Rrënojat e mureve të disa objekteve dëshmojnë më së miri pasojat e rënda që vuan monumenti pesëqind vjeçar që identifikon qytetin e Tetovës – Arabati Baba Teqe. Shteti tanimë nuk e ka në dorë këtë kompleks, por nuk i jep tapitë pronarëve të vërtetë. Arsyetohet se nuk mund t’ua kthejë pronat, pasi nuk janë të regjistruar si komunitet bektashian, ndërsa kërkesat e tyre për regjistrim i hedh me arsye nga më të ndryshmet. Arsye tjetër përmendet edhe se, Baba Edmond Brahimaj, dikur në krye të Gjyshatës së Maqedonisë, tanimë Haxhi Dede në krye të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, nuk ka shtetësi të Maqedonisë
Arben ZEQIRI/*
Tetovë, 5 dhjetor – U deshën dhjetë vite për ta ndërtuar (1538-1548), mbijetoi mbi 450 vjet pa humbur as edhe një vijë nga koloriti i pasur me të cilin u bë i njohur në mbarë botën dhe në fund – mjaftuan 10 vjet për të filluar shkatërrimin, djegien dhe së fundmi – edhe rrënimin. U ndërtua nga Sersem Ali Dede, kunati i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm (vëllai i Mahidevranit, bashkëshortes së parë të Sulltanit) dhe më pas mori emrin Arabati Baba. Kjo është teqeja e Tetovës në të cilën që në periudhën e hershme të ndërtimit të saj, do të fillonte lulëzimi i veprimtarive të ndryshme, krijimtari në shumë sfera, ndërsa me zgjerimin e kompleksit me ndërtime të shumë objekteve të tjera, përveç se si seli e njohur e kultit Islam Bektashian, ky kompleks shërbeu edhe si qendër reprezentative në sferën fetare edhe në atë kulturore, arsimore e të tjera. Të gjitha objektet që për një dekadë u ngritën në oborrin e teqesë janë të integruara në një tërësi unike të harmonizuar. Zbukurime të llojllojshme, stoli, ornamente, relieve, vitrina, qoshqe strehe e tjera i dhanë një pamje orientale arkitekturës së këtij kompleksi. Godinat, përpos zbukurimeve të shumta – janë të pasuruara edhe me më shumë mbishkrime të përmbajtjeve të ndryshme. Të gjitha këto pasuri dhe ato që i kishte falë natyra, gjelbërimin, florën dhe pozita gjeografike rrëzë malit Sharr e bënë këtë kompleks një nga stacionet më të kërkuara të turistëve të huaj që vizitonin Maqedoninë.
Duke pritur pronarin e vërtetë
Në periudhën 1947-1957, për një dekadë zgjati procesi i nacionalizimit të rreth 1200 hektarëve që ishin në pronësi të Teqesë duke e kthyer këtë kompleks në pronësi të shtetit të atëhershëm, Ish Republikës Federative të Jugosllavisë. Që atëherë e deri më sot, dy dekada nga pavarësimi i Maqedonisë dhe pluralizmi politik e fetar, Teqeja Arabati Baba ende nuk ka një pronar. Shteti i e posedon në letër, por jo edhe fizikisht, pasi nga konflikti i vitit 2001 aty u mbyll edhe restoranti i vetëm “Teteks” që ishte hapur pas nacionalizimit që i ishte bërë Teqesë. Por edhe përkundër faktit që shteti nuk mund ti fusë duart përsëri në këtë Teqe, ata nuk heqin dorë nga posedimi formalo-juridik. E duke pritur pronarin e vërtetë juridik që do të mund ti dilte zot këtij monumenti të rëndësishëm kulturor e historik, Teqeja Arabati Baba ka filluar tanimë të “lodhet” e të rrënohet. Objekti në të cilin ndodhet edhe varri i Sersem Ali Dede dhe shumë objekte të tjera janë rrënuar në mungesë të restaurimit, ndërsa konakët dhe objektet e tjera i ka mbuluar pluhuri dhe myshku po për të njëjtën arsye, nuk ka një dorë që ti shpëtojë. Drejtuesit e Komunitetit Bektashian në Maqedoni posedojnë vetëm një pjesë nga i gjithë kompleksi i Teqesë së Tetovës. Gjatë një vizite në këtë kompleks nga ekipi i gazetës KOHA, që u prit edhe nga Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tanimë kryegjysh i Kryegjyshatës Botërore me seli në Tiranë dhe nga Arben Sulejmani, personi i emëruar në krye të gjyshatës së Maqedonisë, si dhe pjesëtarët e tjerë të Teqesë. Të rrethuar nga fotografi dhe piktura me motive orientale, kryesisht të tarikatit bektashian, nikoqirët mbanin afër vetes edhe një grumbull dokumentesh të cilat i kishin grumbulluar nga golgota mëse dhjetëvjeçare në përpjekje për të denacionalizuar pronën që u ishte marrë nga ish sistemi komunist. Sistemi i tanishëm, sipas rrëfimit të vetë drejtuesit e komunitetit bektashian u ka shkaktuar atyre edhe më tepër lodhje dhe telashe duke i endur nga një sportel në tjetrin, nga një gjykatë në tjetrën dhe në fund duke i lënë duar zbrazur. Kësaj radhe loja ishte luajtur në mënyrë më tinëzare. Haxhi Baba Edmond Brahimaj thotë se shteti i Maqedonisë luan një lojë të shpifur. Prona e Teqesë mbahet peng i regjistrimit të Komunitetit Bektashian, për të cilin në vitin 2007 – shteti i kishte rënë pishman pasi i kishte rënë ndërmend se duke mos regjistruar këtë komunitet, atyre do ta kishte më lehtë t’ua mohojë edhe pronësinë. “Në vitin 2007, Qeveria na çregjistroi nga regjistrimi që kishim bërë në vitin 2006 falë angazhimit të PDSH-së, e cila ishte në Qeveri në atë kohë. Tani kishin nxjerrë dy mënyra të reja për regjistrim të komuniteteve fetare, regjistrohen komunitetet që ishin regjistruar para vitit 1998 dhe mënyra e dytë ishte përmes procesit gjyqësor. Por edhe përmes procesit gjyqësor ne kaluam të gjitha instancat në Maqedoni – Gjykatën Themelore, Apelin dhe atë Supreme dhe nuk patëm rezultat”, sqaron Baba Edmond Brahimaj. Pasi nuk kishin figuruar në periudhën para vitit 1998, drejtuesit e Teqesë së Tetovës kishin qenë të detyruar që ti qasen procedurës gjyqësore. Por aty, gjyqësia e Maqedonisë kishte shkaktuar një lëmsh të vërtetë me përgjigjet që ju ishin dhënë, gjithmonë si arsye për përgjigjen negative. Më e rrezikshmja, sipas Arben Sulejmanit, personit të autorizuar nga Baba Edmond Brahimaj, si drejtues i Teqesë, ishte përgjigja me të cilën atyre u ishte kërkuar të heqin dorë pikërisht nga Teqeja e Tetovës. Nëse do të pranonin këtë ‘kusht’, do të regjistroheshin si komunitet, ndërsa 1200 hektarët e kompleksit të Teqesë Arabati do ti ngeleshin përfundimisht shtetit. “Një herë na thanë se nuk ka një regjistër ku do të na regjistronin, as ne si kuptuam. Pastaj na kërkuan që të ndërrojmë adresën e selisë dhe nuk na pranonin Teqenë e Tetovës”, sqaron Sulejmani. Përveç këtyre dy arsyeve, arsyeja e tretë që ishte plasuar në opinion kishte qenë shtetësia e Baba Edmond Brahimajt, i cili është nga Shqipëria, ndërsa nga i ndjeri Haxhi dede Reshat Bardhi ishte emëruar si gjysh i Gjyshatës së Maqedonisë. Për të evituar këtë arsye, Brahimaj kishte emëruar doktorin e shkencave të historisë, Arben Sulejmani si drejtues të Teqesë së Tetovës me qëllim që të vazhdojë procedura e regjistrimit dhe rikthimit të pronës. Por Sulejmani thotë se edhe në këtë pikë vetë shteti kishte qenë kontradiktor, pasi dy herë më parë – në dy shkresa zyrtare me vulë kishte njohur de fakto edhe me dokument komunitetin bektashian dhe Baba Edmond Brahimajn si drejtues të komunitetit. “Edhe përkundër lojës diplomatike që bënin me opinionin se gjoja Baba Edmond Brahimaj nuk ka shtetësi, vetë Qeveria është ajo që zyrtarisht dhe me vulë ka dhënë pëlqimin që Edmond Brahimaj mund të ushtrojë detyrën e drejtuesit të komunitetit Bektashian në Maqedoni. Pra edhe kjo arsye atyre ju bie në ujë”, thotë Sulejmani. Pasi kishin shterur të gjitha rrugët juridike në Maqedoni, drejtuesit e komunitetit bektashian në Maqedoni i janë drejtuar Gjykatës evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut në Strasburg. Atje kanë ngritur tre padi që kanë të bëjnë me mospranimin e komunitetit, njohjen e vazhdimësisë dhe diskriminimin dhe mosnjohjen e të drejtave të individit dhe njëherësh përgjegjësia e shtetit që nuk merr në mbrojtje pjesëtarët e këtij komuniteti. Si argument kryesor, thotë Arben Sulejmani, ata kanë vendimin e ish sistemit komunist për ekspropreimin e parcelës së Teqesë. “Në ekspropreimin që është bërë nga viti 1947-1957 në të gjitha dokumentet zyrtare të asaj kohe thuhet se 1200 hektarë i merren Arabati Baba Teqesë. Dhe ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, por kjo parcelë ti kthehet pronarit që figurën në ato dokumente, pra Teqesë tonë”, thotë Sulejmani.
Zjarri mbi Teqenë nuk “dogji” këmbënguljen
Persona deri më tani të panjohur për autoritetet zyrtare, katër vite më parë kishin tentuar të djegin Teqenë Arabati Baba dhe për “habi”, objekt i sulmit kishte qenë pikërisht zyra e Baba Edmond Brahimajt ku ndodhen edhe dokumentet zyrtare dhe tapitë e Teqesë. Tanimë kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane me seli në Tiranë, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, thotë se ka dyshimet e tij për sulmuesit e Teqesë, por ai nuk e ka ndërmend të qërojë hesape personale me ta. Edhe sulmuesit, sipas tij, janë në shërbim të shtetit përderisa këta të fundit nuk e zbardhin rastin, por lënë hapësirë për dhunë dhe hakmarrje, sipas tij, mes muslimanëve dhe shqiptarëve. “Ata që dëmtojnë pronën tonë janë në njëfarë mënyre në shërbim të shtetit qoftë edhe pa vetëdije. Ne nuk e kemi ndërmend të merremi me askënd, aq më pak me shqiptarët dhe muslimanët. Komuniteti bektashian nuk do të jetë shembull i dhunës, por vetëm shembull i paqes, dashurisë dhe do të respektojë ligjet qofshin edhe ata në dëm të komunitetit bektashian”, thotë Brahimaj.
Xhamia sunite në oborrin e Teqesë
Përballë selisë së Komunitetit Bektashian që ndodhet në kompleksin e Teqesë Arabati, në të njëjtin oborr tanimë ndodhet edhe një xhami sunite. Pa minare, por me një faltore të adaptuar për faljen e pesë vakteve sipas ritit sunit, shqiptarët musliman i drejton në këtë xhami një hoxhë i deleguar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë. Ndërkaq Komuniteti Bektashian edhe përkundër ekzistimit të shumë informatave për një kontest me BFI-në, thonë se me këta të fundit nuk kanë asnjë problem. Me BFI-në jemi të njëjtë në besim, por të ndarë në administratë. Jemi të afërt dhe me llogari të pastra, thotë Arben Sulejmani, përgjegjësi i Teqesë së Tetovës. “Ne jemi musliman dhe vëllezërit tanë sunit janë musliman, ne kemi profet Muhamedin a.s. ata kanë profetin e njëjtë, si ne edhe ata lexojnë Kur’an. Por neve na dallon tarikati që është një nga katër shtyllat e islamit (sheriati, tarikati, marifeti dhe hakikati). Ne i kemi punët e pastra me BFI-në dhe jemi të ndarë në aspektin administrativ. Ne kemi baba, dervish, ndërsa komuniteti suni ka hoxhë, muezin, ne kemi teqetë dhe ata kanë xhamitë”, thotë Sulejmani.
BFI: Teqeja dhe bektashinjtë, pjesë e jona
Nga ana tjetër, edhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë i ka dalë zot pronësisë së kompleksit Arabati Baba Teqe. Ashtu si drejtuesit bektashian, edhe BFI thotë se posedon dokumente (tapi) me të cilat dëshmon se e gjithë prona është marrë nga ata dhe atyre duhet t’ju kthehet. “BFI është i vetmi subjekt juridik që përfaqëson muslimanët në Maqedoni dhe për të njëjtin kemi tapi (të vitit 1929) por edhe më herët, si dhe vakëfname të vet ndërtuesit, por edhe vetë shteti e nacionalizoi atë nga BFI e ish Jugosllavisë. Procedura e kthimit të Arabatit është zgjatur shumë, pa ndonjë arsye konkrete, mirëpo ne arritëm që të njëjtën me vendim të shkallës së parë, ta kthejmë në pronësi të Myftinisë së Tetovës. Ndaj këtij vendimi është ankuar Avokati i Shtetit, besoj ju kujtohet ajo loja e ping-pongut. Kështu luan shteti me ne. Organ i shtetit na e kthen në pronësi, organ i shtetit ankohet. Mirëpo, edhe përkundër ankesave nga Avokati i Shtetit, e drejta është me ne dhe shumë shpejt Arabati do të bëhet pronësi e vakëfit, në fakt pronësi e BFI së Maqedonisë”, shprehet Driton Dikena, udhëheqës i shërbimit të vakëfit të BFI-së. Ai thotë se një pjesë e madhe e pronës së Teqesë tani edhe defakto është në menaxhim të BFI-së, ndërsa besimtarëve bektashian u është lënë një pjesë që shërben për kryerjen e riteve të tyre. Dikena madje thotë se BFI nuk i pengon pjesëtarët e tarikatit bektashian që të kryejnë ritualet e tyre fetare. Por çdo kush tjetër që do të pretendonte se i takon Arabati si kompleks, Dikena thotë se do të binte ndesh qoftë me Amanetin e vakëflënësit (ndërtuesit të teqesë Sersem Ali Dede), por edhe me Kushtetutën e BFI, ngase në Maqedoni i vetmi subjekt juridik që mund të pranojë vakëf është BFI dhe askush tjetër. “Bektashizmi është pjesë e pandarë e islamit që me paraqitjen e tij si tarikat dhe si të tillë i trajtojmë, si pjesë e jona. Çdokush që do të dëshironte ose do të provonte të sjell një situatë ndryshe , do ti ngjante atij hapit kur tenton që thoin ta ndash nga mishi”, deklaron Dikena, udhëheqës i shërbimit të vakëfit në BFI.
*E dergoi per Diellin, Mynyr Nazifi, suportues I VATRES, qe nga viti 1972