• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇAMERIA MES AMANETIT DHE REALDIPLOMACISE

December 13, 2012 by dgreca

Nga Arben Manaj /

 Përfaqësuesi parlamentar më i spikatur i çamëve në Shqipëri, Shpëtim Idrizi, kapërcyesi i njohur i ylberit politik pas zgjedhjeve të fundit, me qëllim përkushtimin ndaj kësaj çështjeje, në një shkrim për të shumëpërfolurën rezolutë çame, e cila ende nuk dihet nëse do e marrë ose jo vulën parlamentare, theksonte këto ditë se: “Ky amanet nuk është i thjeshtë, sepse që të përmbushet duhet bërë politikë, duhet bërë diplomaci.”
Dhe këtu qëndron në thelb tërë e panjohura e zgjidhjes ose jo, por edhe nëse ndodh, e rebusit të çështjes çame, pikërisht te diplomacia dhe bashkë me të kuptohet, mënyra se si bën politikë në funksion të përmbushjes së këtij amaneti.
Padyshim, çështja çame është absolutisht aq e vërtetë siç e ka përshkruar tërë ndjenjë dhe patos deputeti Idrizi dhe ka tërë ato sensibilitete dhe sfida, që normalisht ai i identifikon drejt dhe saktë.
Leva e Arkimedit në këtë histori të dhimbshme mbetet përdorimi i atij mjeti efikas të gjetur, mbi të gjitha diplomatik, për ta trajtuar dhe zgjidhur aq sa mundet, në përputhje me pritshmëritë e popullit çam, pritshmëri që për mendimin tim, janë sa të natyrshme aq edhe utopike në kontekstin e problematikës shtetërore mes Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe të vetë kompleksitetit të navigimit nëpër labirintet e të drejtës ndërkombëtare dhe parametrave shpesh padrejtësisht dhe poshtërsisht të përthyeshëm të aplikimit të saj në botën e sotme, në dëm të kombeve më të vegjël.
Si parantezë, nëse dikush do të mendojë, siç ndodh jo rrallë në mjedisin shqiptar, se nga shtjellimi i kësaj teme delikate do të perceptohesha sadopak dhe naivisht si antishqiptar, më lejoni ta kujtoj se më lidhin me çamët dhe më ndanë me grekët një fat tragjik i njëjtë deri diku, si stërnip krenar i një Dëshmori të Kombit, vëllait të gjyshit tim, komandant çete në Tepelenë, i rënë duke luftuar me armë kundër forcave greke, varri i të cilit gjendet në varrezat e dëshmorëve të Tepelenës.
Gjithsesi, përfaqësuesit politikë dhe parlamentare të çamëve, si bartës të këtij amaneti postum, e realizojnë dhe konceptojnë fatmirësisht faktin se për ta çuar në vend këtë amanet, që se tret as dheu, hyn në lojë një shtet apo shtete të tjera, hyjnë në lojë marrëdhëniet ndërkombëtare, detyrimet integruese, dhe nga dikush bëhen hesape dhe pazare se sa peshon realizimi i amanetit.
Nga ky këndvështrim, edhe nëse miratohet ose jo nga Parlamenti shqiptar, kjo rezolutë realisht do të jetë më shumë një akt-tentativë për shumë kohë, dekada do të parashikoja, sesa një shans real për të ndikuar në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
E them këtë pasi, nuk duhet të fshihemi pas gishtit dhe nëse nuk do të biem pre e optimizmit të pavend dhe pse jo edhe folklorizmit dhe romantizmit patriotik të evidentuar së shumti gjatë 100-vjetorit të Pavarësisë, çështja çame në realdiplomacinë moderne ka barriera kolosale për të kapërcyer, dhe zgjidhja e saj duket po aq e ftohtë dhe e largët sa Poli i Veriut.
Marrë si të kuptueshme dhe të imagjinueshme se cilat janë ato, çdo qeveri shqiptare që në fillesat e saj e deri më sot, realisht dhe pa partizanllëk politik duhet jo vetëm vlerësuar për sa është bërë, por edhe mirëkuptuar përse nuk ka shënuar aq progres avancimi i saj.
Fakti që sot në Shqipëri ka parti çame, nuk është tregues i asaj se ka mosndjeshmëri nga shqiptarët e tjerë jo çam, apo partitë mainstream për këtë çështje. Aspak.
Ka një arsye për këtë situatë. Dhe s’ka se si të ndodhte dhe ndodh ndryshe, kur një vend i vogël si Shqipëria me një histori të komplikuar dhe mbështetje të pamjaftueshme dhe me deficenca të ndjeshme në lobimet diplomatike ndërkombëtare për këtë çështje, nuk ka këllqet për ta mbrojtur, jo më sa për të larë gojën, por për ta futur atë në shinat e zgjidhjes reale.
Përballë ka pasur historikisht një shtet të përkëdhelur të Perëndimit, dhe shtet të integruar dhe kopsitur mirë në strukturat e sigurisë europiane, por edhe ato të Bashkimit Europian.
Një Greqi me përkrahje shtetesh të fuqishme që ishin kundërshtarët e Shqipërisë politike dhe sot mbeten armiqtë e asaj etnikë jo vetëm në diktaturë, por edhe në demokraci.
Një Greqi që ka lobe të fuqishme në këtë anë dhe në anën tjetër politike të Atlantikut, me influenca të konsiderueshme në administratën amerikane, e cila për hir të së vërtetës, nuk është se shfaq për çështjen çame ndonjë entuziazëm, për të mos thënë e injoron tërësisht, pasi nuk ka mbërritur ende në tavolinën e dosjeve të çështjeve kontraverse të diplomacisë botërore dhe amerikane.
Dhe përballë kësaj Greqie, që sot është në reanimacion ekonomik, ka qenë dhe është një Shqipëri në reanimacion demokratik, shumë më e pafuqishme dhe ndikuese, pavarësisht nga forca e të drejtës për të imponuar, në mos për zgjidhje të pranueshme, të paktën të negociueshme të çështjes çame.
Një Shqipëri që ende s’ka hyrë në paradhomën e BE-së, ku Greqia ka një votë dhe veto bllokuese, të cilën ajo pa asnjë kompleks dhe skrupull e përdor sa herë i duhet në relacion me fqinjët, me të cilët ka probleme të pazgjidhura, siç është rasti i Maqedonisë, por edhe pse jo zyrtarisht i konfirmuar dhe i deklaruar, por i ditur, edhe ai i Shqipërisë.
Në të tilla rrethana, për hir të së vërtetës së hidhur, asnjë qeveri shqiptare nuk ka hapësirat e nevojshme për të manovruar dhe ndikuar realisht.
Larg pesimizmit, fatkeqësisht kjo gjendje do të vazhdojë për një kohë të gjatë, madje shumë të gjatë, ku së pari, që Tirana zyrtare të mund të jetë relativisht imponuese, do të duhet që minimalisht të jetë e barabartë në të njëjtën tavolinë me Greqinë në BE, që thënë ndryshe do duhet të bëhet anëtare e Klubit, anëtarësi, që siç duken bathët, do të kërkojë të paktën një dekadë.
Vetëm atëherë do të mund të ngjallen shpresat për ngritjen e problemit në nivel po them, të një çështje të brendshme të shtëpisë së shteteve anëtare të BE-së, që do të duhet të shtrohet për zgjidhje dhe dëgjohet më seriozisht.
Pa harruar mbi të gjitha, lobimin jetik të kësaj çështjeje në Uashington, si një shtet, që mund, nëse i volit të ndikojë që çështja çame të hyjë në hullinë e një zgjidhjeje me marrëveshje.
Por, Shqipëria pa hyrë dhe zënë karrigen e vet në tavolinën e BE-së vetëm do të bëjë harakiri politik dhe diplomatik me këtë çështje.
Kjo është dhe mbetet edhe sfida më e madhe e përfaqësuesve të sotëm dhe atyre të ardhshëm të “popullit çam”, siç parapëlqen ta quajë z. Idrizi, nëse do përfaqësohen në Parlamentin apo qeveritë e ardhshme shqiptare, që të punohet sa më shumë për integrimin sa më parë të Shqipërisë në Bashkimin Europian si parakusht, si dhe të ndikojë në eliminimin e atyre shkaqeve ose politikave shqiptare, që e frenojnë realisht integrimin kuptimplotë të Shqipërisë në BE.
Thënë kjo, kompleksiteti i çështjes çame është i nevojshëm të artikulohet akoma më shumë qartë dhe me realizëm edhe për veshët e popullit çam nga përfaqësuesit e saj, të cilët nuk duhet të mbjellin iluzione se me demonstrime në afërsi të kufirit greko-shqiptar sensibilizohet siç duhet çështja, edhe pse ajo ndihmon, që ajo çështje e aktualizuar përmes Rezolutës, të mos mbesë vetëm në kufijtë e formulimit të amanetit dhe assesi kapak i asaj çka është bërë dhe thënë për çështjen çame, por si një dritare shprese, edhe aty ku kjo shpresë duket sot e vaktë, në këtë fillimshekulli të quajtur shpesh shekulli i shqiptarëve. (Kortezi Gazeta “Shqip”)

Filed Under: Opinion Tagged With: arben Manaj, cameria mes amanetit, realdiplomacise

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT