Me rastin e 65-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të krijimtarisë e të kontributit të shumëfishtë në letërsinë shqipe, botohen recensionet, studimet dhe vlerësimet që i janë bërë ndër vite veprës së krijuesit të pandalur, Prof. Dr. Agim Vinca/ Nga Jolanda Lila/
Revista periodike “Fjalë e valë” nga Mitrovica i ka kushtuar një numër tematik të mbushur me shkrime, vështrime, recensione e studime, të botuara nga studiuesit shqiptarë e të huaj rreth veprës poetike e studimore të Prof. Agim Vincës. Ky numër tematik vjen me rastin e tre jubileve të rëndësishëm në jetën e prof. Agim Vincës, siç janë: 65-vjetori i lindjes së tij, 40-vjetori i fillimit të punës si pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe 40-vjetori i botimit të librit të tij të parë. Për shkak të simbolikës së përvjetorit të lindjes, në këtë revistë janë përzgjedhur 65 shkrime nga studiuesit dhe kritikët më të njohur shqiptarë e të huaj, si Robert Elsie, Stephan Sigg, Iolanda Malamen, Rusana Bejleri, Rexhep Qosja, Bajram Krasniqi, Nasho Jorgaqi, Jorgo Bulo, Bashkim Kuçuku, Ardian Marashi, Roland Zisi, Hysen Matoshi, Visar Zhiti, Anton Papleka, Sali Bytyçi etj.
Revista hapet me një cikël poetik nga vetë autori, Agim Vinca dhe më tej pasohet nga kapitulli me shkrimet që të tjerët kanë bërë për poezinë e Agim Vincës, përfshirë edhe poetë të njohur si Din Mehmeti, Ali Podrimja, Natasha Lako, Beatriçe Balliçi, Adem Gashi etj. Kapitulli i dytë u dedikohet shkrimeve për kritikën dhe studimet historiko-letrare, ndërsa kapitulli i tretë përmban shkrime për publicistikën dhe veprimtarinë intelektuale të autorit. Në fund, janë publikuar disa nga vargjet, që poetët shqiptarë i kanë dedikuar Agim Vincës, ku vlen të përmendim vargjet e Dritëro Agollit, të Koçi Petritit, të Visar Zhitit, të Milanov Kallupit dhe të poetit boshnjak Husein Tahmishçiq.
Revista përmbyllet me një Kronologji të jetës dhe të veprimtarisë së Profesor Agim Vincës, të hartuar nga studiuesi Mr. Miftar Kurti, i cili, së bashku me poetin Sabit Idrizi, janë ideues dhe përpilues të saj.
Në këtë botim është paraqitur një pasqyrë e plotë e mendimit kritik e publicistik për dy frontet e punës së Prof. Vincës, në kërkimin letrar dhe në krijimin letrar, fronte në të cilat ai ka vënë vulën e origjinalitetit krijues dhe risues në letërsinë dhe studimet shqiptare. Ai konsiderohet si një figurë poliedrike, me kontribut të shquar në fushën e poezisë, të kritikës letrare, të historisë së letërsisë, të publicistikës, antologjisë, përkthimit dhe eseistikës. Është autor i më shumë se 25 veprave dhe i qindra shkrimeve letrare e publicistike në shtypin periodik shqiptar, duke u renditur kështu si një ndër intelektualët më aktivë, jo vetëm në çështjet profesionale, por edhe për reagimet shoqërore dhe problemet e kohës.
Shkrimet për veprimtarinë krijuese dhe intelektuale të Profesor Agim Vincës janë të shumta, por në revistën “Fjalë e valë” janë përzgjedhur vetëm 65 të tilla, të botuara ndër vite nëpër libra studimorë dhe në shtypin periodik. Kjo përzgjedhje sasiore përligjet me simbolikën e 65-vjetorin e lindjes së autorit dhe paraqitet si një lloj koncentrati për thelbin e krijimtarisë së këtij autori.
Merita e tij më e madhe në fushën e shkencës është përçimi i koncepteve shkencore e abstrakte në formën më të thjeshtëzuar e të qartë, meritë që vetë autori ia dedikon përvojës së mësimdhënies universitare dhe bashkëbisedimeve të vazhdueshme me studentët e tij. Ndërsa në fushën e poezisë, ai konsiderohet si një ndër emrat më të rëndësishëm të risimit të vargut shqip që në vitet ‘70, të frymëzimit të natyrshëm prej lëndës shqiptare dhe prej pasurimit të fjalorit poetik, gjë që shpërfaq edhe nivelin e lartë dhe njohjen e thellë të gjuhës shqipe nga ana e autorit.
Numri 23 i revistës letrare “Fjalë e valë” u vjen në ndihmë të gjithë studentëve, studiuesve të letërsisë dhe lexuesve, të cilët duan të zgjerojnë hapësirën e tyre kulturore përmes njohjes së veprës së shumëfishtë të Profesor Agim Vincës, por edhe më gjerë, njohjes së modelit të krijuesit skrupuloz dhe intelektualit të mirëfilltë shqiptar, i cili me fjalën dhe veprën e tij është i pranishëm në mbarë hapësirën shqiptare.