(Eduard M. Dilo, Vargu në përjetësi, Amanda Edit, Bukuresht, 2013)
Nga Baki Ymeri/Bukuresht/
Poeti është mbret, ndërsa sintagma e Mëhill Velajt, “Bota më së miri lexohet në shpirtin e poetëve”,është motoja me të cilën hapet antologjia e dytë e Eduard Dilos nga New Yorku. Libri del konform idesë paradisavjeçare të Mardena Kelmendit nga Italia, duke patur për këshilltar editorial Vitore Stefa Lekën. Në Kuadrin e parathënies, autori i kësaj vepre thekson: Para nesh kemi një album të ri poetik që vjen në duart e lexuesit me krijues moshash të ndryshme, nga të gjitha viset shqiptare, duke përfshirë autorë të njohur dhe të panjohur nga trojet tona etnike, si dhe nga bijtë e shqipes të shpërndarë an’e kënd globit. Një vepër e re duket e bukur po qe se mbart në gjirin e saj shumë mall, dashuri, patriotizëm.
Në kuadër të kësaj vepre të re ballafaqohemi me vargje të një ndjeshmërie të ëmbël për nënat tona si krijesat më të shtrenjta në botë. Këtu defilojnë vargje kushtuar dashurisë, si një ndjenjë e bukur që e përlind botën. Në këtë kontekst nuk mungojnë as vargjet për Shqipërinë tonë në 101 vjetorin e Pavarësisës së Saj, dhe as subjekte tjera atraktive dhe interesante. Antologjia respektive, duke respektuar kriteriumet e moshës, prezanton poetë të talentuar, mjeshtër të penës, mendimtarë dhe atdhetarë të mrekullueshëm, si i mirënjohuri Prof. Vangjush Ziko, apo mjeshtri i shquar i lirikës erotike dhe sarkastike, Kalosh Çeliku, poeti i stinëve, Ramiz Kuqi, Ismet Hasani nga Suedia, Rashit Gashi, Ali M. Lajçi, Sadbere Gagica, Ramadan Asllani, Shahadije Lohaj dhe Hasnije Beqiri, nga Kosova, Silva Tërnava nga Zelanda e Re, Anna Hoxha, Arben Dulaj, Jani M. Duda, dhe poetesha më e re që i jep bukuri, ëmbëlsi dhe freski vargut të saj, është vogëlushja nëntëvjeçare, Altina Zeqiri.
Duke shfletuar faqet e “Vargut në përjetësi”, ka shansin të përfshihesh edhe vetë në të, dhe të bëhesh njësh me botën e brendshme të poetëve. Kështusoj e gjen vetëveten ndër vargje, gjen ëmbëlsinë e gjuhës sonë, e konsideruar nga rilindësita tanë si “Gjuha e Perëndive.” Vargjet e poetëve janë të freskëta, të brishta, të ëmbla, impressive, të bukura e gurgulluese si ujërat e pastra e të ëmbla të bjeshkëve tona. Janë vargje zemre me meditime magjike dhe margaritarë që të sjellin kthjelltësi mendimi, të mbeten në kujtesë dhe të shoqërojnë kudo që të shkonsh.
Vangjush Thoma Zikou lind në qytetin e Korçës në vitin 1931, ku kreu dhe arsimin e mesëm. Arsimin e lartë për letërsi e bëri pranë Institutit të Letërsisë “M. Gorki” në Moskë. Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë. Shkruan poezi,dramë dhe perkthen nga gjuha ruse. Vëllimin e parë me poezi dhe dramën e parë i botoi në vitin 1959. Është kryesisht një poet lirik. Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike. Drama e tij ka natyrë psikologjike. Ai i është përkushtuar gjithashtu përkthimit të poezisë lirike ruse. Ka botuar përmbledhje të veçanta të poezive të Pushkinit, Eseninit, Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vellime), ku ka përfshirë rreth peseqind poezi të më shumë se treqind poetëve rusë që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete gjer në fund të shekullit të njëzetë.
Është autor i një sërë studimesh, eseshë dhe skicash letrare, si dhe bashkautor tekstesh të letërsisë. Ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës dhe në ndihmë të talenteve të reja dhe ka qënë aktivizuar në botimin e disa revistave periodike kulturore. I është dhënë Urdhëri “Naim Frasheri”i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006” nga Klubi Letrar “Bota e Re” për krijimtarine e tij letrare. Që prej shtatorit të vitit 2004 jeton në Kanada pranë femijëve të tij. Në faqet e kësaj antologjie, Vangjush Ziko defilon me poezitë Kam fluturuar. Gdhihem dhe ngrysem, Krahët e mi, Shtëpia e vjetër, Ikona jote, Gjerdani yt, Më zgjoi pulëbardhë e Noes. Autori fluturon gjithandej në botë, porsi një engjëll: “Kam fluturuar në re dhe përmbi re./
Kam fluturuar kur dielli lind dhe hëna fle./
Kam fluturuar nga kontinenti në kontinent,/
Nga mall’ i vjetër në mall’ i ri që po më pret./
Kam fluturuar me krahë ëndrre dhe dashurie./
Kam fluturuar mbi shpinë brenge dhe xhelozie./
Kam rrëshqitur dhe jam zvarritur si hidhërimi../.
Mbi gurë të varrit më gdhendni krahët e fluturimit.”
Sipas kriteriumeve të moshës pason Rashit A. Gashi nga Kosova. Pas bio-bibliografisë autori vjen me poezitë “S’u durova pa të kujtuar”, me kujtimet vijnë vërdallë, si valëdeti valë e valë, kur plisi i bardhë të kishte hije, e mikpritja e bujaria, me traditat e shqiptarit. „Në ballë të vendit kur ti rrije,/ Plisi i bardhë të kishte hije,/ Duke qeshur e duke folur”, me fjalë të urta e fjalë burrërie, atmosferën e freskoje, i hareshëm dhe gazmor, me atë plis të bardhë në ballë, mendjendritur si malësor, i buzëqeshur dhe krenar. Interesante janë edhe poezitë „Refugjati”,„Vajtimi i motrës binjake”, kur „Pa ty drita më bëhet terr,/ Edhe vera më bëhet dimër,/ Për mua lulet më s’kanë erë”, etj. Ismet Hasani, autor i librit „Urti poetike”, zbret në shtypshkronjën e Bukureshtit nga brigjet nordike të Suedisë me poezitë „Gjuhën shqipe mos e harroni”, „Suedia, vendlindja ime e dytë”, „Fjalë të mençura” dhe „Lavdi”, ku parakalojnë valët e jetës me brenga, përgëzime, mallëngjime e shqetsime, nostalgjia ndaj vendlindjes, urtia popullore etj.
Ramiz Kuqi me banim në Norvegji, vjen nga Kotlinë të Kaçanikut, autor i disa librave (shqip, suedisht, anglisht), dhe magjistër i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Është njëri nga poetët më të frymëzuar të diasporës shqiptare. Meditim nate, Kjo muzë (që vjen e trishtë në kopsht, për të mbjellur dredhëza), Udhëve të mërgimit (me ëndrrat që më tundin si lundrën nëpër valë), Monolog (i fushëbetejave me fjalë), Do vijë nata (me shi e me erë në sytë e mi), Kur bie nata (bredh nëpër qiellin e atdheut, kur vdes e sërish ringjallem, sepse jeta është këngë), janë disa nga margaritarët e frymëzimit të tij, prezente në këtë vepër. Pason Kalosh Çeliku, autor i një numri të konsideruar veprash letrare, që shkëlqen me vargje erotike, satirike dhe humoristike, shkrimtar i shquar dhe kryeredaktor i revistës “Stili 97”. Ja disa nga titujt e poemave të tij: Protestë në Shtëpinë Publike, Rebelimi, Nata pa Hënë, Pagjumësi, Dritare kah Dielli, Mesditë, Dardha Gorrice, Çafkë, mos ma prek vargun, Konferencë kombëtare etj.
Ali M. Lajçi vjen nga Peja e Dardanisë. Personalitet krijues letrar e poliedrik. Shkruan poezi dhe prozë, për të rritur dhe për fëmijë. Deri tash ka botuar këto vepra poetike: 1996 – “Mashtrimet e shevarit”, poezi për të rritur; 2000 – “Dhelpra flet me bisht”, poezi për fëmijë; 2005 – “Pranvera ma fali një vetull”, poezi për fëmijë; 2007– “ Këmisha e diellit”, poezi për të rritur, “Merrja pak etje”. Me profesion është avokat, jeton dhe vepron në Pejë. Gjethi i klorofiltë, sipas tij, luan me puhinë dhe puthet me diellin. Impresionuese janë vargjet Me frymë rebelë/ kemi rrënuar sarajet prej kashte/ kolonë pas kolone vinin/ sjellësit e absurdit,/ babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës. // Me hapa rebelë/ Kemi marrë në sy rrugët/ Edhe për ta thyer qafën/ Në akullin mbi Tokë Kosovë/…/ Babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës/ Nëna ia kishte vu Hënës/ Shaminë e shapuar mbi kokë// Unë i numëroja kolonat/ Që vinin njëra pas tjetrës/ Duke menduar në forcën time/ për rrënimin e absurdit rë tyre,/ Babai ia kishte vu gjoksin bjeshkës”.
Jani Duda vjen nga Sheperi i Zagorisë. U lind në vitin 1955. I dalluar që në vegjëli për vjershat të cilat i krijonte ashtu thjeshtë e bukur dhe i këndonte mbështetur në tabanin e traditën e familjes, të gjithe këngëtarë. Ka mbaruar shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera. Nndërkohë, për arsye biografike nuk iu dha e drejta të vazhdonte më tej. Emigroi me ndryshimet e sistemit, fillimisht në Greqi, kurse tani jeton familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkruan kujtime për vendlindjen dhe kohën e shkuar, për vizita familiare e përgëzime gjatë kremteve fetare e kombëtare. Shkruan për Çajupin që e lexon me admirim, duke kujtuar një botë tjetër me njerëz të sinqertë, që ndihmonin njëri-tjetrin. “S’mbaronin vizitat/ Në festa e gëzime/ Askush s’te ndërhynte/ Në jetën intime/ Ishin zemër bardhë/ Të mençur të zgjuar/ Po tani ç’po ndodh vallë? Sheh njerëz të ftohtë/ Me kokën menjanë/ Edhe njëri-tjetrit/ Hile ia kanë/ Miletit të shkretë i iku gëzimi/ Se kudo që shkonte/ Ishte sigurimi”. Pasojnë disa poema të gjata për të liqtë, për lakrorin pranë burimit etj.
Ramadan Asllani u lind në Smirë të Vitisë, më 1957. Studioi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe, dhe kreu magjistraturën në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Profesor, gazetar, redactor dhe autor i veprave “Pranverë ilire“, “Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike“, Bardhok Kaçaku –kujtime dhe dëshmi“, “Dr. Tefik Idrizi”, “Kohë të serta“, “Fadil A. Berisha“, “Hasan Remniku – luftëtar për etninë shqiptare“. Ka edhe disa vepra në dorëshkrim: prozë e poezi. Jeton dhe krijon në Ferizaj. Është një nga poetët më të frymëzuar të kësaj antologjie. Zotërojnë subjektet meditative, patriotike dhe, pse jo, edhe erotike: “Nuk doja t’i prisja flokët e shprishura/ Ku kisha përkëdheliet e dashurisë:/ Duar e buzë e shtrëngim të ashpër/ T’m’i shkelte në tokë kush mundet// Nuk doja t’i laja sytë e ngjyrosur/ Që kishin përjetuar pikturën lakuriq/ As ndonjë cuk-cuk buze me e pa buzëkuq/ Në kopshtin trupor të mbretëreshës// Nuk do të doja të lahesha heeej/ T’i laj puthjet e prekjet dashurore/ As majat e kënaqësive epshore/ Të mëkatoj dua edhe në vdeksha!”
Duke respektuar kriteriumet e moshës, defilon Eduard M. Dilo, poet dhe publicist. U lind më 1958 në Sheper të Zagorisë. Rrjedh nga një familje intelektuale e cila gjatë diktaturës komuniste u persekutua në mënyrë barbare. Babai i tij, Margarit Ilia Dilo, ka kryer studimet në Universitetin e Athinës (1936). Ai ishte nxënës i shkollës Amerikane, ndaj edhe u burgos e syrgjynos gjatë diktaturës staliniste të Enver Hoxhës. Me ardhjen në pushtet të komunistëve, të njëjtin fat e përjetuan edhe familjarët e tjerë. Edi është nip i patriotit dhe gjuhëtarit erudit Ilia Dilo Sheperi, si dhe i Pano Xhamballos dhe Jani Dilos, të cilët luftuan për Shqiptarë të lirë në një Shqipëri të lirë. Ka kryer me skarifica të mëdha gjimnazin në Gjirokastër, Tiranë dhe Fier, pasi e përjashtonin për arësye të biografisë. Më vonë e përfundoi shkollën e mesme ekonomike në Fier, pa shkëputje nga puna, ndërsa më vonë mbaroi Institutin dyvjeçar Globe Institut Tecnology në New York. Është bashkautor i librave “Zemra Prindërore” dhe “Diloiada”, autor i antologjisë “Kështjella e ëndrrave”, i përfshirë me poezi edhe në disa antologji tjera. Ka botuar shkrime të ndryshme, duke bashkëpunuar edhe me revistat elektronike Zemra Shqiptare, Tribuna shqiptare, Forumi Shqiptar etj. Vëllimi i tij i parë mban titullin “Shpirt i trazuar” (2010). Aktualisht jeton me familjen në SHBA. Është anëtar i bordit të “Vatrës” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej dhjete vitesh, dhe anëtar i Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Shkruan për engjëj, për diellin e lirisë, për hijeshitë e pranverës, për heronjtë e Kosovës, për arrdhmërinë kombëtare, për jetën, për ëndrrat mërgimtare dhe Bashkimin Kombëtar. Sipas tij, “Kur zemra rreh vetëm për Atdhe/ S’ka përkulje, kompromise e hile”.
Arben Dulaj u lind në Fier më 2 Gusht 1961. Rrjedh nga një familje patriotike. Ka mbaruar 8 vjeçaren në Levan të Fierit dhe shkollën e mesme Industriale në Fier. Në poezitë e tij me vlera të pakontestueshme, përveç imagjinatës, është i theksuar sinqeriteti, humanizmi, dashuria ndaj njeriut dhe ndjenja patriotike. Kohëve të fundit, Arbeni jeton dhe krijon në Jaksonville, Florida. Në spektrin e vargjeve të tij, autori i beson Zotit dhe drejtësisë, dritës së diturisë, vendlindjes dhe atdhedashurisë, gjakut dhe trashëgimisë, bashkimit dhe vëllazërisë, humanizmit dhe dashurisë, tolerancës dhe çiltërsisë, dhe jo vetëm kaq. Sipas tij, respekti, sinqeriteti dhe trimëria, mençuria, durimi dhe bujaria, besa shqiptare, urtësia dhe lumturia, janë veti primordial të ekzistencës sonë në botë. Pasojnë vargje tjera mbi Zotin e Qiellit e të Tokës, mbi burimet që krijojnë lumenj e liqenj ku jeta gjallëron, mbi botën e yjeve e të lashtësisë sonë, mbi osmanllinjtë që në emër të Allahut vrisnin, përdhunonin, rrëmbenin e digjnin, mbi barbarët e tjerë që tentonin ta zhduknin nga faqja e dheut shqiptarinë. “Nga mali Tomorrit dua të hedh vetëtimat e mija,/ Dhe ta marrë vesh gjithë bota mbarë,/ Se unë jam Zeusi, zëri i së Vërtetës,/ Drita juaj jam unë, Zeusi Shqiptar.”
Shahadete Lohaj u lind më 1965 në Shkup, ku ka kryer dy klasë të shkollës fillore. Me shpërnguljen e familjes në Ferizaj, ka vazhduar dhe mbaruar tetëvjeçaren. Si nxënëse e shkollës së mesme është marrë me veprimtari atdhetare, e cila dënohet me tri vjet burgim. Pas kryerjes së burgut, Shahadia mbaroi shkollën e mesme dhe regjistrohet në ish-Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj. Për dy provime komitetlinjtë e atëhershëm ia ndërpresin të drejtën për studime – si “e papërshtatshme politikisht”. Në vitet e nëntëdhjeta regjistroi studimet në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë e Universitetit të Prishtinës. Më 1997, policia serbe kërkoi për ta arrestuar me një proces gjyqësor në Ferizaj, me akuzën “Ndihmë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Atë vit, Gjykata serbe në Prishtinë e dënoi me dy vjet burgim në mungesë, e cila detyrohet t’i ndërpres studimet, duke qëndruar ilegalisht në Prishtinë dhe Tiranë. Më 1999, kur u çlirua Kosova, Shahadia kthehet në Kosovë, ku edhe i përfundoi studimet më 2002. Ajo tani është mësimdhënëse e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare në shkollën fillore “Gjon Sereqi” të Ferizajt, ku edhe jeton me familje. Është lexuese e pasionuar, por edhe krijuese e një lirike të rrallë, që mund të hasim te brezi i poeteshave të Kosovës. Ka të botuar librin poetik “Ëndrrat për Atdheun” (2009), duke patur në dorëshkrim edhe një vëllimin tjetër poetik. Lutjet tona (me zjarrin e përflakur dhe avujt e dashurisë), Duart e Mëmëdheut (që e kafshonin shekujt e robërisë), Liri e leckosur, Melodi e heshtur (ditiramb për invalidët e luftës), Dhelindje, Eja mere nusen nga Kosova, janë disa nga titujt e poemave të saj të përjetësuara në faqet e kësaj antologjie.
Hasnije Beqiri u lind në Prishtinë vitin 1976 qysh në femijëri u mëkua dhe edukua me dashurinë e pa kufishme, si për Dardaninë që vuante nën zgjedhën e pushtimit jugosllav, po aq dhe me dashurinë për Amën Shqipëri. Qysh në bangat e shkollës filloi të shkruante dhe të recitonte poezi të bukura. Çdo gjë në ambientin ku rritej dhe edukohej, përbënte një material edukimi dhe subjekt për të shkruar. Shkrimet e asaj kohe i rrëmbeu zjarri i luftës, por pasioni është pasion, talenti është talent, dhe si e tillë Hasnija nuk e braktisi penën e frymëzuar të saj. Falë këtyre cilësive, ajo është pjesë e kësaj Antologjie me krijimet e saj, sa të bukura, po aq edhe patriotike e mbresëlënëse. Sipas Eduard Dilos, Hasnija shkruan me ndjenjë dhe me një dashuri të pakufishme për gjithçka që ka aromë shqiptare. Shkruan me qartësi dhe bindshmëri për çdo gjë, vragu i saj duke u shndërruar në një sentiment të veçantë. Sa për ilustrim po japim strofën e pare të poezisë Sofra dhe vargun e fundit: “Në sofrën po gatuaja duke përzier lotët me miell/ Edhe pse buka bëhet nga misri./ Në vend të ujit me lotët përzija këtë miell./ Po shiu i qiellit, s’më çonte dot në qiell./…/ Ç‘vlerë kanë ardhjet e mia nëse s’do ishin pritjet tua?!”
Silva Ternava u lind në Fushë Kosovë dhe kreu studimet në Universitetin Pedagogjik të Prishtinës. Është rritur në një familje me taban të fortë patriotik, ku qysh në djep është mëkuar me dashurinë e zjarrtë për Kosovën e pushtuar. Qysh e vogël ishte e dhënë shumë pas tregimeve e këngëve të trimërisë, që duke i dëgjuar të risin sigurinë, krenarinë në vetvete dhe të bëjnë të ndjehesh e fortë dhe e denjë për vendin ku ke lindur. Ashtu e urtë nga natyra, Silva merr lapsin qysh fëmijë dhe nis të shkruajë poezitë e para. Shkruante dhe dërgonte për botim në gazetat dhe revistat e kohës. Ka botuar te “Kosovarja”, “Zëri i Rinisë ” dhe revista të tjera. Letrat dhe shkrimet e saj janë mirëpritur dhe vlerësuar në atë kohë, e shumë prej tyre janë lexuar dhe në emisionet e ndryshme të Radio Prishtinës. Ësht fituese e disa çmimeve dhe pllakave muzikore që jepeshin si stimulim. Në moshën 17 vjeçare shkruan romanin e pabotuar kurrë, sepse dorëshkrimi i këtij libri, së bashku me shumë fletore tjera të mbushura me poezi e tregime, i rrëmbeu flaka e luftës. Tani vjen në rradhët e poetëve, me një debutim dinjitoz. Poezitë e saj pëlqehen nga lexuesi dhe ka vlerësime shumë inkurajuese, sidomos te Zemra Shqiptare. Jeton me familjen e saj si refugjate në New Zeland, me një zjarr dhe mall e dashuri të pashuar për Kosovën ku e ka shpirtin e saj. Është e martuar, ka dy fëmijë dhe ëndërron kohën kur të kthehet e të punojë e jetojë në Atdhe. Zonja Ternava defolon në faqet e Vargut në përjetësi me poezitë Dëbora e lagjes sime, Fëmijët e lagjes, Anita, Nëna ime, Amaneti i fundit, Vapë në Prishtinë, Udhëtimi në përjetësi (Kushtuar viktimave të Himarës) etj.
Sadbere Gagica u lind në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesmen e ndoqi në qytetin e lindjes, për të cilin ajo ruan edhe sot kujtimet më të bukura të jetës së saj. I kujton ato me nostalgji edhe sot. Belbëzimet e para poetike i ka bërë kur ishte nxënëse e shkollës fillore. Lexonte me pasion të veçantë shkrimet e Ali Huruglicës, Hysen Këqikut e shumë të tjerëve. Ka një varg shkrimesh letrare, kryesisht poezi për të rritur, të cilat kjo krijuese ëndërron t i botojë një ditë. Autorja vjen para opinonit me poezinë „Ëndrrat i vishja me fustan të kuq”, kur „Një trëndafil ia veja mbi veshë/ Fshehurazi ia kafshoja natës buzët/ Në Kopshtin e dashurisë Ti/ Personazh lirik/ Në shtrat kthehesha me buzëqeshjen tënde/ Brenda tërë margaritarë”, apo: „Si flutur ndalesha mbi buzët tua/ E sot/ Qytet kujtimesh/ Stinë e gdhendur/ Në fjalë vargu/ Çdo ditë më kafshon me dhembje/ Një përmallim i tretur”. „Fjalori i buzëve” është një poezi tjetër e frymëzuar (ku malli djeg e loti pikon), apo poema „E shpirtin e arnoj me ëndrra”: S’më ndal asnjë uragan drej cakut tim/ Vrapoj me orën që plisin e shekujve ledhaton/ Udhëve të përmendoreve nga një lule vë/ Koha bart plagë mall lot mbi kurriz/ E shpirtin arnoj me ëndrra/ Në guacën e vetmisë/ Në qiell shoh pëllumba të bardhë/ Që fluturojnë trungut të Ilirisë”. Mund të thotë kush se nuk kanë vlera, frymëzime dhe imagjinatë, autorët e kërij albumi poetik?
Altina Zeqiri, sipas Eduard Dilos, ndoshta është sot poetja më e re në letërsinë shqipe. E thjeshtë, e bukur, e qeshur, me çiltërsinë e sinqeritetin e një fëmije, ajo vjen për herë të pare para opinionit me vargjet e saj. Është e lindur në Gjilan (2003), në një familje shumë patriotike, ku Nëna qysh në djep, kur i këndonte ninulat e saj, së bashku me qumështin i mëkonte edhe dashurinë për Kosovën që sapo kishte gëzuar Lirinë. E lindur poete, e apasionuar pas këngëve, librave, lapsit e fletoreve, qysh në fëmijëri filloi të mësojë, të shkruajë e të lexojë. E sot kjo vajzë e talentuar, e lindur poete, na dhuron poezi, lexon romane, është nxenëse e shkëlqyer dhe ëndërron të bëhet poete. Poezitë e saj kanë një rrjedhë tërheqëse. Në gjirin e tyre shpaloset aq bukur dashuria për Gjuhën Shqipe, për prindërit, për të vëllain, për shoqet dhe mësuesën. Kjo lule e bukur, sipas Edit, është një gonxhe trendafili e sapo çelur, dhe një zbukurim i faqeve të kësaj Antologjie. Edhe Ana Xh. Hoxha, me të cilën e përmbyllim shkrim, prezente në faqet e fundit të këtij libri, është poete e re dhe e talentuar. Shkruan me një ndjeshmëri karakteristike, si për Atdheun, poashtu edhe për dashurinë dhe gjithçka që e rrethon dhe është e bukur.. Shkruan për erën që e mbyti vetminë, për hijeshinë e vezullimit të yjeve në qiell, për paqen e botës, për dashurinë dhe tradhëtinë, për shpirtin dhe vlerat e tij, për ëndrrat plot mistere dhe imazhet që përjetuam. Jeton dhe krijon në SHBA