• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA FESTOI MË GËZIM E KRENARI FESTËN E PAVARËSISË

November 29, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA-

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni festive patriotike me rastin e 108 vjetorit të festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Të mbledhur në Vatër me gëzim e vëllazëri, patriotët vatranë në zbatim të rregullave të guvernatorit të New Yorkut në lidhje me masat e pandemisë globale, në rakordim me masat e autoriteteve shëndetësore, festuan ditën e lirisë së shtetit shqiptar.

Një traditë e shkëlqyer që u ruajt edhe këtë vit edhe pse kushtet ishin të jashtëzakonshme.Takimi vëllazëror u hap me mbajtjen e një minuti heshtje për vatranët e humbur këtë vit dhe viktimat e Covid-19.

Takimin e hapi Editori i Diellit Dalip Greca i cili pasi falenderoi miqtë, uroi Pavarësinë dhe theksoi rëndësinë historike që ka kjo datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar. Editori i Diellit Dalip Greca i cili prej 11 vitesh ka bërë një punë të jashtëzakonshme në krye të gazetës Dielli, sidomos me numrat special të Pavarësisë, pasi uroi shqiptarët kudo ndodhen për festën e Flamurit, bëri një retrospektivë nga Pavarësia te gjendja e vështirë e shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë. Z.Greca ndër të tjera tha: “Është një ditë e shënuar, dita e ngritjes së flamurit kuq e zi, e cila e ka zanafillën e saj që në  28 Nëntorin e vitit 1943 në fortesën e Krujës, ku Gjergj Kastriot Skënderbeu heroi ynë kombëtar lartesoi flamurin dhe shpartalloi garnizonin turk dhe vendosi atje flamurin kuq e zi të cilin dorë pas dore e trashëguan shqiptarët derisa e ringritën duke bërë përpjekje herë pas here. Gjurmët e Flamurit i gjejmë nëpër vite,ku shqiptarët e Amerikës e kanë që në 1908, e kanë çuar edhe në Shqipëri dhe janë kthyer prapë, ndërkohë që në 6 Prill 1911 malësorët tanë më në krye Ded Gjon Lulin e ringritën flamurin kuq e zi për të ardhur dita e madhe të ciles i paraprijnë edhe kryengritjet e Malësisë dhe të Kosovës të viteve 1910 -1911 dhe 1912. Shqiptarët qenë të pafat që atë Flamur ta kishin ngritur në Shkup dhe qe aty ta shpallnin Shqiperine e mosvarme nga Turqia. Për të ardhur tek data 28 Nëntor 1912, ngritja e Flamurit në Vlorë nga Ismail Bej Qemali, duke pase prane kreret nga e gjithe Shqiperia Etnike. Vatra ka meritën se e orientoi pavarësinë e Shqipërisë, orientoi edhe Kuvendin e Vlorës, duke qënë Faik Konica Kryetar i Vatrës në ato momente, pra në Nëntorin e 1912 ai do ti dergonte një telegram Kuvendit të Vlorës dhe do të kërkonte që Kuvendi i Vlorës dhe shqiptarëve në përgjithësi, orientojeni Shqipërinë nga perendimi, gjeni një Princ që të na vijë nga perendimi sepse 28 Nëntori e gjeti Shqipërinë aty ku ishte pa asnjë lloj infrastrukture, asnjë shkollë Shqipe dhe asgjë tjetër. Të tre armiqtë kryesorë të Shqipërisë ndër shekuj edhe sllavët,grekët e turqit, shkollën Shqipe e kishin halë në sy dhe nuk e lejuan gjuhen kombetare shqipe. Kjo ishte arsyeja që Konica orientonte që Shqipëria të kishte orientim perendimor. Fatmirësisht princi perendimor, princ Vidi erdhi por fat i keq ishte që iku para se të vinte. Qe në ato momente s’kemi më shtet shqiptar nga 1914 deri në vitin 1920. Kemi Vatrën tonë që i priu mbrojtjes së shtetit, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë” përfundoi editori i Diellit z.Dalip Greca. 

 Më tej fjalën e rastit për të uruar festën e flamurit e mori Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ai uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë. Kryetari Berisha deklaroi: “Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA uron të gjithë shqiptarët GËZUAR FESTËN E FLAMURIT. Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarsisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij. Në emër të VATRËS, vatranëve dhe diapsorës shqiptare në Amerikë, perzemersisht shpreh nderimet e mia më të thella, respektet më të veçanta dhe përuljen time ndaj çdo patrioti të nderuar që me veprimtarinë e tyre atdhetare e perpjekjet e pa ndalura, ne gëzojmë shtetin që kemi sot. Uroj të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet etnike që të festojnë me krenari e shpirtin plot 28 Nëntorin, ditëlindjen e shtetit shqiptar. Në këtë ditë nderimi dhe mirënjohje, ftoj të gjithë shqiptarët që të jemi më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më bashkëpunues me njëri-tjetrin që ta çojmë përpara drejtë përparimit, progresit, zhvillimit dhe lulëzimit atdheun tonë të bukur e të shtrenjtë. Jetojmë në kohë të vështira globale për shtetin dhe kombin tonë, ndaj lutjet tona në këtë moment shkojnë për të gjithë ata që kanë humbur jetën në përballje me pandeminë globale. VATRA do të mbështesë me çdo mjet dhe me çdo kusht Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në rajon dhe çdo shqiptar kudo në botë. VATRA do jetë çdo herë një zë unifikues dhe i fuqishëm dhe do të luftojë për Shqipërinë, Kosovën e çdo shqiptar. Vatra do të afrojë edhe më shumë patriotë, bij e bija të nderuar të Shqipërisë e Kosovës, intelektualë, duke bërë krenar çdo shqiptar për formacionin patriotik që do i bashkangjitet elitës shqiptare në VATËR. Bashkë do të jemi më të fortë. Ne do ta bëjmë atdheun tonë krenar çdo ditë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha viset shqiptare. Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Agim Rexhaj Presidenti i Nderit të Vatrës u shpreh: “Të nderuar dhe të dashur vatran, Kryetar i nderuar, zonja Sekretare , Kryeredaktor, Nënkretar, Anëtar dhe të gjithë ju të pranishëm me gjithë zemer ju uroj Gëzuar Festën e Flamurit, të 28 Nëntorit. Shfrytëzoj rastin të uroj dhe të përshëndes të gjithë vatranët që sot s’munden të jenë me ne, të gjithë vatranëve kudo që janë nëpër të gjitha degët e Vatrës. Në të njëjten kohë përshëndes dhe uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë, dashtë Zoti që shqiptarët në një të ardhme të afërt të jenë të bashkuar. Në këtë ditë kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për Pavarësinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve në të gjitha kohërat. Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë, Zoti e bekoftë Vatrën dhe vatranët, gazetën Dielli që e kemi gazetën më të vjetër në botën shqiptare më në krye Kryeredaktorin dhe zotin Sokol i cili po bën punë të mrekullueshme, stafin e tyre dhe të gjithë ata që kanë kontribuar dhe po kontribuojnë. Kjo gazetë në këto kushte edhe pse jemi në pandemi del rregullisht dhe sot ka dal me një numër mjaft special, dhe jam i bindur sepse që prej 11 vitesh Kryeredaktori ka bërë një punë të shkëlqyer. Edhe një herë ju përgëzoj për punën, ju përshëndes të gjithëve dhe Gëzuar Festën” u shpreh ai. Dr. Pashko Camaj, Nënkryetari i Vatrës, uroi në emër të të gjithë nënkryetarëve ku theksoi: “Gëzuar Festën e Flamurit të gjithëve. Vitin që vjen do ta festojmë pa maska. Situata e pandemisë do kalojë shpejt. Ishte një vit i vështirë me sfida. Vitin që shkoi kishim ditët e tmerrshme të termetit në Shqipëri. Ju uroj dhe përgëzoj të gjithëve për këtë festë shumë të rëndësishme. Uroj për të gjithë gëzim dhe të shohim përpara për të mirën e secilit prej jush dhe për të mirën e Vatrës e gjithë shqiptarëve kudo në botë” uroi Dr.Camaj. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu përkujtoi në ditën e Pavarësisë Nolin e Konicën: “Desha të them që bashkë me ne sot janë shpirtrat e Nolit e Konices, shpirti i Zotit Ndreu, i Kryetarit Karagjozi dhe i Zotit Zef Perndocaj. Qoftë në amshim shpirti i tyre dhe njëkohësisht gjithnjë pranë nesh për patriotizmin dhe për mundësinë që ata patën që të na e lënë Vatrën kështu siç e kemi. Faleminderit dhe Gëzuar Festën” uroi ajo. Ibrahim Kolari, anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Ju të gjithë që keni ardhur sot Gëzuar dhe dhashtë Zoti që vitin e ardhshëm ta festojmë më madhështore. Faleminderit që na keni ardhur dhe fjalët e bukura që thatë. Gëzuar Festën e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve” uroi ai. Luigj Gegaj, Kryetari i Unionit Mbarëkombëtar të të Përndjekurve Politikë dega Malësi e Madhe, deklaroi në Vatër për Pavarësinë: “Kam nderin të jem pjesëmarrës në këtë festë. Për shqiptarët është një festë jashtëzakonisht e madhe, është identiteti dhe pashaporta e shqiptarit. Më bëhet zemra mal që ju shoh të bashkuar dhe që as pandemia s’po mundet tju ndajë. Ju shpreh ngushëllimet familjarëve dhe Vatrës për disa vatranë që kanë humbur jetën nga Covidi. Të falenderoj ty Dalip për punën e palodhur, uroj Kryetarin për detyrën që ka marrë, është një detyrë shumë fisnike, më shumë se 1 shekullore, që ta përmbushni me sukses sepse është një mision i bekuar. Ju po mbani kulturen gjallë, po mbani shqiptarizmin gjallë  edhe ndonëse shumë larg amës, ju po e mbani gjallë. Ky është një akt shumë fisnik. Ju përshendes të gjithëve dhe Gëzuar” u shpreh ai. Të gjithë të pranishmit uruan e përgëzuan njëri-tjetrin në fund të takimit festiv përmbyllës për ditë më të bukura e më të lumtura për Vatrën, familjet e tyre dhe gjithë shqiptarët kudo në botë. 

Vatra falenderon z. Tony (Tush) Musaj, i cili sponsorizoi darken qe u shtrua me rastin e Festes, nderkohe pijet i sponsorizoi Kryetari Elmi Berisha.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: 28 nentori, Sokol Paja, Vatra festa

28 NËNTORI 2018- BOSTONI-NJË DITË KUQ E ZI

November 27, 2018 by dgreca

-Përkujtohet dita e Pavarësisë-/

1 a ngritja e Flamurit1 femije ne sfond1 alibeja e popull1 fuat festa1 prifti flet2 fjalimi 11 alibeja Petrit

Nga Fuat Memelli/

I ftohti , nuk i pengoi shqiptarët e Bostonit për të përkujtuar të dielën që kaloi, 28 Nëntorin, ditën e Pavarësisë. Ashtu si çdo vit, u mblodhën te bashkia e këtij qyteti. Veprimtaria u organizua nga Shoqata “ Mass. Besa”. Flamuj shqiptarë, shalle, shqiponja, plisa të bardhë, stema e simbole të tjera shqiptare, spikasin në këtë ditë të shënuar. Këto simbole nuk janë vetëm në duart apo  veshjet e tyre. Mbi të gjitha ato janë në zemrat e shqiptarëve, pasi siç ka thënë Volteri “Atdheu është vendi ku rrobërohet shpirti”. Në këtë mozaik ngjyrash, bie në sy familja e Vendim Lushajt me origjinë nga fshati Tërbaç i Vlorës. Që nga kryefamiljari e deri te më i vogli, të pesë pjesëtaret e kësaj familje, kanë me vete ngjyrat e flamurit. -Flamurin dhe shallet i kemi marë në Shqipëri, ndërsa shqiponjat i kam stampuar vetë, thotë Andi, djali i djali i Vendimit dhe Lumturisë. Petrit Alibej, një nga veprimtarët e palodhur të shqiptarëve të Bostonit dhe një nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie, është veshur me veshje tradicionale të Kosovës , si për të thënë :” Edhe unë jam me Kosovën.”Një grupi korçarësh që nuk i duken ngjyrat e flamurit, i pyes: -Ku i kini ngjyrat juve? Dhe ata nxjerrin nga xhepat çelsa me flamurin , stilolapsa ku është stampuar shqiponja, etj. Sheshi i bashkisë është stolisur me dy flamujt: atë shqiptar dhe amerikan. Shumë vetë shkojnë aty dhe bëjnë foto. Duan t’i kenë si kujtim nga kjo ditë jo vetëm për vete por edhe për t’ja dërguar njërëzve të tyre në Shqipëri, si për t’i thënë: ”Edhe ne festuam ditën e Pavarësisë.” Në shesh jehuan tingujt e flamurit amerikan. Më pas, ndërsa vzhdonte himni  shqiptar, kosovari Shemsi Shehu, ngriti flamurin tonë.

NE NA NGROH ZJARRI I DASHURISË PËR ATDHEUN

Pas himneve të flamurit amerikan dhe atij shqiptar, u bënë disa përshëndetje. Ata që flasin janë të moshave e profesioneve të ndryshme por të gjithë i bashkon 28 Nëntori i Pavarësisë, kur plaku Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë. Në fillim u lexua përshëndetje e kryetarit të bashkisë së Bostonit, zotit Marty Ëalsh. Pas uronnnte shqiptaro-amerikanët për 106 vjetorin e shpalljes se pavarësisë, ai vlerësonte kontributin në masë të madhe të këtij komuniteti për pasurimin e historisë, kulturës, biznesit dhe diversitetit të këtij qyteti. Pastaj e mori fjalën veprimtari i palodhur i shqiptarëve të Bostonit, Petrit Alibej, i cili foli për përpjekjet e popullit shqiptar që nga koha e Skënderbeut ,vazhdoi me Lidhjen Shiptare të Prizrenit nga e cila kanë kaluar 140 vjet. Më pas vlerësoi kontributin e burrave të shquar të kombit tonë, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina,Isa Boletini etj, për shpalljen e Pavarësisë. Në mbyllje të fjalës së tij ai recitoi vargje të poezisë së ….. të poetit Lefter Çipa: Nga kjo baltë e kësaj toke/mer një grusht e shtrydhe fort/pika gjaku do kullojë/ luftën e madhe tregon… Si të ishte një aktor profesionist, Guri Stefani recitoi plot pathos poezinë e famëshme te Nolit: “Himni i Flamurit”..” O flamur gjak/ o flamur shkabë/o vend e vatër/ o nënë e babë/ lagur me lot/djegur me flakë/ flamur i kuq/ flamur i zi…..Sami Hajdini, megjithëse i moshuar, nuk mungon asnjëherë në këtë ditë të shënuar. Ai recitoi vargje që i ka thurur vetë:- Folë moj shqiponjë, folë/ aty ngjitur në flamur/  gjithë botës i trego/ se ti shqipe s’plakesh kur’….Si një buqedë e veçantë lulesh, ishte përshëndetja e nxënësve të shkollës shqipe të Bostonit. Nën kujdesin e mësueses së përkushtuar, Vjollca Avrami si dhe mësueseve të tjera, fëmijët recituan poezi për flamurin, për Skënderbeun, etj. Kjo shkollë ka 40 nxënës dhe 5 mësuese. Këta fëmijë kanë lindur në Amerikë por të nxitur nga prindërit e tyre , vazhdojnë shkollën shqipe për të mos harruar gjuhën e të parëve. Peshkop Ilia Ketri, i kudondodhur në veprimtaritë e shqiptarëve të Bostonit , pasi bekoi flamurin tonë theksoi :” Sot është ditë e ftohtë, por ne nuk ngrijmë, se na ngroh zjarri i dashurisë për atdheun , për Shqipërinë tonë. Megjithëse jemi mijra km larg, dashuria e malli për Shqipërinë, nuk shuhen kurrë.” Në emër të shoqatës “Kosova’ përshëndeti veprimtari i palodhur i saj , Hafiz  Kabashi, ndërsa në emër të shoqatës “Çamëria” përshëndeti Vera Gjata.-Sot e kam ditë punë por nuk mund të rija pa ardhur t’ju përshëndes në këtë ditë të shënuar. Në emër të shoqatës Mas.Besa sivjet përshëndeti kosovari, Shemsi Shehu, i cili shquhet jo vetëm si veprimtar por edhe për shpirtin e tij të bamirësisë. Në fund e morën “fjalën” vallëtarët e grupit “Bashkimi Dance”. Ky grup ka mbi 20 vjet që është krijuar dhe ka dhënë shfaqje jo vetëm në Boston por edhe Neë York e  qytete të tjerë të Amerikës . Me vallëtarët bashkohen edhe shumë pjesëmarrës e kështu rrethi zgjerohet e i ngjan një vale të bukur deti.

SOLIDARITET

Në mbarim të veprimtarisë pranë bashkisë së Bostonit, shumë nga pjesëmarrësit shkuan në restorantin shqiptar “Alba”, me pronar shkodranin, Leonard keka. Krahas këngëve e valleve, pjesëmarrësit dhanë fonde për degën e Shodrës të Shoqatës së Invalidëve Para e Tetraplegjikë, të cilat kanë kushte të vështira. Nga kontributet e dhuruara nëpërmjet internetit si dhe atyre që u mblodhën te “Alba”, u grumbulluan gjithësej 3450 dollarë, që do dërgohen në Shkodër për shoqatën e mësipërme. Ky kontribut ka një simbolikë të veçantë, pasi u mblodh në prag të ditës së Pavarësisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 28 nentori, boston, Fuat Memelli

28 NËNTORI, NA RINDEZ ZJARRIN E ATDHEDASHURISË

November 22, 2017 by dgreca

1 Grup me Prift

-Veprimtari kushtuar ditës së Pavarësisë-/

1 edhe fuatiNga Fuat Memelli/Boston/(Shihni me shume fotografi ne FB-dielli Vatra/

Të parët që “ndezën“ këtë atmosferë, ishin besimtarët e Kishës “Shën Trinia”. Pas meshës së të dielës që kaloi, besimtarët e kësaj kishe si dhe shqiptarë të tjerë, morën pjesë në veprimtarinë përkujtimore kushtuar ditës së Flamurit. Në emër të bordit të kishës, përshëndeti kryetari Gjergji Nini. Pas lutjes së rastit, Hirësia e  tij, Peshkop Ilia Ketri, ftoi pjesëmarrësit të këndojnë së bashku himnin e Amerikës dhe atë të Shqipërisë. Si të ishte një kor i madh, gjithë pjesëmarrësit kënduan dy himnet, duke përjetuar emocione të veçanta. Pastaj Hirësi Ilia tha :” Rroftë Shqiparia!” “Rroftë Amerika”.

Pas këtij “prologu” si të thuash të veprimtarisë, pesë referues mbajtën fjalën e tyre për tema që lidhen me festën e 28 Nëntorit dhe historinë e Shqipërisë.  Siç theksuan edhe vetë referuesit, për materialet e tyre ishin bazuar në botime të studjuesve, historianëve, shkrimtarëve, gazetarëve , etj. Ia pari që foli ishte  , Jani Plasa. Ai u ndal në historinë e flamurit shqitar, origjinën e tij, idealeve që ai ka shprehur apo   mbart  në ditët tona , vlerave simbolike që ka ngjyra e tij e kuqe e ndezur dhe që lidhet me karakteristikat thelbësore të popullit shqiptar siç janë : trimëria, qëndresa dhe nderimi ndaj lirisë dhe gjakut që ai ka derdhur ndër shekuj. Me shumë interes pjesëmarrësit dëgjuan informacionet që ai solli rreth lashtësisë së përdorimit të figurës të shqiponjës në stema dhe flamurë që nga koha e shtetit të Arbërit, më tej prej Kastriotëve e princërve të tjerë  arbër dhe deri në kohët moderne , ndryshimeve që i janë bërë vizatimit të shqiponjës në periudha dhe sisteme të ndryshëm ekonomiko-politike ,vlerave  që ka shprehur dhe sjellë deri sot shqiponja, sic jane : pushteti por edhe guximi e lartësimi i shpirtit shqiptar. Një moment interesant gjatë leximit të shkrimit të vet, ishte kur ai shtroi pyetjen : “Cili ka qënë flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe kush ka qënë autori apo “pronari” i tij?” U përgjigj vetë folësi, duke sjellë mendime të ndryshme të studjuesve, disa herë kontradiktore .

Fuat Memelli në referimin e tij u ndal në historikun e himnit tonë Kombëtar. Siç dihet poezia e himnit është shkruar nga Asdreni në vitin 1908 ndërsa muzika është kompozuar nga kompozitori rumun Ciprian Porumbesku. Për herë të parë zyrtarisht himni ynë është pranuar nga Qeveria e Ismail Qemalit në vitin 1912. Siç ka shkruar Lasgush Poradeci “ kjo këngë e ngritur dhe kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptarë të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhëshëm”. Më tej Lasgushi duke vazhduar të flasë për himnin tonë, thekson …” kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer, vetë e dëshiroi ai ashtu , nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi “. Lidhur me tekstin e poezisë së Asdrenit, Lasgushi thekson:” është një akt e fakt etnikisht shqiptar” ndërsa Migjeni në poezinë kushtuar himnit të Flamurit, shkruan:” U vodh kënga nga zemra e kombit”. Lidhur me regjistrimin me nota të tij , ato ardhën të gatëshme nga Bukureshti në vitin 1908 dhe u kënduan me nota nga Banda e Lirisë së qytetit të Korçës, e përbërë nga 25 muzikantë. Regjistrimi për herë të parë në disk i himnit, është bërë në vitin 1923. Ai është kënduar dhe regjistruar nga muzikanti patriot Spiridon Ilo, së bashku me tenorin arbëresh me famë botërore, Giuseppe Mauro. Folësi u ndal edhe në tentativat e ndryshme që janë bërë për të krijuar një himn të ri me tekst e   muzikë  tjetër, por ato si të thuash nuk “ngjitën” në popull dhe kështu mbeti himni “Rreth flamurit të përbashkuar”.

Në vazhdim, Niko Dakua mbajti ligjëratën:” Kuptimi i tre fjalëve: Albëri, Albani, Shqipëri. Ai shtroi pyetjen: pse Atdheu ynë ka dy emra, emërtime të dyfishtë. I pari është Shqipëri dhe njerzit e saj quhen shqiptarë. Ky është si të thuash përdorim i brendëshëm , mes vetë shqiptarëve. Emërtimi tjetër është Albania (Allbenia) siç e përdorin të huajt për ne. Këto terma lidhen me lashtësinë e Atdheut dhe popullit tonë. Për këtë problem kanë shkruar dy studjues, Gustav Majer (gjerman) dhe Holger Pedersen (danez). Në mënyrë më të detajuar këtë problem e ka trajtuar Eqerem Çabej, i cili ka argumentuar me forcë dhe shkencërisht se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. Më hershëm e ka trajtuar këtë problem, qysh në shekullin e dytë pas Krishtit, është Ptolemeu, astronom dhe gjeograf i madh grek. Në hartën e botës greko-latine, që ai ka bërë e që njihej deri atëherë, Ptolemeu përmënd për herë të parë fisin ilir të Albanëve (Albanoi) siç e quan ai dhe qendrën e tyre, Albanofilis. Është provuar se ky vend gjendet në juglindje të Krujës. Aty sot ndodhet fshati Zgërdhesh.

Dardhari Sotir Pani, bazuar në librin e Mihal Gramenos “Kryengritja shqiptare” foli për udhëtimet e Mihal Gramenos e Çerçiz Topullit në zonën e Devollit, Korçës e Kolonjës. Ai u ndal në takimet që ata kanë bërë me popullin në fshatrat Çipan, Gjyres, Menkulas, Bozhigrad, Çetë, Qytezë e Sinicë të Devollit. Kur çeta e tyre ndodhej në Sinicë, u njoftuan se nga Bozhigradi po vinin turqit. Aty u ngrit një grua sinicare e tha: “ Le të vijnë turqit ta provojnë si luftojnë e si vdesin gratë e Sinicës”. Në teqenë e Melçanit kishin shkuar për të dëgjuar luftëtarët e lirisë banorë të qytetit të Korçës si dhe të fshatrave të këtij rrethi. Trimat dhe çeta e tyre kanë zhvilluar takime me popullin edhe në zonën e Kolonjës.

Në fund referoi Harallamb Prifti. Ai u ndal në ditën e fundit të jetës së Ismail Qemalit, që i përket vitit 1917. Ismaili ishte ftuar nga ish ministri i Jashtëm dhe kryeministri i asaj kohe të Italisë, por kur ai mbriti ditën e caktuar në Peruxhia, autoritetet i thanë se dy zyrtarët e lartë italianë, nuk kishin mundësi ta prisnin. Sipas tregimit të Ethemit, djalit të Ismailit, thënë ish kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, i ati doli të flasë në një konferemcë shtypi me gazetarë, por në moment nuk u ndie mirë, u zverdh dhe shkoi në banjë ku e hipën të vjellat. Më pas ai vdiq në moshën 75 vjeçare. Ishte data 23 janar, në po ajo datë që kishte lindur. Para se të ndronte jetë, i kishte thënë djemve:” Bijtë e mi. Unë nuk bëra pasuri t’ja le trashëgim Shqipërisë. Po ju le një atdhe amanet. Lamtumirë!” Trupi i tij u mbajt dy javë në Itali pastaj u soll në Vlorë dhe u varros në Kaninë, në fshatin e lindjes. Më 1932 trupi i tij u rivarros në qytetin e Vlorës. Është kjo një histori e trishtë për të cilën është folur e shkruar , theksoi Harallamb Prifti.

Në këtë veprimtari pjesëmarrësit vzituan edhe dy ekspozita, atë të filatelistit të njohur, Jani Plasa si dhe atë të piktorit, Sterjo Shkodrani. Të pranishmit panë me kureshtje dhe shijuan vlerat shkencore, historike , estetike te ekspozites   “Flamuri dhe shqiponja ”  te përgatitur nga Jani Plasa. Ekspozita përmbante   rreth 20  fotografi të disa dokumenteve që  shënojnë çaste të rëndësishme të shpalljes së Pavarësisë dhe flamureve shqiptarë të përdorur me ndryshime të vizatimit të shqiponjës ndër dekada në 30 panele me  rreth  200 pulla poste shqiptare dhe më pak të huaja , 15 F.D.C.( zarfe të ditës së parë) si edhe 2 panele  me monedha e kartmonedha shqiptare me figurën e shqiponjës.

Me një fotografi para flamurit shqiptar dhe atij amerikan, u mbyll kjo veprimtari kushtuar ditës së Pavarësisë, nismëtar i të cilës ishte Peshkop Ilia. Ajo do të pasohet me veprimtari të tjera këtu në Boston. Ne emigrantët, sa herë mblidhemi të përkujtojmë ngjarje të shënuara të popullit tonë, mbushemi me emocione, pasi na duket sikur kemi mes nesh një “copëz” Shqipërie, për të cilën na djeg malli. Na duket sikur na rindizet zjarri i atdhedashurisë e patriotizmit.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 nentori, E ATDHEDASHURISË, Fuat gemelli, NA RINDEZ ZJARRIN

28 NENTORI SI REFLEKTIM

November 30, 2016 by dgreca

Kreu i Shtetit shqiptar ua ka uruar të gjithë bashkatdhetarëve 104-vjetorin e Ditës së Pavarësisë: Gëzuar Festën e Flamurit Kombëtar!/

Presidenti i Republikës, Sh. T .Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani dhanë sonte në darkë në Pallatin e Brigadave, pritjen zyrtare me rastin e Festës Kombëtare, Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit, në të cilën ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Qeverisë, ish-Presidentë, ish-kryeministra, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, artistë, intelektualë, familjarë të nënshkruesve të Aktit të Pavarësisë si dhe bashkatdhetarë të shumtë.

Në vijim përshëndetja e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

“I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,

I nderuar zoti President i Kosovës,

Të nderuar ish-Presidentë, ish-kryeministra,

Të nderuar autoritete të Shtetit Shqiptar,

Shkëlqesi Ambasadorë,

Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Bashkësive Fetare,

Të nderuar autoritete vendore,

Të dashur bashkatdhetarë kudo ndodheni,

Zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar!

E përjetoj si privilegj të madh dhe nder të veçantë që në cilësinë e Presidentit të Republikës në këtë ditë të shënuar për kombin tonë të uroj të gjithë bashkatdhetarët tanë: Gëzuar Festën e Pavarësisë kombëtare! Gëzuar Festën e Flamurit! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Si sot më 28 Nëntor 1912, pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori mes luftrash, kryengritjesh, rreziqesh e sfidash ekzistenciale, mes kujtimit të mijëra dëshmorëve e gjakut të derdhur, Rilindja e vërtetë shqiptare mbërriti në apogjeun e vet! Si kurrë më parë e shkuara dhe e ardhmja, gegë e toskë, të gjallë e të vdekur ishin pranë njëri-tjetrit në atë ditë të shenjtë rreth Ismail Bej Vlorës për të përmbushur vullnetin e një populli të lashtë për liri, pavarësi e shtetformim. Nder përjetë Atit themelues! Nder përjetë Rilindasve të mëdhenj të kombit! Nder përjetë luftëtarëve dhe dëshmorëve të këtij procesi që bëri të mundur kalimin e shqiptarëve drejt modernitetit, kthimin e tyre në shtëpi, në gjirin e kontinentit që i përkasim që kur zë fill jeta, kthimin në familjen evropiane. Do të na mbetej peng në ndërgjegje nëse sonte vëmendjen nuk e kthejmë me mirënjohje edhe ndaj Vilhelm Vidit, Princit evropian të Shqiptarëve!

Po ashtu do të mbeteshim peng të historisë së ideologjizuar komuniste nëse nuk e kthejmë edhe formalisht Mbretin Zog, këtë burrë të ndritur të kombit shqiptar, shtetformues e konsolidues i tij, atdhetar e politikan i klasit të lartë në panteonin e vlerave të ndritura të kombit. Nder përjetë kujtimit të tyre!

Kanë kaluar 104 vjet nga dita e shenjtë, 104 vjet histori e shtetit shqiptar në të cilën reflektohen të gjitha virtytet dhe cenet tona, të gjitha ëndrrat dhe aspiratat e idealistëve, qëndresa dhe fataliteti, liria dhe tirania, lufta dhe paqja, diktatura dhe antikomunizmi, pluralizmi dhe demokracia, tranzicioni dhe integrimi! Gjatë fundit të kësaj periudhe, problemi shqiptar në Ballkan ka gjetur zgjidhje duke i dhënë paqe e stabilitet rajonit. Pavarësia dhe demokracia e Kosovës janë një provë dhe realitet i patjetërsueshëm i këtij fakti. Nga kjo sallë ceremoniale përftitoj nga rasti të përshëndes të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, ata në Diasporë i bindur se Flamuri Kombëtar na mbështjell të gjithëve si identitet i patjetërsueshëm.

Të nderuar të pranishëm,

Gjatë historisë ne kemi pasur sukses të gjitha ato herë kur jemi treguar bashkëpunues me njëri-tjetrin! Nuk e kemi pasur atë sa herë jemi treguar egoistë, sa herë i jemi kundërvënë ashpër njëri-tjetrit për interesa të ngushta pushteti, sa herë kemi vendosur partinë mbi Shqipërinë, sa herë kemi braktisur vullnetin e popullit për pushtetin e individit, sa herë kemi vendosur dhunën e forcës mbi forcën e arsyes, sa herë kemi cenuar standardet demokratike. Fjala e lirë është arritja jonë e madhe. Duhet ta ruajmë atë me çdo çmim.

Gjatë këtij viti kanë ndodhur disa ngjarje të mëdha për të na kujtuar të gjithëve ne se ende nuk jemi ndarë plotësisht nga e kaluara komuniste. Shenjtërimi i 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare nga Papa Françesku na nxit për të reflektuar! Shteti shqiptar duhet të gjejë sa më parë formulën për t’i shpallur ata dhe të gjithë viktimat e diktaturës të pafajshëm. Ne kemi nevojë të konservojmë kujtesën e rezistencës antikomuniste, ta bëjmë pjesë të kurrikulave shkollore dhe të dënojmë krimet pa thënë “ndoshta e sikur” dhe jo t’i relativizojmë ato duke e shndërruar historinë në folklor e folklorin në histori. Ne duhet të nxëmë nga historia dhe jo të vazhdojmë manipulimin e saj.

Kurrë më shumë se sa sonte mund të shpreh kënaqësinë e madhe, timen personale, por edhe të të gjithë shqiptarëve për atë që ndodhi më 4 shtator në Sheshin Shën Pjetër. Shqiptarët tashmë kanë Shenjtoren Terezë. Në çdo situatë nuk duhet të harrojmë se jemi populli i saj.

Të dashur miq!

Në 26 vjet ne kemi shënuar përparim të madh duke pasur parasysh pikën e nisjes. Por nuk kemi mbërritur ende aty ku dëshirojmë, aty ku mundemi dhe kemi vullnet. Pengesa subjektive, të cilat shpesh i krijojmë vetë, na zënë rrugën nganjëherë. Në korrik të këtij viti Parlamenti shqiptar me një konsensus historik bëri ndryshimet kushtetuese duke mundësuar nisjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Personalisht kam bërë çdo gjë që ky proces të jetë sa më efikas dhe në shinat e kushtetueshmërisë. Drejtësia mbështetet në ligj dhe ligji është i barabartë për të gjithë. Nuk ka drejtësi as mbi ligjin e as nën ligjin.

Zonja dhe zotërinj,

Edhe viti që po lemë pas ka qenë i mbushur me sfida për paqen, sigurinë dhe vlerat njerëzore, duke sjellë nevojën për një përgjigje më të shpejtë e të koordinuar. Shqipëria ka qenë plotësisht e rreshtuar në krah të aleatëve dhe partnerët e saj strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në përballjen me sukses të këtyre sfidave, qoftë ndaj terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, e udhëhequr nga respekti për liritë dhe të drejtat themelore, zbatimi i ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Shqipëria tashmë është një faktor dhe aktor aktiv e i pazëvendësueshëm në kontributet për bashkëpunimin, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin rajonal. Ajo është anëtare e të gjitha organizatave rajonale të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë e të madhe marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe me rajonet e tjera të botës.

Me ndjenjë krenarie iu referohem shpesh partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e vlerësojnë lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në dobi të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sot rajoni i Ballkanit Perëndimor ka hyrë në një fazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimit. Agjenda e integrimit evropian mbizotëron bashkëpunimin mes të gjitha vendeve të rajonit.

Gjithashtu, Pavarësia e Kosovës demonstroi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por një vendim, i cili i shërben një të drejte të mohuar të popullit të Kosovës.

Të nderuar miq,

Kontributin tonë në NATO dhe perspektivën evropiane të vendit, më shumë se çdo gjë tjetër, i kemi parë dhe i shohim si përgjegjësi. Integrimi evropian ka qenë kurdoherë zgjedhja e klasës politike dhe qytetarëve shqiptarë dhe jo një vendim i imponuar nga rrethanat apo kushtet. Si e tillë ai është dhe do të mbetet gjithmone alternativa jonë e vetme. Në këtë optikë, funksionimi i konsoliduar i shtetit ligjor, maturimi në politikëbërje në standardin evropian, ndërtimi i një kulture politike bashkëpunuese e konsensuale, përqendrimi në plotësimin e 5 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë dhe angazhimi më aktiv civil janë sfida aktuale të vendit. Hapja sa më parë e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian do të jetë hapi tjetër cilësor që do na çelë derën për të ecur në udhën e gjatë të reformave edhe më të thella, e ndoshta më të dhimbshme, por të domosdoshme për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ajo që mbetet pjesa thelbësore e këtij procesi është angazhimi, përkushtimi dhe veprimi i pandalshëm i shoqërise shqiptare dhe aktorëve të saj në përmbushjen e standardeve të kërkuara. Jam i bindur se shqiptarët nuk do të lodhen kurrë në këto përpjekje dhe në këtë rrugëtim.

Të dashur bashkatdhetarë,

Periudha në vijim është një periudhë me dy prioritete të mëdha: zgjedhjet e lira e të ndershme që do të zhvillohen në qershorin e ardhshëm dhe lirimin e vendit nga kanabisi, kjo murtajë që rrezikon të sotmen dhe të nesërmen, ne dhe fëmijët tanë, politikën dhe shtetin, demokracinë dhe integrimin.

Në cilësinë e Presidentit të Republikes i ftoj të gjitha palët politike në vend që sa më shpejt të bëjnë reformën zgjedhore, një reformë kjo që t’u përgjigjet zhvillimeve në vend duke korrigjuar defektet dhe konsoliduar infrastrukturën zgjedhore! Vendi e ka të pamundur të ballafaqohet me zgjedhje të cenuara e të kontestuara. E kemi jetike nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme. Unë shpreh besimin tim se Shqipëria dhe shqiptarët dhe të gjitha institucionet do të dinë të ngrihen në lartësinë e sfidave të bashkohësisë duke bërë më të mirën për sot dhe për nesër, për vete dhe për brezat.

Gëzuar Festën e Pavarësisë! Rroftë Flamuri ynë kuq e zi! Zoti i bekoftë shqiptarët dhe Shqipërinë!”

Filed Under: Histori Tagged With: 28 nentori, presidenti Nishani, si reflektim

Kosovë-28 Nëntori ende “ditë memoriale”….

November 23, 2016 by dgreca

-…pushim me vendim të qeverisë/

-Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë/

-Qeveria 2 javë para 2 vjetorit  zhvillon mbledhjen e 117-të, ku vendosi ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016/2-prizren-11janar2014-foto-behlul-jashari-1

3-prishtine-3-qershor-2016-foto-behlul-jashari-1

– Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/

1-qeveria-kosove-16-nentor-2016

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 23 Nëntor 2016/ Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që dita e festës së 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, pasi ende nuk është me ligj.“Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë”, theksohet në njoftimin e dërguar.Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale”  e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i Pavarësisë Shqiptare të shpallur në Vlorë në 12 Nëntor 1912.Në 7 maj të vitit 2015, në Kuvendin e Kosovës, në pasditën e ditës së dytë të punimeve të seancës plenare treditëshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, pas debatit e shtyrjes së votimit, u hodh në votim, por nuk kaloi.

U votua derisa në sallë ishin 72 deputetë, nga të cilët 50 ishin pro, 20 kundër e 2 abstenuan, ndërsa për t’u miratuar duheshin së paku 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, nga të cilat së paku 11 nga 20 deputetët e komuniteteve pakicë.Më herët, në punimet e paraditës së seancës së Kuvendit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës nuk u hodh në votim sikur edhe pasditen e një dite më parë pas shqyrtimit të parë, pasi nuk kishte kuorum.“Pse nuk po votohet, të thuhet publikisht e vërteta, le të dihet”, pyeste dhe kërkonte përgjigje Lëvizja Vetëvendosje – subjekti më i madh opozitar.

Pas kësaj pyetje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,  përgjigjej se,  “duke u bazuar në nënin 81, amendamenti 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve me interes vital, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe  shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vendet e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë në shumicë”.“Kjo ishte edhe aryeja, pasi nuk kishim asnjë përfaqësues të Listës Serbe, pse nuk e proceduam sot votimin”, shtonte kryeparlamentari kosovar gjatë punimeve të paraditës të seancës së Kuvendit të Kosovës në 7 maj të vitit të kaluar.Gjatë debatit në punimet e  seancës plenare të Kuvendit, shumë nga deputetët kërkonin që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,  zhvilloi sot mbledhjen e 117-të të rregullt, të 49-ën në 2016-tën. Që nga 9 tetori i këtij viti Lista Serbe ka njoftuar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës, ku përfaqësohet me një zëvendëskryeministër e dy ministra, dhe vazhdon me mungesat në mbledhje si kundërshtim miratimit të Ligjit për Trepçën.

Pika e parë që mori mbështetjen e qeverisë në mbledhjen e sotme ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilës parashihet ndryshimi i afatit kohor për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ndërsa u propozua që të tërhiqen këtë vit nga plani legjislativ këto ligje: Ligji për Konfliktet Administrative; Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbyesit Civilë; Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Pagat që realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; Projektligji për Fondet Investive, Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore si dhe Projektligjin për Ndryshimin e Kodit Doganor.

Në mbledhje u tha se, pas bisedimeve që janë zhvilluar, Projektligji për Pagat mund të procedohet këtë vit, u bë ftesë që të përgatit sa më shpejtë që është e mundur dhe u paralajmërua se do të quhet projektligj për pagat në sektorin publik.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, pas pak më shumë se dy javësh mbushë dy vjet të punës që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Dy muaj para përfundimit të këtij viti, në 31 tetor, qeveria ka proceduar Projektligjin për buxhetin e shtetit të Kosovës për vitin 2017, ku është paraparë një buxhet zhvillimor prej mëse 2 miliardë euro, por ky projektligj ende nuk është në axhendë seance plenare të Kuvendit, i cili do mblidhet në seancë të re në 30 nëntor, sipas vendimit të mbledhjes së  Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, të mbajtur në mbrëmjen e 17 nëntorit pas tre takimeve me mungesa kuorumi. Kryesia u mblodh në fund të ditës kur në Kuvendin e Kosovës punimet e  vazhdimit të seancës plenare të 28 tetorit, të ndëprprerë në mungesë kuorumi, janë përmbyllur përsëri me mungesë kuorumi.

Të hënën e 21 nëntorit edhe mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa u ndërpre në mungesë kuorumi. Propozimi i kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, që Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 të hiqet nga rendi i ditës dhe të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës, bëri që përfaqësuesit e opozitës në Komision të braktisin mbledhjen. Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nga PDK.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 28 nentori, Behlul Jashari, dite memoriale, pushim nga qeveria

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT