• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Enigma ”Shtegu i pashkelur i Nolit”

March 26, 2015 by dgreca

Shkruan:Petro Luarasi/
Në përkujtimin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të kolosit të kombit shqiptar, Imzot Fan S. Noli, media Digitalb i ofroi publikut filmin dokumentar “Shtegu i pashkelur i Nolit”. Shfaqja u dha në sallën Unesco të Muzeut Historik Kombëtar ditën e martë, 24 mars, ora 18.30.
Edhe unë, ithtar fanolist me rrënjë e degë, i etur për dije dhe informacion, kurnac për kohën dhe mëdyshës për aktivitetet e mirëfillta, munda të mësoj se dokumentari me autore të mirënjohurën Beti Njuma ‘’trajton figurën shumë komplekse të Fan Nolit, njeriut, politikanit, artistit, publicistit dhe klerikut që në historinë e Shqipërisë mbeti i skalitur si kryepersonazh i Revolucionit të Qershorit dhe pjesë e debatit nëse ai ishte revolucion apo grusht shteti.’’
Titulli: “Shtegu i pashkelur i Nolit” dhe shënimi: ‘’kryepersonazh i Revolucionit të Qershorit dhe pjesë e debatit nëse ai ishte revolucion apo grusht shteti.’’ më kujtoi veprën që pata lexuar vite më parë, ‘’Shtegu i pashkelur i Fan Nolit: demokracia Shqiptare në vitet 1920 –1924’’, me autor Robert C. Austin (e përkthyer nga Lindita Bubësi, me redaktor historianin Nasho Jorgaqi). Por nuk besoja as-sesi të ishte përsëritje e veprës së Austinit në një përvjetor e përkujtim ku duhej të evidentoheshin kontributet dhe vlerat madhore Noliane ( personaliteti vigan i kombit, themeluesi dhe udhëheqësi i kishës ortodokse autoqefale shqiptare dhe Vatrës, veprimtari popullor e misionari politik, studjuesi, poeti, përkthyesi, kompozitori, oratori, dijetari,etj ) dhe jo të metat terciale të tij (p.sh. si politikan).
Me nderim për Imzot Fan Nolin, për përkushtimin e medias Digitalb dhe autores Beti Njuma (spikere, gazetare, përkthyese, studjuese dhe dashamirëse e artit, kulturës e historisë) mezi prita orën të rend me një frymë që të zë vendin e lakmuar për të ndjekur shfaqjen. Nga nxitimi iu shmanga edhe protokollit, të përshëndetesha me mikpritësit e MHKSH apo përfaqësuesin e KOASH-it. Por… nxitova më kot pasi salla kishte vende plot. Ndër të paktit si unë, në rradhët e para, pashë deputetin Namik Dokle, kritikun Erion Kristo , më pas edhe deputetin Fatmir Toçi me të shoqen, dhe mbi të gjitha, para meje u ul vetë autorja plot sharm Beti Njuma, që nuk pata kurajo e fat ta uroja paraprakisht sit ë tjerët.
Në orën 18.30 njerëzia e kulturuar e mbushi paksa mjedisin dhe shfaqja filloi. Përfytyrimet dhe njohuritë e mia fanoliane, të rrënjohura me opinione dhe dëshmi të paraardhësve të mi, miq e bashkëpunëtorë me Nolin e Madh, po ballafaqoheshin me sekuencat filmike dhe opinionet e një gazetari dhe disa studjuesve. Që në krye e kuptova përse gjindja mezi ishte çapitur në shfaqje, por durova të shihja fundin.
Ndryshe e përfytyroja një dokumentar cilësor ku të përmblidheshin dokumenta, dëshmi e komente mbi jetën, veprën dhe vlerat tërësore të Fan Stilian Mavlomatit-Nolit, gjenezën shqiptare dhe vetëdijën shqiptare për mbijetesë, arsimimin dhe edukatën e tij, talentin e sakrificat, përballjen me vështirësitë dhe jetesën e thjeshtë, madje të skamur, vetëm për të mbetur deri në fund i Njeri i ndershëm, i pakorruptuar, besnik deri në vdekje i idealit të tij atdhetar dhe social-demokrat. Por dokumentari, u bazua çuditërisht kryekëput tek tematika e libri të Austinit ‘’Shtegu i pashkelur i Fan Nolit: demokracia Shqiptare në vitet 1920 – 1924’’ me disa komente historianësh e gazetarësh dhe aspak, sikurse pretendohej nga reklama, në vlerat e gjithanshme madhore të Fan Nolit ‘’njeriut, politikanit, artistit, publicistit dhe klerikut’’!
Enigma e dokumentarit nisi e bitisi me paradokset e ‘’vulosura’’ prej ithtarit zogist antikomunist Blendi Fevziu, i cili me logjikën e emisioneve ‘’Opinion’’ ia nisi kronikës duke i mballosur veprimtarisë dhe vlerave fanoliane atentatin ndaj Zogut në vitin 1924! Dhe rrjedha logjike të çonte menjëherë tek ‘’puçi’’, revolucioni ‘’komunist’’ dhe gabimet e Nolit. Për pasojë argumentohet kthimi triumfal i Zog- ‘’shpëtimtarit’’ dhe shtegu pa kthim në kurbet i Fan Nol-‘’mëkatarit’’. Për ‘’kompromis historik’’ serviret edhe ‘’mirëkuptimi atdhetar’’ mes Zogut e Nolit , ku i pari ‘’e fal’’ të dytin, madje i ofron ofiqe dhe bamirësinë financiare. Përballë Ahmet Zogut, veprimtarisë dhe vlerave të tij , sipas formatit botëkuptimor , optikës dhe dekorit të opinionistit Fevziu, vërtiteshin edhe argumentet e historianëve P.Milo, N.Jorgaqi, J.Bejko madje edhe të studjuesit amerikan B.Fisher, që analizonin dhe rrekeshin të justifikonin gabimet e Fan Nolit dhe qeverisë së tij ?!
Pra Blendi Fevziu bombardonte me predhat zogiste ndërsa historianët përpiqeshin të shfajësonin Fan Nolin për pasojat që ato shkaktuan?! Troç: burri i shtetit, realisti Ahmet Zogu me sejmenë, vriste e grabiste dhe shiste interesat kombëtare ‘’në mënyrë të ligjshme’’ , ndërsa ‘’aventurieri’’ romantik Fan Noli me shokë kritikohen përse e përmbysën me revolucion ‘’ të paligjshëm’’. (Ky standart i dyfishtë vlerësimi ‘’shkencor’’ serviret edhe në ditët e sotme, mjafton të kujtojmë revolucionet portokalli apo Pranverën Arabe , që sipas shijes etiketohen përparimtare apo reaksionare, të ligjshme apo të paligjshme! Apo veprimi me arkën e shtetit: Kur po mërgohej Noli thirri ne Vlorë R.Ficon dhe i tha: “Pranoni ju lutem Arkën e Shtetit dhe dorëzojani qeverisë që do të na zëvendësojë”, ndërsa Naltmadhnia e Tij Zogu I veproi ndryshe…)
Subjekti ‘’historikisht kuptimplotë ‘’ i dokumentarit nuk e justifikon përkujtimin e Fan Nolit kur naltësohet madhështia e Zogut si ‘’viktima e pafajshme’’ e Revolucionit të Qershorit! Mikpritësit, organizatorët e shfaqjes dhe investitori e bënë si duhet detyrën e tyre, e përhapën kudo lajmin, ofruan mikpritjen e duhur, shpenzuan mund e para por…nuk ia vlejti barra qeranë, as për vendin e kohën dhe as për mesazhin e vlerave që duheshin vlerësuar e nderuar.
Për mendimin tim do të qe më mirë të ishin përdorur paratë më me efektivitet, t’i besohej autorësia e dokumentarit një historiani, edhe për vlera, edhe për imazh më të paqmë.
Meqë u bë, u bë… por të paktën ta kishin shfaqur dokumentarin një herë tjetër, jo në këtë përvjetor të Nolit të Madh, por kur të kujtohej Ahmet Zogu dhe pasuesit e tij të kishin material të kritikonin Revolucionin ‘’famëkeq’’ të Qershorit! Në këtë përvjetor të Fan Nolit, Kolosit me vlera të gjithanshme të Kombit Shqiptar, meritonin të permendeshin shumë e më shumë merita, por jo duke u përqëndruar vetëm tek dobësitë e tij si politikan! Po përse nuk u bë një dokumentar për të qenë? Përse edhe në këtë përvjetor Fan Noli nuk meritoi një përmendore, veprimtari madhore akademike dhe nderim shtetëror ku pasardhësve të tij t’u jepej ‘’Urdhëri Nderi i Kombit’’? Përse edhe KOASH-i nuk i bëri nderimet që meritonte si themelues, me një meshë të kryesuar nga vetë kreu, Fortlumturia Janullatos, në Katedralen e Tiranës-kryeqytet ?
Një nga këto ‘’përse?” enigmatike qe edhe dokumentari ”Shtegu i pashkelur i Nolit”.

Filed Under: ESSE Tagged With: ''Shtegu i pashkelu, Enigma, Petro Luarasi, r i Nolit''

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT