• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letra e Biden për Vuçiçin dhe diplomacia e “shkopit dhe karotës “

February 12, 2021 by dgreca

Analizë nga Rafael Floqi/

Diplomacia është arti i të mundshmes. Por vetëm parashtrimi i një kërkese nuk mjafton. Arti diplomatik i shkopit dhe karotës, duhet përdorur, por kjo deklaratë e Bidenit, ndaj Serbisë nuk ka as forcën e shkopit” as joshjen e karotës.  Dhe e thënë shqip as fshikullimën e kërbaçit dhe as shijen e kulaçit.  Po pse? Sepse Serbisë i afrohet karota të cilën Amerika s’e ka plotësisht në dorë dhe s’e kontrollon, që është aderimi në BE, që varet vetëm nga BE-ja dhe kjo madje pa asnjë hije shkopi.

Shprehja e përdorimit të “karotës dhe shkopit” është një metaforë për përdorimin e një kombinimi të shpërblimit dhe ndëshkimit, për të nxitur një sjellje të dëshiruar, është një idiomë që i referohet një politike që ofron një kombinim shpërblimesh dhe ndëshkimesh, për të shkaktuar një sjellje e qëndrim të caktuar drejt qëllimit tonë. Në politikë, “karota ose shkopi” ndonjëherë i referohet konceptit realist e pragmatik të fuqisë së butë dhe të fortë. Karota në kontekstin e diplomacisë mund të jetë premtimi i ndihmës ekonomike ose diplomatike midis kombeve, ndërsa shkopi mund të jetë kërcënimi i veprimit ushtarak. Në fakt vetë metoda është realisht pragmatike dhe është një përzierje e të dyjave.

Si ta kuptojmë Letrën e Biden për Vuçiçin

Këto ditë zëdhënësi i Ambasadës së SHBA në Beograd, James Hagengruber, ka përsëritur qëndrimin e presidentit amerikan Joe Biden se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me njohjen e ndërsjellë si bazë, është i njohur prej kohësh si çelës për arritjen e këtij qëllimi. Kjo deklaratë dhe pse përsëritje nuk është e re por një vazhdimësi e politikës amerikane në Ballkan.

 “Ish-Presidenti Trump gjithashtu e ka bërë këtë politikë shumë të qartë. Në vitin 2019, ai i shkroi Presidentit Aleksandër Vuçiq për ‘mbështetjen e palëkundur’ të Shteteve të Bashkuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe veçanërisht angazhimin e tij për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, – ka thënë Hagengruber për agjencinë “Tanjug”, duke komentuar letrën e Presidentit të tanishëm të SHBA, Biden, të cilën ia dërgoi Vuçiçit me rastin e Ditës së shtetësisë së Serbisë, në të cilën theksohet njohja e ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës. Hagengruber theksoi se “u takon të dy palëve të arrijnë një marrëveshje të cilën dy palët mund ta mbështesin”, duke shprehur bindjen, se njohja e ndërsjellë duhet të jetë një element kryesor në normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve. 

Pra, qëndrimi amerikan ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës është i njëjtë, me gjithë dyshimet, jo aq për qëllimin, po për taktikat disi ekscentrike e jokonvencionale të qasjes së Grenellit, që mbështetej tek diplomacia ekonomike dhe tek “karota-interesi i përbashkët ekonomik “, se sa tek shkopi dhe presioni. Në një kohë që Serbia luan me dy krahët dhe armatoset ushtarakisht nga Rusia dhe i bën me sy pranisë së Kinës dhe Turqisë në Ballkan.

“Një marrëveshje e tillë historike, me njohje të ndërsjellë në thelbin e saj, do të ndërtonte rrugën drejt qëllimeve të integrimit evropian dhe rritjes ekonomike të Serbisë”, shtoi zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Serbi. 

Në fakt kjo deklaratë ka vetëm forcën e citimit dhe graviton peshën e SHBA në politikën e Ballkanit, dhe ka prapavijën që presidenti Biden, është një njohës i mirë i çështjes së Kosovës, por vetëm aq. 

Pse nuk shkaktoi befasi Letra e Bidenit?

Letra në Kosovë nuk shkaktoi befasi pasi është një qëndrim që pritej nga Biden, madje  dhe në Serbi u kalua disi me heshtje.

Diplomacia është arti i të mundshmes. Por vetëm parashtrimi i një kërkese nuk mjafton. Arti diplomatik i shkopit dhe karotës, duhet përdorur, por kjo deklaratë e Bidenit, ndaj Serbisë, nuk ka as forcën e shkopit” as joshjen e karotës.  Dhe e thënë shqip as fshikullimën e kërbaçit dhe as shijen e kulaçit.  Po pse? Sepse Serbisë i afrohet karota të cilën Amerika s’e ka plotësisht në dorë dhe se kontrollon, që është  aderimi në BE, që varet vetëm nga BE-ja dhe madje, asnjë hije shkopi.

Hagengruber shtoi se “Shtetet e Bashkuara nuk duan asgjë më shumë sesa Serbia të ketë sukses në aspiratat e saj drejt BE-së dhe se kthimi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e BE-së, është thelbësor për një sukses të tillë”. 

Ai kujton fjalët e presidentit Biden se “një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e cila do të çonte në njohjen reciproke, ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të të dyja vendeve dhe forcimin e institucioneve të tyre demokratike, që është me rëndësi thelbësore për përparimin e Kosovës dhe Serbisë”. 

E thënë kështu, për të mos tjetërsuar Serbinë, drejt Rusisë, në fakt ky është më tepër një dëshirë e politikës së jashtme e gjeopolitikës amerikane në Ballkan, se sa një mjet për ta detyruar Serbinë të pranojë njohjen e Kosovës. Pasi, nga ana tjetër, nuk ka paralajmërime për sanksione për Serbinë, për pengimin e aderimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. 

Zëdhënësi i ambasadës amerikane shtoi se kjo do të përmirësonte sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve dhe do të përkonte me aspiratat e tyre për anëtarësim në BE dhe institucione të tjera multilaterale dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm që një Evropë e tërë të jetojë në paqe dhe liri.  Nga njëra anë Amerika i lë në dera Evropës ta zgjidhë këtë kontest ndërkohë, që Evropa gjithë këto vite s’ka arritur gjë. Ndërkohë që Serbia pengon me çdo mjet aderimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

BE-ja dhe kalendat greke të Lajçakut

Ndërkohë përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është në kërkim të vazhdimit të mandatit në postin në të cilin u emërua para gati një viti, edhe pse  perspektiva e vazhdimit të dialogut të cilin ai e ndërmjetëson nuk duket shumë e qartë. Lajçakut dhe ekipit të tij prej rreth dymbëdhjetë personave mandati u skadon në fund të muajit që vjen dhe pritet që shtetet anëtare të pajtohen për vazhdimin e tij. Por, situata politike në Kosovë dhe paqartësitë të cilat mund të vazhdojnë edhe pas zgjedhjeve të së dielës përmenden si arsye pse takimet e reja në kuadër të dialogut mund të mos zhvillohen deri në verë. Para përfaqësuesve të vendeve të BE-së, për situatën politike në Kosovë dhe pritjet pas zgjedhjeve, ka raportuar shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog. Pas tij ka raportuar edhe Lajçaku. Situata e komplikuar politike në Kosovë dhe mundësia që gjërat të mos sqarohen para verës bënë, që vazhdimi i dialogut të mos ndodhë deri atëherë. Lajçaku kërkon mandat të ri, ndërkohë që ai më nuk flet për “marrëveshje të shpejtë”, por thotë se “nuk mund të caktojë afate kohore”. 

Lajçaku, në të njëjtin debat, ka folur edhe për pritjet për një bashkëpunim më të mirë me SHBA-në dhe se ai nuk pret ndonjë shantazh nga ana e Washingtonit, duke sqaruar pikërisht atë se mungon presioni diplomatik . 

Letra e Bidenit si statuskuoja e Obamës 

Në fakt, letra e Biden është dëshmi serioze e konsistencës amerikane në qëndrimet lidhur me dialogun me Serbinë. “Letra e Presidentit Biden, drejtuar Presidentit të Serbisë, është dëshmi serioze e konsistencës amerikane në qëndrimet karshi zgjidhjes së çështjes, përkatësisht përmbylljes se procesit negociator në mes të Kosovës dhe Serbisë, proces i cili pritet të përmbyllet shpejt dhe të përfundojë me njohje reciproke. Nëse deri me sot, adresimet ndaj Serbisë kanë qenë me shumë të nënkuptuara, ky mesazh ka qenë i shkoqur  dhe me i qartë. 

Por megjithatë kësaj deklarate i mungon pragmatizmi diplomatik kundrejt një kokëfortësie serbe që po vazhdon për dy dekada.  Në ketë kontekst, Presidenti Biden, edhe njëherë ua bëri të qartë se njohja e Kosovës nuk ka alternativë dhe se sa me herët të ndodhë kjo nga Serbia, do të jetë veç me mirë për vetë Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin. Por a thua kjo do të mjaftojë t’i largojë serbët ndaj synimet e tyre ndaj Kosovës. Unë mendoj që nuk mjafton. Në një kohë drejtuesit e Kosovës që luftuan për lirinë e vendit të tyre ndodhen në Hagë, dhe vrasësit edhe të vëllezërve Bytyqi janë të lirë.

Ballkani perëndimor ka sfida të mëdha, shpresojmë që Serbia t’i kuptojë mesazhet amerikane dhe t’i kthehet realitetit të politikës, rrjedhimisht pranimin e realitetit të Kosovës. Por a mund të bëhet kjo pa presion. Kjo deklaratë i ngjan politikës 8- vjeçare të Obamës ndaj Kosovës, që ishte një ruajtje e statuskuosë dhe nuk pati asnjë avancim të zgjidhjes të problemit të Kosovës. Serbia nuk ka treguar as konsistencë, e as shkathtësi diplomatike e politike për të qenë në gjendje me artikuluar drejtë në vlerësimin e situatave. Ajo çdoherë ka qenë e ndikuar nga qasja populiste e politikës të brendshme se sa nga ajo realiste, prandaj Vuçiçi i lëshon shkëndija me teori siluruese për të parë reagimin amerikan. 

Vuçiçi dhe teza armene për Kosovën

Aleksandar Vuçiçi, presidenti serb, i ngjashëm me kryeministrin armen Nikolla Pashinyan, pretendon të përsërisë sa herë që i jepet mundësia të argumentojë një tezë të tij mbi domosdoshmërinë e ndarjes së Kosovës, bazuar në të ashtuquajturin parim të shkëputjes korrigjuese. Por, kur kjo tezë nuk i përshtatet, si në rastin aktual të ndërhyrjes së Azerbajxhanit, ai thirr sovranitetin e paprekshëm dhe të drejtën e shtetit për të mbrojtur interesat kombëtare!  Përkundër kësaj, për Beogradin, lufta gjithëpërfshirëse për kthimin në Kosovë vazhdon. Edhe me koston e shkaktimit të përplasjeve të mëdha, pasi ato krijojnë mundësi për të aplikuar skema të rrezikshme gjeopolitike pa u shqetësuar për paqen dhe stabilitetin. Në këtë linjë mendimi duhet kuptuar kërcënimet e Aleksandar Vuçiçit sot.

Deklarata e Vuçiçit në fakt i drejtohej më shumë administratës së Joe Biden sesa Prishtinës zyrtare ose Tiranës. Synimi këmbëngulës për të bërë paralele me rrugët e ndjekura për çlirimin e Kosovës nga pozicioni kolonial dhe konflikti i ngrirë në Nagorni-Karabak, duke mbrojtur tezën serbo-ruse mbi konflikt dhe barazimi i Kosovës me një, është jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe duhet të trajtohet me shumë seriozitet.

Bisedimet Kosovë -Serbi dhe paqartësia e zgjedhjeve në Kosovë

Në lidhje me vazhdimin e bisedimeve, Lajçaku kësaj radhe ka thënë se “nuk mund të përmendë afate kohore për vazhdimin e dialogut për shkak të situatës në Kosovë” dhe se “dialogu do të vazhdojë kur në Kosovë të krijohen institucionet e reja, që do të dalin si rezultat i zgjedhjeve të 14 shkurtit”. Sipas të njëjtave burime, Lajçaku ka thënë se “nuk do të nisë nga zero, por nga aty ku kanë mbetur në procesin e dialogut”, duke u lavdëruar se ai ka arritur “ta rifillojë dialogun”.

Deri vonë, Lajçaku dhe zyrtarët e tjerë të BE-së thoshin se “arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë çështje muajsh e jo vitesh”, por tani kur Lajçakut po i skadon mandati njëvjeçar thonë se “nuk mund të ketë afate kohore, sepse kjo varet nga palët dhe gatishmëria e tyre për t’u treguar qytetarëve se çfarë kompromisesh priten”.

Madje në BE ende vazhdojnë të mos përgjigjen në pyetjen se a është njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë qëllimi i dialogut, siç është shprehur presidenti amerikan, Joe Biden, në një letër dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Dimitrija Miliç nga OJQ “Novi treci put” sipas radios serbe B92, e sheh arsyen e botimit të këtyre dokumenteve në statusin e ndërlikuar të BiH dhe të Kosovës. “Ata i konsiderojnë vendet e tjera në rajon të qëndrueshme. Ekipi i Biden beson se të gjitha ato vende, përfshirë Serbinë, duhet të jenë pjesë e BE dhe NATO. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë për të pajtuar rajonin,” përfundoi Miliç.

Basti i humbur i Vuçiçit me Trumpin

Nëse Trump nuk e njihte çështjen e Kosovës, hapat e ndërmarra dhe takimet në Shtëpinë e Bardhë, i shërbenin më tepër ndërtimin e një imazhi me strategjinë e shuarjes të konflikteve të fjetura, duke zvogëluar praninë ushtarake amerikane në vende të tjera. Në atë masë sa gjatë takimit në shtëpinë e Bardhe Trumpi e pyeste Vuçiçin për tenistin serb Gjokanoviç.  Dashuria dhe investimi i Vuçiçit pranë Trumpit, filloi qysh me fitoren e këtij të fundit dhe largimin e Hillary Clinton-it nga presidenca qysh më  2016,  madje dhe në qarqet pro serbe në Kongres dhe në media shihej si një iluzion i kotë. Megjithatë duhet të kujtojmë se revista “Wall Street International” publikoi një artikull sipas të cilit rreth 750.000 qytetarë amerikanë me origjinë serbe, të cilët jetojnë në shtete kyçe dhe shumë të rëndësishme në SHBA në prag të zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ishin kundër Bidenit ” pasi serbët, pohonte artikulli, nuk e kishin harruar mbështetjen e Biden për bombardimin e Jugosllavisë.

Më 4 shtator 2020, ndodhi takimi në Shtëpinë e Bardhë. Dukej se pritja e presidentit  serb u shpagua. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte në Shtëpinë e Bardhë duke nënshkruar marrëveshje me Kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti, që do të shihte që të dy kombet – që bënë një luftë në 1998 – të rivendosnin lidhjet ekonomike, duke mos e përdorur detyrimin e Serbisë për të njohur Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në 2008

Kjo ishte një fitore për Beogradin, i cili kishte bërë presion për dy dekada për të mos pranuar një Kosovë të pavarur, dhe ky kusht s’ishte vënë nga Trump, ndërsa Bashkimi Evropian, i cili e ka bërë atë një kusht të anëtarësimit të Serbisë në bllok. Trump dhe i dërguari i tij Richard Grenell, nuk kërkuan që Vuçiç të kalonte atë rubikonin. Vuçiç mori madhështinë dhe ceremoninë e një marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë, por pa paqen. Fakti që ishte Biden ai që fitoi Shtëpinë e Bardhë – ky qe një lajm i keq për Vuçiçin dhe aleatët e tij. Aleksandër Vuçiçi i Serbisë vuri një bast i madh ndaj Donald Trumpit dhe humbi. 

Po tani çfarë?

Serbia pa presion do të vazhdojë zvarritjen e dialogut të zgjatur, duke zbatuar edhe pjesërisht konceptin e kontrollit efektiv në veri të Kosovës, duke investuar vazhdimisht për të qenë e gatshme për të pushtuar veriun në rrethana të përshtatshme. Tani që marrëveshjet sekrete me ish-presidentin Hashim Thaçi për një simulim të rikthimit kanë dështuar, presidenti serb i u kthye argumentit të Nagorni Karabakut si një “argument” shtesë dhe si një alibi të gjetur!  

Por është koha e fundit dhe është e dëshirueshme që Serbia të mësojë nga gabimet e veta, derisa vlerëson se Serbia do të hezitojë ta njohë Kosovën dhe përmes satelitëve të saj brenda Kosovës, do të mundohet ta stabilizojë vendin që ta shpallë të dështuar. Megjithatë Kosova ka Amerikën dhe miqtë e saj dhe Serbisë do t’i imponohet njohja e Kosovës por a do ta pranojë ajo.

Serbia, karotat dhe shkopinjtë 

Ekzistojnë në thelb dy mënyra të zbatimit të këtyre instrumenteve të politikës në politikën ndërkombëtare. Karotat dhe shkopinjtë mund të aplikohen njëkohësisht ose në seri, njëra pas tjetrës. E gjitha varet nga konteksti i veçantë që mbizotëron në një moment të caktuar historik, nga balancat e fuqisë, si dhe nga botëkuptimi (realist, liberal ose konstruktivist) i vendimmarrësit qoftë ai (fajkua, pëllumb apo buf). Cilado qoftë mënyra në të cilën do të përdoren këto instrumente, qëllimi përfundimtar, e sfida, mbetet e njëjtë: si ta bëjmë palën tjetër të ndryshojë politikën e saj për një çështje të veçantë në përputhje me atë që ne dëshirojmë.

Është koha e fundit dhe e dëshirueshme që Serbia të mësojë nga gabimet e veta dhe t’u kthehet problemeve të brendshme që i ka të shumta, e mos ta mbajë peng, as Kosovën e as popullin e vet. Serbia do të hezitojë dhe do të prolongojë njohjen e Kosovës, me shpresë që mund të arrijë që përmes satelitëve të vetë brenda Kosovës, ta destabilizojë atë me shpresën që të shpallet shtet i dështuar e jofunksional. Por, megjithatë, edhe përkundër faktit që do na e bënë jetën të vështirë, Kosova, bashkë me miqtë e vet, siç është SHBA, do t’ia dalë ta imponojë njohjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë përveç deklaratave të qarta si ajo e Presidentit Biden, nevojiten më shumë kushte dhe mjete presioni ndaj Serbisë. 

Pasi është një çështje tjetër që as karotat dhe as shkopinjtë e përdorur shpesh ose në seri, ose së bashku, nuk mund të garantojnë gjithnjë suksesin. Nga ana tjetër ne e dimë që përdorimi i karotave dhe shkopinjve të Amerikës, ka punuar deri në një farë mase, ndaj vendeve të caktuara, gjë që tregon se pala tjetër së cilës iu paraqiten kushtet ka interesat e veta dhe, përveç kësaj, në të vërtetë mundet të mos i konsiderojë karotat mjaft të ëmbla, ose dhe shkopinjtë aq të dhimbshëm.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafael Floqi.Letra e Biden, Vuçiç

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT