-…pushim me vendim të qeverisë/
-Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë/
-Qeveria 2 javë para 2 vjetorit zhvillon mbledhjen e 117-të, ku vendosi ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016/
– Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 23 Nëntor 2016/ Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që dita e festës së 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, pasi ende nuk është me ligj.“Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë”, theksohet në njoftimin e dërguar.Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale” e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet.Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i Pavarësisë Shqiptare të shpallur në Vlorë në 12 Nëntor 1912.Në 7 maj të vitit 2015, në Kuvendin e Kosovës, në pasditën e ditës së dytë të punimeve të seancës plenare treditëshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, pas debatit e shtyrjes së votimit, u hodh në votim, por nuk kaloi.
U votua derisa në sallë ishin 72 deputetë, nga të cilët 50 ishin pro, 20 kundër e 2 abstenuan, ndërsa për t’u miratuar duheshin së paku 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, nga të cilat së paku 11 nga 20 deputetët e komuniteteve pakicë.Më herët, në punimet e paraditës së seancës së Kuvendit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës nuk u hodh në votim sikur edhe pasditen e një dite më parë pas shqyrtimit të parë, pasi nuk kishte kuorum.“Pse nuk po votohet, të thuhet publikisht e vërteta, le të dihet”, pyeste dhe kërkonte përgjigje Lëvizja Vetëvendosje – subjekti më i madh opozitar.
Pas kësaj pyetje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përgjigjej se, “duke u bazuar në nënin 81, amendamenti 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve me interes vital, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vendet e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë në shumicë”.“Kjo ishte edhe aryeja, pasi nuk kishim asnjë përfaqësues të Listës Serbe, pse nuk e proceduam sot votimin”, shtonte kryeparlamentari kosovar gjatë punimeve të paraditës të seancës së Kuvendit të Kosovës në 7 maj të vitit të kaluar.Gjatë debatit në punimet e seancës plenare të Kuvendit, shumë nga deputetët kërkonin që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 117-të të rregullt, të 49-ën në 2016-tën. Që nga 9 tetori i këtij viti Lista Serbe ka njoftuar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës, ku përfaqësohet me një zëvendëskryeministër e dy ministra, dhe vazhdon me mungesat në mbledhje si kundërshtim miratimit të Ligjit për Trepçën.
Pika e parë që mori mbështetjen e qeverisë në mbledhjen e sotme ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilës parashihet ndryshimi i afatit kohor për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ndërsa u propozua që të tërhiqen këtë vit nga plani legjislativ këto ligje: Ligji për Konfliktet Administrative; Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbyesit Civilë; Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Pagat që realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; Projektligji për Fondet Investive, Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore si dhe Projektligjin për Ndryshimin e Kodit Doganor.
Në mbledhje u tha se, pas bisedimeve që janë zhvilluar, Projektligji për Pagat mund të procedohet këtë vit, u bë ftesë që të përgatit sa më shpejtë që është e mundur dhe u paralajmërua se do të quhet projektligj për pagat në sektorin publik.
Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, pas pak më shumë se dy javësh mbushë dy vjet të punës që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Dy muaj para përfundimit të këtij viti, në 31 tetor, qeveria ka proceduar Projektligjin për buxhetin e shtetit të Kosovës për vitin 2017, ku është paraparë një buxhet zhvillimor prej mëse 2 miliardë euro, por ky projektligj ende nuk është në axhendë seance plenare të Kuvendit, i cili do mblidhet në seancë të re në 30 nëntor, sipas vendimit të mbledhjes së Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, të mbajtur në mbrëmjen e 17 nëntorit pas tre takimeve me mungesa kuorumi. Kryesia u mblodh në fund të ditës kur në Kuvendin e Kosovës punimet e vazhdimit të seancës plenare të 28 tetorit, të ndëprprerë në mungesë kuorumi, janë përmbyllur përsëri me mungesë kuorumi.
Të hënën e 21 nëntorit edhe mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa u ndërpre në mungesë kuorumi. Propozimi i kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, që Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 të hiqet nga rendi i ditës dhe të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës, bëri që përfaqësuesit e opozitës në Komision të braktisin mbledhjen. Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nga PDK.