-“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në Kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, përfundoi lideri i AAK në konferencën për shtyp./
PRISHTINË, 24 Tetor 2015/ Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot në një konferencë shtypi, tha se, “ngjarjet e djeshme ne Kuvend dëshmojnë se në Kosovë është përmbysur edhe jeta parlamentare edhe sistemi demokratik”.
Ai ka thënë se, “ka një këmbëngulje të madhe që për t’iu ikur gabimeve të bëra të qeverisë, duke i sulmuar metodat e kundërshtimit të opozitës, madje në situata të caktuar edhe duke sajuar e shpifur kundër saj”.
Sipas Haradinajt, “marrëveshjet për Demarkacionin dhe Asociacionin, nuk mund të jenë çështje e dy njërëzve apo e do farë komisionesh me njerëz të korruptuar”.
“Këto tema janë më të mëdha sepse flitet për territorin e Shtetit, sepse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nuk është derivate e një marrëveshjeje, as e një Plani (siç ka qenë Plani Ahtisaari), por diçka krejtësisht e re, që është në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Haradinaj.
Prandaj, vijoi ai, “meqë nuk po shohim shenja të reflektimit as të përgjegjësisë politike, të dyshes Mustafa-Thaçi, meqë deri me sot janë penguar të gjitha nismat për t’i dhënë zgjidhje këtyre temave, dhe meqë është provokuar kaq rëndë opozita edhe opinioni me ‘Maskaradën’ e djeshme në Kuvend, ne do të vazhdojmë t’i kundërshtojmë këto marrëveshje deri në tërheqje, ose dorëheqje të qeverisë”.
Lideri i partisë opozitare AAK tha se, “është për t’u habitur se si qeveria, në vend që të reflektojë dhe ta shohë opozitën si partner në këto tema, ka vendosur që ta luftojë atë, madje edhe me polici në Kuvend. Ajo ka vendosur të mos e dëgjojë as zërin e shoqërisë civile e të 200 mijë qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin”.
“Unë po të isha në vendin e kryeministrit Mustafa”, ka thënë Haradinaj, “sot do të kisha dhënë dorëheqje”. “Janë të pa akceptueshme situatat kur në kuvendin e Republikës, më shumë ka policë se sa deputetë!”, përfundoi lideri i AAK në konferencën për shtyp./b.j/