• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në GJND para 11 viteve: Kosova fituese përballë Serbisë

July 22, 2021 by s p

Kalandar-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2021/ Para 11 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 11 vitesh, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: GJND, kosova, pavaresia

DOM NIKOLLË KAÇORRI, STRATEGU I HARRUAR I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

May 31, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Dom Nikoll Kaçorri ka lindur në Krejë të Lurës në vitin 1862, në një familje babai i së cilës ishte katolik, ndërsa nëna i përkiste besimit musliman.Dom Nikollë Kaçorri mund të ketë qenë i vetmi prift katolik që festonte Pashkë e Bajram.  Siç është traditë për ata që duan të bëhen priftërinjë në Kishën Katolike, edukata e tij kishte për bazë studimet teologjike dhe në vitin 1884 mbaroi studimet filozofiko–teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kryen shkollën e rregullt të gërshetuar me kulturë të lartë perëndimore, duke mbaruar studimet në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Dom Kaçorri ka shërbyer si sekretar i Arkipeshkvisë së Durrësit, me qendër atë kohë në Delmnisht të Kurbinit, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ai është firmëtari i dytë i Deklaratës së Pavarsisë pas Ismail Qemalit dhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit.  Më vonë, numri dy i qeverisë shqiptare të posa formuar është emëruar famullitar në Durrës. Dom Nikoll Kaçorri ka ndërruar jetë në sanatoriumin Würth, në Vjenë të Austrisë, më 29 maj të vitit 1917, pasi kishte vuajtur tre-katër muaj nga një sëmundje e rëndë. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917 në varrezat Zentralfriedhof të Vjenës. Ai është një ndër firmëtarët e Deklaratës së Pavarsisë.

Prandaj me 29 maj kujtojmë këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e kalimit të tij në amshim — të Dom Nikollë Kaçorrit, priftit e patriotit shqiptar, ikonës së Pavarësisë së Shqipërisë, njërës prej figurave kryesore të lëvizjes kombëtare për pavarësi të shqiptarëve nga pushtuesi otoman. Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit 1912, dom Nikollë Kaçorri, qe një personalitet i spikatur i Kishës Katolike të Shqipërisë, me detyra dhe misione të ndryshme në shërbim të Kishës dhe të Atdheut. Ai dallohej si një atdhetar i flaktë, që shkriu jetën për liri e pavarësi të popullit e vendit të vet, por ai la gjurmë edhe si një intelektual i madh që dha kontribut të vyer në afirmimin e vlerave kulturore, fetare dhe patriotike të kombit shqiptar, në përgjithësi.  Në një homazh të veçant kushtuar Dom Nikollë Kaçorrit, me këtë rast, Radio Vatikani (RV) shprehet se, “Atdhedashuria dhe ndjenja e lartë e patriotizmit, e shtyjnë Imzot Nikollë Kaçorrin që gjatë viteve 1910-1912 të bëhej drejtues i zjarrt i kryengritjes së Kurbinit me arritjen finale e sublime, të 28 Nëntor-it 1912, kur ai u gjënd në krah të Ismail Qemalit, në ngritjen e Flamurit në Vlorë.  Megjithëse prift, për interesat e Kombit e të Atdheut, dom Nikollë Kaçorri nuk tërhiqet edhe mbas atij çasti të lavdishëm për detyrat e tjera që ja kërkon interesi i popullit dhe Atdheut, ndërsa emërohet nën-kryetar i Qeverisë së parë shqiptare”.

Ai merr pjesë në shumë kuvende kombëtare, sidomos ndër ato për arsim-kulturë dhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Ishte pjesëtar në Kongresin e Manastirit dhe përkrahës për hapjen e normales së Elbasanit. Gjithmonë gjëndej aty ku e kërkonte interesi i Atdheut. Por më në fund, largohet burrërisht prej detyrave dhe tërhiqet nga politika, vetëm atëherë kur, me ndërgjegjen e tij të pastër sheh e kupton se në  politikën e asaj kohe kishte papastërti e mos sinqeritet që rrezikonin fatet e popullit e të Atdheut të tij të dashur. Burrërisht, në rrezik e në pjesëmarrje në mbrojtje të interesave të Atdehut edhe më burrërisht kur vendosë të largohet nga politika, dom Nikollë Kaçorri mbetet përgjithmonë një figurë e shquar e Rilindjes shqiptare kombëtare, thuhet në komentin e RV.

Ndërroi jetë në Vjenë më 29 maj të vitin 1917, pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Në muajin shkurt të vitit 2011, eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit u këthyen në Atdhe, dhe me një ceremoni solemne, aty në Kishën e Shën Luçisë në Durrës ku ai kishte shërbyer për 30-vjetë, u rivarrosen eshtrat e tij në vendlindje, 94-vjet pas vdekjes.  Me atë rast, i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, në atë kohë, Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij gjigandi të Kombit shqiptar.  Ndonëse kanë kaluar 10-vjetë, fjalimi i Imzot Rrok Mirditës është një thirrje për reflektim edhe për aktualitetin e sotëm shqiptar politik, shoqëror dhe akademik. Dihet se emri i dom Nikollë Kaçorrit nuk ishte aspak i preferuar gjatë periudhës së komunizmit duke mos i dhënë vendin që meriton në historinë e Kombit — fatkeqësisht, as atëherë as sot — këtij kleriku katolik — në panteonin e figurave më të shquara të kombit shqiptar, prandaj mendova se është me vend që të ta kujtojmë Dom Nikollë Kaçorrin – në këtë përvjetor të kalimit në amshim – nepërmjet fjalëve të të ndjerit Mons. Rrok Mirdita:  

*Në këtë përvjetor të vdekjes, ju sjellim pjesë nga fjalimi i të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit dhe rivarrimit të të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011:

…”Sot kemi para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të Kombit tonë, që gjatë tërë jetës ka kërkuar një Atdhe të lirë dhe i cili ka vdekur në tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel. Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman dhe kjo bindje e ka shtyrë atë të angazhohej për të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht, popullin shqiptar për shpalljen e pavarësisë në Nentor të 1912. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga pretendimet serbe dhe greke, (Dom Nikollë Kaçorri) bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni drejt Vlorës.  Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet, gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që i historisë sonë të hershme dhe të vonë — me motivin e vetëm — që kujtesa historike kombëtare të bëhet një thesar i çmueshëm në Shqipëri të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e shpirtit të Kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari, të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde…”


“…Pas shpalljes së pavarësisë, (Dom Nikollë Kaçorri) gëzoi vetëm për dy vjet shijen aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji atij edhe shtëpinë në Durrës, duke e kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit, largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë në harresë.  Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë…”.

 “Sa herë që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose, edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar, si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë hyhet jo për të marrë, por për të dhënë…”.  Imzot Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë jo për të marrë, por për të dhënë dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik…”.

“…Deri më sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen.”   

(*Lexuat pjesë të fjalimit të ndjerit Imzot Rrok Mirdita me rastin e këthimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit në Atdhe – pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës, në shkurt të vitit 2011.)

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të Dom Nikollë Kaçorrit kjo është edhe dëshira ime dhe besoj e gjithë shqiptarëve vullnetmirë, që Zoti i Gjithëfuqishëm t’ia shpërblej të gjitha kontributet historike të Dom Nikollë Kaçorrit dhe njëkohësisht ai të ketë, eventualisht, edhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh se si janë sjellur me të bashkakombasit e tij dhe si e ka trajtuar atë historiografia marksiste sllavo-komuniste,  por edhe harresa sot e këtij burri të madh të Kombit shqiptar nga historiografia e këytre 30-viteve post-komunizëm! 

Mbetet për tu parë se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta trajtojë figurën historike të Dom Nikollë Kaçorrit në të ashtuquajturin, “botimin e veprës madhore “Historia e Shqiptarëve”, të njoftuar kohët e fundit. Duke pasur parasysh bindjet ideologjike — të shfaqura publikisht me gojë kohët e fundit dhe me shkrimet e tyre gjatë dekadave — të disa prej këtyre antarëve aktualë të Akademisë Shqiptare e gjejë shumë të vështirë të bindëm dhe të jem optimist se diçka për mirë do të ndryshojë.  Në atë Akademi ende ka “historianë” të cilët lëvizjen kombëtare të fillim shekullit të kaluar — periudhën pra kur jetonte dhe vepronte edhe Dom Nikollë Kaçorri – e kanë trajtuar sipas “konceptit marksist”, bazuar në veprat e Leninit dhe të Stalinit.  Prandaj, nëqoftse më lejohet të parafrazojë fjalët e Imzot Rrok Mirditës me rastin e rivarrimit të eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit 10-vjet më parë në Durrës, harresa historike për arsye ideologjike e të tjera — me të cilën ju e kini mbuluar gjatë dekadave personalitetin dhe kontributin e Dom Nikollë Kaçorrit — nuk rëndon mbi të, por mbi ju dhe fatkqësisht edhe mbi historinë e Kombit shqiptar. 

Frank Shkreli 


                  See the source image..

Thuhet se edhe në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit në Krej të Lurës na qenka një pllakë që e identifikon atë objekt si “Monument Kulture” të Republikës së Shqipërisë! S’ka nevojë për koment. Fotografia flet vet.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dom Nikoll Kaçorri, Frank shkreli, pavaresia

Shkolla “Alba Life” festoi 108-Vjetorin e Pavarësisë…

December 2, 2020 by dgreca

Për 108 vite të gjata Shqipëria ka kalue shumë dite të vështira.  Emigracioni shqiptar në Åmerikë ka ndihmue shumë. Unë jam i sigurtë se edhe ju kur të rriteni do ta ndihmoni Nënën Shqipëri.- Prof.Sami Repishti/

Nga Keze Kozeta ZYLO/ 108 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u festua me madhështi nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”Ambasador i Kombit duke dhënë një koncert festiv nëplatformën Google Meet.

Ndonëse gjithë globi është i izoluar nga pandemia botërore, mësuesit, nxënësit dhe prindërit ia dolën të festonin me plot përkushtim 108 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Bota e fëmijëve është e magjishme, e bukur, tërheqëse dhe si e tillë ajo nuk të lë në asnjësekondë të përjetosh strese qoftë për momentin dhe nga pandemia.  Mësueset kishin kohë që po punonin për organizimin nëOnline të festimit të 108-të Vjetorit të Pavarësisë duke i organizuar në dy grupime të ndryshme për shkak të numrit të madh të nxënësve në ekran.Ka shumëçudira, por njeriu ështtë qenia më e përshtatshme në botën qëna rrethon dhe di t’ja dali.  Të shikosh fytyrat e nxënësve në ekran, t’i përshëndetësh nga ekrani dhe t’i mësosh nëpërmjet tij është krejtësisht ndryshe nga tradita në shekuj, por mësuesi vepron në bazë të kushteve, rrethanave dhe di mjeshtërisht t’ja dalë dhe këto mësuese ia dolën plot sukses.

Në këtë ditëtë shenjtënxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut kishin ardhur kuq e zi me simbolet e Flamurit Kombëtar.  Programi festiv u zhvillua në dy grupime: Grupi i më të vegjëlve i udhëhequr nga mësuese Vlera Thaqi në shkollën në Staten Island,  në bashkëpunim me tëgjithë nxënësit e klasave të mësueseve Gela Bulkut në shkollën në Brooklyn, mësuese Vjollca Skënderi me shkollën nëQueens dhe mësuese Mirvete Krasniqi me shkollën në Bronx.

Ndërsa grupimin e dytë e drejtoi znj.Adelina Lacaj, mësuese në shkollën në Brooklyn në bashkëpunim me Dr.Manjola Duli në shkollë në Queens, mësuese Entela Muda shkollë në Staten Island, mësuese Fatbardha shaqirukaj, shkollë në Bronx dhe mësuese Vjollca Skënderinë shkollë në Queens.  Disa mësuese kanë nga dy klasa dhe kooperuan së bashku në të dy grupimet.  Ka nxënës dhe nga Europa si dhe shtete të tjera në Amerikëçka e bën më të larmishme dhe mëinteresant orën e mësimit shqip dhe këtë mundësi ta jep platforma Google Meet.

Programi në nderim të  Ditës së Shentjë të Flamurit

Ekrani kuq e zi dhe zërat e fëmijëve e mbushën shtëpinë time me një atmosferë të hatashme, të bukur dhe frymëzuese.  Nuk e kishja mendura kurrë në jetën time se do të festonim Ditën e Flamurit në këtë lloj mënyre dhe besoj se askush në botë se kishte parashikuar këtë lloj pandemie… 

Programi festiv është hapur me Hymnin Kombëtar inerpretuar nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj të shoqëruar nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”. 

Në këtë ceremoni përshëndeti nga ekrani Ambasadore e Shqipërisë në Washington DC. Znj.Floreta Faber e cila tha:

Të dashur prindër, mësuese dhe nxënës,

Jam shumë e lumtur të marrë pjesë në Shkollën Shqipe “Alba Life” në festimin e 108-të Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.   Ndjej kënaqësi të veçantë sepse ju duke mësuar Gjuhën Shqipe tregoni më së miri se e ruani identitetin shqiptar. Në këtë festë ju recitoni, këndoni dhe kërceni shqip me aq pasion dhe dashuri. Do të desha tëishim së bashku, por pandemia botërore na detyroi të flasim në Online, ndaj dhe ju përgëzoj që ju e festoni bashkë.  Kjo javëështë dhe dita e falënderimeve, ndaj ju falënderoj dhe shpreh mirënjohjen time pavarësisht vështirësive që kemi.  Shkolla Shqipe ju bën të takoheni bashkë si shqiptare dhe t’i përkushtoheni Gjuhës Shqipe.

Ju uroj gëzuar festën e Flamurit dhe përgëzime!

Në emër të Konsullatës së Kosovës përshëndeti Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York z.Frymëzim Isufaji cili tha:

Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,

Kam nderin e vecantët’ju uroj gëzuar me rastin editës së Flamurit. Ju falënderoj për ftesën dhe organizimin e festës më tëmadhe historike. Do dëshiroja të ishja pranë jush, por pandemia na detyron të gjithëve të përshëndetemi në distancë.

Festimi i Ditës së Flamurit dhe mësimi igjuhës Shqipe ndikon në ruajtjen e identietit tonë kombëtar, forcon lidhjen me Diasporën dhe Kombin.  Ne jemi të lumtur se këta të rinj po mësojnë historinë kombëtare, përpjekjen e Rilindasve tanë dhe njihen me traditat dhe zakonet e mrekullueshme shqiptare. Muaji Nëntor është Dita e Flamurit, por edhe ditëlindja e Heroit legjendar Adem Jasharit si dhe daljen publike për herë të parë të UÇK-së.  Festat Kombëtare gjithmonëna kanë bashkuar!  Gëzuar përjetësisht Ditën e Flamurit Kombëtar!

Një Përshendetje e veçantë erdhi dhe nga prof.Sami Repishti ku autorja e këtij reportazhi ishte e autorizuar të lexonte përshëndetjen për Shkollën Shqipe “Alba Life”.  Përpara përshëndetjes u lexua një paragraf rreth jetës së prof.Sami Repishtit si:

Të dashur, nxënës, prindër dhe mësues po sjellim pranëjush përshëndetjen e prof.Sami Repishtit një prej figurave elitare të Diasporës dhe të Kombit i cili për shkak tëmoshës së tij 95 vjeçare më autorizoi të lexoj përshëndetjen e tij aq tëçmuar në këtë ditë tëshenjtëpër Kombin.

Prof. Sami Repishti i mbijetuar i diktaturës për 10 vjet si i burgosur politik me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të vyer për Kombin në publicistikë, letërsi dhe politikë.  Mesazhet që përcjell janë për Shqipërinë dhe Kosovën, të dëshmuara në shumë auditore amerikane deri në Shtepinë e Bardhë Washington.

Nga përshëndetja e Tij:

28 Nëntor 2020

Të dashur nxanës dhe nxanëse të Shkollës Shqipe “Alba Life” New York”,

Urimet e mia ma të mira me rastin e festës së Flamurit kuq e zi qëna quajmë edhe Dita e Pavarsisë së Shqipërisë. Zoti e bekoftë Nënën Shqipëri!

Për 108 vite të gjata Shqipëria ka kalue shumë ditë të veshtira.  Emigracioni shqiptar nëÅmerikë  ka ndihmue shumë. Unë jam i sigurtë se edhe ju kur të rriteni do ta ndihmoni Nënën Shqipëri.

Mësoni gjuhën shqipe, studjoni historinë e Shqipërisë që ju paisë me dituri të vlefeshme dhe ndërtoni nji jetë të ndershme dhe të frytëshme për vete dhe për prindët e juaj.  Respektoni mësueset tuaja. Të jeni krylartë që jeni shqiptarë dhe tregoni kolegëve tuaj amerikanë që jeni të vendosur me qenë qytetarë të ndershëm dhe të edukuem.

Në këto ditë të vështira kujdesohuni për shëndetin tuaj dhe të afërmëve tuaj.

Ju uroj çdo të mirë e fatbardhësi në jetë.

Profesor Sami Repishti

Në emër të bordit të Shkollës Shqipe “Alba Life” përshëndeti z.Qemal Zylo themelues dhe drejtues i shkollës i cili falënderoi Ambasadoren e Shqipërisë në Washington D.C.,znj.Floreta Faber, Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, z.Frymezim Isufaj si dhe Profesorin e nderuar Sami Repishti për përshëndetjet e tyre të përzemërta.  Z.Zylo tha se megjithë kushtet e vështira të pandemisë të mësimit në Online duatë falënderoj të gjitha mësueset e dashura të cilat kanë punuar fort për t’ju mësuar nxënësve Gjuhën e bukur Shqipe të cilët shumë poezi do t’i inteprepretojnë sot në Online në këtë ditë të madhe kombëtare.  Falënderojmë të gjithë stafin e shkollës, prindërit dhe mbi të gjitha nxënësit qëna kanë mbështetur në këtë mision të shenjtë. 

Gëzuar 108-Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.

Pas përshëndetjeve mësueset drejtuese Vlera Thaqi dhe mësuese Adelina Laçaj të cilat e udhëhoqën programin me profesionalizëm së bashku me mësueset e tjera plot përkushtim, kurajo, dashuri vazhdoi manifestimi me klasat e ndryshme në të gjitha shkollat e Nju Jorkut.

Nxënësit e Mësuese Vlera Thaqit ishin: Diellon Bardhi: Himni Flamurit –Asdreni/ Etnik Deomgaj: Flamuri Im- , Amina Duka: Gjuha Shqipe- Naim Frashëri/ Saranda Halsted: I dashur Atdhe-Asdreni/Amelia Gjoni: Malet e Shqipërisë- Naim Frashëri/ Briana Kasmi: Ty Flamur të duam shumë-/Arben Koleci: Flamuri Kuq e Zi- Rinor Murati/ Nina Kastrati: Kruje- Naim Frashëri/ Ilirian Thaqi: Njëqind Vjet Shqipëri Sovrane- Shaban Cakolli.

Nxënësit e mësuese Entela Muda:Emma Watkins: Flamuri–Faik Konica/Dea Watkins–Flamuri–Fan Noli/ Amina Shegaj, Bagëti e Bujqësi, Naim Frashëri/ Ariana Daci, Kruje o Qytet i Bekuar, Naim Frashëri/ Lorian Kasmi, Djali dhe Shqiponja, I.Isaku/ Blin Rugona, Himni i Flamurit, Asdreni/ Rubik Rugova, Sa te Dua o Shqipëri, Asdreni/Erona Kovaçi, Qiell e Tokë Flasin Kuq e Zi, Marinela Velaj/ Rilind Bardhi, Nëntori i Historisë, Kenon Berisha/ Loriana Thaqi, Marigona Qëndistare/ Laureta Durmishi 

Nxënësit e mësuese Adelina Lacaj:Përmbledhje e Historisë së 28 Nëntorit ( Të parë e të dytë).  Interpretojnë nxënësit: Eneo Rustani/Arelt Xhaferri/ Keida Shiqerukaj/ Kaltrina Mushkolaj/ Albo Peraj/ Fiona Zaimi/ Sofia Sandria/ Kleidi Zaimi, Bagëti e Bujqësi : Naim Frashëri/

Recitojnë: Elio Tahiri, Altea Bala, Blenda Sehu, Saranda kurtolli, Kelvin Rustani, Detion Shehu, Gabriel Grada. Gjuha Shqipe: Gjergj Fishta, Nora Balidemaj, Altea Bala dhe Kaltrina Mushkolaj.Zëri i Bilbilit: Kaltrina Mushkolaj.

Nxënësit e mësuese Gela Bulku: Brooklyn:Dëbora Shehu, Adisa Tahiri, Emily Kodra: Sa të dua o Shqipëri, Asdreni.  Sonia Darona: Flamuri. Rilind Shehu, Brendon Grada, Katelyn Hoxha, Aria Stoja, Jori Lamce, Enzo Rustani: Fjalët e Qiririt, Naim Frashëri

Nxënësit e mësuese Manjola Duli: Stivi Veshi-28 Nentor/Adea Kastrati- Kuq e Zi/Klaus Veshi- Bagëti e bujqësi/Det Ramosaj- Gjuha jonë/Yllion Dembogaj – Flamuri Kuq e zi/Adina Zdruli- Kuq e zi Shqiptaria/ Lir Shala – Hymni i Flamurit nga Fan Noli/Agona Sadiku – Fjala/

Loreta Sadiku –Libri/Zana Shala- 28 Nëntori/Giuliano Meta- Kuq e Zi/Francesco Hila – Himni i Shkollës Shqipe “Alba Life”.

Nxënësit e mësuese Vjollca Skënderi:Poezia “Flamuri” Lea Uka/  “Gjuha Shqipe” Kiara Hila/I dashur Atdhe: Laurent Bardhi.

Klasa e të rriturve: Poezia “Gjuha Shipe”: Christiana Brewer: Washington.  Poezia “Flamuri”: Uklea Buzi: Suedi.

Nxënësit e mësuese Fatbardha Shiqerukaj:”Shqipëria ime”, nga Selime Mustafaj

Vjersha është e përbërë nga katër strofa të cilën e recituan katër nxënës nga një strofë: Lediana Hasanj, Leon Gashi, Simelba Xhaferri, Fatjon Gjocaj.

“Pavarësia”  Yllëza Sejdiu, Fatjona Gjocaj, Luan Krasniqi, Adrina Papaj, “Atdheu” nga Xhefri Murati.  Recituan: Edvin Dalliu, Arbana Aliaj,”28 Nëntori” nga  Dorian Moglica, recitoi Saranda Krasniqi.

Nxënësit e mësuese: Mirvete Krasniqi:

Edion Shqirukaj-Naim Frashëri, Bora Kurtolli-Naim Frashëri. Unë jam shqipja kjo shqiponja, Ariela Demiraj: Gjuha Shqipe-Naim Frashëri. Kevin Duka dhe Alissa Gjika-Në 28 Nëntor, Julia Loci recitoi:Si shqiptarë që jemi/Shqip ne duhet të mesojmë.

108 Vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë cdo nxënësi dhe mësuesi do t’i ngelet përgjithmonë në kujtesë dhe kjo për shkak të kohës së pazakontë në të cilën u festua Dita e Flamurit.  Pikërisht me këto përjetime kur u ndanë nga ekrani, nga thellësia e zemrës të gjithë uronin njeri-tjetrin: Lutemi që të dalim sa më shpejt nga kjo gjendje pandemike!

28 Nëntor, 2020

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: pavaresia, shkolla Alba Life

DERVISH HIMA PARALAJMËROI PAVARËSINË SHQIPTARE NGA BUKURESHTI

November 6, 2018 by dgreca

“Le Temps” ka botuar, të martën e 26 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën e patriotit dhe liderit shqiptar, Dervish Himës,/

1 Dervish_Hima.341174539_std

DERVISH HIMA – GAZETARIT TË PESTER LLOYD-IT NË BUKURESHT (26 NËNTOR 1912) : “SHQIPTARËT DO TË SHPALLIN PAVARËSINË DHE DO TA MBROJNË ATË ME GJAKUN E TYRE.”/

1 aurenc

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Nëntor 2018/

“Le Temps” ka botuar, të martën e 26 nëntorit 1912, në faqen n°2, intervistën e patriotit dhe liderit shqiptar, Dervish Himës, me korrespondentin e gazetës hungareze në Bukuresht, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

image

Pavarësia shqiptare

Korrespondenti ynë nga Budapesti na telegrafon :

 “Pester Lloyd” publikon një intervistë të korrespondentit të saj në Bukuresht me Dervish Himën, liderin e njohur shqiptar :“Shqiptarët, deklaroi Hima, duan të shpallin pavarësinë shqiptare tani dhe ata janë të gatshëm ta mbrojnë këtë pavarësi me çmimin e gjakut të tyre. Ata janë të bindur se afesksioni i Austro-Hungarisë për ta është i sinqertë dhe shpresojnë se të gjitha fuqitë evropiane do të mbështesin monarkinë Austro-Hungareze në interes të Shqipërisë.”

Ai shton : “Asnjë vendim nuk është marrë ende mbi zgjedhjet e personave, megjithatë është e vendosur paraprakisht që një princ i huaj do të zgjidhet sovran i Shqipërisë.”

Nga ana tjetër, telegrafojnë nga Durrësi në Daily Telegraph :“Ismail Qemali, si dhe shumë patriotë shqiptarë që erdhën këtu për t’u bashkuar me të, kanë ndërmarrë hapa për të thirrur një asamble kombëtare shqiptare për të diskutuar mbi situatën aktuale. Të gjithë udhëheqësit fisnorë janë paralajmëruar. Mendojmë se takimi do të zhvillohet në Vlorë.”

Filed Under: Fejton Tagged With: Aurenc Bebja, Bukuresht, Dervish Hima, pavaresia

Haradinaj:Senatori Dole, rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës

February 9, 2018 by dgreca

Washington, 9 shkurt 2018/

1 Dole BobeKryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka takuar ish-senatorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mikun e madh të shqiptarëve, Bob Dole.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë kontributin e SHBA-ve për Kosovën, po ashtu edhe rolin e çmuar dhe të pazëvendësueshëm të Senatorit Dole në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Populli dhe institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për ndihmën e miqve tanë amerikanë për lirinë dhe pavarësinë dhe tani për rrugën e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj në takim me ish Senatorin Dole.Kryeministri Haradinaj e njoftoi Senatorin Dole edhe për sukseset dhe vështirësitë e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike.

***

Kosova përherë falënderuese për ndihmën e Madeleine Albright

1 Harad AlbrightWashington, 9 shkurt 2018/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar sot ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright  dhe drejtorin e NDI, Kenneth Wollack, me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar zonjën Albright për angazhimin e saj në luftën për liri të Kosovës dhe në ndërtimin e paqes.
“Ju na ndihmuat në kohën kur kosovarëve u duhej ndihma e një miku. Sot në emër të secilit qytetar, ju falënderoj nga zemra, për gjithë angazhimin tuaj” , tha kryeministri Haradinaj.
Në këtë takim u bisedua për të gjitha temat që preokupojnë lirinë dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Zonja Albright shprehu përkushtimin e saj në përkrahjen e Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe konsolidimit të saj.

Filed Under: Komente Tagged With: Bobe Dole, Haradinaj, pavaresia

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT