• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nexhat Peshkëpia- Një yll që ndriçoi dhe u shua*

March 27, 2015 by dgreca

Nga Adalbert Fekeqi/*
E dija shumë kohë më parë se shëndeti i lig kish filluar ta mposhtë Nexhatin dhe e ndjenja veten të trishtuar. Prindër, vëllezër, motra e shokë më kanë varfëruar herë pas here dhe isha pregaditur të derdh lot përsëri, gjë aspak e re për mua, por këtë radhë jo aq fort për një shok të dashur, sa për një njeri të madh, që kish një shpirt të ndjeshëm, që qe një nga humanitarët e rrallë që njohi të metat e dobësitë e natyrës njerëzore dhe u përpoq, në tërë veprimtarinë e jetës së tij, me një durim që s’i shihej kurrë fundi, të ketë mirëkuptim për këto të meta dhe dobësi, dhe njerëzit t’i mëshirojë. Ndërkaq i lutesha Perëndisë me përvujtni të madhe për jetën e tij; veç mrekullia do ta shpëtonte, por mrekullia nuk u plotësua. Vdekja, kjo dado plakë që do të na përkundë të tërëve në djepin e gjumit të fundit, rrëmbeu edhe Nexhatin: edukatorin, humanitarin, poetin, shkrimtarin, idealistin.
Vendosa të ndërmarr një udhëtim të gjatë për t’i thënë lamtumirë; kurrë në jetën time s’kisha kryer një detyrë më të shenjtë se këtë. Takimi me shokë që s’shihja prej vitesh, përshëndoshja me miq të rinj më mpinë dhe s’e ndjeja humbjen e mikut. Pas varrosjes u drejtova në aeroport dhe, me të zënë vend në aeroplan, u-mblodha në kolltuk, mbylla qepallat e rënduara nga lotët, nga lodhja dhe nga brengat dhe vetëm ahere, në vetmi, më pushtoi dhëmbja me tërë egërsinë e saj. Të jesh i rrethuar nga njerëz dhe ta ndjesh veten të vetmuar është më keq se kur je vetëm; vetminë e ndjen më shumë. Ashtu, i katandisur, më ra në mend, në një vegim të largët, miqësia 30-vjeçare e Nexhatit. Kush qe Nexhat Peshkëpia?
Nexhati qe, së pari, humanitar shpirtmadh dhe njëkohësisht i thjeshtë; ai e pranoi jetën ashtu siç ishte dhe me vetëdashje u rrëmbye prej saj. “Fati i njeriut – thoshte shpesh – është fati im dhe vetëm kur të nxëmë të jetojmë së bashku, do të mund të përparojmë së bashku”. Me këtë parim e shkoi jetën Nexhati: duke dëgjuar pleqt, duke mësuar të rinjtë. Tek pleqt ai pa urtësinë e përvojës, tek të rinjtë, madhërinë e enthusiazmit.
Nexhati qe zemërgjerë dhe i përvujtë. Harronte sharjet dhe fyerjet që i bëheshin – dhe që iu bënë, sepse çdo pemë me kokrra gjuhet me gurë nga njerëzit e vegjël – dhe shpresonte, lutej që edhe të tjerët të mos hidhnin shigjeta kundër tij kur, në idhërim e sipër, mund t’i dilte nga goja ndonjë fjalë e ashpër: “shigjetoje zemrën e vëllait, por mos e depërto”. Dhe shtonte: “Jam njeri dhe si i tillë, aty-këtu nuk jetoj dot me atë që them, me filozofinë time, por mundohem t’i ndreq gabimet, të nxë, të rritem”. Kish takt Nexhati, atë takt që të çarmatoste nga çdo zemërim dhe në inat të bënte t’i buzëqeshje, atë takt që i pëlqente ta përcaktonte si “zotësia e atij që i heq bletës thimthin pa u thumbuar.”
Nexhati qe liridashës. Perdja e hekurt, dhe nuk e kam fjalën vetëm tek ajo që ndan Lindjen nga bota e Perëndimit, ishte për atë shprehja më ugursëze e kohëve tona. Perdja e hekurt nuk është prej hekuri, është perde mendore e thurur nga frika, paragjykimi dhe mosbesimi, karakteristika këto të njerëzve të dobët, që skllavërohen pa qenë të skllavëruar. “S’po ndërtojme ne, dita-ditës, perde të hekurta mes nesh?”- pyeste.
Lirinë e shihte si dhuratë të Perëndisë dhe citonte Shen Palin: “Liria është e drejta e pamohueshme që ka njeriu të bëjë gabime, të dështojë dhe të ngrihet e të qëndrojë përsëri me këmbët e tia”. Në të vërtetë, s’ka dështim përfundimtar: liria t’ep përherë rasë të mëkëmbësh. Dhe kur je i lirë, i lirë në mendje, në zemër, në shpirt, je përherë krijonjës: piktor, këngëtar, shkrimtar, ndërtonjës dhe – pse jo? – ëndërronjës, vajtonjës, i vuajtur. Nexhati jetoi jetën që deshi të jetonte, i lirë dhe krijonjës, i lirë dhe ëndërronjës; vajtoi dhe vuajti i lirë. Në librin “Një Zemër në Mërgim”, libër që përmbledh tërë botëkuptimin e tij si njeri i lirë, i ushtroi të gjitha krijimtaritë e tia: prodhoi si shkrimtar, ëndërroi si poet dhe vajtoi e vuajti për ato që kish si më të shtrenjta: për liri, për atdhe, për bashkim, për vëllazërim, për urtësi, për ushqim të shpirtit. Në “Një zemër në Mërgim”, ai këndoi atë që jetoi, siç kish jetuar atë që ka kënduar.
Nexhati qe i dijshëm. Dijen e fitoi në vetmi, në qoshen e kafenesë apo në atë të dhomës së tij prej murgu, duke jetuar – ndër libra – me njerëz që fluturonin në sferat e larta të pothuaj të të tëra degëve të artit, dhe atje u-ekspozua me ato veçori që i bëjnë njerëzit të mëdhenj. Ndër libra fitoi forcën që i nevojitej për të njohur realitetin e fakteve dhe imagjinatën e tij – imagjinata është më e fuqishme se dija vetë, thotë Einstein – e përdori për t’u përshkuar nëpër ato fakte dhe përtej atyre, gjithnjë për një kerkësë për një përgjigje të problemeve. Ndër libra fitoi fuqinë e shpirtit, karakteristika themelore e personalitetit të Nexhatit, ajo që e bëri të madh, që e dalloi si një trëndafil në mes të shkurreve. Ndër libra u-pajis edhe me virtytin e adhuronjësit të Perëndisë dhe sado skeptik që mund të të dukej nga forma e jashtme, ai qe kryesisht fetar. Ndjenjat e mëshirës, të zemërbardhësisë, të lëmoshës, të bujarisë, karakteristike këto që e dalluan, i mësoi në librat e shenjta, qoftë kristiane, islamike, hebraike apo budiste; në predikimet fetare u brumos dhe me ato u-personifikua filozofia e tij: dëshira e madhe për të përparuar, për të shërbyer, për të pushtuar veten, gjithnjë në kërkesë të vlerave madhështore të shpirtit.
Nexhati qe patriot. Ish kryelartë për emrin që mbante, për emrin shqiptar. Dashurinë e atdheut, Nexhati e pa si bazën dhe majën e piramidës që përmbante tërë ekzistencën e tij, si shtytjen më dinamike nga e cila mirte shkas çdo qëllim i tij, si të vetmen ndjenjë që e bën njerinë të jetë i përvujtë e hero. Malli i atdheut e bëri atë të çvishej nga urrejtja, nga smira, nga zemërimi, nga ankthi, nga frika. Tridhjetë vjetët më të mira të jetës së tij, të jetës prej murgu të vërtetë veshur me petkat shekullare, ia kushtoi atdheut dhe për të vuajti, vuajti për tiranët, për të çmendurit, për të verbuarit, për mendjemëdhenjtë, për mendjeshkurtërit.
E ç’nuk qe Nexhati? Mjerisht lindi dhe jetoi në një kohë të gabuar, në një kohë që s’ish e tia. Lindi dhe jetoi në një shekull ku njerëzia lëviz dhe vepron e tërhequr nga magjia e dhunës, e shkatrrimit, e urrejtjes, e fanatizmit, nga magjia e epshit.
Oh kujtesë! Ti, o kujtesë, që je e pavdekshme, që je një ekspozitë bukurish, që je një thesar pasurish mendore të pafund; ti, o kujtesë, që je një protokoll ngjarjesh, dëshmish, dështimesh e fitoresh, që lidh shekujt dhe i jep jetës rrjedhim; ti, o kujtesë, që mban të kaluarën të gjallë, që je një parajsë nga e cila njeriu s’dëbohet dot, fute Nexhatin në gji dhe bëje të mos vdesë kurrë. Frymëzoji bashkatdhetarët tonë, fatin e të cilëve e bëri të vetin, me urtësinë, dijeninë dhe zemërgjerësinë e tij, me ndjenjën e lirisë, të vëllazërimit e të bashkimit. Përndryshe, oh, sa mjerim, do të themi: një yll ndriçoi dhe u shua në shkretëtirë.

Nga krijimtaria letrare e Nexhat Peshkëpisë

NXITJE

O Fjalë,
pjellë e mendjes sime të marrtë, mos druaj por qëndro ti sot me mua gjersa të fashitim detin e suvalëm të pamundësisë ku, e lëkundur në dyshim, fuqia ime krijuese pluskon e dobësuar nga shkëputja me dhunë.
O Fjalë,
pjellë e gjeniut tim të pamjaftueshëm, trimërohu ti sot dhe qëllo drejt në shenjë. Shigjetoje zemrën e vëllait e mos e depërto, por zër vend në thelb gjersa, n’atë Pot të dashurisë së zjarrtë, të tretesh me të.
O Fjalë,
pjellë e shpirtit tim të zymtë, lartësoju ti sot në vetëdijen e ndjenjës fisnike: Si mund të shuhet Kujtimi i Pakrahasueshëm? Si mund të dalë nga zemra Dashuria e Parë? Zbledhi pra flatrat e tua, merre shpirtin tim dhe ktheja Gurrës së Vetme që në mbylljen e ciklit, të shkrepë Shkëndia Ngadhënjyese e Bashkimit.

FOSHNJA E PLAKU

O yll i ri, mos u vërë veshin atyre që thonë: “Foshnja me plakun: sa ndryshim!”
Ata që thonë ashtu, e kanë fjalën te koha, që cakton drejtimet e kundërta. Por ata nuk dinë se shkalla e njëjtë, që na përmban, është në mes të ciklit magjik, që përmbledh çdo gjë dhe në të cilin koha dhe drejtimi i shpëtojnë logjikës.
Prandaj ç’rëndësi mund të ketë, që ti je duke u ngjitur dhe unë duke zbritur, gjersa mbështetemi në të njejtin parmak, për të sosur në pikën magjike të mbylljes së përsosur të ciklit? Ti për të gjetur lumturinë e bukurisë dhe unë qetësinë e së vërtetës.

PA TITULL

Dyke fshikur barin e kopshtit, dëgjova që po afrohej: “Nuk më njeh”, më pyeti.
U ktheva, e kundrova dhe thashë: “S’mund të vë asnjë emër mbi fytyrën tënde.”
“Unë jam hidhërimi i parë i jetës tënde në rini.”
Sytë e saj ndritnin si një pikë vese mëngjesi, dhe heshtëm të dy, gjersa thashë:
“E ke shterur gjithë peshën e lotëve?”
Ajo buzëqeshi pa u përgjegjur dhe kuptova atëherë se lotët e saj kishin patur kohë të mësonin gjuhën e buzëqeshjes.
“N’atë kohë ti thoshnje se do të më mbaje në zemër si një thesar të çmuar dhe përgjithnjë hidhërimin.”
U trubullova dhe thashë: “Ashtu është, por vjetët kanë kaluar dhe harresa s’ mungoi dhe erdhi me kohë.”
E zura nga dora: “Edhe ti ke ndryshuar”, shtova.
“Çdo gjë dikur ka qenë dhëmbje, tani është bërë qetësi.”

ZEMRA NË MËRGIM
Nga Agim Karagjozi

Një zemër në mërgim
Na mblidhte rreth tij,
Në breng’ e me gëzim
Si vëllezër, si bij.

Te zemra në mërgim,
Mallit djegur për Atdhe,
Ne gjenim ngushëllim…
Se dhëmbje ndjente për ne.

Por zemra që na donte
U nda nesh përgjithmonë,
Shpirti që na ngrohte
S’është më në mes tonë.

Tani, si vetë ai tha,
Për të kuvendojmë,
Zemrën që shkretë na la
Me zemrat kërkojmë.
Shtator 1970
Shënim : të gjitha shkrimet e mësipërme u morën nga libri “Nexhat Peshkëpia-1908-1970”.
*Ne Foto:Ne Ansamblene e Kombeve te Roberuara- Nga e djathta, Vasil Gërmenji, Prof. Nexhat Peshkëpia dhe Monsinjor Zef Oroshi.
(Dielli-Arkiv)

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe u shua*, Nexhat Peshkëpia- Një yll, që ndriçoi

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT