• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Genocidi komunist ndaj klerit fetar në Shqipëri

August 25, 2019 by dgreca

Nga Reshat Kripa/ Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër burgje dhe kampe, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetni ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.

            Pyetni të mbijetuarit e këtyre torturave dhe do të mësoni për rrahje me kamxhik deri në vdekje, për ngacmim të plagëve të hapura dhe hedhje kripe mbi to, për djegie me cigare të ndezura, për rrymë elektrike dhe veshje jeleku të forcës, për lënie me ditë të tëra pa bukë dhe ujë, për përdhunim të familjarëve në sytë e tyre, për varje me kokë poshtë, për vendosje vezësh të porsa zjera nën sqetull, për futje gjilpërash në thonjtë e gishtrinjve dhe dhjetra e dhjetra forma të tjera torturash. Kriminelët viheshin në garë se kush do t’ia kalonte shokut në egërsinë e tij, se kush do të shkaktonte më shumë viktima. Një garë e vërtetë kanibalësh që nuk ngopeshin me gjak bashkëqytetarësh.

            Një   genocid   të  jashtëzakonshëm  ka  zhvilluar  regjimi  komunist edhe  kundër  klerit fetar në Shqipëri dhe kjo në një kohë  kur  dihej  mirë  roli  pozitiv  i  këtij kleri  në  vendin  tonë dhe kur harmonia midis tyre ishte në shkallën më të lartë.

          Shumë më përpara se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në Shqipëri, paralajmërimin më të parë e ka dhënë në mënyrën më alarmuese dijetari i ndjerë, patriot e antikomunist, Hafiz Ali Korça, që në vitin 1925 me librin e botuar aso kohe “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Ndër të tjera  në këtë liber ai konstaton:

            Bolshevizma s’pajton kurrë

            Me dinin e Muhamedit

            Çelët do ta kenë luftën

             në ditën e Kijametit.

            Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës komuniste dhe, rrjedhimisht, për krijimin e «njeriut të ri». Megjithatë, komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend mjaft të rëndësishëm duke penguar kështu zhvillimin e tyre të mëtejshëm në fushën e botëkuptimit materialist të partisë mbi fenomenet e natyrës dhe të shoqërisë. Feja paraqitej kudo si frenuese e ritmeve të qytetërimit dhe emancipimit shoqëror, ndaj dhe, sipas udhëheqësve komunistë, rruga e vetme për përparim shoqëror ishte çlirimi nga dogma e saj. Në shërbim të kësaj ideje u botuan me dhjetëra libra propagandistikë, ku feja përshkruhej si “një barrë shumë e rëndë për njerëzimin dhe një armë e përshtatshme në duart e klasave sunduese shfrytëzuese për të mbajtur punonjësit besimtarë në errësirë, të bindur, të urdhëruar”.

            Pohime të këtilla s’janë, veçse vulgarizime të ftesës marksiste për të qëmtuar lidhjet midis fesë dhe modeleve të sundimit dhe të shfrytëzimit. Marksi hodhi poshtë traditat hebraike të familjes së tij dhe argumentoi që dëshira e madhe për një jetë të lumtur në botën e përtejme mund të konsiderohej pjesë e një ideologjie, që pengonte punëtorët të përpiqeshin në këtë botë për një rend shoqëror të drejtë dhe jo shfrytëzues. Prandaj dhe feja, sipas tij, ishte “opium për popullin”, me të tjera fjalë, një grup dogmash, që fshihnin realitetet e luftës së klasave dhe të shfrytëzimit. 

            Në Shqipërinë komuniste, si në të gjitha shtetet totalitare, kontrolli mbi prodhimin e dijes ishte pjesë jetësore e kontrollit të shoqërisë në përgjithësi. Ndaj, paralelisht me propagandën, shteti komunist u përkujdes që të zhdukte çdo trajtë arti dhe të menduari, që mund të përbënte pengesë në rrugën e nisur për shpëlarjen e trurit dhe krijimin e një literature, që do të shenjohej nga një paaftësi karakteristike për të kapërcyer banalitetin. Ky projekt u mbështet në nisma konkrete. Kështu, pa kaluar as dy javë nga futja e partizanëve në Shkodër, në fillim të dhjetorit 1944, u ndalua botimi i të përkohshmeve “Hylli i Dritës”, “Zani i Shën Ndout”, “Zgjimi i djelmënisë” dhe “Bijat e Zojës”. Në këtë frymë, tre vjet më vonë, më 2 mars 1948, Gjykata e Rrethit të Tiranës, ndaloi qarkullimin e mbi 155 titujve, të cilët, sipas gjykatës, “kanë përmbajtje ideologjike të dëmshme për popullin t’onë dhe kundra frymës së re demokratike dhe për konseguencë qarkullimi i tyre nuk i sjell asnjë dobi popullit t’onë, por përkundrazi e dizorienton dhe e nxit në urrejtje dhe përçarje.” Dy vjet më vonë, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri vendimin nr. 1150, datë 27. 02. 1950 për bllokimin e të gjithë librave të botuar apo të hyrë në Shqipëri përpara 29 nëntorit të vitit 1944.

            Filloi  një përndjekje e pashembullt  e anëtarëve më  të  ngritur të  klerit. Në  inventarin  e përndjekjes së tyre nuk mungon paepshmëria, madje, shpesh, ajo i përshtatet përmasave dhe ashpërsisë së përndjekjes. Duhet mbajtur  parasysh  se  gjithçka  zhvillohej  në  atmosferën  e  një

rrënimi të plotë material, të frikës dhe të dëshpërimit. Pas ndërhyrjeve të dhunshme  të  shtetit  në

organizimin e jetës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, kufizimi i rreptë dhe kontrolli mbi Medresenë, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër “demaskuese” nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, teatrit dhe estradave, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë. Presion akoma më të madh përjetuan pedagogët e medresesë, duke nisur që në vitin 1945 me arrestimin e Hafiz Ali Korçës, drejtorit Hafiz Ismet Dibrës më 1946, Enver Beqirit më 1946, Vexhi Buharasë më 1947, Jonuz Buliqit më 1947, Shaban Demirit më 1946, etj. Klerikët myslimanë, përfshi dhe bektashinjtë, gjatë regjimit komunist përjetuan ngjarje tronditëse. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit u vuri spiunë, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.

            Kleri mysliman u përndoq me forma dhe mjete nga më të ndryshmet nga ateistët e rinj që erdhën nga malet dhe kontrolluan gjithçka që përbënte jetën e shenjtë dhe ritualet e besimtarëve. Në fillim komunistët u përpoqën t’i joshin klerikët myslimanë, që t’i bënin për vete në aventurën e tyre të përgjakur kundër një pjese të shqiptarëve, por kur nuk ia dolën mbanë, atëherë nisën kalvarin e persekutimit. Si gjithnjë, në stilin e tyre komunistët e përqendronin goditjen në kokat e elitës fetare myslimane. Sipas statistikave vetëm gjatë dhjetë vjetëve të parë të diktaturës janë pushkatuar e dënuar 60 hafizë e hoxhallarë, 83 dervishë dhe/baballarë. Këta dhjetra të pushkatuar dhe qindra të internuar nga ky besim i bashkangjiten martirëve të parë të lirisë dhe besimit në pikun më të ashpër të diktaturës komuniste. Disa prej figurave më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, u ekzekutuan me vdekje nga gjyqet komuniste midis një histerie popullore në sallën e gjyqit dhe jashtë, duke i përcjellë akuzat dhe shpifjet banale me megafon e radiotrasmetim, për të mbjellë llahtar në gjithë Komunitetin Mysliman. Të tilla ishin gjyqet e vitit 1947 kur u dënua me pushkatim me akuzën stampë “armik i popullit” sheh Qerimi i Delvinës, shehu i Devollit, deputeti sheh Ibrahim Karbunara bashkë me të birin Hasanin.  Klerikët myslimanë jo më pak se klerikët e besimeve të krishtera u bënë kurbanë të besimit të tyre, besnikë deri në fund të jetës së tyre ndaj besimtarëve që përfaqësonin. Ata nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, i qëndruan besnikë fesë së tyre, atdheut dhe kombit, për të cilin shpirti i tyre mbeti i hapur dhe i lirë.

            Persekutimi i fesë është zhvilluar në disa faza. Faza e parë e persekutimit del qartë në vitet 1945-1966, me burgime dhe pushkatime, pas torturave të tmerrshme në organet e sigurimit të shtetit. Në këtë sfond vendoset një episod i pazakontë për jetët e komuniteteve fetare. I gjendur nën trysninë e dy prej baballarëve më me ndikim të komunitetit bektashian, Baba Faja Martaneshit dhe Baba Fejzo Dervishit, të cilët kërkonin “demokratizimin” e tarikatit bektashian, “demokratizim” që do t’i shpinte dervishët të mbanin veshje civile dhe të martoheshin, në mars të vitit 1947, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Dede Abaz Hilmiu, nuk gjeti zgjidhje tjetër, veçse t’i vriste që të dy. Pas këtij akti, ai ktheu pistoletën dhe vrau dhe veten. Një xhest i një fisnikërie të rallë.                                                                                                                         Faza e dytë 1966-1990 është më e gjata dhe më e errëta për fenë në Shqipëri. Si rezultat i të ashtuquajturës “Letër e hapur” të Enver Hoxhës, dhe “revolucionin kulturor”, filloi një genocid i vërtetë mbi institucionet fetare. Në vitin 1967, gjoja me iniciativën e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri” Durrës, filloi një “epokë e re” e ndryshimeve rrënjësore dhe lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fetare mori një tjetër dimension. Iniciativën kuptimboshe të organizatës së rinisë komuniste të shkollës “Naim Frashëri”, e pasuan dhe nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe më pas në aksion u hodh gjithë klasa punonjëse e rrethit të Durrësit. Në letrën drejtuar institucioneve partiake dhe qeverisjes së asaj kohe, organizata e rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri”, kërkonte që: ‘’tashmë kishte ardhur koha kur  priftërinjtë  dhe  hoxhallarët duhet ta fitojnë vetë bukën e gojës.” Kështu që filloi një genociid i vërtetë kundër institucioneve fetare. Turma njerëzish të indoktrinuar vërsuleshin mbi Kishat, Xhamitë dhe teqetë duke i shkatërruar ato duke sjellë shkatërrimin total të tyre. Në Shqipëri nuk shihje më priftërinj, hoxhallarë apo dervishë të veshur me uniformat e tyre karakteristike. Në të kundërt të priste burgu. Nuk guxohej gjithashtu të bëje biseda apo diskutime fetare. U zbatuan shpronësimet totale për pronat e komuniteve fetare.

            Por skandali më i madhë ka qenë fshehja e armëve në kishën Françeeskane në Shkodër. Ja si dëshmon At Leon Kabashi lidhur me këtë ngjarje:

            .“Ka qenë një vepër e shëmtuar, që na ka kushtuar shumë, Më duket, urdhri kishte ardhur nga Tirana. Punonjësit e Sigurimit të Shkodrës u futën nga oborri i gjimnazit të françeskanëve, u lidhën me një student (Xhakua) dhe me ndihmëskuzhinierin, të cilëve me sa duket i kishin thënë që më parë se kleri ka mbaruar, ndërsa ju do të shpërbleheni. At Aleks Baçli, që kishte parë lëvizjet e dyshimta, ndenji gjithë natën nën mbikëqyrje (në sakristi) dhe mundi të shohë hyrjet e daljet e asaj nate në kishë, por ngaqë ishte mjaft larg dhe errësirë, nuk mundi të dallojë saktësisht se çfarë po bëhej aty”.

            Në një urdhër sekret të diktatorit Enver Hoxha në vitin 1967, jepen shifra dhe detaje për shkatërrimin e objekteve të kultit në Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në 2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame e të tjera. Në këtë urdhër të diktatorit, dërguar si dokument sekret në Komitetin Qendror në gusht të vitit 1967, jepet një raport i hollësishëm me rezultatet e luftës kundër fesë. Ja çfarë thuhet në disa rreshta prej tyre:

            “Feja është opiumi i popujve. Këtë… duhet të bëjmë çmos  që  ta  kuptojë  çdo  njeri.  Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes.

            Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare..Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta…Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente…

            Në këto forma duhet të vazhdojmë ne, përderisa t’i  rrafshojmë  nga  faqja  e  dheut  tonë.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë…”

            Por qëndresa e klerikëve shqiptarë ndaj genocidit komunist ka qenë tepër dinjitoze.  Ja  si

janë shprehur disa prej tyre në momente të veçanta të jetës:

Patër Mëshkalla

            Në Letrën drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu më 1 maj 1967 është shprehur:

            “Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kem  frymë.

Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm at efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

             tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vjetin 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët:: “Këte Kishë do ta bajmë kinema” Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqsore!”.

            Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore  në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.Nuk më ka shty me ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.”

Patër Anton Harapi

            Me 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do t’u shprehte kështu:

            “Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se  unë  e  mora  ketë  barrë  për

kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem”.

Hafëz Ali Kraja

             Ja si e kishte bërë ai bilancin e jetës së tij të trazuar në “Shënimet”, me një “credo” të ngjeshur e të shkurtër:

            “I jap llogari, më parë, të lumit Zot, gjyqi i Tij asht ma i randsishmi!” dhe: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij misioni”.

Hafiz Sabri Koçi

            Plot përkushtim, me përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e besimtarëve, gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare, gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste, me propagandën e Partisë. Dhe kundërshtimgoditjet nuk vonuan. Lidhur me këtë Hafiz Sabriu kujton:

             “Sekretari i Parë i PPSH për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi vjen e futet në

xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta, ndërsa Kryetari i degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: “Ti je me reaksionari i të gjlthë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se duhet të zhvishesha nga petku fetar. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rruge që kisha nisur qysh në fëmijëri.”

Baba Ali Tomori

            Jas i iu drejtua ai ushtarit të togës së pushkëtimit që i ra të fikët pasi nuk donte të qëllonte mbi të, më 14 janar 1948:

            “Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.

            Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.

            – Do të të heq taçin Baba

            Eshtë dervish Resuli.

            – Hiqe bir!

            Dervishi u ul, I puthi këmbët.

            – Falmë Baba!

            – Të kam falur bir!

            – U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!

            – Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e

ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!“         

Baba Shefqet Koshtani

            Si iu përgjigj prokurorit në seancën gjyqësore

            “Nuk ia vlen të kërkosh arsye, e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.”

Peshkop Irene Banushi

            Si e kundërshtoi shkatërrimin e enteve fetare:

            “Feja s’ka pse të prishet, sepse ay është edhe funksioni kryesor i saj, të harmonizojë jetën e njeriut si na e ka lënë Ati ynë.”

Imzot Joan Pelushi

            “Kontakti im i parë me besimin  ishte  në  vitet 1974-1975. U  bëra  pjesë  e  një  grupi  të vogël, të një kishe të nëndheshme dhe u pagëzova fshehurazi në 24 Qershor të vitit 1979, dita e festës se Shën Joan Pagëzorit (nga ku vjen edhe zgjedhja e emrit Joan), pagëzim i bërë në Bestrovë të Vlorës, nga prifti i devotshëm dhe i patrembur At Kozma Qirio, i cili pas hapjes së kishave u ngrit në gradën peshkopale dhe njihet si Imzot Kozmai. Në Vlorë kam marrë edhe kungimin e parë”, 

            Klerikët myslimanë e të krishterë, u bënë fli të besimit të tyre, besnikë deri në fund ndaj Zotit dhe besimtarëve. Ata ishin gjithashtu të brumosur me dashurinë ndaj besimit e atdheut dhe nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, duke i qëndruar besnikë fesë dhe kombit, për të cilët shpirti i tyre mbeti gjitmonë i lirë.

            Kush ishin martirët që e pësuan nga genocidi komunist?                                          

Kleri Mysliman

            Të pushkatuar:  Hoxhë Selim Brahja (1946), Imam Seit Idriz Shehu (1946), Myfti Shyqyri Hoxha (1946), Myezin Qazim Roji (1946), Imam Halil Hoxha (1946),

            Vdekur në  burg:  Imam   Liman  Shabani  1945),  Imam  Ahmet  Troci  (1945),  Imam Ahmet   Hysejni  (1045),  Hafiz  Mustafa  Varoshi  (1948),  Hoxhë  Jakup  Dusha ( 1953),  Hafiz Xhemal Naipi (1955).     

            Burgosur:  Hafiz Ali Korça, Hafiz Sherif Langu, Hafiz Ali Kraja,  Hafiz Esat  Myftia,  Hafiz  Ibrahim  Dalliu,  Hafiz  Ismet  Dibra , Hafiz  Musa  Dërguti,    Hafiz  Sabri  Koçi,  Haxhi  Faik  Hoxha, Haxhi Faik Sheh  Qazim  Hoxha,                                                                                   

 Kleri Bektashian                                                                                                                                                                                                                                                                                Pushkatuar: Baba Qamil Gllava (1945), Baba Xhelo Gllava (1946),  Hajro Progonati (1947), Baba Ali Tomori (1948), Baba Shefqet Koshtani (1948), Baba Bedri Carkanji (1948), Baba Habibi (1948).

            Vdekur në burg: Dervish Mehmet Verleni (1947), Dede Kamber Prishta (1950), Baba Muçua i Prishtës (1950), Baba Mustafa Canaj (1952

            Të vetëvrarë: Dede Hilmi Abazi (Elezi), Baba Hajro Progonati, Baba Mehmet Kreshova, Baba Bektash Sevasteri, Baba Myrteza Kruja, Baba Samiu i Kulmakut.

            Burgosur: Baba Bajram Mahmutaj, Baba Paja, Baba Ilmiu, Baba Halim Therepeli, Baba Mehmet Frashëri, Baba Sulua, Baba Islam Leskoviku, Baba Abdulla Kruja, Baba Hilmi Shëmbërdhenji, Baba Sami Kamthi, Baba Dule Manaj, Baba Tahir Kuçi, Baba Jonus Greshica, Baba Qazim Devolli, Baba Muharrem Agushi, Baba Ismail Jangulli, Dervish Hysni Rehova, Dervish Nebi Cenollari, Dervish Tashja, Dervish Bajram Çerçizi, Dervish Hysniu, Dervish Meta Vërleni, Dervish Teki Plashniku, Dervish Rustem Velçani, Dervish Ali Korça.

            Internuar: Dede Ahmet Myftari, Dede Reshat Bardhi, Baba Selim Kaliçani, Baba Shaban Dervishi, Baba Sherif Canometaj.

Kleri Halvetian                                                                                                                                                                                                                                                                                                            Pushkatuar: Sheh Ibrahim Karabunara (1947 bashkë me të birin), Sheh Qerimi i Delvinës (1947), Shehu i Devollit (1947)

            Vdekur në burg: Sheh Myslim Luma (1958)

Kleri Katolik

            Pushkatuar:Atë  Lekë Luli (1944), Atë Leonard Targaj (1945), Dom Lazer Shantoja (1945), Dom Ndre Zadeja (1945), Dom  Mark  Gjani  (1945),  Atë   Papa  Pandi  (1945),  Atë  Anton Harapi  (1946),  Atë   Giovani  Fausti  (1946),  Atë  Daniel  Dajani  (1946),  Atë  Gjon Shllaku (1946), Dom Nikoll Gazuli (1946), Dom Alfons Tranci (1946), Dom Luigj Pici (1946), Dom Zef Maksen (1946), Atë   Bernardin Llupi1946) , Seminaristi Mark Çuni (1946, Dom Luigj Prendushi (1947), Dom Dedë Maçaj (1947), Imzot Frano Gjini (1948), Imzot Gjergj Volaj (1948), Imzot Nikoll Deda (1948), Atë Mati Prenushi (1948), Atë   Çiprian Nika (1948), Dom Anton Zogaj (1948), Dom Ejëll Kovaçi(1958), Dom Dedë Malaj (1959), Dom Zef Bici (1968), Dom Mark Dushi(1968), Dom Marin Shkurti (1969), Dom Shtjefë Kurti (1971), Dom Mikel Beltoja (1974).

            Vdekur në burg: Atë Bernardin Palaj  (1946), Dom   Mark  Bicaj (1946),  Atë  Serafin Koda (1947), Imzot Frano Gjuraj (1947), Dom Nikoll Shelqeti (1947), Dom Aleksandër Sirdani (1948), Dom Pjetër Çuni (1948),  Dom  Anton  Muzaj  (1948),  Dom  Ejëll  Deda  (1948), Dom

Nikoll  Laskaj  (1948),  Dom  Dedë  Plani  (1949),  Dom  Jakë   Bushati  (1949),  Imzot  Vinçenc Prenushi (1949), Dom Kolec  Prenushi  (1950),   Atë    Gaspër  Suma  (1950),  Imzot  Jul  Bonati (1951), Atë  Pal Dodaj (1951), Atë   Karlo Sereqi (1954), Atë   Klemen Miraj (1956),  Dom  Rok Frisku (1956), Dom Pjetër Noga  (1958),  Atë   Rok  Gurashi  (1965),  Dom  Anton  Doçi  (1973)

Imzot   Ernest  Çoba  (1980),  Dom  Mark  Hasi  (1981),  Dom  Lazer  Jubani  (1982),  Dom  Lec Sahatçija (1986), Dom Nikoll Gjini (1987), Dom Pjetër gruda (1989).

            Burgosur:  Atë Pjetër Mëshkalla, At Zef Pllumbi, Imzot  Gjergj  Haberi , Dom  Zef  Shtufi,  Dom  Ndoc Nikaj, Dom Mark Shllaku, Imzot  Bernardin  Shllaku, Atë   Buon  Gjeçaj, Atë   Pal   Çurçia,  Atë Pashko Gjadri , Dom Nikoll Kimza, Dom Ndoc Suma ,   Dom  Tomë Laçaj, Atë   Marin  Sirdani Dom Vlash  Muçaj , Atë   Leonard  Shajaku ,  Dom  Mëhill  Çuni, Atë   Çiril  Cani ,  Dom  Lazer Dedi, Dom Prng Qefalija , Dom Nikoll  Shllaku ,  Dom  Ndre  Lufi ,  Atë   Floroan  Berisha,  Atë Mark Harapi, Atë   Marjan Prela , Atë   Gjon Karma , Dom  Pal Gjini ,  Atë   Alfons  Çuni,  Dom Ndue Çoku, Dom Lekë Dredhaj,  Atë   Mëhill  Miraj,   Dom  Injac  Gjoka , Atë   Gegë  Lumaj, Atë   Donat   Kurti , Atë   Mëhill  Troshani ,Atë   Sebastian   Deda ,  Atë   Filip Mazreku,  Atë   Frano Kiri, Atë  Ferdinand Pali,  Dom  Marian  Arta,  Atë   Agustin  Ashiku,  Dom   Kolec  Toni, Dom Ndoc Sahatçija. At Petraq Isak, Papa Josif Papamihali, Vëlla Gjon Pantalia.

Kleri Ortodoks

            Pushkatuar:  At Gjergj Leka  (1944),  At Gjergj Suli  (1948)

            Vdekur në burg:  At Josif Papamihali  (1948),  At  Llazar Api  (1972)

            Burgosur:  Kryepeshkop  Visarion  Xhuvani  (1946),  Peshkop   Irene   Banushi   (1946,

At Petraq Isaku (1946).

            Këta ishin martirët e fesë që ranë viktimë e genocidit të paparë në historinë e njerëzimit. Numri i tyre është më i madh por nuk kemi mundur t’i verifikojmë të gjithë. Nder dhe lavdi të përjetshme kujtimit të tyre të paharruar!

            Sistemi komunist, në fund të dhjetorit 1990, u përmbys. Një jetë e re rilindi dhe së bashku me të rilindën edhe sektet fetare, Filluan të rindërtohen  kishat, xhamitë, teqetë dhe entet e tjera fetare.  Popullsia shqiptare filloi përsëri të marrë pjesë aktive në ceremonitë e zhvilluara nga entet fetare. Besimi në fe ishte ushqimi i shpirtit të tyre.

            Një karakterisitkë e veçantë e besimit fetar në Shqipëri është se, si në rrallë shtete të tjera, ekziston një harmoni e përsosur ndërmjet sekteve të ndryshme fetare. Një gjë e tillë u tregua më së miri gjatë vizitës që bënë në Shqipëri shenjtëria e saj  Nënë Tereza më 1989, hirësia e tij Papa Gjon Pali i Dytë më 1993 dhe hirësia e tij Papa Françesku i Dytë më 2014, ku  i gjithë populli shqiptar pa dallim feje shfaqi dashurinë e tij për këta përfaqësues të shquar të fesë katolike.

            PS.  Për hartimin e këtij shkrimi janë shfrytëzuar materiale nga zotërinjtë Pjetër Pepa, Fritz Radovani, Agron Tufa, Ibrahim Vasjari  si dhe nga mediat online në internet.

Filed Under: Politike Tagged With: Reshat Kripa-Genocidi komunist

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT