Shkruan: Avzi MUSTAFA/ Shkup/
Ne mes të maleve të larta të Velivarit, Korabit dhe Kërçinit, në dy anët e lumit Radika gjendet bukuria natyrore, ashtu siç e dinë ta fal vetëm Zoti, që quhet Reka e Epërme. Bukuritë e saja janë ma të mahnitshmet në të gjitha stinët e vitit. Dimri është me borë të ashpër, ku gjatë stinës arrin sa një bojë njeriu dhe qëndron deri në pranverën e vonshme, kurse vera dhe vjeshta këtë vend e pikturojnë si një artist i vërtetë me ngjyrat e ylberit. Ajri i pastër dhe pllajat malore, që i dhurojnë “Erën e Bardhë” siç quhet nga vendasit,, e bëjnë Rekën e Epërme një banjë natyrore që ndikon edhe në rritjen e banorëve me trup të lart e të shëndosh me karakteristika somatike që dallojnë nga të tjerët.
Kjo krahinë, me ujin e pastër dhe kullosat shumta, mundëson që ky vend të merret vetëm me blegtori. Për të gjithë banorët e kësaj treve rruga dhe fushëpamja e tyre është rrjedha e lumenjve dhe përroskave që derdhen në lumin Radika dhe janë të vetmet rrugë që çojnë në dalje për në qytet.
Aty ku lumi Radika e pranon lumin e Bogdit në anën e djathtë të bregut të lumit Gjollet e Krekarnicës që buron nga themelet e Kishës së Edingosit dhe në lindje të fshatit Vau gjendet fshati Krakornica.
Krakonirca e rrethuar me malet apo siç i quajnë banorët “bgjeshka” atë të Reçit dhe atë të Strazimirit, dhe ne lindje të këtyre maleve, përveç Krakornices gjendeshen edhe dy fshatra të kësaj zone, si: Vaiu (Brodecë), Bogdi. Të rrethuara me male, këto fshatra të vetmen dalje në një botë tjetër përveç rrjedhës së lumit të Gjolleve të Krakornices si dhe të lumit të Bogdit. Këta dy lumenj diku afër Niçpurit bashkohen dhe dredhen në Radikë. Vetëm kjo është dalja, që për banorët e këtyre viseve, që përshkohej me një udhë dhiare që të çonte në Dibër dhe atë vetëm me kafshë samari. Prandaj, këto tre fshatra nuk kishin mundësi tjetër, përveç Dibrës, për të siguruar nevojat e jetesës.
Një vit para se të lind Llazar Siljani, i ati Ilija posedonte një shtëpi në Dibër, sepse merrej me tregti dhe në atë shtëpi kishte ndërtuar një fllanik (katua), ku ruante dhe shiste bulmetin. Meqë se pritej lindja e foshnjës e ëma qëndroi në Dibër. Para se lindte foshnja i tyre, ndodhi edhe një dimër i madh që ishte e pamundshme që nëna të kthehet në fshatin Krakornicë.
Në kollozhek të vitit 1878 lindi një djalë, por pas tri ditëve u dëgjua nga shtëpia e Ilijës në Krakornicë një pushkë, që lajmëroi se në familjen e Siljanëve ka lindur një djalë. Sipas traditës kishtare fëmijët që lindnin pagëzoheshin me emrat e gjyshërve për të ruajt traditën dhe djalin e vogël e pagëzuan Llazar.
Llazari që në fëmijëri dëshmonte se posedon një inteligjencë, por edhe me trup po rritej shpejt dhe fuqishëm. Pasi u mëkëmbë, Llazari në stinën e verës shkonte në Krakornicë dhe rritej bashkë me cingërimat e deleve, duke ecur bashkë me to nëpër rudina, luante me këlyshët e qeneve të racës Ilire dhe mblidhte siç i thonë banoret e kësaj ane, aushka (repa).
Në kohën e vjeshtës së vonshme dhe të dimrit qëndronte në Dibër. Ai kishte dëshirë që të qëndrojë pranë të atit .Aty ulej mbi shegat ( tinarët) e bulmetit. Kur ai mungonte, mungesa e tij ndihej dhe njerëzit kur vinin në shtëpinë e Siljaneve në Dibër pyesnin për djalin, ndërsa babai u thoshte se është Rekë. Familja krenohej, që kishte dëshirë që të shkojë e rrijë gjatë deri në vjeshtën e vonshme në Krakornicë. Të afërtit e thirrshin rekanas, që më vonë ky djalosh ta përvetëson këtë nofkë dhe ashtu do njihet nga qarqet intelektuale e patriotike- Llazar Siljani-Rekanasi.
Në shtëpinë e Sijanit vinin e shkonin njerëz , dikush blinte, dikush vetëm pyeste e dikush ndalej e bisedonin për vuajtjet e shqiptarëve .Në dyqanin e babait, Llazari ndonjëherë shiste e ndonjëherë dëgjonte, ndonjëherë pyeste për gjera që babain e shtinte në mendime për ti dhëne përgjigje. Në kohën kur Siljani kishte filluar që të kuptoj nga pak dhe te ai të ngjallen ndenja patriotike. Në atë kohë me të madhe në Dibër flitej për ardhjen e Abdyl Frashërit si dhe atentati mbi të. Ka mendime të tilla se pas largimit të Abdylit nga Dibra për disa javë të ketë kaluar në zonat e thella malore pikërisht në Rekën e Eperme , për të pasur kontakte të fshehura me patriotët e Prizrenit e të Gjakovës[1].
Kjo krahinë e bukur që shquhej si vend blegtoral, por edhe si vend i thyer ku behet shumë acar e bie borë e qëndron gjatë, që nuk mundej të sigurohej as buka e gojës. Andaj banorët e këtyre fshatrave malor migronin në viset më të mira brenda Rekës , por edhe nëpër qytetet e afërta si ne Dibër, Gostivar, Kërçove e gjetiu e më vonë edhe në vendet e largëta ku mund të gjendej punë si në: Stamboll, Bukuresht, Sofje, Pllovdiv, Stamboll, Misir e gjetiu.
Llazar Siljani e sidomos babai kishte dëshirë që ai të mësojë shkollë. Në atë kohë në qytetin e Dibrës funksiononte një shkollë bullgare me katër klasë dhe me dy mësues. Numri i nxënësve sipas të dhënave arrite 90 nxënës.[2] Edhe Llazari i mori mësimet e para në këtë shkollë.
Pas ndoqi katër klasë në këtë shkollë, por e kishte shumë vështirë për të vazhduar me tej shkollimin në Dibër. Si shumë të tjerë edhe Llazari në moshën 15- vjeçare , pas dy viteve pauzë u nisë që të mësojë në ndonjë shkollë të mesme në Bullgari. Meqenëse e kishte mësuar gjuhen bullare në shkollë , kurse në shtëpi fliste gjuhën amtare shqipe, interferenca gjuhësore e tij u binte në sy mësuesve bullgar në Sofje dhe atij i sugjeruan se me këtë të folme mund të regjistrohej ndonjë shkollë në Pllovdiv. Kështu veproi dhe regjistrohet në një gjimnaz real në Pollovdiv.
Pikërisht në vitin kur kishte lindur Llazar Siljani, Bullgaria kishte fituar autonominë dhe shumë shqiptarë kishën marrë rrugën që të gjejnë punë nëpër shumë qytete të Bullgarisë. Në Sofje shumë patriotë shqiptarë të Rilindjes kombëtare zhvillonin aktivitet politik dhe kultural. Në Sofje u themeluan shoqëritë e para patriotike, filluan të dalin edhe gazetat e para në gjuhën shqipe, filluan të përkthehen libra ne gjuhë te ndryshme për të afirmuar kulturën dhe historinë e shqiptarëve . Në kohën kur Llazari ndodhej në Bullgari një pjesë e intelektualëve shqiptar që kishin mbaruar shkollën e mësuesisë të Nikolla Naços , kishin ardhur në Bullgari siç ishin: Krist Luarasi, Kostë Trebicka me të vëllaun, Dhimtar Nikolla Mole, Mil Sotir Gurra e shumë të tjerë. Njeriu që ishte më ma i merituari që i tubonte të gjithë shqiptarët dhe përhapte ndjenjat e shqiptarizmit ishte Dhimitar Mole. Ai mbante një hanë në rrugën “Serdika” të Sofjes si dhe kafenenë me emrin “Albanija”, ku shumë shqiptarë i brumosi dhe i vetëdijesoi jo vetëm me ndenja patriotike, por edhe i angazhoi për veprime konkrete në dobi të kombit shqiptarët. Kafeneja“Albanija” u bë një fole patriotësh ku mblidheshin dhe bisedonin për çështjen e kombit. Masa që frekuentonte ishte ishin analfabet e gjysmanalfabet , punëtorë krahu duke punuar çdo lloj punësh. Takimet e ndryshme dhe malli për vendlindjen e familjet, mërgimtarët gjenin ngushëllim në fotografinë e Skënderbeut që e kishin vendosur në ballë të kafenesë. Portreti i Skënderbeut ishte ikona e frymëzimit patriotik .Me te fillonin dhe mbaronin bisedat. Kafeneja dhe hani ishte mbushur plot me libra ne gjuhën shqipe. Nga patriotët u ndërmor aksion që të hapen kurset për shkrim lexim shqip, ku një numër shumë i madh filluan të shkruajnë e të lexojnë ku njeri ndër të parët ishte Josif Bageri nga Nistorova e Rekës së Epërme.
Llazari, si ri përmallohej për Dibrën, Krakornicën , por prehje shpirtërore gjente kur takohej me bashkëvendësit. Mirëpo, në të njëjtën kohë filloi që të vë kontakte edhe me shumë intelektual e patriot të kohës . Miqësi te madhe lidhi me Nikola Ivanaj, Adham Shkabën, Dhimtar Mole, Said Najdenin, Josif Bagerin, Kristo Luarasin, por edhe me disa intelektualë bullgarë. Sipas disa shënimeve thuhet se Llazër Siljani ishte një udhëtar i përhershëm i trenit që lëvizte në drejtim Pllovdiv – Sofje-Sofje-Pllovdiv.
Në vitin 1900 patrioti shqiptar Kristo Luarasi do të sigurojë një shtypshkronjë për botime të librave në gjuhën shqipe. Sipas gazetës “Kalendari kombiar”, ai do të njoftojë shqiptarët se ne vitin 1899 është botuar në Sofje Abateraja e Stambollit, por përveç dokumentacionit ekzemplarë të saj nuk janë gjetur. Në vitin 1902 do të dal botimi i dytë i “Abetares Toskrisht” të Sami Frashërit botuar nga shtypshkronja “Mbrothësija” , që e posedonte Luarasi.
Meqenëse në Bullgari kishte shumë punëtorë nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë dhe dialekti toskë u paraqiste ca vështirësi, patriotët shqiptarë ndërmerren iniciativë që Abetaraja e Sami Frashërit të botohet edhe në dialektin gegë. Për këtë punë u angazhua që ta bejë Said Najdeni nga Dibra. Patrioti Said Njadeni ishte një ndër ato që kërkonte dhe punonte për hapjen e shkollave me mësim në gjuhën shqipe. Ai shumë shpejt e kreu dhe më vitin 1900 u botua Abatarja e adaptuar në dialektin gegë.
Ndërkaq Llazar Siljani ndërmori iniciativë si shqiptar dhe bashkëqytetar që të angazhohet që të botojë veprën në dorëshkrim të Said Najdenit “Ferrefenjën myslimane” në folur të Dibrës[3] .Vepra është shkruar me alfabetin e Stambollit Gjithë punën për daljen në dritë të këtij botimi u angazhua Llazar Siljani që te sigurojë edhe para për botim nëpërmjet të donatorëve , ku ai vet po ashtu dha një shumë të parave[4] . Kështu në vitin 1900 “Ferrefenjën myslimane” në folur të Dibrës e Said Najdenit (Hoxhë Voka) u botua në Sofje.
Vë vitin 1875 për herë të parë në gjuhën turke u botua drama “BESA” e Sami Frashërit, ndërsa më vitin 1902 ajo u përkthye në gjuhën frëngjishte nga Abdyl Ypi Kolonja .Kur u lexua vepra e Samiut dhe kur dilnin në pah virtytet e larta shqiptare si komb më vete, zemra i tha Llazarit që kjo vepër gjithsesi duhet që të përkthehet edhe në gjuhën bullgare . Prandaj iu përvesh punës, konsultoi shumë fjalorë, dhe në vitin 1902 vepra e Samiut “Besa” u përkthye në bullgarisht nga Llazar Siljani, dhe u botua në shtypshkronjën e bullgarit D. V. Mançov në Pllovdiv[5].
Meqenëse ishte e pamundur që shqiptarët të punojnë individualisht, andaj u paraqit nevoja që të gjithë shqiptarët e Sofjes të organizohen në një shoqatë, që u emërtua më pas “Dëshira”. Për formimin e shoqatës u angazhuan: Mole, Adham Shkaba, Josif Bageri, Sipro Garo, Llazër Siljani, Ligor Prifti
Në fillim në të u anëtarësuam vetëm 30 vetë, por dita- ditës shtohej. Qëllimi parësor i shoqërisë ishte të përhapë dituri dhe mësim të gjuhë shqipe,pra ajo kishte karakter kulturor e arsimor. Programi realizohej mbi parimet demokratike dhe dallohej se nga shoqëritë tjera, sepse në këtë shoqëri mund të anëtarësoheshin vetëm ato që e “flasin gjuhën shqipe” e jo të huaj ( neni nr. 4 i statutit)
Anëtarët e shoqërisë “Dëshira” dita-ditës po shtoheshin, ndërsa, patriotët shqiptarë ndërmerrnin iniciativa të ndryshme. Mbi të gjitha ishte ruajtja e gjuhës shqipe , bashkimi i shqiptarëve hapja e shkollave shqipe dhe afirmimin e kombit shqiptar në sy të botës, prezantimi i kulturës shqiptare nëpërmjet përkthimeve etj.
Meqenëse se shqiptarët sipas ndasive fetare i identifikonin si grekër, bullgar, turq e serb, ajo që i bashkonte të gjithë shqiptarët ishte gjuha shqipe, që me një fanatizëm të paparë i ruante shenjat dalluese të kombit. Ata e quanin gjuhen shqipe “tapia e vendit”.
Mospranimin e shqiptarëve si komb e shqetësonte shumë Llazar Siljanin . Prandaj në vitin 1907 botoi librin :“BESA / A / FEA / E / SHQIPËTARËVET TË VJETËR” .Libri ka 78 faqe dhe prej faqes 3-7 ka një parathenie, ku aty I shpalon të gjitha mendimet si dhe rëndësinë historike të besës shqiptare si një prej virtyteve më të shenjta të popullit tonë[6], por gjithashtu edhe fenë e sheh si një ndër tiparet e rëndesishëm në shërbim të ruatjes së kombit. Prandaj Llazari do të shkruaj kështu: “Besa, feja e kombit janë si fletët e drurit të cilat pot të ndryshojnë nga koha, bien dhe në pranverë dalin të tjera. Gjaku (shpirti) I kombit është si palca e drunit, të cilën po e nxorre, nuk mbetet as fletë, as pemë dhe druni thahet për jetë”[7]
Llazar Siljani bashkë me Josif Bagerin, që ishin dy nga Reka e Epërme dhe të dy nga pesë anatarët për ngritjen e iniciativës për ndërtimin e një kishe ortodokëse në Sofje. Më vonë kësaj inciative iu bashkangjitën72 anëtarë të tjerë. Kështu më 25 shkurt 1910 dërguan kërkesën në organet gjegjese kishtare për themelimin e kishe ortodokse shqiptare në Sofje,
Themelimi I kishës kishte për qellim jo përçarje, por të zgjonte ndërgjegjen kombëtare bashkëatdhetarëve, si dhe mbajtjen gjallë frymën e patriotizmit dhe të urretjes ndaj pushtuesit si dhe qarqeve shoveniste të shteteve fqinje.
Por Sinodi I kishës bullgare e refuzoj sepse në kërkesën e shqiptarëve ortodoks se në kërkesën e tyre potecohej qartë se mesha e prifti duhet të jetë shqiptar.
Llazari I kishte venë vetes që të punojë për popullin shqiptar pa humbur asnjehere shpresen se një ditë shqiptarët do të mëvetësohen.Shqiptarët janë popull I vjetër .Ky popull ka gjuhën, historinë e bujshme luftarake. Duke iu referuar kryengritjeve ndyshme që kishte berë populli shqiptar si dhe të kuptuarit të rritjes së madhe të popullit shqiptar për liri sidomos nga ana oroganizative e politike dita ditës gjente shprehjen e vet në formimin dhe rritjen e ndergjegjes kombëtare. Si problem më I madh që e bregoste llazarin ishte indetifikimi I kombit me fenë, jo vetëm nga sunduesët osman, por edhe nga qarqet shoveniste greke e sllave, por edhe nga disa autorë të huaj, që I mohonin shqiptarët si komb.
Llazar Siljani iu kundërvua tezave të huaja dhe përpjekjeve të pushtuesve të huja për të përçarë shqiptarët sipas feve duke ngritur besimin fetar në parim kombësie. Nëpërmjet të një libri të veçantë me titull “Cilët janë shqiptarët e sotëm dhe gjuha e tyre?” [8], ku shtroi çështjen e trajtimit të posaçëm të Shqiptarëve si kombë më vehte me gjuhë e tradita , duke e mbeshtur tezën e Hasan Tahsinit . “Ne jemi një kombë I veçantë, kemi gjuhën tone të veçantë, anadaj duhet të jetojmë më vete si dhe të tjerit”.[9]
Llazar Siljani ishte në rrjedhat e kohës. Ai si një intelektual kuqej edhe në problemet që nxitnin debate të ndryshme. Një kohë të gjatë në qarqet bullgare po diskutohej me të madhe se cilin shkrim do të marrin për bazë atë të lindjes apo të perëndimit. Intelektualet dhe shkencëtarët i kishin ndarë mendimet dhe në të njëjtën kohë ishin formuar dy shkolla që njëra ishte shkolla e Sofjes që përkrahte shkrimit dhe dialektit e lindjes dhe e dyta ishte shkolla e Pllovdivit. Sipas studimeve të Olivera Jashar –Nastevës një shkencëtare e madhe e studimeve gjuhësore në studimet e saja shkollën gjuhësore të Pllovdivit e karakterizon si më të mirën në zbatimit praktik gjuhësor e drejtshkrimor që përvetësohej nga përkthyesit dhe nga gjuhët tjera sllave të Ballkanit. Meqenëse se Llazari kishte mësuar në shkollë gjuhën bullgare dhe në Dibër të folmen maqedonase, dhe duke u mbështetur në fushën e leksikut si sistem i hapur dhe në sistemin gramatikor të gjuhës shqipe dhe të bullgarishtes ku ai kishte vërejtur shumë afërsi ndërmjet këtyre gjuhëve. Ai ndërmori një provë që të bëjë një studim në një libër me titull “Afrimi i bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe”[10]. Libri ka 66 faqe dhe shoqërohet me një pasthënie nga autori.
Si të gjithë patriotët shqiptar të krahinave të ndryshme shqiptare edhe intelektualet e krahinës së Rekës së Epërme u vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombtare qoftë me pushkë apo me penë. Edhe Reka e Epërme nëpërmjet të përfaqësuesve të vet jep kontributin e çmueshëm për çlirim e pavarësi, për kulture, për gjuhë, kishë e shkollë në gjuhën amtare. Pa dyshim edhe Llazar Siljani I dha vulë kohës së vet, ambientit të vet dhe popullit të vet përmes punës dhe veprave të tij, të cilat i sigurojnë krahas Josif Bagerit një vend të denjë si illuminist I shquar nga treva e Rekës së Epërme.
[1] Kristo Frashëri, Abdyl Frashëri, ( 1839-1892), f. 299
[2] Shkolla ishte hapur 1883/84 sipas Ali Vishkos, Rrethanat arsimore ne Dibër e rrethinë ne gjysmen e dytë të shekullit XIX, Dibra dhe etnokultura e saj ,II, Diber, 1995, f. 79
[3] . Avzi Mustafa, Figura mësuesish shqiptar 1., BKSH, Tetovë, 1995, f. 42
[4][4] Said Najdeni , “Ferrefenjza myslimane, , Mrothësia”, Sofje,1900 ( shih listen e dona ku ai shenohet si nje i krishter e jo me emr dhe mbiemër.Për kete libër fal Llazarit botimin e ndihmuna shume patriotë nga gjithë viset si muslijman ashtu edhe te krishter.)
[5] S. Frashëeri, Besa çesna duma. Drama vo sestdeistvija, iz albanskija zivot. Prepelot albanski. L.I. Siljanov, Plovdiv, D.V.Mançov, 1902
[6] , Bibliotekës Kombëtare, Ramazan Vozga, LIBRI SHQIP 1555-1912, në fondet e Bibliotekës Kombëtare BIBLIOGRAFI, Tirane, 2010
[7] Llazar Siljani, Besa a fea e Shqiptarëve të vjetër “Mbrothesia”, Sofje,1907, f.5
[8] Лазар Силјанов, Кои се денешните албанци и технија език?, Софија, 1911
[9] Hasan Tahsini, Delvinë, 1874(cit. sipas Nuri Abdiut Kontribute themelore ne historinë e mendimit psikologjik shqiptar, Tiranë, 2003)
[10] Llazar Siljani Afrimi i Bullgarishtes së sotme me gjuhën shqipe,,”Mbrothësia”, Sofje, 1911