentateve që kanë cenuar sigurinë e jetës. Protesta do të jetë dhe zëri i qytetarëve kundër varfërisë, papunësisë e padrejtësive të përditshme të qeverisë, sidomos me faturimin abuziv të energjisë që po krijon drama sociale. Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për fshehje të krimit dhe për negociata private me personin, që sipas Doshit pretendon se i ka rrëfyer se i është kërkuar të vrasë kundrejt pagesës dy deputetët të Kuvendit të Shqipërisë.

Filed Under: Politike Tagged With: E OPOZITES, protestat, TE ENJTEN NISIN

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT