• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rrëfimi rrëqethës i Zainab Salbi*-vajza e pilotit personal të Saddam Hussein-it

December 18, 2013 by dgreca

Nga Raimonda MOISIU/

Anëtarësimi im parado kohësh në Organizatën botërore – Women for Women International – më jep  mundësinë të njoh historinë e vërtetë të shumë grave e  vajzave  të profileve të ndryshme, të mësoj historinë  e jetës së tyre, sa të dhimbëshme e të bukur,  të guximëshme e kurajoze. Janë  gra e vajza që kanë përjetuar dhe konfrontuar  sfida të shumta që nga sëmundjet, dhunën, përdhunimet, vrasjen e mizerjen, izolimin dhe padrejtësitë, viktimën e të mbijetuarën,vdekjen e jetën, coroditjen dhe hutimin, marrëzinë dhe cmëndurinë, humbjen e njerësve të dashur nga dhuna e lufta, shpresën e optimizmin si qytetare aktive të botës. Janë  gra e vajza që kanë ëndrra, dëshira, shpresa  e aspirata. Ato  kanë sfiduar e sfidojnë në emër të Jetës e Njerëzores. Eksperiencat dhe  përvojat e tyre janë inkurajuese për të kapërxyer pengesat dhe për të zbuluar se  gjithcka  është e mundur të arrihet e realizohet me mund e sakrifica, sfida që  reflektojnë besimin në forcën e mëncurisë dhe shpirtit njerëzor të grave e vajzave, jo vetëm për të mbijetuar, por  edhe për të ndryshuar jetën e tyre, – mesazhi që ato i dërgojnë  botës e shoqërisë cdo ditë. Një ndër to është vajza irakiane,  Zainab Salbi, e bija e pilotit personal të Saddam Husesein-it. Ajo  është Themeluese   e Organizatës Botërore,   Women for Women International dhe Aktiviste Shoqërore  për të drejtat e Grave në mbarë botën.  Në këtë rrëfim rrëqethës e optimist të znj. Zainab Salbi dhënë gazetares të CNN-it, Daryn Kagan,  pavarësisht kalvarit të dhimbjeve dhe sakrificave që ajo ka kaluar në jetë-Koha dhe Dashuria-kuron dhe shëron plagët e dhimbjet,-shprehet Zainab.

*****

Fëmijëria e Zainab Salbit, në Oborrin e Saddam Husseini-it.

Mund t’iu duket  e pabesueshme, por babai im ka qënë  piloti personal në shërbi të  Saddam Hussein-it. Kjo lidhje e rrezikëshme e familjes sime me Saddamin, më detyroi  të merrja arratinë nga Iraku, drejt një martese të panjohur  dhe abuzive, vetëm e vetëm të shpëtoja kokën. Nuk e pata imagjinuar në atë kohë  që kjo jetë e pashpjegueshme dhe e cuditëshme, plot dhimbje e sakrifica e familjes po më maturonte parakohe  e  pergatiste  për një karrierë humanitare, në ndihmë të qindra mijëra grave e vajzave rrefugjate të luftës në mbarë botën. Dëshira ime është t’i ndihmoj këto gra të rifillojnë e rindërtojnë jetën e tyre. Unë vija krejt natyrshëm dhe e maturuar në këtë mision  përshkak edhe të historisë së dhimbëshme të jetës sime. Jam lindur e rritur  në Bagdat.  Babai im punonte piloti personal i Saddam Hussein-it. Por  puna e babait nënkuptonte dicka  më shumë se pilot, që do të thoshte se e tëra familja ishim nën varësinë dhe ndikimin e jetës së përditëshme,  të lidhur  ngushtë me rezidencën e diktatorit dhe  gjithcka Saddami dëshironte. Në rast se ai na dëshironte ne në një ceremoni apo rreth tavolinës së bukës, ne ishim të detyruar të ishim aty dhe kur ai buzëqeshte,  ne buzëqeshnim, kur ai qeshte ne qeshnim, kur ai hante ne shikonim. Shumë pak gjëra kuptoja në atë kohë se isha fëmijë,  por më vonë kur u rrita, u bëra vajzë në moshë,   vija re se Saddami nuk m’i ndante sytë dhe më dëshironte. Shpesh situata  agravonte  në seri ngjarjesh të turbullta e dërmuese, që akoma nuk arrija t’i kuptoja deri vonë. Nëna ime më pati edukuar  të isha një natyrë femërore e pavarur. Gjithmonë më thoshte se duhet të martohem me një burrë vetëm për të bërë dashuri -ritin martesor. “Burrat vetëm për seks  të duan, ata, as që duan t’ja dinë se di ti  të lash apo të pastrosh”- më thoshte shpesh.  Befas , kur unë isha rrëth të 20-ve, nëna më detyroi të pranoja propozimin për martesë me një burrë të panjohur, që nuk e kisha parë kurrë në jetën time, dhe ai jetonte në Shtetet e Bashkuara. Ajo insistoi të bëhej kjo martesë, me qëllim që unë të largohesha nga trazirat dhe anarshia që kishte pllakosur Irakun.   Dhjetë vjet më vonë, në shtratin e vdekjes, ajo më  rrëfeu pse e pati bërë këtë gjë. Nëna e bëri nën trysninë e frikës e panikut,dhimbjes e dashurisë për mua,  të mbronte  krijesën e saj dhe të  më shpëtonte jetën. Dhe e vetmja gje ishte; largimi jashtë vendit dhe aq më tepër  nga rezidenca e Saddamit. Edhe pse unë pata frikën e tmerrin të martohesha me të panjohurin, edhe pse  isha e hutuar,  nuk e kuptoja pse nëna ime më lutej  ta pranoja atë martesë, por unë isha një vazjë e sjellëshme, rashë dakort me martesën, dhe  u vendosa  në Cikago. Martesa ime e menjëhershme ishte tronditëse,  e frikëshme, e përcudnuar e tmerrëshme.  Bashkëshorti sillej dhe bënte  gjithcka të padurueshme dhe të dhunëshme me mua. Nëna ime më pati edukuar që kurrë të mos i pranoja ato. Ai ushtronte  dhunë emocionale e psikollogjike, fizike  dhe verbale, dhe më përdhunoi më shumë se njëherë. ….Durimi kishte kufi! Bëra gati valixhet me rrobat kryesore, 400 dollarë me vete, dhe pa e ditur se ku shkoja.   Në Irak nuk mund të kthehesha. Babai ishte larguar nga shërbimi i Saddam Hussein-it, prindërit u divorcuan dhe po ashtu e gjithë familja ime po vuante ndëshkimin ekonomik. Me duhet të theksoj se Saddami  kishte pushtuar Kuvaitin dhe Lufta  në Gjirin Persik vazhdonte. Pra, që të kthehesha pranë familjes ishte  opsioni i pamundur. Kjo edhe për shkak të embargos e sanksioneve në Irak. Fillimisht shkova  në Los Angelos, më pas në Ëashington D.C.,  dhe e  fillova jetën nga zeroja. Zura një punë cfarëdo, takova edhe njeriun që do të bëhej bashkëshorti im i dytë. Isha vetëm 23 vjece!

Si më lindi ideja e Themelimit të Organizatës Botërore: Women For Women International.

Një ditë lexova në revistën Time  artikullin rreth kampeve të  tmerrëshme të përdhunimit në Bosnjë. Përshkruantë se si gratë grumbulloheshin e mbaheshin në këto kampe, thjesht makineri seksi e përdhunoheshin nga ushtarët. Nuk e dija dhe as e kisha idenë se ku binte Bosnja në hartë, por më bindi se duhet të bëja dicka. Mora librin e telefonave dhe kërkoja  organizata jo qeveritare në ndihmë të grave. Fatkeqësisht ky libër ishte para se të përdorej interneti. As edhe një grup apo organizatë e vetme nuk më dukej ta ndjente aq urgjente  situatën në Bosnjë, sikundër ndjehesha unë. “Ne do ta monitorjmë për 6 muaj,-më thanë njëherë.

“Gjashtë muaj? Nuk u besoja veshëve për cfarë dëgjova. Ka kampe të përdhunimit të grave dhe ne duhet të bëjmë dicka, tani-se nesër do të jetë vonë,-u thashë”. Idea ime ishte, sikur të sponsorizoja qoftë edhe një grua të vetme. Isha gati të jepja të holla për lirinë e saj, t’i jepja edhe asaj vetë disa të holla e të bënte cfarë të donte me to. Të blinte ushqime, rroba, t’u vinte bukë në tavolinë fëmijëve të saj. Në të njëjtën kohë  u lidha me një Kishë Unitare në Ëashington D.C., Vesha kostum zyrtar të njeriut të ligjit, të vjehrrit tim dhe hyra në “betejë frontale”  me Këshillin Drejtues Administrativ. Ata ranë dakort të më ndihmonin mua për një vit, dhe gjatë kësaj kohe unë duhej të gjeja mundësinë si ta rregjistroja grupimin si  organizatë jo fitimprurëse, dhe pas një viti do e drejtoja vetë. Bashkëshorti im dhe unë organizuam një aktivitet me mbledhje fondesh, duke ju shtuar gjithashtu edhe kursimet tona që i kishim mbledhur për muajin e mjaltit, në Spanjë. Në vend që të shkonim në Spanjë ne shkuam në Kroaci, për të filluar projektin tonë në ndihmë të grave të luftës, në kampet e përdhunimit.  Sapo mbërriva aty, takova Aishen, atë lloj qenje humane  që pata ëndërruar e shpresuar  për ta ndihmuar. Atë e  kishin mbajtur  gati 9 muaj në kampin e përdhunimit, dhe kur konstatuan që ishte 8 muaj shtatëzënë e lanë të ikte. Fatkeqësisht Aisha e humbi fëmijën si rezultat i komplikacioneve shëndetsore. Më pas gratë e tjera,  që takova në ato kampe përdhunimi, ndryshuan krejt jetën time,- përgjithmonë.  U ktheva në Ëashington, lashë punën, ndërsa bashkëshorti im hoqi dorë nga studimet e doktoraturës dhe bënte  cfarëdolloj pune,  për të na suportuar ne. Pra, (Women For Women International) Fondacioni Internacional Gruaja për Gruan lindi! Sot, mbas disa dekadash Gruaja Për Gruan ka ndihmuar 120.000 gra si Aisha. Stafi im dhe unë kemi shpërndarë 39 milion dollarë ndihma humanitare dhe huazime bankare. Secila nga këto gra trajtohen në tre etapa  të programit. Së pari iu gjejmë sponsorin që i ndihmon me një shumë financiare të arësyeshme për të ngrënë, të dërgojnë fëmijët në shkollë dhe të kujdesen për gjerat themelore të jetës, pra të përballojnë jetën e përditëshme. Ne krijojmë mundësitë për secilin sponsor që t’iu shkruajë atyre, për të cilën ajo (sponsorja) do të sponsorizojë. Kjo është shumë e rëndësishtme se përtërin besimin e këtyre grave, ndaj humanizmit. Lufta u rrëfeu  atyre sa e sa gjëra të tmerrëshme që njerëzit mund t’i bëjnë  njëri –tjetrit. Ndërsa shkëmbimi i letrave ju ndezi dritën jeshile për  më të mirën e njerëzores. Ato  besojnë e shpresojnë  se dikush kujdeset për  to. Më pas ne ndihmojmë secilën prej tyre të rigjallëruar  mbështetjen brenda komunitetit. Një grup prej 20 gra trajnohen për  aftësitë e tyre profesionale. Miqësohen dhe suportojnë mikët e tjera refugjate. Përfundimisht, secila grua mëson se si nga viktimë shëndrrohet  në e mbijetuar dhe qytetare aktive në të bukurën e të  përdtishmen njerëzore.  Ato guxojnë e marrin  situatën vetë në dorë për të ndryshuar jetën e tyre e të familjes.Për disa është më e thjeshtë të ndryshojnë jetën brenda familjes,guxojnë e  iu thonë bashkëshortëve: -Jo, ti nuk do të më dhunosh mua më! Disa prej tyre kërkojnë ndryshimin brenda komunitetit. Jeta e gjithsecilës  ndryshon nga njëra tjetra, por pika e tyre e përbashkët është për t’i ndihmuar këto gra të jenë të zonjat e vetes e të fitojnë personalitetin e nëpërkëmbur. Fondacioni Women For Women International pranon ndihma humanitare, gjithashtu. Këto ndihma  janë  hapi i parë, që ndihmon në ripërtëritjen e  dinjitetin e këtyre grave, i ndihmon të gjejnë punë, dhe shëndoshin gjendjen ekonomike të familjeve të tyre. Kjo punë ka qënë absolutisht e pabesueshme. “Cohem cdo ditë dhe e para gjë që mendoj: “ Ditë e mirë  të fluturoj,  por edhe ditë e bukur të vdes”. Këto gra më mësuan mua, si të fluturoj ! Kam mësuar shumë prej tyre, dhe më kanë bërë të besoj, se pamvarësisht  jeta ka gjera të tmerrëshme dhimbje, hidhërim, dhunë, gëzim e vdekje, ato ende gjejnë forcë të qeshin, këndojnë dhe vallëzojnë,-pra jeta, me gjithë të mirat e të këqijat e saj, është e bukur, ja vlen të jetohet.  Viskoziteti dinamik përtëritës i tyre, më frymëzon dhe shpesh teksa i vështroj  pyes veten: “ Në rast se ato buzëqeshin, e pse të mos  buzëqesh edhe unë? Në rast se ato këndojnë pse mos të këndoj edhe unë?” Sadisfaksioni që unë marr nga ky mision, nënkupton se cdo ditë është e bukur ta jetosh, ashtu sikundër edhe të vdesësh. Duke shkuar sa nga një zonë lufte në një tjetër, kam kuptuar se jeta dhe vdekja bashkëjetojnë. Miqtë e shumtë më thonë se unë jam me fat, që  kam bërë aq shumë. Gjithcka  vjen me cmimin e marrjes të peshës mbi supe dhe riskun e këtij cmimi, që nga risku fizik, emocional dhe psikollogjik. Kërkon kurajo e guxim, për t’i hyrë detit me këmbë –kurajo e guxim që unë e morra nga këto gra të luftës. Kur i hyra fillimisht këtij misioni mendova  t’i  mbroja e shpëtoja jetën e familjet e tyre. E vërteta është se ato gra mëshirplota më shpëtuan dhe ndryshuan jetën time.

* Themeluese   e Organizatës Botërore,   Women for Women International

 Raimonda MOISIU

Hartford CT USA 

Filed Under: Interviste Tagged With: Raimonda Moisiu, te sadam Husein, Zainab Salbi*-vajza e pilotit

SIMPOZIUM SHKENCOR NE NEW YORK “ LETERSIA SHQIPE DHE ROLI I SAJ NE DIASPORE”

December 12, 2013 by dgreca

Diten e Diele, Dt. 22 -12-2013 ora 12. 00 -4.00p.m.,-do te zhvillohet Simpoziumi me teme:  “Letersia Shqipe dhe roli i saj ne Diaspore!”, organizohet nga Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane.. Simpoziumi do te zhvillohet ne mjediset e Monro College, Bronx, New York, perkatesisht ne adresen:

2501 Jerome ave. Bronx NY 10468.

Ne Simpozium do te mbahen disa kumtesa  rreth:

-Kush eshte Shoqata e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane , roli dhe kontributi i saj.

-Letersia bashkekohore ne gjinine e prozes e poezise,

-Si e shihni kritiken letrare sot, dhe a ekziston nje kritike e mirefillte letrare.

-Botimet e reja te Anetareve te SHSHSHA-e.

Jane te mirepritur edhe autore qe nuk jane anetare te Shoqates dhe dashamires te Artit e Letersise.

Jeni te mirepritur dhe pjesemarrja juaj vleresohet si kontribut dhe perkushtim ndaj artit e letersise shqipe dhe detyrimi qe kemi ndaj audiences se lexuesve. Ju faleminderit paraprakisht per kohen dhe pjesemarrjen tuaj. Ju faleminderit gjithashtu per mendimet dhe opinionet tuaja. Ju pergezojme dhe se bashku pacim Suksese ne Krijimtari, Familje e Shoqeri.

Nderime e respekt:

Adnan MEHMETI/President

Raimonda MOISIU/Kryetare

Pal NDRECAJ/Nenkryetar,

Dr.Yllka FILIPI/Sekretare,

Sabije VESELI/Anetare e Kryesise,

Ramiz MUJAJ/ Anetar i Kryesise

 

Filed Under: Kulture Tagged With: ne NY, Raimonda Moisiu, Simpozium per Letersine

Rrëfehet Spanja PIPA me serenatën ndër buzë….

December 9, 2013 by dgreca

Intervistë ekskluzive për Gazetën DIELLI,  me Serenatisten e parë korcare, Spanja PIPA/

Bisedoi: Raimonda MOISIU/

Serenata – kjo “pupë korcare e bukur”, që të josh të prekësh, të ëmbëlson e të ndjesh deri në shpirt ngrohtësinë e ledhatimeve të  saj. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra,  këndon shpirti. Serenata – kjo lidhje  shpirtërore e fenomenit me esencën e ndjenjave dhe lindur nga perëndesha e tyre:Dashuria! Serenatat janë hymni i veneracionit të dashurisë eternale. Sa herë i kthehem vëndlindjes, aq më shumë më shtohet malli për to, që gjithmonë më shtyjnë në ngasje   për t’iu bashkuar nostalgjikëve të pandreqëshëm –serenatistëve të Korcës tonë, e cila prodhon çdo cast; Art dhe Artistë, që mbi të gjitha pëlqejnë Olimpin e heshtjes së lavdisë së tyre. Në magjinë e Olimpit të serenatave kanë vegjetuar e vegjetojnë breza të tërë serenatistësh. Në brezat e artë të serenatës, -Himnit të dashurisë korcare –sikundër shprehet Prof. Vangjush Ziko-në librin e tij,  ndër to është edhe serenatistja e parë korcare -Spanja PIPA-që duket sikur del nga Muzeu një shekullor e gjysëm i magjisë së këngës korcare, sikur del nga Epokat e Trashëgimisë të Artit e Kulturës qytetare korcare. Në këtë rrëfim emocionues e mbresëlënës, Artistja korcare rrëfen si kurrë ndonjëherë dashuritë e jetës së saj-Dashuria për Serenatën, Korcën dhe familjen. Dhe jo vetëm kaq! Me guxim intelektual e qytetar, me pjekurinë e saj artistike, me dlirësinë dhe brishtësinë e saj femërore, Spanja nuk ngurron e na tregon edhe për dashurinë e saj të parë që kalon përtej eternitetit. Me mirënjohje dashuri e respekt ajo përmend breza të tërë serenatistësh që nuk jetojnë më dhe   ata që sot vazhdojnë të mbajnë frymën e origjinalitetit të serenatës korcare. Por Spanja nuk është vetëm serenatistja e parë korcare, ajo është parodiste dhe aktore që ka luajtur krahas aktorit të shquar korcar të skenës, humorit e artit skenik, Aleko Prodani dhe aktores parodiste Lefkothe Kane,  Pandi Rraidhit, Sotiraq Bratkos etj.etj. Ajo c’ka e bën këtë intervistë shumë interesante të bukur e emocionale, është se Spanja cdo pyetje i përgjigjet me serenatën ndër buzë….

 

Përshendetje znj.Spanja, jeni me një karrierë të gjatë e të admirueshme  në artin e muzikës, e njohur si këngëtare e serenatave. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni kënduar për herë të parë dhe cila është kënga e parë? Cfarë viti?

 

Kam filluar të këndoj që në moshë të vogël, nuk e mbaj mend mirë sa vjece isha. Në shtëpinë time këndonin  që nga babai, motrat dhe vëllezërit e mij. Unë ulesha pranë tyre dhe mundohesha të kapja e bëlbëzoja fjalët e tingujt e këngëve që këndonin ata. Dëgjoja cdo ditë në radio Anita Take dhe Pavlina Nika, këngëtare që rrallë i vijnë një kombi. Gjithashtu miqësia e familjes sime me kompozitorin e shquar korcar Pavllo Sholla, i cili më dëgjoi mua dhe motrën time duke kënduar një duet, do të ishte fillesa e karrierës sime  në rrugën e bukur të muzikës. Dhe ishte pikërisht Pavllo Sholla që  bëri zgjedhjen time dhe më mbështeti. Kënga e parë që  kam kënduar ishte një  këngë kineze, e cila  doli me sukses për atë kohë. Që prej atij casti jam ndjerë se dicka mund të jepja në artin e muzikës,  megjithëse ishte shumë e vështire të këndoje atëhere për mentalitetin e kohës. Por origjina ime nga një  familja autoktone, intelektuale e qytetarise korcare, artdashës të kulturës e muzikës korcare,  më mbështetën mua në udhën e mrekullueshme e të bukur,  të artë të këngës,  vecmas asaj të traditës së qytetit tonë, serenatës, të cilën e vazhdova derisa dola në pension. Më pas u aktivizova dhe kam kënduar në estradën e ushtarit një këngë lirike dashurie  e cila ka lënë mbresa të jashtëzakonshme në kujtesën time:

“Kur u nis ushtar me tha nja dy fjale”. I këndoja dashurisë së një djaloshi që po largohej nga e dashura e tij, të kryente shërbimin e detyruar ushtarak të asaj kohe.

 

–Fillimet e karrierës tuaj  a konsideroheshin  thyerje e tabuve, për mentalitetin e kohës?

 

Në vitin 1960-ë fillova punë si këngëtare-soliste –në Estradën e Qytetit  të Korcës –me regjizor artistin,  Aleko Skalin dirigjent muzike dhe  me Abas Ajron, një  ndër kompozitorët më të mirë e të shquar të kulturës e muzikës korcare.  Ju më pyesni a ishte tabu kjo? Sigurisht që ishte! Me sakrifica,  guxim,  kurajo, talent dhe mbështetjen e artistëve e shoqërisë korcare, të prindërve të mij,  unë sfidova dhe vazhdoja të jepja sa kisha mundësi nga potenciali im artistik.

 

-Deri më parë, ato vajzat korcare  thjesht i kishin dëgjuar serenatat nga pas perdes, deri në momentin kur vetë edhe ju si Spanja do të bënit  dicka të tillë…Si e ke përjetuar këtë nismë artistike?

 

Shumë vetë më identifikojnë; “Spanja e Serenatave”-por unë nuk dilja të bëja serenatë, – unë i këndoja serenatat  mbas dritares duke mënjanuar perden,  teksa dëgjoja e shikoja  djelmurinë korcare të këndonin në rrugicat e Korcës-serenatat. Dhe kjo tashmë dihet se vajzave korcare, djelmuria u ka thurrur e kënduar  serenata, dhe ato si hyjnesha i dëgjonin mbas perdeve.  Serenata është dicka e fshehtë ashtu si vetë shpirti që është i fshehtë. Serenata është sekreti i shpirtit dhe sinqeriteti i ndjenjës e zemrës, -pra,  këndon shpirti. Këngët e serenatës lindnin spontanisht.  Sigurisht kishte edhe nga ata që nuk ishin kompozitorë apo kantautorë të serenatave,  por kompozonin e krijonin serenata kaq të bukura. Dhe ne vajzat  i dëgjonim me kënaqësi, sepse ata  nuk shkonin vetëm te vajza që ata dashuronin, por shkonin e i këndonin me kitarë e mandolinë në dorë në të gjithë sokakët me gurë e të pastër të qytetit të dashur, Korcës sonë, si vetë dashuria e pastër dhe e sinqertë e të rinjve. Ne i dëgjonin këngët dhe e ndjenim veten se ishim brenda serenatës. Ato fjalë e tinguj na dukej sikur i përkisnin jetës sonë: Shpesh pyesja veten: Mos vallë po e këndojnë për mua këtë serenatë? Serenatat nuk janë kënduar në skenë në atë kohë, më duhet të theksoj se  kompozitori dhe fizarmonicisti  i shquar korcar Abaz Ajro ja u gjente “telat serenatave”. Këto ishin tamam serenatat,  si p.sh ka bërë serenatën “Sofati”.Kjo serenatë lindi për  dy të dashuruar që “takoheshin” vetëm me sy, se vajza rrinte te sofati  duke qëndisur apo bënte centro me grep, pra pajën e saj:

“Shkoj përditë rrugës sate si më parë/por më parë të kisha ty/dhe sot kam mallë/”

Kjo serenatë më dukej sikur më këndohej mua, më ngjiti mua!(Qesh). Serenata tjetër e Abaz Ajros: “Ti më erdhe në netët e qeta”

Po iu them lidhjen time, sekretin e shpirtit dhe sinqeritetin e zemrës që mbartëte kjo  serenatë. Jeta ka caste të bukura  caste mërzitje e gëzimi, vecmas kur je e dashuruar. Isha vetëm 19 vjece dhe isha nën”ethet” e  dashurisë së parë. Isha e trishtuar dhe melankolike dhe po bënim provat e Estradës. Më pyet Aleko Skali, dirigjenti:-Cfarë ke?

Dy pika loti rrëshqitën nga sytë e mij. Vetëm kaq ishte dialogu, që do të  sillte tekstin e serenatës, që përmenda më lart: “Ti më erdhe në netët e qeta! Po ky cast melankolie e mërzitje  solli edhe këngën tjetër “Festë sonte ka e gjithë bota”

 

-Përvecse si këngëtare e  serenatave dhe muzikës popullore, cfarë talenti tjetër keni shpalosur?

 

Unë nuk kam kënduar vetëm serenata, por edhe aktore, luaja parodi dhe theatër. Kam luajtur parody, krahas parodistes Lefkothe Kane, dhe aktorit të  shquar të skenës e humorit shqiptar,  Aleko Prodanin, që ishte  miku im më   i mirë dhe i zemrës, miku  dhe bashkëpunëtori më i  ngushtë me rolet e mija në theatër. Kam qenë krenare dhe e lumtur që kam aktruar krahas këtij aktori të madh shumëdimensional i skenës shqiptare, por që fati u tregua kokëfortë me  ne të  dy -por edhe  të ndahej shumë shpejt nga jeta. I paharueshëm do të mbetet për mua si aktore  roli i Maries  në “Nata e 12-të”, e Shekspirit,  me rregji të të  shquarit Piro Mani. Kam luajtur në dramën e Namik Dokles “Era e lartësive”, rolin e Erës, vajzës gjeologe. Këtu kam luajtur në kitare,  duke i rënë vetë,dhe  duke kënduar me kolegët e mij si  Pandi Rraidhi e Sotiraq Bratko (loton e këndon): “Këndo kitarë me mua/por djalin mos ma zgjo/rri sonte ti me mua/tërë natën e këndo/edhe nesër kur të gdhihet/asgjë mos trego//se edhe unë përgjërohem/prandaj po të këndoj/.”

Kjo është serenata! Jo ajo e deformuara që këndojnë sot!

 

-Më lart ndave me mua një moment mërzitje, Pse ishe e merzitur? Lotët rrjedhin  o nga gëzimi o nga trishtimi dhe  një vajzë e bukur dhe me sytë jeshilë e të vecantë, si ju por edhe  e dashuruar, cfarë kishte ndodhur?

 

-Miqësia dhe kënga janë të lidhura me njëra tjetrën sikundër është dashuria me dhimbjen, apo ndarja, apo tradhëtia e mikut të zemrës – dhimbje e bukur është dashuria, apo jo…?(Buzëqesh dhe fillon të këndojë):

“Ti më erdhe në netët e qeta/në krahët e mij si demon/më dehe me puthjet e fshehta/ si ëndrra që vjen edhe shkon/” Kjo serenatë është për  dashurinë  time të  parë, për  mikun e zemrës sime….. Ajo serenatë solli edhe tjetrën e tjetrën, që janë zinxhir në kujtim të dashurisë e miqësisë sime të parë, që jeta na hodhi në kahe të kundërta,  por gjithsesi ajo vazhdoi me të mirat e të trishtat e ndarjes…. Sa e dëshpëruar isha aq edhe e lumtur, kur këndoja,  sepse këto këngë  ishin shpresë e optimizëm, për të përballuar humbjen e dashurisë, ndarjen, me dhanë forcë e kurajo, për të kënduar dhe gëzuar jetën në vazhdim…

“Sonte festë ka e gjithë bota/ botë moj gjithmonë pac gëzim/ verë e kuqe derdhet nëpër gota/ bora jashtë shtrohet si qilim/ Të gjitha shoqet në gostira vanë/ vetëm unë sonte nuk festoj/ trimi e zemrës, që se kisha pranë/ me mendime do ta shoqëroj…”. Miku im i zemrës   ngjiti shkallët e karrierës dhe u bë një nga artistët më të shquar të humorit, ekranit e skenës shqiptare, por që fatkeqësisht nuk jeton më. U prehtë në Paqe!

 

-Një moment i vështirë?

 

Momenti më i vështira në jetën time ka qënë  vdekja e nënës sime në moshë relativisht të re, por iku edhe me brengën që nuk më martoi. Nuk më hiqet nga mendja, nata e një koncerti  me pjesëmarrjen e njerëzve të pushtetit në Korcë. E  kemi dhënë te lulishtja e njohur me emrin simbolik “Panda”. Vetëm  pesë ditë,  që nëna ime e shtrenjtë  ishte ndarë nga jeta. Unë vërtet këndova, packa se zemra më këndonte dhe sytë  lotonin. Ishte moment tejet i vështirë e mbresëlënës në jeten time. Por edhe ideja se nëna ime ishte  në qiell dhe unë në tokë –këndoja  mes hyjnores e njerezores.

 

-Një situatë mbresëlënëse?

 

Pak kohë të ndarjes nga jeta të nënës tonë u fejua vëllai i madh. Ndjemë gëzim, aq më tepër, që ky gëzim erdhi mbas hidhërimit e dëshpërimit për nënën. Ashtu të trishtuar sikundër ishim në familje për mungesën e nënës tonë në orën  12 të natës dëgjojmë një grup djemsh që këndonin jashtë (shokët e vëllait) –që dëshpërimin ta kthenin në gëzim, duke i kënduar serenata vëllait e të fejuarës së tij. Ndërkohë  cohem dhe hap derën dhe i mirëpresim ata  djem duke kënduar serenatën:  “ Oh këtë dritare sa herë e kam parë/ hënën lozonjare dhe ne me kitarë”. Për një cast harruam trishtimin që kishte ngërthyer familjen tonë, dhe  na sollën gëzim e hare, së bashku me shpirtin e nënës që na vështronte nga qielli. Dhe dicka tjetër. Babai im ishte nostalgjik dhe dashamirës i pandreqëshëm i muzikës –e shpreh me fjalën popullore të dialektit korcar -“Bekri”- ia thoshte edhe gotës së rakisë dhe këngës. Ishte aq i dhënë pas muzikës sa babai para se të ndahej nga jeta gjithmonë shokëve iu thoshte në bisedë  e sipër: “ mos më qani kur të vdes/ por më këndoni! Ditën e parë të vdekjes së babait nuk  mundej të këndonim,  sipas traditës dhe riteve të lamtumirës së fundit, por ata shkuan më të nesërmen te varri i babait dhe kënduan me kitarë, si Ilo Trebicka, Mico Plluska,  Koli Toroveci dhe Lako Pema.

Momente mbresëlënëse kam shumë,  unë kam kënduar dhe vazhdoj të këndoj në gëzime familjare, të motrës e vëllezërve, nipërve e mbesave. Gjitashtu  me shoqëri mbildhemi akoma dhë këndojmë. Kënga dhe Serenata më mbajnë optimizmin e shpresën, na mbajnë gjallë,  pamvarësisht se mosha bën të vetën dhe ne mplakemi (qesh me shpirt e nis këndon):

“Se do plakesh, do thinjesh si dele/do shurdhohesh, do krusesh një ditë/ do të shkojnë të ëmblat përkëdhelje/ dhe buqeta me lule mos prit!” Por mos u trishtoni se serenata dhe dashuria nuk njohin mplakje… kanë vetëm përjetësi…

 

-Ndryshimi mes serenatave të vjetra dhe atyre që këndohen në ditët e sotme…

 

Për mendimin tim  serenata e kohës sonë ka qenë një serenatë brilante. Ndjehem keq e kam shprehur gjithmonë se kur dëgjoj sot, ta deformojnë serenatën sipas dëshirave apo kopjimeve që i bëjnë nga muzika e huaj, dhe jo që  cdo këngë që krijojnë ta quajnë serenatë. JO,  cdo tinguj apo muzikë  quhet serenatë! Prandaj e përsëris me ndjenjën e artistit -serenatist, serenata qe sekreti i zemrës e këndonte sinqeriteti i zemrës, e  këndonte sekreti i shpirtit, këndonte ndjenja, këndonte dashuria-sepse këngës, muzikës,  po nuk i dhe ndjenjën, nuk mundesh ta këndosh.

 

-Përvecse serenatave dhe si aktore,  a keni kënduar këngë të muzikës së lehtë apo popullore ?

 

-Sigurisht që kam kënduar këngë popullore të kompozuara nga Abaz Ajro, Pavllo Sholla dhe nuk mund të lë pa përmendur me respekte e mirënjohje kompozitorin e shquar të muzikës së lehtë e popullore, Josif Mingën. Ja këngën e parë popullore që kam kënduar: “Të erdha në porta, gjeta ca fëmijë/brenda nuk hyra se nuk ishe ti/nëna sec më nxorri gotën e rakisë/unë nuk e piva se nuk ishe ti!” Po ju sjell një këngë popullore, që mu ngjit si “pullë postare’. E kam kënduar duet me Niko Qiricin: “ Që nga majë e malit/ta shtira dylbinë ty/nga të gjitha cupkat/ më e bukura je ti/-ndërsa unë i përgjigjesha: “ them të rri beqare/them të mos martohem/si vapë e korrikut/digjem përvëlohem”. Dhe vërtet u “përvëlova”, se unë nuk u martova, mbeta beqare.

 

-A i keni mbledhur serenatat që ju keni kënduar  në CD –I ?

 

Me sakrifica të mëdha, arrita të bëja një CD-i me serenatat e vjetra, të nxjerra nga “sëndyqi i serenatave”. Kënaqem kur i dëgjoj dhe mallëngjehem në të njëjtën kohë. Gjithashtu kënaqësia ime është kur shumë fansa të mij nostalgjikë të pandreqshëm të serenatës ma kërkojnë këtë CD-i. Ja një moment tepër mbresëlënës. Para do kohe më erdhi një mik i fëmijërisë, por edhe një nga fansat e mij më të “cmendur”, emigruar prej 10 vitesh në USA, 24 karat korcar -Orjon Trebicka. Për hir të së vërtetës edhe Orioni ka pasë kënduar serenatën dikur, si tërë djalëria korcare. Jemi takuar me plot mall e përzëmërsi, kujtuam plot mbresa dhe filluam të këndonim serenatat, që këndonim dikur te sofati i portës. Ajo c’ka më bëri mua krenare e të lumtur se ai i këndonte serenatat plot pasion, ruante me nostalgji e fanatizëm tingujt melankolikë e të ëmbël të serenatës, sa as vetë nuk e kuptonim që po këndonim, dhe lotë na rridhnin nga sytë e të dyve, sigurisht ishin lotë gëzimi, lotë malli –lotë miqësie e shoqërie.Të vecantë janë edhe dy vëllezërit e mij, që  vazhdojnë t’i këndojnë serenatat. Vëllai i madh ka kënduar  me djelmurinë korcare në rrugicat e pastra me kalldrëm të Korcës. Vëllai tjetër, megjthëse zanati i tij është doktor, i ruan dhe i këndon të gjitha serenatat origjinale dhe plot të tjera këngë, dhe është aq origjinal, sa bën edhe vërejtjet e duhura kur gabon ndonjë tingull apo stonon—duke më qortuar e thënë se  duhet kështu. Dhe pikërisht është ky vëlla doktor që ashtu sikundër jep ‘ilacin e duhur” për të shëruar pacientin e sëmurë, ashtu jep edhe mesazhin:Të ruajmë serenatën si një perlë e trashëgimisë e traditës së qytetarisë korcare.Mesazh të cilit i bashkohem edhe unë.

 

-Cfarë dëshiron të shtosh në mbyllje të kësaj interviste…?

Në mbyllje të kësaj interviste dëshiroj të bëj homazhin solemn e shpirtëror, për ata serenatistë të pandreqsheëm, kantautorë e artistë, njerës modestë, por shumë të nderuar e respektuar, që kanë dhënë shumë nga talenti dhe shpirti i tyre, por që nuk jetojnë më, sikundër: I mirënjohuri Piro Sulioti, do e quaj të madhin e të pavdekshmin Abas Ajro, Sotiraq Mite-apo Raqka i serenatave, një nga kantautorët më të njohur i viteve ’50, të shekullit të kaluar,  Sotiraq Qanon-princin e serenatave, të mrekullueshmen Afërdita Katundin, kantautorin e ndarë para pak viteve nga jeta Piro Visarin, dirigjentin Aleko Skali, kompozitorin e shquar korcar Pavllo Sholla, Naskë Bicollin, Nesti Miska, Aristidh Themeli, të paharruarin që shpresoj e besoj koha duhet ta vleresojë Nusret Frashërin,  Qeti Cicon,etj, etj. Dua të përshëndes, inkurajoj e falenderoj pasardhësit e brezit të artë të serenatistëve, brezin tonë e atë të ri,  që i kënduan e vazhdojnë t’i këndojnë serenatat, për ta ruajtur këtë perlë të pazvendësueshme të trashëgimisë sonë kulturore qytetare korcare, që nga e mirënjohura dhe e talentuara Fatbardha Hoxha, një nga këngëtaret më profesioniste të kohës.Megjithëse kanë kaluar dekada në e ruajmë miqësinë e bashkëpunimin, vazhdojmë të këndojmë serenatat kur mblidhemi me shoqërinë. Do dëshiroja shumë që kritika e artit të muzikës, të hedhë sytë nga Bardha Hoxha, duke i dhënë vlerësimin dhe vendin që asaj i takon në historinë e artit e kulturës shqiptare. Përshëndes e falenderoj Ermira Babaliun, që aty në Amerikën e Largët con peshë zemrat e emigrantëve  shqiptarë me serenatat korcare, -të mrekullueshmen e të mirënjohurën Eli Fara,  Laxarela Detin-vajzën korcare që i këndon me shpirt serenatat dhe këngën popullore korcare, Mimoza Paravelin –një nga këngëtaret më të spikatura të serenatës korcare, Jorgjeta Lalazin-korcaren 24 karat serenatiste e dalë nga  fisi Lalazi- i njohur për serenatat, së bashku me vëllain e saj Koco Lalazi, po ashtu nga këto familje të vjetra këngëtarësh është edhe familja Bimbli, Ritvan Shëllira,  Mihallaq Zallëmi, Naskë Kondili,  Kico Sholla, Gjergji Peleshi, Ilia Peleshi Mihallaq Andrea, Ilkë Vinjau,  Nonda Kajno, Ermira Kola Strati, vëllezërit Stefi & Endri Prifti, Vaskë Gaqi, Vaskë Nico, Devis Xherahu, Gena Lito, Maksi Kulla, etj, etj.

Ju faleminderit!

Ne Foto: Spanja Pipa duke i rene kitares te drama “Era e Lartesive” e Namik Dokles ne rolin e vajzes gjeologe  dhe rrotull saj kendojne aktore te shquar si Pandi Rraidhi Sotiraq Bratko etj,.

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Raimonda Moisiu, Spanja Pipa

Kërkohet “nivel monetar”… jo artistik…

December 9, 2013 by dgreca

“Shkrimtari kur shkruan tradhton veten”, -ka thënë Gëtja/

.Esse-nga-Raimonda MOISIU/

Shkrimtarin e vërtetë e shohim në reflektimin dhe mishërimin midis ndjeshmërisë së vetvetes dhe ndjeshmërisë kolektive, në unitetin e shpirtit të tyre të trazuar, me madhështinë dhe egoisten njerëzore, mes marrëzisë e të bukurës në jetën e përditshme. Në kuptimin se; shkrimtari gjatë procesit të të shkruarit nuk është vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari ngjyen penën në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, çlirimin nga ngërçet e shoqërisë dhe ngre kasollen e shpirtit në kufijtë e filozofikes e artistikes. Pjesa më e vështira në artin e të shkruarit për një shkrimtar është kur dhimbjen dhe dashurinë, harenë e gëzimin ta kthejë në fenomen shoqëror apo historik, me eksperiencat e veta në katrahurën e jetës. Është ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore. Sigurisht gjetjet inteligjente dhe idetë origjinale, në përafrimin e tematikës, e bëjnë më të lehtë për të qenë më pranë botës shpirtërore, mes përjetimeve konkrete, mes realistes e pragmatistes.Por ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshira në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë, sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese. Disa shkruajnë fjali e paragrafë “të mrekullueshëm”, por nuk kanë asnjë ide si t’i renditin ato së bashku në një rrëfim apo si t’i bëjnë personazhet e veprës të vijnë realë e jetësorë. Të shkruara mjaft cekët nën nivelin e mesatares letrare e artistike, jepen më shumë pas sasisë së faqeve se sa pas cilësisë artistike e letrare, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren-“shpërblime letrare”.Shumica vuajnë nga sindroma e përfitimit të parasë dhe nëpërmjet saj blejnë reputacionin dhe karrierën si shkrimtarë. Kjo racë shkrimtarësh që janë fenomene groteske paralajmërojnë vulgaritetin dhe mediokritetin në letërsi, injorancën dhe paditurinë, vetëgjymtimin dhe vetëvrasjen intelektuale të shoqërisë, skllavërinë e talenteve që bindin për të ripërcaktuar karakterin e dyfishtë të udhës së artit dhe letërsisë artificiale, realitetin mjeran të kësaj lloj letërsie. Shkrimtarë, – që nuk kanë asgjë të freskët apo të reja për të rrëfyer.

Disa prej tyre mund ta argumentojnë vetveten ”gjeni” dhe nuk janë të qartë e të sigurtë se vepra që ata shkruajnë është komerciale apo thjesht një trillim letrar se është shumë i lexueshëm për një shumëllojshmëri të gjerë të lexuesve. Apo mos ndoshta ata janë të vetëdijshëm në mediokritetin e tyre që mund të përfaqësohen si dy dimensionale: shkrimtarë amatorë apo profesionistë!? Unë mendoj se janë nga ata shkrimtarë që kanë bërë para me shkrime dhe kjo mendojnë se i ka bërë profesionistë! Por “niveli monetar” nuk do të thotë asgjë në lidhje me nivelin letrar, artistik dhe standardin e krijimtarisë së tyre, por që gjithsesi për të fituar “shpërblime letrare” dhe “monetare”, që unë do i konsideroja të një niveli poshtë mesatares, libra absolutisht mediokër. Pra jemi në një antitezë të freskët në këtë periudhë të antitezave dhe absurditetit më të madh, në planin e vlerësimit dhe kritikës letrare të kohës, në evidentimin e vlerave të vërteta letraro-artistike për mrekullitë, letërsinë, artin e të shkruarit dhe atë në përgjithësi.

Po kërkohet më shumë “nivel monetar”..dhe jo artistik! Kemi parë gjithë dukurinë e një libri duke u bërë edhe “best-seller” apo fituar edhe cmim të madh. Shumë pak prej tyre kanë pika të vërteta artistike dhe vlera letrare, por kjo nuk ka rëndësi për ta sepse kenaqin oreksin e tyre vulgar “shpërblim letrar”, dhe ushqejnë krijimin në nivel monetar.Si gjithmonë krijime gjen mjaft-por kokëboshësinë, –justifikimet përpiqen ta bëjnë atë që nuk është asgjë më shumë se një koncept intelektual, se nuk gjenin mënyra më delikate e të mëncura për ta bërë atë një krijim të vërtetë në nivel cilësor, letrar e artistik. Para do kohësh në një intervistën time shpreha një mendimin tim të lirë në lidhje me jetën letrare në Shqipëri. Mes të tjerave u shpreha edhe për të ashtuquajturin “Kongres Ndërkombëtar “Muza Poetike Pegasi- 2012”, me objekt “Universaliteti i Vlerave në Letërsi dhe në artin Bashkëkohor”, tekstualisht: “Kongresi pati një shtrirje të gjerë në Shqipëri, në trojet shqiptare deri në Kosovë. Pjesëmarrja në të ishte shumë e madhe, kishte krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por kishte dhe binte në sy ajo- jo cilësorja e jo artistike, mediokre, biles pa e arritur nivelin mesatar. Gjithsesi kjo iniciativë duhet përshëndetur, është guximi për të sjellë në vëmendjen e shoqërisë alternativa në jetën letrare”. Kaq!

Mendimi im nuk ishte aspak tendencioz për të lënduar ndjenjat krijuese të pjesëmarrësve të atij Kongresi, të anëtarëve të LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, megjithëse edhe për këtë kam rezervat e mija. Por ishte një mendim pozitiv që kishte brenda kritikën letrare dhe kërkesën për një nivel të mirëfilltë letraro-artistik. Sot për sot është majft e lehtë për të shkruar vepra, poezi d.m.th të krijosh me kushtin që kërkohet “shpërblim letrar” me çmime në nivel monetar- e aspak cilësor e artistik! Por fakti më tronditës është se former president i kësaj Lidhjeje z. Kristaq Shabani filloi një fushatë stigmatizuese dhe terror psikologjik ndaj meje duke më kërcënuar, fyer e persekutuar jo vetëm privatisht por edhe në rrjetin social Faceboook, kërkonte me insistim që unë t’i kërkoja të falur për”shpifjen”, të tërhiqja mendimin nga gazetat, që unë sipas tij kisha bërë për Pegasin, etj, etj. Të falur?! Për çfarë? Shpifje??!Kush ishte shpifja e faji im?! Kam duruar shumë vetëm për hir se nuk dëshiroja të bija në nivelin e tij, nuk dëshiroja të infektohesha nga egoja e tij e sëmurë me delirin e madhështisë, krekosjen dhe pompozitetin se kishte shumë grada shkencore –që nuk e kuptoja ç’kanë të bëjnë gradat shkencore me letërsinë?! –a thua se bota letrare, letërsia, Nobeli rrotullohen vetëm rreth z.Kristaq Shabani –a thua se ky është për Nobel, a thua se ky është shpëtimtari i letërsisë shqiptare!

Shkon edhe më tej komenton te gazeta “ime” TIRANA OBSERVER, gjë që mua vërtet më gëzoi, sepse jo vetëm ngriti vlerat e mija, por më saktë tregoi profilin e tij të vërtetë. Në lidhje me krijimtarinë, nivelin cilësor e artistik të tyre është popullarizimi dhe tendenca që z. Shabani përpiqet të bëjë se; të gjithë besojnë se veprat e tij, të tyre janë kryevepra dhe se ato kanë vlerë të thella krijuese e cilësore në nivel artistik e letrar. Unë nuk nguroj ta përsëris mendimin tim, se në atë Kongres kishte e ka krijimtari të mirëfilltë letraro-artistike, por ka e bie në sy ajo jo cilësorja, jo artistikja, mediokre. I pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë z. Shabani kjo është mëse e vërtetë, dhe po qe se ai e argumenton veten “gjeni” në fushën e letërsisë, duhet të bëhet më konciz, koshient e konfident të pranojë kritikën letrare dashamirëse aspak tendencioze. Në fakt disa shembuj të tij janë mjaft të habitshëm! Vlerësoj shumë realitetin e jetës kur shikoj shembuj të tillë dritëshkurtër duke trumbetuar krijimet e tyre dhe arrijnë deri aty sa të rrëmbejnë edhe çmime. Me duken të neveritshëm dhe ndjej keqardhje se sa poshtë kanë rënë dhe dyshoj shumë në ndershmërinë e tyre. Vëmë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në një mjet përfitimi material,financiar dhe më shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Po “vdesin” poetët!!

Asnjë librari nuk pranon libra me poezi. Shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, sepse praktika i bën të përsosur. Nuk duhet të mendojnë se gjithçka që shkruajnë është mjaft e mirë për botim. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera. Nga ata kërkohet “nivel monetar,…”jo artistik, sepse ata nuk janë filantropistë, ata janë aty për të fituar para. Pra, kur them se shkrimtarët e rinj duhet të jenë të durueshëm, nënkuptoj që ata të botojnë veprat e tyre kur ato të vlerësohen nga një bord letrar apo kritika e kohës për cilësinë dhe nivelin letrar e artistik, dhe botuesit do të konkurrojnë pas tyre. Nëse shkrimtarët e rinj kanë pasionin dhe talentin e lindur në to, nuk ka rëndësi sa kohë merr, libri do ta shohë dritën e botimit, fundi e justifikon mjetin. Shkrimtari, poeti e artisti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë e bëjnë art. Një kategori përbëhet nga lajkatarë,një tjetër nga smirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, të dyja janë ego vetëgjymtuese e vetëvrasje intelektuale. Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numër e që sa vjen e po pakësohen. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare, artistike dhe arti nuk duhen paragjykuar. Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; arti i të shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’ia kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme. Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Ndonjëherë ajo merr gjenerata, por ndryshimi vërehet.

Shkrimtari Stefan King i ndante shkrimtarët në katër kategori biles shkoi e më tej, ai vuri fotot e tyre në një piramidë: ku binte në sy që shumica e tyre ishin në kategorinë e fundit. Ai thoshte se askush nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i keq në një shkrimtar i aftë dhe nuk mund të bëhet nga një shkrimtar i mirë në një gjeni! Por vetëm me përpjekje dhe përkushtim, bëhet nga një shkrimtar i zoti në një i mirë. Shkrimtari kurrë nuk duhet të jetë i kënaqur me atë që shkruan, por ai duhet ta respektojë atë si ai fetari që respekton fenë e tij. Të jesh krijues sot i çfarë do lloj gjinie nuk është luks, është mëse njerëzore. Edhe diçka tjetër; shkrimtari i vërtetë bën kompromis vetëm me artin e për artin, përpiqet të qëndrojë sa më shumë larg politikës. Shkrimtari, artisti, poeti nuk është partizan i politikës dhe synimi i letërsisë nuk është kritikë apo reformim shoqëror. Një shkrimtar,artist apo poet mund të ketë pikëpamjet e tij politike, por këto pikëpamje kurrsesi domosdomërisht nuk duhet t’i manifestojë në krijimin e tij letrar e artistik. Shkrimtari, artisti e poeti duhet të jetë vetvetja, brenda brishtësisë së individualitetit të tij.

Gjithkush prej tyre përballet me kufizime të shumta në shoqëri dhe është zhytur ose në kakofoninë e turmës ose mbizotërohet nga ligjërimi i pushtetit. Kjo është sfidë e frikshme për të shprehur pikëpamjet e dikujt në rrethana të tilla, një individ konfirmon ekzistencën e tij nëpërmjet një sfide të tillë nga mjedisi i tij. Duke e shikuar nga ky këndvështrim shkrimtari,artisti e poeti e dinë se letërsia nuk është armë për kritikë, por një dëshmi për ekzistencën. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike, peneli i piktorit janë më reale se historia, e cila është shkruar e shkruhet nën ndikimin e pushtetit politik.Dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. Dhe po e mbyll me një mesazh shumë domethënës e simbolik të publicistit Vasil Qesari, i cili shprehet: “Artistët, janë kalorës të lirisë, “marothonomakë” vizionesh humaniste, pararendës të emancipimit dhe progresit njerëzor, rrëfyes të shpirtit njerëzor që lufton të Keqen. Shkrimtarët dhe artistët, në çdo kohë, kanë luftuar kundër tiranisë, mashtrimit, shfrytëzimit të njeriut, padrejtësisë, gënjeshtrës, dhunës dhe shkatërrimit. Ky është edhe një apel, për krijuesit dhe artistët e vërtetë të vendit tonë, të cilët kanë ç’të flasin e të mos heshtin rreth dramës shqiptare, duke u shkundur nga gjumi nën “kurorat e lavdisë”

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: esse, jo artistik, nivel monetar, Raimonda Moisiu

Shoqëria shqiptare ka kusuret e veta në formimin e adoleshentëve “

December 5, 2013 by dgreca

…mbasi lexova lajmin e dhimbshëm: Gjimnazisti vret shokun e klasës  në orën e mësimit, & “ rreth ngacmimeve (“bullying at school”)….”/

 Opinion nga Raimonda MOISIU*/

Një nga temat dhe objektivat kryesore në një shoqëri të shëndoshë përkatësisht demokratike, është edukimi i brezit të ardhshëm, kontrolli dhe ndikimi që duhet ushtruar ndaj tyre me startin e adoleshencës, jo vetëm nga prindërit por edhe shoqëria. Kur them shoqëria nënkuptoj, ” mposhtjen e kulturës së dhunës psikologjike dhe për  rizbuluar fuqinë e karakterit dhe ndjeshmërisë”  rreth ngacmimeve (“bullying at school”), që na japin  paraqitjen  në incidente e ndodhi, deri në krime tragjike të tilla si “Gjimnazisti vret shokun e klasës  në orën e mësimit…..” Gjë e trishtuar, tragjike tejet i dhimbshme është ky rast. Problemi është që duhet  kërkuar më thellë në  bashkërendimin e aktivitetit edukues e disiplinor të prindërve me shkollën e mësonjësit e tyre, veçanërisht kur ata janë në shkollën e mesme, dallueshėm për paragjykime kur është fjala për çdo histori me pasoja tragjike e kriminale. Është mosha më delikate që mund të bjerë pre e drogës, krimit, vjedhjes, prostitucionit, jetës së shthurur e fenomeneve të tjera, që ekzistojnë në shoqëritë përgjithësisht të shëndosha demokratike, por që janë të theksuara, të prekshme e të dhimbshme në shoqëritë e brishta të tranzicionit të kalimit nga një sistem në tjetrin, i gjatë e i ngadalshëm, ku ka pabarazi, padrejtësi, ligësi, injorancë, përçmim e indiferencë, dhe ata bëjnë ç’është e mundur për të mbijetuar. Shkolla e mesme është një mikrokozmos, botë e vogël, ku adoleshentët formulojnë vetëkopjen miniaturë të shoqërisë. Duke imituar botën e të rriturve, që së shpejti do të hyjnë, ata mësojnë se sa kritike janë marrëdhëniet ndërvetjake dhe ushtrojnë aftësinë për të ruajtur qëndrueshmërinë sociale. Një problemi i madh qëndron me këtë bashkësi informale, me mungesën e rregullave definitive, por për të shmangur kaosin social, adoleshentët kanë krijuar profilin e tyre. Këto rregulla ndryshojnë nga njëri grupim te tjetri dhe mbështeten nga anëtarët e saj, paçka se mund të jetë disi më i madh në numër nga njëri tjetri, apo një klasë më lart. Adoleshentët shfrytëzojnë çdo gjë, deri te edhe të gjitha llojet e presioneve fizike, simbolike dhe verbale, i detyrojnë bashkëmoshatarët e tyre në përputhje me identitetin e grupit, mbështesin forma të pazhvilluara të organizimit social brenda mureve të shkollave të mesme. Ndikimi mes bashkëmoshatarëve siguron strukturën sociale, formalitet që justifikon mungesën e rregullave, veçanërisht i përhapur në mesin e grupimeve naivë brenda llojit – adoleshentë të cilët kanë kapacitet të pranojnë e njohin nuancat e humorit delikat. Ata janë ekzekutorë fantastikë të dhunës, për shkak se ata kanë formimin dhe intelektin minimal për të krijuar një botë funksionale sociale. Gjithashtu, në anën tjetër, adoleshentët nuk kanë kapacitetin mendor, t’i kushtojnë vëmendje abstraksioneve, mbi të cilat marrëdhëniet ndërvetjake, mbështeten rëndom, ndërsa të rriturit të vetëdijshëm e kuptojnë se konformiteti nuk është esencial për lumturinë e tyre. Të rriturit bëjnë përpjekje të kujdesshme e të matura për të zvogëluar adhurimin që ata dikur kanë pasur për bashkëmoshatarët e tyre të inkriminuar. Natyrisht të gjitha grupmoshat influencojnë dhe janë të ndikuar nga moshatarët e tyre, por papjekuria e adoleshentëve mbetet gjithmonë e shoqëruar më ndërgjegjësimin e tyre akut dhe në varësi ekstreme të lidhjeve shoqërore, fisnore e gjaku, të cilat sigurojnë një “recetë të përsosur”, të një dhune të shfrenuar të grupmoshave, brenda llojit. Ndikimi i shokëve manifestohet në forma të shumta e të ndryshme; inkurajim, kompliment apo edhe më keq duke përdorur dhunën verbale, terrorin psikologjik komplimentues, delire madhështie, duke u hequr si miq që i duan të mirën njëri-tjetrit, forma të tilla bindëse; të ndezin cigare duhani apo hashashi, mënyra si e thithin e nxjerrin tymin, si ndjehen, të shijojnë alkolin apo drogën, duke u shndërruar në autorë të krimeve të ndryshme,deri edhe në vrasës me pagesë, largohen nga shkolla vend e pavend, hajdutë të dhunshëm deri sa edhe vrasin për sherre banale, komplekse këto të karakterit formues dhe trashëgues, fenomen që në shoqërinë shqiptare ka marrë përpjesëtime të frikshme e të dhimbshme. A nuk ishin adoleshentë ata, që në bashkëpunim dhe të mbështetur nga disa më të rritur se ata, vranë taksistin korçar Fredi Tarelli?? A nuk ishte adoleshent ai, që vrau rojen e shkollës së mesme me kaçavidë?? A nuk ishin adoleshentë ata që vranë nënën dhe motrën paradokohësh? A nuk ishte adoleshent, Aldo Hoxha, që vrau Fatbardha Tafën, për një varëse??  Për fat të keq edhe shembujt pozitivë, adoleshentë të edukuar e të sjellshëm, mund të kenë efekte të pafavorshme, veçanërisht ata që kanë një status të caktuar, i bën ata të jenë të nderuar dhe qëndrojnë larg tyre me qëllim për ta ruajtur atë statut. Implikimet e adoleshentit janë në varësi të situatës së krijuar, po ashtu si edhe personalitetit i miku/mikes të ngushtë. Kur adoleshencës i afrohet fundi, atyre u duhet të vendosin se si do të reagojnë më pas, për të dalë nga kjo kohë të paprekur dhe pa shenja. Disa prej tyre heqin dorë përfundimisht e fitojnë individualitetin, duke u bërë pjesë e grupit në identitetin e llojit të tyre. Në fakt duke u bërë pjesë e atij grupi, nuk nënkupton domosdoshmërinë në përputhje me kulturën e përgjithshme adoleshente. Megjithatë, së bashku me të mirat e adoleshentëve, shoqëria përballet me pasojat, luhatjet e vetërespektimit në bazë të pranimit në grup dhe ndjeshmërisë së lartë në sjelljet e tyre të dëmshme e të paligjshme, në të cilën ata do të angazhohen për të ruajtur gjendjen e tyre sociale. Gjithsesi duhet theksuar se veprimtaritë e dobishme për individin dhe shoqërinë, të tilla si; duke fituar rezultate të larta në mësime, apo në baza vullnetare, mund të jenë edhe rezultat i ndikimit pozitiv të bashkëmoshatarëve të tyre. Disa njerëz ndikojnë më lehtë te të tjerët. Adoleshentët i japin rëndësi jetës së tyre shoqërore, sepse marrëdhëniet mes tyre janë pjesa integrale dhe kryesore, duke mos përmendur këtu epërsinë e fatit të tyre. Miqtë janë bota e tyre, në thelb, dhe papranuar identitetin e tyre, ata janë të humbur. Adoleshentët formojnë identitetin e tyre mbi formën e miqësisë, të cilat arrijnë nivelet e intimitetit të pashembullt dhe jo paralel, nga ato të formuara gjatë një faze tjetër të jetës, dhe për këtë arsye janë çështje të ndjeshme dhe tejet delikate. Njerëzit që vuajnë nga formimi i ulët, grinden e urrejnë vetveten, mungesa adekuate e ngrohtësisë familjare, prindërve, kërkojnë miratimin dhe integrimin në mesin e këtyre grupeve të shoqërisë. Ky fenomen ka një shpjegim, pse ata tregojnë më shumë dashuri për miqtë e shokët se sa për familjen e tyre, ndërsa shokët e tyre më të rritur këtë nuk e bëjnë. Megjithë shkallën e ndikimit, padyshim shokët influencojnë ndaj njëri-tjetrit, dhe janë të rëndësishme në zhvillimin e identiteteve të tyre. Kjo është mënyra e evolucionit që fëmijët e shohin atë si një lidhje me njëri –tjetrin, të aftë që të mbijetojnë. Identifikimi me grupin e shokëve që ata i përkasin dhe jo me identifikimin e prindërve të tyre është çelësi për mbijetesën e tyre. Kjo perspektivë shkencore hedh dritë të re mbi idenë e gabuar se psikologjia e individit është faktori kryesor në lojë dhe mund të interpretohet si mbështetje për fenomenin, d.m.th. ndikimin e palëve në grup. Individualizmi dhe mospërshtatja është e keqja më e madhe e presionit të grupit, qëllimi i të cilit është pajtimi universal, pengon marrëveshjen e vet në idenë e utopisë adoleshente, e ngjashme ose të paktën e paparashikueshme, pasi ata janë vendosur në rolet e tyre sociale. Të jashtmit, – adoleshentët që janë jashtë shkollave të mesme, kërcënojnë rendin shoqëror, me vetëdije përballen me ndëshkimin dhe izolimin e tyre, shndërrohen viktima të flakura nga shoqëria, mbajnë personalitetin e tyre të vërtetë dhe mësojnë të nxitur nga momentet kritike, fitojnë pavarësinë nga autonomia e llojit brenda grupit, vetëmbështetjen, dy cilësi këto; maturohen dhe rriten para kohe. Kur adoleshentët largohen nga sfera e shkollës së mesme, ata i varin shpresat në udhëzimet e shokëve të tyre, për të ndrequr sjelljen e tyre në shoqëri. Komunikimi lirishëm me fjalë e nofka banale, replikat verbale, janë mënyrat kryesore që përcjellin miratimin apo refuzimin, aprovimin apo kundërshtimin, që qëndrojnë jashtë kontestit origjinal të kuptimit të tyre, por bëhen pjesë e kulturës së tyre brenda grupi. Një prej këtyre fjalëve apo shprehjeve është “Vari…..etj”, që nënkupton apatinë dhe indiferencën, dhe adoleshentët i përdorin ato në favor të tyre gjatë konteksteve të veçanta. ”Vari…etj”, apo “varja” është ndërhyrja indirekte dhe padëshirë ndaj argumentit e për pavlefshmërinë e argumentit të tij/saj dhe se i duhet dhënë fund diskutimit. Biles adoleshentët duke kopjuar nga më të rriturit arrijnë deri aty sa t’i thërrasin njëri tjetrit me nofka, me ngjyresa të rënda p.sh. emrat e organeve gjenitale, -duke e përjashtuar përdorimin e tyre origjinal. Më duhet të  theksoj se në shoqërinë tonë ngacmimi (bullying) i parë   vjen  me zhargonin banal, “e shara”  me libër shtëpie,  vecmas  për motrën apo nënën,  si një e lëshuar në majë  të gjuhës, në rrugë, ambiente publike, shkollë apo ambiente familjare, që padyshim vuajnë nga një kompleks inferioriteti. Mund të ketë shpjegime por jo justifikime. Janë llojet e pohimeve dramatike  që e cojnë  drejt aktit  dramatik, është sulmi  fizik, është akti që shkakton  lëndime fizike, deri  në vrasje .Fjalë të tilla nxitin dhunë verbale te bashkëmoshatarët brenda llojit. Ata mendojnë së duke e thirrur shokun apo shoqen me epitete të tilla, mendojnë se shprehin dashuri, përzemërsi, afrimitet. Por këto dërdëllisje shërbejnë për të demonstruar pajtueshmërinë gjuhësore në qarqet e duhura sociale dhe për t’i treguar se po sillet çuditshëm e pamend. Prindërit dhe mësonjësit në këtë aspekt duhet t’u tërheqin vëmendjen për të ndryshuar, tu paraqiten argumentet e pasojat, si deri në largim nga shkolla apo izolim. Ajo ç’ka unë dua të theksoj, edhe shoqëria shqiptare ka kusuret e veta në formimin e adoleshentëve. Ngacmimi (Bullying) cfaqet në forma nga më të rafinuarat, deri në më të frikëshmet, që përmendëm më lart. Cfaqet pra, edhe duke buzëqeshur, sic shfaqen në mes të rrugës lypsarët.Cfaqet në fytyrën e atij politikani, që për hir të kolltukut, të egos për pushtet, kapërdin fyerjet dhe poshtërimet prej bajraktari të shefit të tij, apo anasjelltas.Cfaqet në gjuhën e urrejtjes së politikanëve, teksa flasin nga ekranet TV-ve. Emisionet televizive politike, por edhe institucionet shtetërore sikundër Kuvendi i Shqipërisë është bërë disa herë  arenë e gjuhës së urrejtjes , zhargonit bulevardesk  dhe  në gjendje të alkolizuar, duke u shprehur pa etikë respekti e kulture, vecmas  deputët mes vedit. Por ky është një problem më i komplikuar se kaq, është  ndikimi negativ i gjuhës së urrejtjes, natyra e saj abstrakte; është çrrënjosja e harmonisë, mirësisë, tolerancës e dashurisë, se si ata i drejtojmë në rrugën e adoleshencës, duke lënë vragën e urrejtjes në formimin e tyre, pasojë që do të ndjehet kur ata të rriten.Është koha për të lëvizur nga grija në të zezë dhe të bardhë , e drejtë dhe e gabuar . Të përpiqemi , t’ju  mësojmë dhe edukojmë  fëmijëve tanë ndjeshmërinë, respektin dhe përgjegjësinë për veprimet e tyre. T’i bindim ata se  janë përgjegjës për to. Busulla  morale dhe edukimi i adoleshentëve  duhet   të përballet me pasojat , që ata të mos mendojnë  se askush nuk kujdeset sa duhet për të ndaluar aktivitetin e tyre ,- është akti dhe qëllimi që penalizohet  nga ligji.Për ta materializuar këtë mendim, sot më shumë se kurrë shoqëria shqiptare duhet të ndikojë pozitivisht, të reduktojë zhargonin bulevardesk, gjuhën e urrejtjes në sallat e Kuvendit, në studiot televizive, në fushata elektorale, të heqin dorë nga kjo “luftë klasash” e tipi (bullying) tejet e vështirë por e papranueshme për një shoqëri demokratike, të gjejnë forma dhe metodat verbale dhe gjuhën simbolike të mirëkuptimit njerëzor e jetësor, t’i bëjnë të prekshme, për promovimin e produktivitetit e moralit njerëzor e social, të jemi shembulli model që të mos e “vrasim” të ardhmen e atdheut e mos të na mallkojë historia.

Raimonda MOISIU

Shkrimtare & Publiciste

SHBA 

Filed Under: Opinion Tagged With: adoleshentet, Raimonda Moisiu, shoqeria shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT