*Marrëdhëniet me Greqinë, mes velenit dhe miqësisë/
* Një fjalë e urtë indiane thotë: Mos e shmang problemin, por ballafaqohu me të, përndryshe agonia do të zgjatet./
Nga Reis Çiço/
Pas vendosjes së demokracisë në vendin tonë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë sjellë kurdoherë midis normales dhe anormales, rruga e këtyre marrëdhënieve ka qenë e vështirë dhe është
shoqëruar me turbulenca konstante.
E gjithë kjo situatë ka ardhur si pasojë e ekzistencës së disaproblemeve midis palëve, që jo vetëm nuk janë zgjidhur, por kohë pas kohe, ato mahisen duke traumatizuar marrëdhëniet dypalëshe.
Tashmë është njoftuar se më datë 14 Tetor, Tiranën do ta vizitojë ministri i Jashtëm grek, Venizellos. Axhenda e ministrit është bërë publike, dhe ajo përmban bisedime për çështjen e kufirit detar, do të
diskutohet për gazsjellësin TAP, dhe ndoshta Venizellos do të vendosë piketat e vizitës së ardhshme të presidentit Papulias, diku nga muaji nëntor në Tiranë.
Udhëtimi i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi është shoqëruar me incidente të vogla e të mëdha, një pjesë e mirë e të cilave ose nuk është zgjidhur, ose është gjetur një zgjidhje përcjellëse.
Në nëntor të vitit 2005, u shënua një nga incidentet më të rënda diplomatike. Në atë kohë, Presidenti i Greqisë, Papulias po zhvillonte një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila do të mbyllej me një takim në
qytetin e Sarandës, me presidentin e asaj kohe, Alfred Moisiu.
Dhjetëra apo qindra njerëz në qytetin bregdetar nisën një protestë, e cila bëri që Presidenti grek të anulonte takimin me homologun e tij shqiptar, dhe të largohej drejt Greqisë, pa dhënë asnjë shpjegim.
Mos vallë z. Papulias nuk e dinte se protestat janë pjesë vitale e demokracisë? Mos vallë ai harroi se kur Athinën e vizitoi presidenti Klinton gjysma e kryeqytetit grek u dogj nga protestuesit? Natyrisht
ai i di të gjitha, por me Shqipërinë gjërat ndryshojnë, ndaj dhe presidenti grek ndërmori një hap arrogant dhe prepotent, sepse e dinte që reperkusionet diplomatike e më gjerë do të ishin zero, dhe ashtu
ndodhi. Asnjë reagim nga presidenca, qeveria, madje dhe media reagoi vakët. Një heshtje e çuditshme!
Rastet e përsëritura të incidenteve kanë evidentuar qartë dy qëndrime diametralisht të kundërta. Nga njëra anë prepotenca e Athinës zyrtare, dhe nga ana tjetër përulësia e Tiranës zyrtare.
Në vazhdën e incidenteve, vlen të evidentohet se deputetë të ndryshëm grekë, qoftë dhe të “Agimit të Artë”, me raste të përsëritura skandalesh në vendin tonë, jo vetëm nuk kanë problem për të hyrë në
Shqipëri, por dhe kur vijnë, në raste zgjedhjesh, apo ceremony përkujtimore, shpërthejnë në histerizma antishqiptare dhe largohen të qetë për t’u rikthyer përsëri. Ndërkohë që qeveria greke shpall person
non grata një gazetar shqiptar pse xhiroi disa sekuenca në fshatrat e Çamërisë, e kështu lista mund të zgjatet pafund.
Parë në një rend kronologjik, Athina zyrtare ka qenë dhe është këmbëngulëse në realizimin e objektivave dhe kërkesave të saj, sepse ajo i ka dominuar kurdoherë marrëdhëniet me Shqipërinë, për arsye shumë komplekse, që meritojnë një shtjellim të veçantë.
Çështja e kufirit detar me Shqipërinë është në krye të axhendës, dhe konfirmon se këmbëngulja greke për zgjidhjen e saj ka qenë dhe mbetet një konstante e pandryshuar. Është ky problem që realisht po bie në Tiranë ministrin e Jashtëm grek.
Në këtë sfond, me dritëhije të marrëdhënieve shqiptaro-greke, vizita e ministrit të Jashtëm Venizellos merr një rëndësi të veçantë dhe është interesante në disa aspekte.
1. Shqipëria udhëhiqet nga qeveria e re e majtë që doli nga zgjedhjet e 23 Qershorit.
2. Ministri grek do të diskutojë vetëm për kufirin detar, apo do ta zgjerojë gamën e bisedimeve, duke prekur çështje të tjera delikate që rrinë pezull në marrëdhëniet tona?
3. A do të jetë Venizellos, dialogues, sugjerues, apo imponues?
4. Nga ana tjetër, kjo vizitë është një test për qeverinë e re. Çfarë qëndrimi do të mbajë lidhur me kufirin detar, që Gjykata Kushtetuese e ka bllokuar?
5. Po çështjen Çame e të tjera, do t’i hedhin përfaqësuesit tanë në tryezën e bisedimeve?
Sigurisht, të gjitha këto pyetje do të marrin përgjigje kur vizita e z. Venizellos të përfundojë.
Çështje të trashëguara dhe çështje të reja që kanë lindur në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Qeveria jonë nuk duhet t’i shmangë,përkundrazi t’i shtrojë ato për zgjidhje, duke u mbështetur mbi një dimension tjetër mendimi e veprimi, ku në themel të jenë Reciprociteti dhe Dinjiteti.
Nëse do të ketë vullnet nga palët, zgjidhjet aty janë, në të kundërt do të vazhdojmë të ecim mes velenit dhe miqësisë.