• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MIJËRA BASHKATDHETARË NË SHBA E FESTUAN ME VATRËN 28 NËNTORIN, DITËN E FLAMURIT KUQ E ZI

December 2, 2015 by dgreca

Vetëm në festimet që organizoi Dega e Vatrës në Tampa & Clearwater morën pjesë më shumë se 500 bashkatdhetarë, qindra te tjere ne Orlando e Jacksonville, ndërsa në të gjithë shtetin e Floridës festuan me Vatrën rreth 1300 bashkatdhetarë, 550 vete ne Nju Jork, disa qindra ne Hartford CT, Washington, Toronto etj./

….Përvec festimit të darkës tradicionale solemne, që organizoi Federata Panshqiptare e Amerikës në Nju Jork, në vijim të traditës 103 vjecare, edhe degët e saj nëpër shtetet e Amerikës u bënë organizatore të kësaj feste.Degët e Vatrës në bashkëpunim edhe me shoqatat që veprojnë në komunitetin e shtetit të Floridës, organizuan festime masive. Festime u organizuan edhe në Washington, Hartford CT, Toronto, por vecanërisht tërhoqën vemëndjen festimet në Shtetin e Floridës, ku veprojnë katër degë të Vatrës, dhe ku morën pjesë më shumë se 1300 bashkatdhetarë. Tri prej tyre organizuan manifestime të vecanta sipas rajoneve ku jetojnë. E para ishte dega e Orlandos që i nisi festimet me 25 Nëntor, me 27 nëntor ishte dega e Vatrës në Tampa Clearwater, dhe me 28 Nnëtor Dega e Vatrës në Jackasonville. Dega e Vatrës në Tampa – Clearwater, kishte më shumë se 500 pjesmarrës informoi dega e atjeshme e Vatrës. I urojmë të gjitha degët e Vatrës, duke shpresuar se veprimtaritë e tyre do të jenë intensive edhe në të ardhmen, duke vënë në qendër të punës së tyre veprimtaritë Kombëtare, ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe traditave Kombëtare, duke luftuar për bashkimin e komunitetit.(Në Foto: Pamje nga Festa në Tampa-Clearwater)

Filed Under: Vatra Tagged With: 28 nentori, Deget e Vatres, Dita e Flamurit, festa, ne Florida

GËZUAR DHE PËR SHUMË VJETË 28 NËNTORI

November 26, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Bota që kur është zenë, Shqipëria gjallë ka qënë, ka thënë Naim Frashëri. Dhe gjithnjë gjallë do të jetë! 102 vjetë Shqipëri! Më në fund në liri! Shpallja e Pavarësisë është festa më e madhe e çdo kombi, e sidomos për Shqipërinë dhe për shqiptarët, ndonëse ajo erdhi pas disa shekuj nën Perandorinë osmane, pushtimesh të huaja dhe vuajtjesh të mbrendshme. Gjatë gjithë historisë, kombi shqiptar i qëndroi besnik trashëgimisë së vet kombëtare duke kundështuar dhe duke luftuar armiqët dhe pushtuesit që donin t’a zhduknin nga faqja e dheut.
Ëndërra shekullore për liri që digjte në zemërat e shqiptarëve, më në fund u realizua më 28 Nëntor, 1912, kur kombit shqiptar, ngritja e Flamurit kuq e zi të Gjergj Kastriotit-Skënderbe në Vlorë, i gëzoi sytë dhe zemrën shqiptarëve kudo. Fatkeqsisht ky gëzim nuk zgjati shumë, pasi kombi shqiptar u gjetë prap, para një historie fatzezë të shekullit të kaluar, histori e cila ka lënë plagë të rënda në trupin e kombit që sot e kësaj dite ia kanë ngadalësuar hovin drejtë një të ardhme më të mirë. Por festa kombëtare e 28 Nëntorit duhet të shërbejë si një frymëzim dhe burim fuqie, megjithëse njerzit mund të ndjehen të lodhur dhe të zhgënjyer sidomos nga çerek shekulli i kaluar, 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit. Por, megjithkëtë nuk duhet harruar se kombi shqiptar mbijetoi regjimin më të egër komunist në Europë dhe se gjatë gjithë historisë është përballur me probleme të llojllojshme dhe tragjedi të vështira, e që më në fund ia ka dalë qëllimit.
Por, mjaftë me të kaluarën e vështirë! I takon këtij brezi të shqiptarëve, të kësaj klase politike në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha trojet autoktone në Ballkan, që më në fund—të lënë mënjanë, të heqin dorë njëherë e mirë nga dallimet dhe interesat vehtjake dhe partiake dhe të shikojnë drejtë interesave të përbashkëta, me qëllim që të ndërtohet një bashkësi vëllazërimi dhe të ideali kombëtar, ashtu siç e donin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Isa Buletini e tjerë, në vitin 1912. Është përgjegjësi morale e këtij brezi që të bëjë ç’mos që të fillojë përpjekjet për të krijuar bazën e një bashkjetese — besë e bashkim me njëri tjetrin — për një komb ashtu siç e këndonin Naim Frashëri, At Gjergj Fishta dhe të tjerë. Kurrë më parë në historinë e tij, kombi shqiptar nuk ka qenë në gjëndje më të mirë dhe më të përshtatshme se ç’është tashti që të harmonizojë dhe bashkrendojë mundësitë dhe aftësitë e veta për krijimin e një shteti modern, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në përputhje me interesat kombëtare, në përshtatje të vlerave perëndimore dhe në bashkpunim me organizmat euro-atlantike.
Në këtë mënyrë dhe në këtë ditë të lavdishme të historisë së kombit shqiptar, ju që sot kini privilegjin dhe nderin të keni në duarët tuaja frenat e fatit dhe të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm që me një bashkpunim më të ngusht politik do të nderonit Atdheun dhe lavdinë e atyre patriotëve që shpallën Pavarësinë e kombit shqiptar më 28 Nëntor, 1912 – por njëkohsisht do të ringjallni ndjesitë dhe shpresa të reja për një rilindje të vërtetë për mbarë kombin shqiptar, si pjesë e asaj familjeje të madhe trako-ilire, që sipas At Gjergj Fishtës, ishte “në nam e në za në historinë e fiseve dhe të kombeve”. Ka ardhur koha që kombi shqiptar, me nder e krenari, përsëri, të zejë vendin që meriton dhe që i takon në radhët e fiseve dhe të kombeve të lira dhe të përparuara.
Ky brez i kësaj klase politike që sot është në krye të kombit shqiptar, duhet të jetë i vetdijshëm se këtë borxh ia kanë atij brezi patriotësh të zgjedhur të kombit, të cilët — nën rrethana shumë më të vështira se sot — gjetën mënyra bashkpunimi me njëri tjetrin për t’i hapur kombit shqiptar rrugën e lirisë si dhe ditë fatlume të pavarësisë, që gëzon sot kombi shqiptar në dy shtete. Njëkohsisht, ata i kanë borxh edhe brezave të ardhëshëm që të mos shkelen dhe mos të nepërkëmbet mundi, djersa, sakrificat dhe parimet e Rilindasve që i dhuruan kombit pavarësinë!
Të pakën kjo është dëshira ime e sinqert nga Amerika e largët dhe besoj e shumë shqiptarëve kudo në botë.
Për shumë mot e gëzuar 28 Nëntorin, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 nentori, Frank shkreli, Gezuar

Presheva me protestë e Flamur shënon Ditën e Pavarësisë

November 28, 2013 by dgreca

Preshevë, 28 nëntor – Në Preshevë për Ditën e Flamurit është mbajtur mbledhje solemne e Kuvendit të Komunës. Njëkohësisht liderë lokalë dhe qytetarë kanë mbajtur një tubim protestues. Në ndërtesën e Kuvendit që nga mëngjesi, krahas flamurit të Serbisë, ka valëvitur flamuri i Shqipërisë është vënë një pankartë e zezë me mbishkrimin “Na e ktheni përmendoren”.

Në mbledhjen e Kuvendit është intonuar himni kombëtar dhe me një minutë heshtje janë nderuar të rënët e UÇPMB-së, njofton B92.
Shkas për protestë është ndalimi i përdorimit ë flamuri kombëtar dhe të simboleve të Shqipërisë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc si dhe me problemet tjera të sapo zgjidhur të shqiptarëve të Luginës ka thënë Ragmi Mustafa, kryetar  komunës së Preshevës.

***

Përfaqësues politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës i kanë dërguar letër kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq dhe zëvendësit të tij Aleksandar Vuçiq, njofton Fonet.Në letër konstatohet se është i pakuptimtë vazhdimi i dialogut të filluar rezultatet e të cilit do të ishin ato të shifrave të mangëta nga regjistrimi i vitit 2011.
“Zgjidhja ligjore që Preshevën e lë pa Gjykatë Themelore dhe pa Gjykatë Kundërvajtje e Bujanocin pa Prokurori Themelore e Gjykatë Kundërvajtje, rrezikon seriozisht interesat e popullatës shqiptare”, theksohet në këtë letër.
“Si përfaqësues politikë të shqiptarëve, nuk mund të pajtohemi me konfiskimin e më shumë se 5000 librave donacion i Kosovës, me zvogëlimin e 30 për qind të buxhetit të Këshillit Kombëtar gjatë vitit 2013 si pasojë e zbatimit të shifrave të mangëta të plota të regjistrimit si dhe zvogëlimin e qëllimshëm të mjeteve transfer  për këto komuna nga projektbuxheti i Serbisë për vitin 2014 që vështirësojnë administrimin lokal dhe Këshillin kombëtar”.
Në letër përkujtohet se në marsin e këtij viti është nisur procesi i ri politik që ka pasur për qëllim përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës kanë hartuar një dokument shtatë pikësh të quajtur Platformë e masave urgjente për afirmimin të drejtave të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës”.
Qeveria e Serbisë, pas analizës së dokumentit e ka cilësuar të pranueshëm dhe se në bazë të këtij dokumenti duhet nisur dialogun me  përfaqësues politikë të shqiptarëve, theksohet në letër dhe shtohet se në takimet e tyre me Ivica Daçiqin e Aleksandër Vuqçiqin “ishte krijuar atmosfera e optimizmit se kjo Qeveri do të fillojë seriozisht të merret e të zgjidhë probleme me të cilët ndeshen shqiptarët dhe në takim ishte arritur pajtimi që për çdo pikë të dokumentit të organizohen takime me përfaqësues të resorëve ministrorë”.
“Në një atmosferë korrekte dhe premtuese ka kaluar takimi me ministren e Shëndetësisë Slavica Gjukiq – Dejanoviq, në të cilin u dëshmuan kërkesat e përfaqësuesve të shqiptarëve nga fusha e shëndetësisë”.
Megjithatë, që në takimin tjetër me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe pas miratimit të Ligjit për selinë dhe rajonet e gjyqeve e të prokurorive, krahas refuzimit të pesë (të gjitha) amendamenteve të deputetit Riza Halimit, rrezikon seriozisht jo vetëm optimizmin e filluar, por edhe procesin e nisur, theksohet në letër.
Zgjidhja e re ligjore për gjyqet nuk është garanci e mjaftueshme që do të mundësojë pjesëmarrje proporcionale të shqiptarëve në institucionet gjyqësore.
Rrjeti i ri gjyqeve aspak nuk e ndryshon mundësinë e qytetarëve të këtyre komunave për qasje më të lehtë në drejtësi. Është e papranueshme kjo zgjidhje juridike si pasojë e zbatimit të shënimeve të paplota të regjistrimit të vitit 2011, sipas të cilit në Preshevë janë regjistruar vetëm 416, në Bujanoc 244 e në Medvegjë 521 shqiptarë, që është në mënyrë të pakrahasueshme më pak se 57.595 shqiptarë në këto komuna sipas regjistrimit të vitit 2001, i tërhiqet vërejtja Daçiqit dhe Vuçiqit në këtë letër.
Po ashtu theksohet se shkelja e afateve të premtuar (korrik 2013) nga takimet e filluara për gjetje të zgjidhjes së pranueshme për Përmendoren në Preshevë dhe për Memorialin e Xhandarmërisë në Lluçan (Bujanoc) “hedh hije dyshimi në qëllimet që problemet të zgjidhen seriozisht “, thuhet në letër, citon FoNet.
Situatën e komplikon edhe më shumë vdekja e pasqaruar e Reshat Bajramit në burgun e  Vranjës, ndaj duhet që ky rast tragjik të zbardhet në mënyrën më objektive, përfundon letra e liderëve shqiptarë të Luginës të cilën e kanë nënshkruar Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë  (PDD), Ragmi Mustafa, kryetar i komunës së Preshevës dhe kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve(PDSH), Nagip Arifi, kryetar i  komunës së Bujanocit dhe kryetar i Partisë Demokratike (PD), Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar të shqiptarëve, Jonuz Musliu, Kryetari Kuvendit komunal të Bujanocit dhe i Lëvizjes për Progres demokratik (LPD), Ramiz Latifi, kryetar i Kuvendit komunal të Preshevës, Skender Destani, Rahmi Zulfiu, dhe Shaip Kamberi.

Filed Under: Featured Tagged With: 28 nentori, Lugina e Presheves

28 NËNTORI SHPALLJA E PAVARSISË DATË EMBLEMATIKE NË MEMORIEN E KOMBIT

November 27, 2013 by dgreca

Shkruan

Shkruan:Eugen SHEHU

  28 nëntori i vitit 1912,do të mbetet për ne shqiptarët si një kryedatë e pamortshme.Ajo do të shërbejë kurdoherë për ne si një tempull në pragun e të cilit,përpara se të hyjmë do të dëgjojmë sigurisht gjëmimet shekullore të historisë.Paskëtej pas trokitjes sonë në këtë tempull,do të na shfaqet e madhërishme ajo epope të cilën e quajmë ende sot “Mëvehtësia e Shqipërisë”. 28 nëntori i vitit 1912 tregoi tek e mbramja se populli ynë edhe pse i robëruar nëpër shekuj,nuk ishte pajtuar me këto robëri në dejet tonë zgjohej liria,në shpirt,kuraja dhe guximi i madh për sakrifica e sublime. Se sa është dimensioni i saj tek e fundit u provua me rastin e 100 vjetorit një hegjemonizim i paparë i kombit tonë , sikur tu rrëfente pushtuesve dhe armiqëve tanë që nga ajo kohë e gjerë më sot dhe në të ardhmen se dimensioni patriotik e atdhetar i shqiptarëve është i pashuar i një trupi që i mungojnë gjymtyrët e prera padrejtësisht dhe dinakërisht,ishin mesazhet e përcjella nga Vlora, Prizëreni e Shkupi se Kombi ynë nuk do ti flakë tapitë e përgjakura për pronat që na i ka falur Zoti.

 SHTEGU NGA VINTE DATA 28

 Mendoj se në këtë shteg,të parat hapa i hodhën burrat e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Iljaz Pashë Dibra,Abdyl Frashëri,Jakup Ferri,Sulejman Vokshi,Ymer Prizëreni ideuan pavarsinë e trojeve arbërore.Guximi i tyre i pashoq,në thelb do të ishte zjarri i pashuar i shqiptarizmës,do të ishte klithma e lirisë në muzgun e gjatë.Hapat e tyre të parë,do të ftonin në këtë rrugë të gjatë e të vështirë,krejt ata shqiptarë në zemrat e të cilëve rilindete ideali i shenjtë i mëvehtësisë.Ata ishin të parët.Pas hapave të tyre ngarendën me mijëra që nga Plava në Prevezë,që nga Vlora e në Mitrovicë nga Shkodra e në Shkup.Gjaku i lidhte shqiptarët jo vetëm nëpërmjet shungullimave të historisë por sidomos në emër të së ardhmes që trokiste.Në qershorin e vitit 1911,në Gërçe u firmos prej krerëve të Malësisë së Shkodrës e Kosovës memorandumi i cili do të merrte më pas emrin e vetë Gërçes.Aty Ded Gjo Luli e trimat që e rrethonin,bashkuan gjokset dhe pushkët duke treguar tek e mbramja se ndryshimet e mëdha do të vijnë përmes ideve,shpresave por edhe flijimeve të mëdha. Kërkesat e memorandumit të Gërçes ishin ultimative dhe krejtësisht të shprehura për “Mëvetsinë e Shqipërisë”.Ato kërkesa suallën përshtjellime të mëdha në rrjedhat politike të Portës së Lartë e cila mbante peng lirinë e popullit tonë në saj të manipulimeve dhe qëllimeve të vërteta të Fuqive të Mëdha si edhe interesave të tyre në Ballkan.Por zgjimi me krisma tashmë kish pushtuar krejt Kosovën.Isa Bolentini në krye të trimave të tij,po merrte pëllëmbë për pëllëmbe tokën e shenjtë të Mitrovicës.Kalaja e tij,atje në Boletinin e largët ishte kthyer në bastion të patundur.Mbi supet e atyre kullave ranë rrëbeshet e topave dhe predhave të Xhavit Pashës.Muret u rrënuan po thmelet mbetën.Brenda imazhit të atyre themeleve,brenda atij zjarri dhe hiri të mbetur,gjalloi kurdoherë pema e lirisë.Sythet e kësaj pene kanë në farën e tyre hovet e jetës shqiptare.

Ndërkaq në Shkup,Hasan Pristina,Nexhip Draga,Sali Gjuka e Bajram Curri,kanë firmosurr një peticion ku i drejtohen Evropës se lufta e shqiptarëve nuk bëhet për hesap të askujt,veç të pavarsisë të trojeve arbërore.Tashmë edhe Evropa duhej të kujtonte se era e re e ndryshimeve që kish nisur të fryjë në Ballkanin e trazuar,nuk mund të kishte epilog tjetër veç lirinë aq shumë të ëndëruar si një Komb i shtypur dhe i sunduar. Dervish Hima dhe Faik Konica,me pendën e tyre i drejtoheshin forcave përparimtare të kohës që të mbështetnin moralisht Shqipërinë,ngase Rusia,Serbia,Greqia e Franca,hidhnin mjergull pa ndërprerë mbi të shkuarën dhe të ardhmen shqiptare.Fehmi Zavallani e Gjergj Qiriazi nuk munguan të ngrenë në trevat shqiptare të Maqedonisë,Komitetet e Shpëtimit duke propaganduar në popull idetë e mëdha të rilindjes sonë kombëtare.Ndërsa Luigj Gurakuqi do të ndërmerrte fushata në Rumani,Itali e Stamboll,duke i thirur ndërgjegjes së shqiptarëve të atejshëm që këta të grumbullonin para e të mblidhnin armë për kryengritjen që po trokiste.Ka qenë pikërisht kjo veprimtari e gjërë atdhetare që ka sensibilizuar atdhetarët brenda dhe jashtë Shqipërisë:kështu,në një letër që Françesko De Rada (nipi i Jeronin De Radës) i dërgonte Luigjit, thuhej ; “Sytë e botës janë sjellur nga ju dhe ,nëse do arritni të bëni një lidhje,Turqia pa tjetër do largohet”.(Arkivi Qendror i Shtetit,fondi L. Gurakuqi,dosja 36,dok.74,letra 14 qershor 1911).

Në Shkodër e në Vlorë në Manastir e Ferizaj,deri në Korfuzin e largët,populli i revoltuar u ngrit në këmbë.Ai parandjente furtunën që do të niste.Ai kërkonte armë,ai u thoshte bijve të vet trima ; Përpara në udhëhiqni,aty ku do hidhet hapi i juaj,aty është besa e jonë,është ndera dhe jeta jonë ! Historia po thërriste këta burra.Shumë prej tyre u përgjigjën.Në shtator të vitit 1912,Porta e Lartë e thirri Ismail Qemalin duke i propozuar postin e Ministrit të Jashtëm të Perandorisë.Mirëpo burri i shqipërisë iu përgjigj ; “ Ju falenderës.Nuk mund të pranoj pse ka ardhur ora që Shqipëria të shkunde zgjedhën”.Dhe burri i Shqipërisë,linte kolltukun gjithë ate nderë të Perandorisë, e merrte udhët e Evropës.Ai donte të bindëte këtë Evropë se shqiptarët vlejnë të fitojnë lirinë e tyre,meqë këtë liri ata askurrë se pritën si dhuratë nga askush por kurdoherë ngarendën drejt saj duke lënë prapa lumenj të tërë gjaku.Po ndërsa Evropa i fliste burrit shqiptar me gjuhë diplomatike, bashkëatdhetarët e tij i ngrinin moralin duke u  bashkuar me ide dhe veprime.Nuk mund të jetë e rastit që me 5 nëntor 1912,Ismail Qemali nga Bukureshti,telegrafonte në Durrës ; “E ardhmja e Shqipërisë është e siguruar.Telegrafoni kudo,të kenë besim të plotë,ndë fatin e atdheut”(Arkivi Qendror i Shtetit fondi 245/1,dosja 1,fleta 14 ).

Bijtë e Shqipërisë erdhën nga çdo vis i largët për në folenë e tyre.Së thelli,në shpirt ata ndjenin drithërimat që u falte çasti i madh.Vinin lugjeve vinin maleve,herë në këmbë,herë në kuaj e në qerre,herë përmes pusive të ngritura.Se pusitë e errëta  nuk mund të duronin dritën që do të buronte pas asaj dite fatlume.Vinin të lodhur prej brengave,prej halleve por me besimin e madh në shpirt se këto brenga të tyre personale do të shëndroheshin një ditë në gazin madhor të nënlokes së tyre.Vinin edhe pse e dinin se plumbi mund t’ua merrte jetën.Por ata ç’prej bëlbëzimeve të para,ç’prej ninullave të para të djepit,jetën e tyre ja patën falur Shqipërisë.me këtë rast,revista “Ylli i Mëngjezit” do të citonte ; “ç’ka bërë Ismail Qemali sot për Shqipërinë,ç’nder i do bërë dhe ku duhet ngritur emri i tij,ate mund ta gjykoje vetëm ai njeri që pa veprat e tij… Kur dualën nga Durrësi ishin 40-50 shpirt,të gjithë të armatosur me malihere.Udhës pastaj hasën në të tjera delegatë nga vise të largëme dhe u bënë qindra.Duke shkuar nëpër fushat e Myzeqesë në të cilat,veç ujrave dhe baltarvet kemi edhe vise të bukura që s’gjenden në botë,arritëm në 13 të vjeshtës së tretë,me 11 të natës allafranga në Vlorë “.(Revista “Ylli i Mëngjezit” faqe 198 – 30 nëntor 1913 )

Fund nëntori i Vlorës së vitit 1912,njëherazi do të shërbente si një ogur,i bardhë në kapërcyell të dy epokave.Këtë e parandjenë krejt shqiptarët dhe jo vetëm ata që ishin në Vlorë.Kudo në çdo vis të atdheut tonë,ndërsa vraponte lajmi për rrëzimin e mbrame të despotizmit osman sheshet gjëmonin nga thirjet për Flamurin.Mezi e prisnin bashkëkombasit e mij këtë ditë ngase me flamurin kuq e zi lidhje jo vetëm e sotmja e tyre por edhe  e kaluara e largët,e hidhur,e zezë si nata.Simbolika e Flamurit tonë,i kish kapërcyer prej kohësh kornizat e thata të ceremonialeve,kjo simbolikë ishte lidhur me një simbiozë të çuditshme me egzistencën fizike të shqiptarëve në trojet e tyre.Por,e parë në një rrafsh më të gjërë,data e 28 nëntorit e vitit 1912 pos të tjerave zbuloi edhe një mit të përgjumuar e të dhunuar të shqiptarëve siç ishte ai i bashkimit ndër vedi.Dhe kjo përgjumje ka arsyet e veta.Kur Turqit e vjetër e të rinj,kur carët e vjetër e të rinj,kur knjazët e vjetër e të rinj,nuk na i dualën dot me pushkë e me topa,ata përdorën njëmijë e një dredhi duke infiltruar ndër ne,përçarje fetare,fisnore e krahinore.Mirëpo duhet të pranojmë se jo pak gjak u derdh prej hakmarrjes së verbër e të imponuar, në udhët që të shpinin në kullat tona.Odat e tyre të larta e të ftohta e ruajnë ende në kujtesë klithmën e gjakut,klithmën e jetës së prerë në mes të vllaut prej vllaut. Vlora e vitit 1912,i mblodhi burrat shqiptarë,i brohoriti e derdhi lot dashurie për ta,ngase pa se flamuri kuq e zi vinte në duart dhe shpirtërat e bashkuar të tyre në agim të shekullit të ri,shqiptarët i flakin tutje mëritë,historitë mëkabre të gjakut duke dëshmuar rilindjen shpirtërore të kombit të tyre.Duart e shtërnguara të tyre flakin një të kaluar të nëpërkëmur në emër të një të ardhmjeje dinjitoze.

“Na u duk sikur dera e zotit e këputi zinxhirin e skllavërisë,sikur dullëm nga terri në dritën e bekuar të diellit,zemrat na u mbushën me gaz e shpresë.Qysh të mos lindësh këtë ndjenjë duke parë sqenën e prekshme të vëllazërimit : Myftiu i Dibrës Vehbiu që u përqafua me Ipeshkivin e Durrësit Don Nikoll Kacerrin,ortodoksi beratas Bab Dud Karbunara,mjekër – gjati,që puthi në ballë katolikun shkodran Luigj Gurakuqi, Isa Bolentini që puthi dorën Ismail Qemal Beut të Vlorës… A s’ishte për të derdhur lot gëzimi ? “. ( “Skënderbeu “ 1468 – 1968 – Boston , faqe 156 ).

 

 

 

VIZATIM PËR AKTIN MADHOR

 

  Ndërsa burrat e Shqipërisë,shkonin në Vlorë,të tjerë trima kishin nisur përleshjet me serbo-malazezët.Bajram Curri dhe Elez Isufi,shkruanin faqe të reja heroizmi në anët e drinit dhe Hasan Ferri në krye vullnetarëve të Plavës e Gucisë,kundërsulmonte forcat disa mijëshe të Knjaz Nikollës e Idriz Seferi tmeronte shkijet e krajlëve,derisa Isa Boletini përparonte drejt Vlorës.Porta e Lartë e Dyzuar në vendimet  e saj për pavarsinë e Shqipërisë,mbante të mbyllur në burgun e Kalemejdanit në Beograd,Hasan Prishtinën,Nexhip DragënDed Gjo Lulin dhe dhjetra luftëtarë e prijsa të Kosovës.Në rrafsh të Dukagjinit e në Pejë,në Drenicë e Tetovë,çetat e komiteteve shqiptare,në thirjet e tyre të dala shpirti kërkonin një orë e më parë që në qiejt shqiptare të valvitej flamuri Kuq e Zi. „E ëndëruar nga vjershtëtarët dhe e dëshiruar nga zemrat e djeguna të disa pakë atdhetarëve,që vuanin e digjeshin nëpër burgjet e errëta e që qanin e renkonin nëpër shkretinat e largëta,të ndjekun e dëbuem prej Atdheut të dashun,mëvehtësia e Shqipërisë na dukej të gjithëve si një dëshirë e paaritshme,si një dhuratë tepër e çmuarshme për varfërinë tonë,si një pemë e ëmbël dhe e shijshme“

(L.Gurakuqi,Mëvehtësia e Shqipërisë,“Përlindja e Shqipërisë“ nr.26 vjeshtë e tretë 1913 ).

Kësisoj po afronte ora e madhe.Disa kalorës dibranë lajmërojnë se për në Dibër duhen flamurë shqiptarë ngase serbët hidhen në sulm me preteks të turqisë.Disa dhjetra ushtarë serb mbërijnë edhe në Krujë por këtu,atdhetarët shqiptarë u dalin përpara me flamurin kuq e zi duke u treguar fqinjëve grabitqarë të tyre se ata vetë janë në luftë me Perandorinë.Serbët e kuptojnë nga ky moment se jetët e tyre s’kanë më vlerë..Në mesditën e 28 nëntorit,tellalli me një zë ndryshe nga ditët e tjera,lajmëronte nëpër rrugët e Vlorës se do të shpallet Shqipëria më vehte.Njerëzit mezi prisnin të mbaronte fraza e tij, e kapnin për supe e përqafonin,s’mungon t’i hidhnin edhe ndonjë lekë për lajmin e mirë që paraprisnin.

„ Kuvendi Kombëtar i përmbledhur prej delegatëve të të gjitha viseve të Shqipërisë këtu në Vlorë,u hap sot n’orën 4 pas dreke në shtëpi të z. Xhemil Beut. Z. Ismail Qemal Beut si nisjator i parë i mbledhjes mori flaën e i tregoi delegatëvet qëllimin e kuvendit,domethënë që të përpiqen së bashku e të marin masat e nevojshme për të shpëtuar Shqipërinë mag rreziku i madh ku ndodhet sot.Si e kërkon rruga e zakoni u nis pastaj vërtetimi i kartave të delegatëve emrat e të cilëve janë këta :

Nga Berati : z.z. Iljaz Bej Vrioni,Hajredin Bej Cakrani,Xhelal Bej Skrapari,Dud Karabunara,Taq Tutulani, e Sami Bej Vrioni,ky i fundit pritet të vije.

Nga Dibra :z.Myfit Vehbi Efendiu

Nga Durrësi: z.z.Abaz Efendiu,Mustafa Agai e Jahja Efendiu,i cili pret të vijë.z.Don Nikollë Kacerri nga ana e Arqipeshkopit të Durrësit për të Shqiptarët katolikë që ndodhen nën urdhërin e tij.

Nga Elbasani : z.z. Shefqet bej Daiu,Lef Nosi,Qemal Beu e Mid’hat Bej Frashëri.

Nga Gjirokastra me telegrame :z.z. Azis Efendiu,Veli Efendiu,Elmaz Efendiu.

Nga Ipeku (Peja,vrej.ime):z.z.Rexhep Beu,Bedri Beu,Sali Gjuka, e Mid’hat bej Frashëri.Këta zotërinj janë edhe delegatët e Gjakovës të Plavës e Gusinjës.

Nga Kruja : z.z.Abdi Bej Totani e Mustafa Asim Efendiu.

Nga Lushnja : z.z. Qemal Beu,Ferid Bej Vokopola,Nebi Efendi Sefa.

Nga Ohri e Struga : z.z. Xhemal Beu,Ymer Beu e Ibrahim Efendiu.

Nga Tirana : z.z. Abdi Bej Totani e Murat Bej Totani.

Nga Vlora : z.z. Ismail Qemal Beu , Zyhdi Efendiu ,Aristidh Ruci,Qazim Kokoshi, Jan Minga,Eqrem Beu…Si u mbaruan këto punë z. Rexhep Beu mori fjalën e tha që si Kryetar i Kuvendit të zgjidhet z.Ismail Qemal Beu,si shkronjës i parë z.Luigj Gurakuqi e si shkronjës i dytë z.Shefqet Bej Daiu. Delegatët e pëlqyen këte kërkim dhe emëruan të propzuarit me të përplasur duarsh “

( Gazeta “ Përlindja e Shqypnisë “ , viti i dytë , datë 31 janar 1914 ).

Pas kësaj,përfaqsuesit e krejt trevave shqiptare në këtë kuvend madhor,do të dilnin në ballkonin e shtëpisë,të brohoritur prej turmës disa mijëshe të popullit të Vlorës.Kësulat e bardha vlonjate tundeshin në ajër dhe thirrjet për flamurin përplaseshin me shushurimën e dallgëve të detit.I thellë posi deti,do të mbetej  gëzimi i këtij muzgu në memorjen historike të vlonjatëve.Sado që stuhitë u përpoqën për ta shkulur,valvitja e tij u ndje në gjoksin e shqiptarëve ashtu si klithma e pulëbardhës në gjoks të detit. Në ballkonin e shtëpisë dykatëshe,burrat vunë në mes kryetarin e sapo zgjedhur të Kuvendit.Me duar që i dridheshin prej emocioni,me zërin pothuaj mallëngjyes,plaku Ismail Qemali do të bënte që njerëzit të lotonin dersa kumtonte ; “ Vëllezër Shqiptarë !

 Oh sa të lumtur e ndjej vehten sot,që shoh,këtu në Vlorë,kaq burra shqiptarë të mbledhur tok duke pritur me kureshtje dhe padurim përfundimet e kësaj mbledhjeje historike për fatin e Atdhgeut tonë të dashur.Plot me gaz e me lot në sy nga mallëngjimi,pra,po dal këtu para jush që tju gëzoj me sihariqin e madh,se sot,edhe këtë minutë,kongresi spalli Mëvehtësinë e Shqipërisë,duke lajmëruar gjithë botën mbarë,për këtë punë e duke më ngarkue mua Kryesinë e Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë së Lirë… Duke përfunduar,nuk më mbetet gjë,veçse t’i drejtojë një lutje Zotit të Madh,që bashkë me bekimet e Tij,që i lyp të na jap,për të qenë të denjë të kësaj dite,të pranoje që këtej e tutje të jem unë dëshmor i parë i Atdheut,ashtu si pata nderin e fatin që të jem i pari të puth e të bëj të valvitet i lirë Flamuri i ynë në Atdheun tonë të Lirë.Rroftë Flamuri,Rroftë Shqipëria !.

( Ismail Qemali , Kujtime , botuar në Toronto , faqe 254 ).

Askush më pas këtyre fjalëve nuk mund ta përmbante do vehten.Flamuri nisi të rrihte palët nën erërat e vjeshtës së tretë dhe shqiponja në te dukej nga çasti në çast  se do të niste fluturimin për në qiellin e lirë të Shqipërisë.Ndërsa delegatët kishin mbështetur duart tek njëri tjetri,në litarin e flamurit,prej  sheshit u shtuan thirjet : “Rroftë Flamuri i Shqipërisë,valoftë për gjithë jetë,sa të rrojë bota !.Një orë më pas,në portin e vogël të Vlorës,u ngrit një tjetër Flamur Kuq e Zi.Edhe pse u qëllua prej disa vaporeve të Perandorisë nga deti,Flamuri rrahu palët duke shtuar së tepërmi entuziazmin e njerëzve.Një javë më pas,duke nisur nga numëri i votave të fituara prej delegatëve,me votim të fshehtë,u formua Qeveria e cila përbëhej : “ Ismail Qemali – Kryeministër dhe i punëve të jashtme,Mehmet Pashë Kallkandelleli – Ministër i Luftës. P.Poga Gjirokastra – Ministër i drejtësisë.Myfit Bej Libohova – i Punëve të Brendshme. L.Gurakuqi – Ministër Ministër i Arsimit.Abdi Bej Totani – i financës.Pandeli Cale – i Bujqsisë.Mit’hat Frashëri i Punëve Botërore. Lef Nosi – i Postavet “.(Arkivi Qendror i Shtetit,Fondi 71 , dosja 1 , documenti nr. 2-4043 ).

 

POST VLORE

 

  Lindja e shtetit të parë shqiptar do të gëzonte së pari vetë kombin.Ky akt i ngjante lindjes së një fëmije të bukur të një shtëpie të madhe ku sejcili don të shohë,ta prekë,t’i gëzohet.Dhjetra telegrame urimi mbërritën nga gjithë viset shqiptare,dhjetra fjalë zemre u nisën madje edhe prej kolonive shqiptare në mërgim.Në urimin e tyre,nxënësit dhe mësuesit e kolegjit të Shën Mitër Koronës shpreheshin :”Ju kini zbukurue shpirtin me virtyte patriotike e qytetënimi e ju lutemi me i shfaqun Qeverisë suej lavdat për veprën energjike”.(Arkivi i Institutit të Historisë,dok,historike 1924. nr. 11 faqe 339 ). Megjithatë ky entuziazëm qe fare i shkurtër.Fuqitë e Mëdha duke u ndodhur përpara faktit të këtyre,menduan të ridiskutonin mbi kufijtë e Shqipërisë.Në këtë riparje të tyre strategjike dhe ato të ditës.Nga ana tjetër,aleanca krishtere ballkanike nuk rreshtën invazionet luftarake duke dashur të mbysin që në djep  foshnjën e lindur.Flota luftarake greke e cila patrullonte disa milje larg Gjirit të Vlorës,nuk lejonte asnjë anije të huaj të ankërohej në portin e Vlorës,mandej në disa raste (kuptohet me porosi të Athinës) ajo godiste pa  asnjë shkak qytetin e bukur të Vlorës i cili skish mundësi me çfarë ti përgjigjej këtij agresioni. Edhe forcat serbe nisën sulme të rrepta sidomos në anët e Drinit duke mos kursyer as foshnjat  në djep.Qeveria e sapodalë nga kuvendi historik,filloi të organizojë ushtrinë ,xhandarmërinë,të çelë shkolla e të marë në duar pushtetin.Por arka ishte bosh,askush nuk ndihmonte,Europa plakë përkundej në mendimet e zeza se shqiptarët nuk dijnë të qeverisin.Plaku i urtë Ismail Qemali,së bashku me Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin,muarrën rrugët e Europës të shtyrë prej iluzioneve të bukura,por dinakëria Franko-Ruse kishte bërë të veten.

“Ne menduam se duhej të shpresonim që një popull që paraqiste vlera të veçanta për shkak të vjetërsisë,guximit dhe shërbimeve që i kish sjellë Evropa…do të lejohesh më së fundi që të bëhesh zot në shtëpinë e vet dhe do të ruante pavarsinë kombëtare”.(Ismail Bej Vlora, Kujtime,faqe 271).

Anipse u sulmua,dita e 28 nëntorit e vitit 1912,ajo ri ndezur e do të rijë ndezur edhe në ardhmërinë e kombit tonë.Kjo datë emblematike rezonon jo vetëm si simbol por si thirrje që nuk hesht kurrë për bashkimin dhe prosperitetin  e kombit tonë.Andaj kujtesa kombëtare vetëm mund të fyhet prej indiferencave të tilla konjukturale politike.Por gjithsesi ajo nuk haron të dënojë,28 nëntori,sot e nesër pret realizimin e saj.Për komunistët ma i rëndësishëm është 29.nëntori ditë që i bashkon me armiqët tanë shekullorë srbosllave që e quajnë si “ditë e bardhë” se sa 28.nëntori.i lavdisë kombëtare. Datat komuniste janë datat e zisë kombëtare,që duhen flakur një orë e ma parë.Urime 28.nëntori.për jetë të jetëve deri në realizimin e aspiratave tona Një Komb Një Flamur Një Shtet.

Bern-Zvicër

Filed Under: Analiza Tagged With: 28 nentori, date emblematike, Eugen Shehu, pavaresia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca
  • IN MEMORIAM, DR. GJON BUÇAJ
  • Ikja e Dr.Gjon Buçaj e Dalip Grecës, komuniteti humbi dy patriotë të përkushtuar
  • Një prej atij brezi…
  • I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I Dr. GJON BUCAJ
  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT