Nga Dr. Enver Bytyci/
Këto ditë është risjellë në vëmendje të opinionit një nga temat më të mprehta e më të rëndësishme, çeshtja e tipareve, vlerave dhe forcës së nacionalizmit në mobilizimin e shqiptarëve për mbijetesë e shtetformim. Në debat janë përfshirë thuajse të gjitha mediet, të gjithë politikanët, shumë analistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Janë shkruar editoriale dhe komente të shumta, janë organizuar tryeza katërore e të rrubullakta. Dhe në të gjithë këtë+ diskurs kemi parë kundërshti të shumta, reagime e kundërreagime, thënie e kundërthënie.
Megjithatë debati mori përhapje të gjerë e fitoi intensitet kur në të u përfshi kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Më së shumti kryeministrit tonë iu pa me të madhe se në Konferencën e Sigurisë të Mynihut tërhoqi vëmendjen për albanfobinë dhe paralajmëroi se “shqiptarët nuk do të pranojnë klonimin e pesë kombeve të ndryshëm, pse ata jetojnë në pesë shtete të ndryshme”. U tha se Doktori po e bën këtë për shkak të fushatës elektorale, çka është vështirë të besohet se në Mynih dikush nga pjesmarrësit mund të shkojë atje me motive elektorale apo për të forcuar pozicionin e tij në elektorat.
Retorika e Kryeministrit tërhoqi në diskutime kreun e opozitës, zotin Rama, i cili sulmoi zotin Berisha, duke e akuzuar atë se “po prish marrëdhëniet me aleatin e mikun tonë, SBA-të”. Ndërsa një televizion afër Ramës anonçoi lajmin se SHBA-të paskan reaguar ashpër përmes një letre, me të cilën kërkojnë që të hiqet dorë nga “slloganet nacionaliste në betejën elektorale”, që “të mos ndërhyhet në punët e brendshme të shteteve tjera”, që “Shqipëria të vazhdojë të luajë një rol moderator në rajom e të tjera porosi të kësaj natyre, të cilat moderator i TV-së në fjalë i konsideroi si “ultimatum” që vinin nga përtej opqeanit.
Po cilat janë disa nga tiparet themelore të këtij diskutimi, që lidhen me nacionalizmin shqiptar? A është e vërtetë se nacionalizmi shqiptar mbart konotacione, programe, doktrina dhe praktika, me të cilat synohet eleminimi i kombeve të tjera dhe dominimi i kombit shqiptar? Cilat janë të vërtetat dhe të pavërtetat që po serviren me këtë rast ne mediumet shqiptare dhe, pse po ndodh një gjë e tillë? Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje të ftohtë, shkencore dhe pa emocione.
Diskutimin aktual e karakterizojnë disa tipare. Së pari duket se ky diskurs është më së shumti elektoral, sesa strategji, por kjo nuk do të thotë se nuk ka përmbajtje. Sali Berisha dhe Edi Rama janë ndarazi në konceptet e tyre elektorale sa i përket qëndrimeve politike ndaj ceshtjes kombëtare të shqiptarëve. Berisha është i qartë, në të njëjtën linjë si më 1991-1992, është profesional, disa herë emocional, por edhe racional. Rama, duke mos pasur një linjë të qartë dhe bindje të qëndrueshme sa i përket qëndrimeve ndaj nacionalizmit, shfaqet i dyzuar, pa bosht, pa përmbajtje. Duket se reagimet e tij nuk janë pjesë e vetëdijes, por përgjigje ndaj përparësisë që krijon Kryeministri. Herë ndjek Berishën dhe përpiqet ta tejkalojë diskursin e kryeministrit në çeshtjet e nacionalizmit, herë bën kritikun ekstrem, duke shfaqur një kozmopolitizëm të tejskajshëm, madje me nuance të thirrjeve për harresë të çeshtjes shqiptare në Ballkan. Në rastin e Preshevës lideri i opozitës shënoi kritika të ashpra për qeverinë, duke bërë thirrje për ashpërsimin e qëndrimeve të saj, por në rastin kur Berisha foli në Mynih, ai u shfaq kategorikisht kundër tij, edhe pse një nga “këshilltarët” e Edit në Top Channel u deklarua se “unë si qytetar e shqiptar nuk mund të mos e mbështes deklaratën e kryeministrit në Mynih”, duke nënkuptuar se kundërshtitë e tij kushtëzohen “me profesionin”. Ndërsa zoti Spahiu po ndjek rrugën e heshtjes, ndërkohë që nuk dihet ende arësyeja, nëse Arvizu e ka trembur aq shumë në takimin e para disa kohëve, apo ka problleme me konceptet e tij për nacionalizmin. E theksoj këtë arësyen e dytë, sepse më ka bërë përshtypje një deklaratë e tij në janar të këtij viti në një nga televizionet e Kosovës, ku u shpreh se “Në Himarë jetojnë nja 2000 grekë”, duke pohuar një të pavërtetë, të cilën në shifra ende nuk e ka pohuar as Vasil Bollano. Ose kjo ishte një lajthitje, ose moskoherencë dhe moskomptencë, ose ishte një intervistë“për në Kosovë”, të cilën dikush e konsideron si territor të palidhur me problematikat në jug të Shqipërisë.
Ndërkaq të rikthehemi te thelbi i këtij debati. Diskurse të tilla, sidomos në kohë zgjedhjesh, janë elaboruar në ekstrem tek të gjitha të ashtuquajturat parti të moderuara në rajonin tonë. Por le të marrim vetëm pak shembuj në Greqi e Serbi. Në Greqi kanë ndodhur fshesa emigrantësh të papara në histori, janë bërë deklarata lufte me Turqinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë, por herë-herë edhe me Bullgarinë. Dhe të gjitha kishin si qëllim që partitë politike të fitojnë besimin e kishës e të ushtrisë, si dy institucionet më të besueshme nga publiku I këtij vendi, pikërisht për shkak të qëndrimeve ekstreme nacionaliste. Ndërsa në Serbinë e majit të vitit të kaluar, kur edhe u bënë zgjedhjet parlamentare, presidenciale dhe lokale, ne kemi ndeshur në akte diversioniste të hyrjes në territorin e Kosovës të xhandarmërisë së Ivica Daçiç-it, arrestmin e policëve dhe shtrirjen e tyre për tokë, sikur të ishin robër lufte. E gjithë kjo si dhe akte të tjera antishqiptare u bënë për t’i dhënë një fitore bindëse kryeministrit aktual, Ivica Dacic, aso kohe ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë. Europa qëndroi në gjumin e saj letargjik në të gjitha rastet e tilla, kur shprehej urrejtje antishqiptare dhe albanofobi e tejskajshme.
Përdorimi I nacionalizmit për fushatë elektorale në Serbi e në Greqi, e madje edhe në Maqedoni, nuk ka hasur në reagime kaq të forta të komunitetit ndërkombëtar. Për këtë arësye në Mynih zoti Berisha kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara për respektimin e të drejtave të shqiptarëve, si një nga mundësitë e zbutjes së qëndrimeve nacionaliste të fqinjëve tanë. Ndërkaq qëndrimi kritik ndaj nesh dhe tolerant ndaj të tjerëveka arësyet e veta. Unë i besoj faktit se ndërkombëtarët e shohin se padrejtësia e ndarjes së shqiptarëve në pesë shtete para 100 vitesh është ende një ngërç i pariparueshëm dhe mund të çojë në destabilizimin e rajonit, ndërkohë që veprimet nacionaliste në vendet fqinjë me ne i shohin të parrezikshme. Ndoshta kjo është arësyeja pse ata lëvdojnë pafund qëndrimin e moderuar të politikës shqiptare në rajon. Por ama indiferenca ndaj politikave e fushatave nacionaliste të fqinjëve tanë besoj se është shkaku kryesor i albanofobisë. Nëse ndërkombëtarët do të kishin reaguar ndaj nacionalizmave ballkanikë, njësoj si në rastin e fundit te shqiptarët, atëherë nuk do të shkohej deri te situata kur do të zgjohej ndjenja e mbrojtjes tek ne.
Ndërkaq ndërkombëtarët e njohin faktin se tiparet e nacionalizmit shqiptar janë tipare të një nacionalizmi modern, ndërkohë që nacionalizmi grek dhe serb ka shkaktuar shumë dhimbje dhe fraktura në popujt ballkanikë. Disa prej këtyre tipareve mund të renditim:
1. Nacionalizmi shqiptar është realist dhe racional. Ai historikisht është orientuar nga ideja e krijimit të marrëdhënieve të mira me fqinjët, me qëllim paqen, stabilitetin dhe sigurinë e harmoninë e popujve të rajonit. Në programin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit thuhet shprehimisht: “Ne dëshirojmë me gjithë zemër të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë, Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Bullgarinë… Ne nuk duam dhe nuk kërkojmë asgjë prej tyre, por jemi krejt të vendosur të mbrojmë atë që është jona”. Më pas, në vitin 1913, kryeministri i parë i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, i deklaronte kësisoj gazetës “Ivning Neës”: “Shqiptarët kanë dëshirë të madhe të jetojnë në marrëveshje me fqinjët e tyre, por ata nuk duan t’i nënshtrohen asnjë ndikimi të pajustifikuar ballkanik ose europian qoftë”.
Unë nuk mund të dalloj në diskursin e zotit Berisha ndonjë nuancë tjetër të këtyre formulimeve të adaptuara në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Thirrja e Berishës në Mynih kishte dy aspekte; aspektin e luftës kundër urrejtjes nacionale në Ballkan, thelbin e së cilës e përbën albanofobia, dhe së dyti, aspektin e ruajtjes së identitetit të shqiptarëve. Ashtu si para 100 vjetësh, edhe në këto qëndrime askush nuk sheh ndonjë tejkalim të racionalitetit që mbart si cilësi themelore nacionalizmi shqiptar. Pra, sa kohë që qëndrimet dhe pohimet e politikanëve tanë nuk përmbajnë thirrje për luftë dhe për ndryshim të kufijve me dhunë, aq kohë politika nacionaliste e tyre është e rezervuar, e përmbajtur, racionale dhe realiste. Për këtë arësye Kushtetuta e Shqipërisë obligon dhe detyron cdo politikan të zgjedhur të mbrojë interesat e të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Ndryshe ndodh me oshilacionet ekstreme të Ramës, të cilat shkojnë herë përtej racionalitetit të nacionalizmit shqiptar e herë përtej kufijve të një kozmopolitizmi të pamatur të tij. Dhe akoma më ndryshe ndodh me Kreshnik Spahiun, i cili ose bën thirrje për dhunë, ose hesht kur i bëhet presion.
2. Prej këtej del se nacionalizmi shqiptar është një lloj nacionalizmi mbrojtës, një nacionalizëm që ka tipare të theksuara patriotizmi. Pra nacionalizmi ynë nuk është burim konfliktesh, në kuptimin se është agresiv dhe kërkon të aneksojë territore të vendeve fqinjë, në të cilat shqiptarët nuk janë vazhdimësi e territorit të shtetit shqiptar të Shqipërisë, ose të shtetit shqiptar të Kosovës. Madje as këto territore në vazhdimësi Shqipëria dhe Kosova nuk i kanë rivendikuar, duke qëndruar thjesht në pozitat mbrojtëse të territoreve dhe sovranitetit të dhënë. Ato thjesht kanë mbështetur të drejtat dhe liritë demokratike që shqiptarët në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi ose ata të Çamërisë duhet të gëzojnë bazuar në ligjet e konventat ndërkombëtare.
Përkundrazi, ndryshe ka ndodhur me nacionalizmat e tjerë ballkanikë, sidomos me nacionalizmin serb e grek. Të dy këta nacionalizma kanë shpallur, botuar dhe përhapur programe të një çmendurie kolektive, në të cilat shprehet hapur qëllimi për asgjësimin e popujve të tjerë, sidomos të shqiptarëve, me qëllim zgjerimin e territoreve në Ballkan. As dje, as sot e as në të ardhmen nuk ka patur e besoj se nuk do të ketë ndonjë program qeveritar, akademik, ose të institucioneve shpirtërore në Shqipëri, që të përmbajë p.sh tezat raciste e raciste të programit të Megaidesë greke, ose të Nacertanies serbe të mesit të shekullit XIX. Nuk ka dhe nuk do të ketë memorandum të tipit të atij që Cubrillovici kishte publikuar më 7 mars të vitit 1936, me të cilin parashikohej angazhimi i të gjitha strukturave shtetërore, ushtarake, policore e civile të Serbisë për asgjësimin dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga territoret e tyre në ish-Jugosllavi. Aq më pak dikush ka vënë re ndonjë prirje të elitës politike, religjioze, akademike e ushtarake të Shqipërisë për të zbatuar programe të tilla, sic i kishin zbatuar me zell të gjitha qeveritë serbe para e pas Luftës së Dytë Botërore, deri më 1999 dhe sic i kishte zbatuar po ashtu Greqia në Çamëri para e në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Shumëkush bën një lidhje të gabuar, kur këtë fakt e arësyeton me “paaftësinë” e shqiptarëve ndaj fqinjëve. Por nëse shqiptarët paskan qenë të paaftë për të vepruar, nuk mund të besohet se në asnjë kohë ata nuk qenë të aftë të shkruajnë e përhapin programe anti-serbe, ant-igreke e kështu me radhë. Diskurset e sotme për nacionalizmin shqiptar i përmbahen rregullave dhe parimeve të përhershme të tij. Liderët kryesorë të vendit, që përfaqësojnë qeverinë ose opozitën parlamentare nuk kanë bërë thirrje për zhdukjen dhe asgjësimin, qoftë dhe të një individi jo shqiptar. Askush në Shqipëri nuk ka kërkuar p.sh kokën e kreut të Agimit të Artë, edhe pse ky i fundit i përmbahet tezave të Miloshevicit dhe Shejshelit kur është fjala për asgjësimin e shqiptarëve. Nuk e kanë pohuar këtë as vetë përfaqësuesit politikë të komunitetit çam, megjithëse vuajnë prej më shumë se 70 vitesh pasojat e një dhune absurde dhe grabitjes së pasurisë së tyre prej qindramijë hektarësh nga ana e qeverisë greke, të bazuar në një ligj racist të kohës së Luftës së Dytë Botërore, të ligjit të Luftës me Shqipërinë, të cilin ata e mbajnë ende në fuqi.
Ky qëndrim dhe ky tipar i zbatuar edhe sot me fanatizëm buron nga formulimi i themeluesit të teorisë së nacionalizmit shqiptar, Sami Frashëri. Ai shkruante aso kohe se “Qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajvet,… të mbajnë gjuhënë dhe kombërinë e tyre, tu rrinë kundreq intrigave të armikvet të tyre… Çdo gjë që mund t’i sjellë dëm këtij qëllimi duhet të luftohet keq prej çdo shqiptari të vërtetë dhe prej Lidhjes së Shqiptarëve. Ato gjëra që do t’i ndihen këtij qëllimi, do të zihenë me të dy duartë prej atyre që do të bëhenë me hir a me pahir”. Lexuesi nuk e ka të vështirë të dallojë në diskursin e sotëm se cili i përmbahet këtij parimi, në mbrojtje të lirisë, identitetit, dinjitetit dhe harmonisë së shqiptarëve në Ballkan.
3. Nacionalizmi shqiptar është një nacionalizëm tolerant në pikëpamje fetare. Rilindasit shqiptarë, ndryshe nga fqinjët tanë, nuk u bazuan te besimet fetare për të vetëdijësuar shqiptarët për identitetin dhe integritetin që ata kanë. Filozofi dhe njëkohësisht bashkëthemeluesi i nacionalizmit shqiptar me Sami Frashërin, Vaso Pashë Shkodrani, formuloi slloganin e njohur “Mos shikoni kasha e xhamia, feja e shqytarit asht shqyptaria”. Studiuesi i njohur gjerman i çeshtjes shqiptare, Konrad Cleë…….ing, duke e trajtuar këtë tezë të Pashko Vasës, shkruan se ajo ishte afetare, por nuk drejtohej kundër fesë, siç u përpoq ta interpretonte diktaura ateisto-komuniste.
Ndërkaq rilindasit zgjodhën Gjergj Kastriotin– Skënderbeun si figurë qendrore të bashkimit të shqiptarëve. Kjo ndodhi për shkak se heroi ynë kombëtar ishte jo vetëm një figurë legjendë, por dhe se ishte përfaqësues tipik i të gjitha religjioneve në këtë vend. Shqiptari musliman, shqiptari ortodoks, apo shqiptari katolik nuk mund të gjente asnjë cen që të kundërshtonte figurën e Skënderbeut si symbol të kombit. Ky atribut i shqiptarëve I harmonisë fetare ka ardhur deri në kohët tona i konservuar dhe i përpunuar me etikën e bashkëkohësisë. Nacionalistët e sotëm mund të dallohen lehtë nga përpjekjet që ata bëjnë për bashkimin kombëtar, nëse ata luftojnë çdo dukuri që i përçan shqiptarët ata nga pikëpamja fetare. Debati i sotëm për nacionalizmin nuk është drejtuar kundër këtij tipari themelor, i cili ka qenë, është dhe duhet të mbetet si një vlerë e jashtëzakonshme në ndërgjegjën kolektive të shqiptarëve.
4. Duke vecuar dhe komentuar tiparin e mësipërm afetar të nacionalizmit tonë, del përfundimi se ndryshe nga fqinjët, si element përbashkues dhe dallues ne kemi ruajtur, gjuhën. Kriteri gjuhësor ka qenë dhe mbetet kriteri themelor i qenies nacionale të shqiptarëve. Kjo është provuar dhe nga ekspertiza e studiuesve të së drejtës ndërkombëtare, sepse gjuha si element dallues e përbashkues nuk bëhet asnjëherë shkak i grindjeve, konflikteve dhe dhunës. Shqiptarët nuk flasin për një Shqipëri etnike deri në ato territore ku prehen martirët shqiptarë të masakruar nga fqinjët tanë, por për një Shqipëri etnike deri atje ku flitet shqip. Ky është një dallim thelbësor midis nacionalizmit të ngritur mbi mite e varret e mesjetës të fqinjëve tanë.
Nisur nga kjo, shqiptarët as sot nuk janë agresivë , madje as ofensivë në qëndrimet e veta nacionaliste. Ndryshe ndodh te vendet tona fqinje ku feja, ideologjia fetare dhe doktrina e saj luajnë një rol vendimtar në mendimin dhe qëndrimet nacionaliste të tyre. Ende në kohët e sotme moderne anketimet në Greqi dhe në Serbi dëshmojnë se qytetarët e katyre dy vendeve më shumë i besojnë kishës sesa shtetit. Për pasojë në këto vende ka zënë rrënjë ideja e predikuar prej shekujsh se “Ku ka ortodoksë, ka dhe grekë”, (në rastin e Ballkanit jugor) ose serbë, (në rastin e Ballkanit qendror), ide e cila është drejtuar kundër ekzistencës së shqiptarëve si komb.
Në debatin e sotëm, Berisha, i cili kritikohet po për arësyelectorale nga lideri i opozitës, nuk ka përmendur në asnjë rast ndonjë tezë, e cila bie në kundërshtim me moderacionin e rilindasve tanë. Përkundrazi, diplomacia ndërkombëtare duhet ende të shqetësohet nga qëndrimet ekstremiste të kishës serbe e greke, ndikimi i së cilës po sjell konflikte edhe në Shqipëri.
5. Nacionalizmi shqiptar nuk predikon epërsinë e shqiptarëve në rajon. Ai nuk është nacionalizëm mesianik dhe nuk pretendon se te ne është qendra e botës. Shqiptarët kanë plot arësye të pretendojnë privilegjet e të qenit popull i parë i Ballkanit, por as themeluesit e nacionalizmit, as pasuesit e tyre nuk e kanë predikuar këtë. Rilindasit kanë përmendur shpesh prejardhjen pellazgjike dhe ilirike të shqiptarëve, sigurisht bazuar në pohimet e dhjetra studiuesve të huaj të shekullit XVII e XIX thjesht për të ngritur ndërgjegjën kombëtare, jo për të nxitur konflikte me fqinjët.
Përkundrazi, nacionalizmat e fqinjëve tanë janë ngritur mbi bazën e miteve, sidomos të miteve mesjjetare, të cilat janë aktualizuar për nevoja politike e ideologjike, sa herë që politika, shteti, kisha, elita akademike e ka parë të nevoshme ringjalljen e këtyre miteve. Dhe sa herë ato janë ringjallur, aq herë e kanë pësuar më së shumti shqiptarët.
Debati i sotëm, gjithashtu nuk mbështetet në ndonjë hipotezë të bazuar në mite. Debati i sotëm është shprehje e një të vërtete të pamohueshme. Albanofobia nuk është prezent vetëm në qarqe civile në vendet tona fqinjë. Ajo shfaqet herë pas here edhe në strukturat e shtetit, në strukturat e policisë dhe të ushtrisë, në ologarkinë fetare e intelektuale. Kjo është e duhet të jetë shqetësuese jo vetëm për shqiptarët, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Kur Berisha përmend faktin se albanofobia nuk lejon zbatimin e marrëveshjeve, kjo është një këmbanë për ndërkombëtarët, sepse nuk ka marrëveshje që është nënshkruar pa imponimin dhe prezencën e mekanizmave ndërkombëtarë.
6. Nacionalizmi shqiptar është proeuropian. Ndoshta në kohën e themelimit të tyre nuk kanë qenë aq proeuropian vetë nacionalizmat francezë e gjermanë, sa çka qenë nacionalizmi shqiptar. Themeluesit e nacionalizmit tonë e përcaktuan Europën si orientim dhe destinacion dhe rritën vokacionin perendimor të shqiptarëve. Nëse në ditët e sotme shqiptarët janë kombi më proeuropian në botë, kjo i dedikohet njëkohësisht predikimit të themeluesve të nacionalizmit tonë. Me dhunë shqiptarët u shkëputën nga rruga e zhvillimit perendimor për një periudhë kohe prej rreth 50 vitesh nën sundimin komunist. Shpesh historianët politikanë e justifikojnë këtë si pasojë e vendimmarrjes së Fuqive të Mëdha, por nuk do të ndodhte kjo, nëse ideologjia komuniste nuk do të ishte zhvilluar tek ne.
Ky lloj vokacioni properendimor buron nga vetëdija e jo nga pragmatizmi i shqiptarëve. Këtë e dëshmon qëndrueshmëria e përqindjes së atyre që përkrahin integrimet euro-atlantike. Vetëm në Shqipëri ndodh që udhëheqësit perendimorë priten me entusiazëm e jo me protesta. Vetëm në Shqipëri nuk ka antiglobalistë. Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk janë e nuk duhet të jenë nacionalistë në kuptimin europian të fjalës.
7. Shqiptarët kanë adaptuar një lloj nacionalizmi në respect të vlerave të miqësisë dhe mirënjohjes. Kjo rrjedh nga trashëgimia kulturore dhe historike e jona, nga kodet shqiptare të besës e të mikut, nga përgjegjshmëria e edukuar dhe e praktikuar për fatin e të tjerëve. Dhe ky tipar nuk është prezent në nacionalizmat e tjerë, sa te shqiptarët.
Por në kohët e sotme moderne nacionalizmi shqiptar ka nevojë të adaptojë zhvillimin e disa parimeve sociale, që lidhen me solidaritetin dhe humanizmin me njëri-tjetrin. Atë shkallë të sjelljes humane me të huajt, si në rastin e qëndrimit ndaj hebrejve, është e domozdoshme ta adaptojmë në sjelljen me njëri – tjetrin. Kjo do të thotë se nacionalizmi ynë praktikisht bëhet i sukseshëm, nëse rritet bashkëpunimi midis grupeve sociale, psh midis biznesit dhe elitës akademike e shkencës, midis qytetarit dhe përfaqësuesve të shtetit, pra midis qeverisësve dhe të qeverisurve. Trashëgimia komuniste e trashëguar në këtë fushë mbetet ende pengesë e kapërcimit të dasive midis nesh. Por është kërkesë e nacionalizmit rritja e harmonisë sociale, e veprimit kolektiv dhe e përkrahjes së njerëzve në nevojë.
8. Nacionalizmi shqiptar nuk është përjashtues. Kjo formulë vlen si në rastin e respektit për fqinjët edhe për harmoninë e brendshme. Për nacionalistët të gjithë shqiptarët vlejnë njësoj, pavarësisht përkatësisë fetare e krahinore, apo bindjeve politike që ata kanë. Ai që kërkon të vejë një palë kundër një pale tjetër, ai që kërkon të nxisë konflikte dhe në diskursin e tij ze vend dhuna, “burgu”, arresti, pra ata që në vend të rolit të nacionalistit, luajnë rolin e prokurorëve dhe të gjykatësve, këta liderë e politikanë, nuk janë e nuk mund të jenë nacionalistë. Duke iu përmbajtur kësaj formule, atëherë shkojmë te verifikimi i qëndrimeve nacionaliste të kohëve të fundit.
Natyrisht që nacionaizmi shqiptar ka edhe tipare të tjera, siç është predikimi i të qenit rezervues, tipar të cilin e elaboron mjaft mirë Prof. Eqerem Cabej, por nuk do të ndalemi më gjatë në këto karakteristika. E rëndësishme është të kuptohet fakti se qëndrimet nacionaliste të moderuara, të cilat nuk nxisin dhunën, janë të shëndetshme për shoqërinë shqiptare. Vetë kombet e zhvilluara kanë mbërritur në majë të suksesit përmes levës së arkimedit, që quhet, nacionalizëm i moderuar. Të njëjtën rrugë duhet ta ndjekin edhe shqiptarët, pa patur frikë së mund të akuzohen për ekstremistë.