Nga Saimir SULAJ/
Rajoni i Kosovës, i njohur në lashtësi si Dardania, shquhej për prodhimin e verës më të mirë në Ballkan, traditë kjo që u “vodh” nga vendet perëndimore të Europës, si Italia dhe Franca. Por një vend ku ka ekzistuar tradita, ajo nuk shuhet. Në vitet ’50, pati një përqasje të ekspertëve jugosllave dhe atyre gjermanë, për ta rikthyer traditën. Rahoveci u kthye në qendrën gravitacionale të vreshtarisë dhe verëtarisë në Kosovë dhe jo vetëm. Në Kosovë, sa herë përmenden vreshtat me rrush, mendja të shkon menjëherë në Rahovec dhe e anasjellta. Rajoni i shtrirë në jug-perëndim të shtetit të ri, i është rikthyer traditës së vjetër të vreshtarisë dhe përgatitjes së verës. Në këtë zonë, rreth tre mijë hektarë tokë janë mbjellë me varietete të ndryshme të rrushit, duke bërë që vreshtaria dhe prodhimi i verës në Kosovë, të jenë sektorët me rritjen më të madhe. Në Rahovec gjendet një prej kantinave më të mëdha të përgatitjes së verës në Ballkan, e themeluar që në vitin 1953. Për shumë vite, industria e verës ka pasur një kapacitet prodhimi prej 50 milionë litra në vit. Gjatë luftës u dogj një pjesë e mirë e vreshtave dhe infrastrukturës, por tani situata ka ndryshuar ndjeshëm. Një prej ndërmarrjeve më të suksesshme në këtë fushë, është ajo e biznesmenit të shquar shqiptaro-amerikan, Rrustem Gecaj. Pas suksesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa vite më parë ai vendos të investojë edhe në vendlindje. Tashmë, kantina e verës “Stone Castle”, në pronësi të tij, është një histori suksesi. Përmes saj, jo vetëm që ka ndihmuar në punësimin e qindra njerëzve, por edhe ka promovuar Kosovën. Kjo pasi vera e kantinës “Stone Castle”, eksportohet në vendet më të rëndësishme në botë. “Themelimi i kësaj kantine nga ekspertë të periudhës së ish-Jugosllavisë dhe gjermanë është bërë duke studiuar tokën, duke studiuar kushtet klimatike të favorshme për ngritjen e vreshtave në këtë rajon. Kështu që lindi kjo kantinë dhe me kualitetin e dëshmuar të cilësisë së verave tona, ne kemi arritur që në vitet ’80-të të eksportojmë në bashkësinë evropiane deri në 50 milionë litra”, -tregon menaxheri i kantinës, zoti Artur Camaj. “Ne si biznes posedojmë rreth 700 hektarë vreshtë aktive. Kemi dy mijë e 200 hektarë tokë, të cilat shpresojmë se do të kthehen në vreshta të gjitha. Prodhimi mesatar vjetor është mbi 12 milionë litra verë. Si kantinë kemi një kapacitet stazhionimi deri në 30 milionë litra verë”, -shton Camaj. Kantina “Stone Castle” prodhon 18 lloje të ndryshme vere dhe rakie. “Ne kemi mbi 18 produkte të verës dhe të rakisë. Eksportojmë pothuajse në të gjitha shtetet evropiane, përjashtuar shtete nordike, pasi aty nuk jemi. Eksportojmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eksportojmë në Turqi, në Nigeri dhe së shpejti shpresojmë që të fillojmë eksportimet edhe në Malajzi dhe Japoni”, -tregon menaxheri Camaj. Vera e Rahovecit vlerësohet kryesisht për cilësinë dhe pastërtinë e saj. “Vera jonë, sidomos ajo ‘Chardonnay’, vlerësohet shumë në tregun rajonal dhe në atë europian për cilësinë shumë të pastër të këtij varieteti. Kantina jonë ka veçorinë se të gjitha verërat që ne i prodhojmë, i kemi të pakombinuara. Ato janë të pastra 100 për qind, që nga aroma dhe e gjithë struktura”, -shpjegon Camaj. Ministri i Bujqësisë së Kosovës, Blerand Stavileci thotë se qeveria ka mbështetur vazhdimisht këtë sektor të ekonomisë, përmes ndihmave dhe subvensioneve. “Ne e mbështesim jashtëzakonisht shumë këtë sektor, edhe atë të prodhimit dhe atë të përpunimit të verës. Tek sektori i prodhuimit ne i mbështesim fermerët në pagesa direkte apo subvencioneve dhe me skemën e granteve për ngritjen e vreshtave të reja. Vetëm gjatë kësaj periudhe ne kemi mbështetur ngritjen e 567 projekteve të tilla zhvillimore. Edhe bodrumet e verërave i përkrahim edhe sa i takon subvencionimit të stokëve dhe sa i përket promovimit brenda dhe jashtë vendit”, -thotë zoti ministër. Sipas Stavilecit, Rahoveci cilësohet pa frikë si kryeqyteti i bujqësisë në Kosovë. Veç vreshtarisë, vitet e fundit ka pasur një ecuri mjaft pozitive edhe të sektorëve të tjerë të bujqësisë. Kjo ka bërë që në Kosovë të ndryshojë bilanci tregtar, pasi ka pësuar rënie importi, teksa është rritur eksporti. Vitet në vijim, qeveria ka në plan të investojë 500 milionë Euro në këtë fushë, me synimin e ruajtjes e zhvillimit të traditës dhe sigurimit të 50 mijë vendeve të reja të punës.