Duke prekur hapsirat që shtrihen përtej kufirit të Qafë Thanës, çdokush prej nesh, që edhe pse ka udhëtuar disa herë në këtë vend provon mbresa. Jemi nisur për në Ohër, në brigjet e liqenit më piktoresk, ndaj udhëtimi ynë drejt tij është një kënaqësi më vete. Bashkëshoqëruesi ynë, Zamiri i cili sa herë që udhëton drejt Ohrit e pushton një ndjesi e madhe kënaqësie dhe padurimi, për të shkuar sa më shpejt atje. Kështu duke shkelur vende me histori, orët kaluan në biseda, zbavitje, shëtitje që e bën udhëtimin të gëzueshëm e të paharrueshëm. Ne do të rrëfejmë ca nga ca më poshtë, ku syri e shpirti e ndjen të bukurën, hijeshinë, kulturën, vlerat, dhe dhimbjen e harresës historike, si dhe ato që e ndryshuan atë kohë, por pesha e tyre bie mbi të gjithë ne, mbi brezat e sotëm dhe ata që vijnë.
Në Ohër peizazhet janë kartolinat më të këndëshme të qytetit, ndjesia e parë dhe e drejtpërdrejtë e tij dhe ato të vijnë pranë plot magji e mrekulli, ashtu siç është ky qytet. Për këtë ai është preferuar nga një lëvizje turistike përherë në rritje.Liqeni shtrihet me madhështinë e tij që nga prehistoria. Të eturit për tokë e ujëra e copëzuan atë. Ofshan i gjori liqen në shekuj, s’duron dot, kur në dy a më shumë gjuhë, ia lexojnë emrin e tij të ndryshëm. Kë emër më thonë!? Belbëzimet kthyer në valë nanuriten me bukurinë që ka.Ohri është në vetvete një mrekulli me ndërthurjen magjike të liqenit, qytetit, malit, e këto të pushtojnë emocionalisht.Tej në lindje, brezi madhështor i malit të Galiçicës, që ngrihet në një lartësi prej 2255 metra, duket sikur takohet me qiellin. Ai shndërit në diell me nuancat e natyrës e harlisjen e thellë të gjelbërimit dhe kjo është një tjetër shenjë e cila u thotë mysafirëve: Mirseardhët!
Histori që meriton të shfletohet
Është e natyrshme joshja, për të mësuar më shumë për historinë e Ohrit.Por sado që bëhesh kureshtar, pezmatohesh nga historia e lashtë, dhe e zbehur shqiptare.Heshtja dhe pluhuri i harresës së detyruar, duket sikur i ka mbuluar vlerat e këtij qyteti.Të dhënat historike janë baza e gjenezës, dhe kur historia hesht për të vërtetat, i deformon ato, e kur shkruhet e pabazuar e me interesa nacionaliste, ajo e fsheh qëllimisht shkëlqimin e saj të shëndritshëm, të këtij vendbanimi të lashtë. Banorët shqiptarë të Ohrit, edhe pse pakicë, krenohen me trashëgiminë shekullore,e cila është lënë në harresë si një këngë e pa shkruar në pentagramin e historisë. Jetojnë këtu në këtë bukuri që e ka falë natyra, por të trishtuar, kur reliket e historisë së lashtë të qytetit, që flasin shqip po fshihen nga kujtesa. I ngjeshur mes kësaj heshtje harrimi të kohëve të lavdishme, të pështjelluara pas perdeve të errëta të tyre, dallgët janë përplasur pamëshirshëm në bregun e tij, sa as një rreze dielli nuk po i bën dritë.
Ohri, si gjithë qytetet, e ka një histori të tijën, të madhe, të shkruar e të pashkruar.Një histori të larmishme e të paqëndrueshme me ngjarje të shumta, dhe dëshmi të pakundërshtueshme, që vërtetojnë mjaft fakte, për të cilat, studiuesit duhet ta thonë me forcën e fjalës, edhe pse ajo nuk ka munguar.Albanologë dhe qartësia e tyre, kanë mundësuar të përcjellin tek mentaliteti njerëzor historinë e Ohrit, duke ndriçuar thesaret e gjenezës sonë, të mbetur në hije. Ata kanë zbuluar shumë gjurmë ekzistence të kulturës ilire, që hedhin dritë me evoluimin e saj në shekuj,si një çertifikatë e moçme e këtyre trojeve. Ato të bëjnë me dije, të venë në mendime dhe punë kërkuese studimore të mëtejshme, për të depërtuar në tërë dimensionin e së shkuarës me argumente, duke zbutur ashpërsinë e urrejtjes me përmasat e tmerrshme, të gllabërimit të trashëgimisë sonë.Dihet se të gjitha i kanë përvehtësuar të tjerët, duke krijuar kështu shtete artificiale nga Iliria e lashtë.Ohri ka një mbijetesë mijëravjeçarësh.Ai është vendbanim ilir i fisit të Enkeleasëve, të lashtësisë, tashmë të njohur me emrin Lyhnidos. Nuk është rasti më shumë të shkruajmë për këto thesare me plot të panjohura, por,që hulumtimi i mëtejshën duhet të marrë përmasat pa i humbur ato. Në Ohër, koha ka ruajtur një pjesë të gjurmëve të hershme me pasuri historike, të fshehura thellë në gji të natyrës, edhe pse njeriu e natyra janë një binom i pandalshëm në fenomenet shkatrrimtare. Gjurmët më të hershme,të zbuluara këtu, i përkasin periudhave të shoqërisë njerëzore, të neolitit, e që përfaqësohen sot në muzeun e Ujit, në perferi të Ohrit, në brigjet e Liqenit, ose siç njihet ndryshe: Gjiri i kockave. Këto dëshmi me rëndësi për lashtësinë e këtyre trojeve tregojnë se këtu jeta ka qenë e zhvilluar.Ndërkaq, ndihesh po kaq i interesuar të mësosh më shumë për vazhdimësinë e jetës këtu, dhe për morinë e ngjarjeve përshtyplënëse në kohëra.Shekujt rendën dhe evoluan me hapa gjigande duke sjellë ndryshime rrënjësore të kufijëve.Nga furtunat e stepave, lukunitë e ardhacakëve, gëlltisnin kësisoj troje, artin, kulturën, historinë, të zhduknin thesaret e të çrrënjosnin gjithçka nga lashtësia e tij, duke krijuar një perandori të re dhe botkuptim e tyre.Qiellin e kaltër, si një korb i zi, retë e zezonin në fushata të shenjta dhe mjegulla që herë tkurreshin e herë zgjeroheshin.Me pozicionin e përshtatshëm, Ohri ishte përherë në lakmi të pushtuesve romakë, bullgarë, normadë, turq, të cilët tinëzisht dhe mizorisht i fshihnin gjurmët e lashtësisë me shkatërrime.Një popull vdes kur nuk ka histori, dhe i zhduken rrënjët e thella në shekuj.Por një gjë është më se e vërtetë që, banorëve shqiptarë të Ohrit, historikisht, prej padrejtësive të kohës, pushtuesve, shtypjes, diskriminimit u është mohuar e vërteta e historisë. Mëson më tej, se në shekullin e X, i pushtuar nga bullgarët mori emrin Ohrid, që shpjegohet si vend ″mbi kodër″. Ohri është quajtur edhe Ahras, e këtë e vërtetojnë drunjtë e shumtë të ahut.Ai ka qenë në shekuj vatër e atdhetarizmit me ngjarje të spikatura.Aty kanë lindur, jetuar e luftuar burra, që e vërteta e tyre sado ndryshe të ketë qënë duhet paraqitur ashtu siç është.Ohri ishte qendër e principatës arbërore të Gropajve, e shtrirë nga Dibra, Struga, Ohri deri në Pogradec. Historianët sllavo -maqedonas të Ohrit me kryeneçësinë e tyre, nuk duhet të ngrenë supet përpjetë e të mos harrojnë figurat e tij në kohëra, të kësaj familje si: Andrea Gropa, Pal Gropa, Zaharija Gropa, që në shekujt e XIII-XIV ishin sundimtare të tij. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, e ripushtimit turk, një pjesë e tyre u largua në krahina të tjera. Është interesante të përmendim gjithashtu, se Ohri u bë simbol i qendresës kundër osmanëve turq, e ku janë zhvilluar luftime të ashpra në kohën e Gjergj Kastriotit. Ohri është i njohur në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, dhe vendlindja e figurave të pavarësisë: Dervish Himës, Hamdi bej Ohrit, Zuhdi bej Ohrit, protagonistë në kohën ku roli i tyre ishte aktiv, por fatkeqësisht si mjaft territore ai mbeti jashtë kufijve të tokës shqiptare më 1912. Në Ohër, historikisht dominonin shqiptarët, por sot ata janë në pakicë si shkak i rrjedhojave, që ofroi shekulli XX, dhe luftërave grabitqare ndaj territoreve shqiptare, sidomos pas vitit 1945 me politikën e famkeqit Rankoviç për spastrimin etnik.Për të i u shmangur pasojave të tjera të mëtejshme, u larguan në Turqi, por edhe në Amerikë e vendet e Europës Perëndimore, plot brengë për braktisjen. Pushtuesit, maestro të padiskutueshëm të udhës ideologjike, buzëqeshnin me dhëmbë skërmitur, duke iu kënaqur largimit të shqiptarëve, mes asaj tymnaje të errët, e të përgojuar, si një e shkuar e zymtë, nga e cila e shohim në sy hapsirën e rralluar prej tyre, edhe në asimilimin klasik të atyre që jetojnë aty. Marrveshja e Ohrit midis liderëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuesve të qeverisë maqedonase, në gusht të vitit 2001, ishte një tjetër ngjarje në historinë e këtij qyteti.Pamë lëvizje protagonistësh, të mbërthyer në ngërçin e pazgjithshëm të situatave nacionaliste, e ku roli i mëvonëshm i kësaj marrveshje me albitër ndërkombëtarët e humbi vlerën, duke lënë pas shijen e hidhur të mosrealizimit.Historia e Ohrit ka aq shumë për të treguar
Një perlë për bukurinë e syve
Para syve shtrihej panorama piktoreske e Ohrit.Sa shumë e tregon vetveten ajo, ndaj, të pushton një kënaqësi, që ndoshta pse është e tillë e ndjen thellë. Shpirti gdhend në emocione magjinë e bukurive të tilla, që janë vërtet kënaqësi dhe më tepër.Një raport emocional me të panjohurën e peisazhit të mrekullueshëm, të liqenit, që të shfaqet më befasues para syve, teksa e sodit me një vëmendje ngulmuese. Ai përhap pasqyrime të shkëlqyeshme drite mbi gjithçka, rrugët, pemët, ndërtimet, njerëzit… Përshpëritjet e valëve, si ajo e të dashuruarëve, harmonizuar me hijezimin e ngjyrës çlodhëse të tij, bashkë me retë që kalërojnë qiellit blu, atë përplasjen gjithë finesë të krahëve pulëbardha me aromën e vjeshtës, të mbushin deri në plotësi. Të përhumbur në bukuritë që shfaqen ne nuk e ndjejmë që orët që kalojnë, dhe emocionet të shtohen vazhdimisht. Endur me dëshirën për ta soditur qytetin, syri të rrok rrëke turistësh, aty ku gjenden me shumicë botikë, restorante, kafene… Në faqet e dy kodrave të Ohrit, rrugicat janë me dhjetëra e vargu i shtëpive po i tillë, të ndërtuara në brinjë, të njëra – tjetrës, si një krah i hedhur sup mbi sup. Dielli përplasej në shtëpitë e bardha plot dritë, duke shpërndarë ngrohtësi.Qyteti i shtrirë ca më poshtë me ndërtime moderne, e rreshta ndërtesash të restauruara, ndërthuret me dekorin e gjelbëruar.Kishat, që janë të shumta, të ndërtuara dhe të gdhendura nga mjeshtërit voskopojarë, të lënë përshtypje me përsosmërinë e tyre arkitekturore.Si një admirues i artit, arkitekturës, natyrës dhe së bukurës humbet mes tyre.Nëpër komplekse ndërtesash interesante, të përqëndruara me një densitet të madh, në të dyja anët e tyre gëlojnë lloj-lloj dyqanesh me suvenire dhe ormanente të ndryshme, të cilat ravijëzojnë bukurinë dhe arkitekturën e qytetit, traditën dhe të sotmen.Fryte të mendjes dhe punës njerëzore janë edhe restorantet e gatimeve tradicionale, që ndër shqiptarët ishte më e theksuar.Gjëja e parë që të bie në sy është rregulli, pastërtia, kultura.Në një nga lagjet e vjetra, Çinari, ku banojnë shqiptarët, të tërheq vëmëndjen një rrap shumëvjeçar me trung të trashë e kurorë të madhe gjelbërimi.Jo shumë larg tij një pazar tradicional i një zejtarie autentike, gumzhinte nga turistët.Më tutje statujat e shenjtorëve mbushin sheshet dhe parqet e qytetit me dimesione të ndryshme e mbishkrime cirilike. Një tendecë e qëllimshme kjo,që të zmadhojnë historinë e tyre sllavo-maqedonase. Në majë të njërës nga kodrat dominon kalaja e Samoilit, e cila është pjesa tjetër, që i shton pamjen mahnitëse qytetit.Një rrugicë dredha – dredha, e shtruar me kalldrëm, dhe që gjarpëronte kodrës të shpinte atje. I josh vizitorët ajo, me muret e larta dhe kur i prek ato, padashur futesh në labirinthet e ngjarjeve antike aq të padeshifruara. Koha, kjo shkatrrimtare e madhe ka mbuluar me pluhurin e harresës lashtësinë e saj dhe histori të largëta, e aq më shumë të pathënat, e të vërtetat.Ajo i përket shekullit të IV (prk), por restaurimi, tashmë me ndjesinë e krijimit të madhështisë pushtuese, të shfaqet sikur është ndërtuar edhe njëherë nga e para me një veshje të papërshtatshme.Historia shumë herë ndodh nga shndërrimi i një vendi nga situata e dëshmi të kësaj qenësie, nga gurët, mënyra e ndërtimit të tyre.Ecim territorit të saj, aty ku koha, ngjarjet, luftërat, jeta kanë lënë gjurmë dhe që evokojnë histori.Kujtesa e ngjarjeve të ngacmon mendimet, dhe përfytyrimet gjejnë ca udhë të largëta.Vijnë ato nga thellësia e shekujve me zëra dhe kumte që tingëllojnë në vringëllimat e shpatave, rëndesat e parzmoreve e shkëlqimin e stemave.Furia e erërave të ftohta trazonin valët e bregu të kaltër, por heshtja e gjatë e shkrinte dëborën e pastër.Të duket se këtu takon Mbretin ilir, Bardhylin apo të birin, Klitin me vështrimin krenar, përhumbur diku tutje, mbi liqen, dhe luftëtarët ilirë, që me flakëdrite ndriçonin fortesën e enkeleasëve.E tretim shikimin në liqen dhe malet rrotull tij, prej frëngjive dhe kullave katrore. Malit të lartë të Galiçicës i dallon qartë jo vetëm konturet, por edhe gjelbërimin e thellë. Re të bardha si copëza çarçafësh shpoheshin nga rrezet depërtuese të diellit, që shkëlqenin në liqen.Nën këtë prarim, kjo pamje mangjepse të bënte më romantik se ç’duhet.
* * *
Një udhëtim i bukur lë mbresa kur përballesh me natyrën e gjallë që të shoqëron ngadalë.Një nga bukuritë e këtij udhëtimi është Shën Nauni. Sigurisht,nuk mund të largohemi pa marrë me vehte edhe përshtypjet e vizitës atje. Gëzimi i këtij udhëtimi, shtohet tek ndjekim gjarpërimet e rrugës me sytë e ngulur peizazheve pas çdo kthese. Rrugëtojmë nëpër pyje të dendura,plot me peizazhe të thyera, por të bukura, të cilat fshehin mrekullisht ndërtimet rrëzë shpateve, e që varen buzë liqenit. Sodit pamjet me dëshirën të fiksojmë në celuloid të veçantat mikpritëse.Era luante me majat e larta të pemëve.Të freskon magjia e saj që fryn lehtë, magji vjeshte, e këndëshme.Pas kilometrash të pyllëzuara, nën shkëlqimin e rrezeve të diellit në perëndim, Shën Nauni, buzë liqenit në një kodrinë, i rrethuar nga uji e gjelbërimi dhe objekte adhurimi e peligrinazhi për mijëra vizitorë, të shfaqet si mpleksje midis ëndrrës dhe reales.Shën Nauni është një manastir i pagëzuar me emrin e teologut të ditur, Naunit, i cili kishte shërbyer këtu. Me godina të ç’ngjyrosura nga koha, muret e pikturuara me zbukurime të ndryshme kishtare,dhe të zverdhura, shenjtorët e kupolat e dekoruara me motive ëngjëllore kanë një pamje tërheqëse, ku shpirti të humbet në mistikën e tyre. Ndaj, kushdo që vjen këtu e nderon këtë vend të shenjte, një perlë që dora arkitekte e Zotit e ka krijuar kaq mjeshtërisht dhe kaq hyjnore. E kaluara edhe këtu ka lënë gjurmë.Ai dikur ishte territori ynë, i dhuruar fatkeqësisht nga mbreti Zog, Jugosllavisë si kompesim nderesh kur erdhi në pushtet.Ecim dhe bisedojmë, duke u bërë shijues të një mrekullie të veçantë, me vështrim të kthjellët në horizontin e përflakur nga retë e ndezura, dhe diellin që lëshon reflekse mbi valët.Një fllad i lehtë valët i përplaste në breg të liqenit e të shpupuriste flokët.Uji i ftohtë dhe gjarpërues, që gurgullonte nga thellësitë e lartësive të vargmalit kishte intersante një dukuri, që të jepte të tjera emocione.Pranë një ure druri, adhuruesit praktikonin ritin e hedhjes së monellave në ujë, të cilat qëndronin aty e shkëlqenin nga rrjedha e pastër e tij.Bëhet fjalë për një rit të veçantë, që shumë vizitorë që vijnë këtu e çmonin aq shumë. Sipas një legjende, një bari i vogël nga Shën Nauni punonte në liqenet e Prespës tek një prift. Liqenet e Prespës kanë lidhje nëntoksore ujërash, të cilat ushqejnë liqenin e Ohrit.Bariu, ndërmjet këtyre ujërave u dërgonte familjes së tij të varfër çdo javë nga një qengj, të cilin e fuste në një thes, dhe ata e prisnin aty në Shën Naun.Një ditë prifti dyshon dhe e pyet pse po pakësohet bagëtia?Bariu i përgjigjet, ndoshta i sulmojnë kafshët e egra në mal.Prifti e ruan dhe e sheh veprimin e dërgimit të qengjit në ujrat nëntokësorë të Prespës.Kur vjen java tjetër, ai e vret bariun dhe e fut në thes trupin e tij në vënd të qengjit, duke e hedhur në ujrat nëntokësor.Të afërmit e djalit prisnin qengjin e radhës, por gjetën trupin e djalit. Që nga ajo kohë ky vend ka mbetur i shenjtë e njerëzia hedhin monella në kujtim të bariut. Heshtim për pak çaste për të kërkuar fjalët që ndjejmë pas rrëfimit të kësaj legjende nga bashkudhëtari ynë, Zamiri.Pemët e larta, uji i gjelbër, që reflektohet në sfondin plot dritë të dhurojnë një ndenjë qetesie, dhe kjo të bën të mendoje se po jeton një përrallë. Është kaq bukur sa mbetesh pa fjalë. Por, kënaqësisë i shtohehen edhe spektaklet e mrekullushme të fazanëve dhe mjelmave, aty ku uji formonte disa liqene të vegjël, që gurgullimën e kristalartë, e vijonin qetësisht në liqen.
* * *
Përsëri në udhë, po tani atë të kthimit. Përballë konturohet Pogradeci dhe plazhet e tij, por ne jemi akoma nën peshën e impresioneve tona.Vështrimin herë pas here e rikthejmë mbi tokën që lamë pas. Dielli, shfaqet në mes reve të bardha,tek perëndon i zhytur në horizont pas maleve. Por valëzat e liqenit nëpër pllaquritjet sikur kërcejnë një vals në muzg. Zhurma e motorrit të makinës që mbushte zbraztësinë e pamatë të tyre karakteristike mbytej nga tinguj kënge.