Nga Fadil LUSHI/
Dikur moti, kur unë dhe gjenerata ime ishim në moshë të mitur, “bënim ca punë axhaminjsh”. Mandej kur “fituam pjekurinë mendore”, punët i bënim pak me shaka, pak me zarar dhe së fundi edhe me humor ballkanas, gjithsesi pa kripë. Bënim përpjekje që ta rrënonim shtetin komunist. Ata që në ato mote ishin më të mençur dhe më të moshuar se ne, na thoshin se shteti nuk rrënohet dot kollaj, në veçanti me llafe boshe. Dhe kur punët i bën me shaka a humor, atëherë bie në bela. Disa ditë më parë vendosa ta vizitoj kryeqendrën e Shqipërisë Londineze, për qejfin tim dhe të familjarëve të mi, të cilët, shumë herë më parë më prokuruan që të bëjmë kësisoj “gjezdisje patriotike”! Diku atypari te hyrja e xhamisë të Haxhi Et”hem Beut, të Tiranës, takova gruan rome gjegjësisht Fatimenë me të cilën sa herë rastis të shihem, aq herë kërkon lëmoshë duke më thënë: “O ti çavo nga kasabaja e Tetovës, më fal ndonjë lekë. Bëj sevap, të dhëntë Zoti shnet!”. Përgjigjen ia ktheva në gjuhën e nënës së saj. Do të jap më shumë se ç’kërkon, me kusht nëse “fjalë-lëmoshës sate” do t’ia shtosh uratën: “Zoti të dhëntë një nuse dhe u bëfsh deputet!?” Këtë dëshirë timen ajo e shqiptoi me tamam dhe me plot gojën, pavarësisht se përballë kishte zonjën e shtëpisë sime. Pasi e futi në gji dyqindlekëshin, që ia dhash, më tha: “O çavo, ç’janë këto dëshira trupore dhe politike, o çavo pa më thuaj, a mos vallë i ke rënë gabim profesionit dhe moshës!?” Heshta dhe nuk i dhashë xhevap nga frika, se mos më thotë se ndoshta i kam rënë gabim edhe gjinisë? Më pastaj, duke u përpëlitur, mori strajcën dhe iku në drejtim të panjohur për mua dhe për të tjerët që rrinin rreth e rrotull meje. Këtë veprim e bëri kështu mbase pse ishte e ndërgjegjshme sa i përket “punës së saj me bela”. Si duket, unë vetë e kërkova belanë dhe lëre që e gjeta, por edhe e “bleva” shumë shtrenjtë me paratë e mia. Sazani, i cili qëndronte pranë meje, ma ktheu: “E po ti xhaxhi, ç’të duhej të bësh punë me bela…, ç’të duhet nusja, po sidomos kandidatura për përfaqësues të popullit në pushtetin legjislativ të Republikës së Maqedonisë”! I thashë: “Ore qerrata, ishte një shaka e radhës…”. Po ai ma ktheu: “Po, shaka, ama pa kripë!?”. Dhe pa përfunduar dialogun me Sazanin, më erdhi papritur në vesh një fjali nxitëse dhe paksa me ton urdhërues (nuk ishte zëri i Fatimesë), “Ec, o plak, se na plake me pallavra…, mblidh mendjen dhe shtrëngo dhëmbët e prapanicën, se ndryshe hesapet të dalin kungull Stambolli!”. Për një moment fillova të dërdëllis lloj-lloj gjepurash…, po njëkohësisht parashtrova pyetjen se pas gjithë asaj zhurme shurdhuese, a ia vlen të heshtësh!? Thashë se nuk ia vlen, sepse sipas një fjale të urtë popullore -“heshtja është vjedhje, ajo di të vjedhë guximin dhe të vërtetën, në instancë të fundit, heshtja është delikt i rëndë verbal”! Pas gjithë kësaj meseleje, fiqiri m’u bë përshesh…, çfarë fiqiri se.
Ne që e shkruajmë këtë vështrim, kemi një arsye, pavarësisht se karakterizohemi me atë mentalitetin arkaik dhe me atë moshën tonë “paksa” të shtyrë. Sot kur edhe pas gjashtë dekadash, vazhdojmë të frymojmë në kthetrat e kësaj rrëmuje ekonomike, politike, po edhe antivlerash, thjesht është “budallallëk të vrasësh mendjen” për do çështje tona të pambaruara, për do çështje të rëndësishme, për do çështje të diskutueshme a të pazgjidhshme, për disa çështje kufijsh, për çështje prone, për çështje lavdie, për disa çështje që llafosin shpërdorimin e pozitës zyrtare, për shpërdorimin e pasurisë kolektive, për disa çështje politike, për ca çështje (ri)kandidaturash për deputet dhe të tjera çështje. Sado qofshin këto çështje fisnike, nuk mjafton vetëm rishikimi i tyre. Prandaj ne që kemi moshë të thyer dhe që ndoshta gabimisht i kemi rënë profesionit, po edhe që nuk kemi takat t’i “bëjmë dot detyrat e shtëpisë qoftë në aspekt sasior a e edhe cilësor”, e lë më ato të shkollës, as që do bëjmë përpjekje të japim përgjigje. Neve na intereson ai fenomeni i “lëmoshës dhe lëmoshëtarit politik!”, na interesojnë njerëzit të cilët kanë filluar të “kërkojnë” edhe një mandat prej deputeti, na interesojnë njerëzit që kërkojnë atë formulën e shkurtër, e cila shpreh thelbin e uratës së romes nga Tirana, me sa vijon: “Qofshin me mua: Perëndia, mendja ime, votuesi dhe mbi të gjitha fjala a amini i kryeparit të partisë politike që e kam për xhan!?” Neve na intereson ai fenomeni i “dembelisë anadollake” të ca politikanëve të cilët me “zaptimin” e posteve politike, shndërrohen në “tul a mish pa kocka”, politikanë të cilët kur janë në pushtet bëjnë apologji të hapur, politikanë të cilët në vend që “të bëjnë deputetin”, shtrydhin puçrrat adoleshente, në vend që ta arsyetojnë votën, ata “bëjnë” hokatarin e mbretit, i cili e mbante në oborrin e vet për t’u zbavitur…, politikanë të cilët në vend që “të bëjnë deputetin”, lozin rolin e të shurdhrit, të verbrit dhe njeriut që nuk flet fare…, njerëz që lozin rolin e “avokatit të kryeparit të partisë në pushtet a në opozitë”…, të kryeparit i cili kur do ta humbasë pushtetin, po të njëjtin do ta bishtërojë e do paragjykojë, do t’ia vënë kazmën partisë dhe më vonë do të kërkojnë draprin që t’ia heqin kokën kryetarit pse i humbi zgjedhjet, pse “kaloi në opozitë”…, mandej “do të ndërtojnë idenë” rreth formimit të partisë së re politike…, politikanë të cilët kur e humbin besimin e kryetarit, atëherë “tregohen si nënçmues a përçmues dhe arrogantë me votëbesuesin, pavarësisht se i gjithë veprimi do t’i degdisë në qafëthyerje?!”…, njerëz të cilët kur nuk do t’i plotësojnë premtimet e tyre, u mbetet t’i referohen atij shpjegimit të Jake La Mottos kur thoshte: “Familja ime ishte e varfër sa çdo Vit të Ri, im at dilte nga shtëpia dhe shtinte disa herë në ajër me pistoletë. Pastaj kthehej dhe ne fëmijëve na thoshte se Plaku i Vitit të Ri kishte vrarë veten”!..,. deputetë të cilët harrojnë apo nuk duan të dinë se Kuvendi është njësoj si ajo thënia e aktores së njohur shqiptare Hajrie Rondos: “Se skena (politike-nënvizim ynë) është e bukur, por e egër, nuk të mban me hatër”!…, deputetë të cilët “sabah e aksham“ apo në vigjilje të zgjedhjeve fillojnë t’i vardisen kryeparit të partisë politike, si Fatimeja simpatike e Tiranës…, jo për një pesëdhjetëlekëshe shqiptare, përkundrazi për një (ri)kandidaturë për deputet a një post drejtori.
Seç këta politikanë do të (ri)kandidohen apo jo, gjithsesi mbetet në kompetencat e kryetarit të partisë politike. Trupi votues beson te kryepari dhe shpreson se ai nuk do të kërkojë emra eminentë për deputetë, përkundrazi do të kërkojë njerëz që nuk e tradhtojnë partinë për hir të formimit të një partie të re politike.
Në një analizë të shkruar në vitin 1923 (që vlen edhe sot), Fan Noli thotë: “Herodoti na tregon se në betejën navale të Salaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofakët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po edhe këmbët e trupin!” dhe…!? Thonë se “…hyjnitë antike e kishin dënuar Sizifin të përsëriste veprimet e veta, të ngjiste pa pushim një shkëmb në majë të një mali, nga ku guri rrokullisej vetvetiu. Ato kishin gjykuar me të drejtë se nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë. Opinionet janë të ndryshme për shkaqet përse Sizifi u dënua të bënte në ferr punë të padobishme. E qortuan për mendjelehtësi në sjelljet me perënditë greke…, nuk i ruajti sekretet e tyre…”.
Ne nuk e dimë se ky paragraf dedikuar Sizifit ka ose nuk ka gjë të përbashkët me ca politikanë shqiptarë, qofshin nga Kosova, Shqipëria a Maqedonia si dhe me vështrimin tonë në fjalë “që ka një titull të gjymtuar, brendi të zbehtë dhe një përfundim të paqartë”!?