Nga Gjergji Mima-9 Korrik– Kombëtarja shqiptare e futbollit ka arritur klasifikimin më të mirë të saj të të gjitha kohërave në renditjen botërore të Fifa-s.
Shqipëria është pozicionuar në vendin e 36-te në botë, duke u ngjitur më lart se kurrë në klasifikimin global duke thyer rekordin e mëparshëm të prillit të vitit 2013, kur kombëtarja kuqezi arriti deri në vendin e 37-te në renditjen botërore.
Në këtë mënyrë, kombëtarja e trajnerit Giovanni De Biasi, pas paraqitjeve impresionuese që kanë dhuruar kënaqësi e besim te publiku, merr frytet e progresit të vazhdueshem dhe evident edhe me mirëvendosjen e saj në renditjen e Fifa-s.
Muajin e fundit Shqipëria ka ngjitur plot 15 shkallë, çka rezulton ndërkohë edhe një ndër lëvizjet më pozitive të këtij harko kohor në nivel global. Janë plot 98 pikë të fituara që i dedikohen pikërisht një tjetër suksesi historik, fitores 1-0 ndaj Francës falë supergolit të Ergys Kaçes në miqësoren e luajtur 13 qershorin e kaluar në ‘Elbasan Arena’.
Me këtë renditje Shqipëria blindon vendin e saj në vazon e tretë të shortit të eleminatoreve të Botërorit ‘Rusi 2018’ që do të hidhet në 25 korrik, ku do të ketë mundësinë që të ketë në grup 3 skuadra me koeficient më të ulët, pra teorikisht më të dobëta.
Me renditjen më të mirë historike në klasifikimin e Fifa-s Shqipëria kurorëzon një rrugë progresi të vazhdueshëm.
Për sa i përket rivalëve të Grupit I në eleminatoret e Europianit Francë 2016, Danimarka, kundërshtari ynë direkt për vendin e dytë dhe kualifikimin e drejtëpërdrejtë, ka ngjitur 5 shkallë duke u pozicionuar e 24-ta në botë.
Franca e dënuar nga humbja në ‘Elbasan Arena’ zbret 13 vende duke u renditur e 22-ta, kryesuesit e Portugalisë janë skuadra më e mirëpozicionuar e Grupit I, pasi qëndrojnë në vendin e 7.
Mbetet shumë pas ndërkohë Serbia që edhe pse ka ngjitur dy shkallë renditet në vendin e 43-të, ndërsa Armenia me minus pesë shkallë është e 89-ta në botë.
Klasifikimi i FIFA-s ka përjetuar ndryshime të rëndësishme edhe në kreun e tij, ku Argjentina pavarësisht disfatës në finalen e Kupës së Amerikës, i ka rrëmbyer vendin e parë Gjermanisë, kampione të Botës, që ndodhet në vendin e dytë, ndërsa në 10-shen e parë spikat ngjitja e Anglisë, Uellsit, Rumanisë si dhe Kilit që arrin pozicionin e 11-të falë suksesit në Copa America. /a.ke/