Përshtypje nga libri « Revolucioni antikomunist hungarez » i Dr. Thoma Dardelit/
Nga Ajet Nuro/
Së pari, dua t’a falenderoj përzemërsisht autorin për kujdesin për t’më ftuar në promovimin e librit të tij, libër që nëse nuk do të n’a ndante një oqean dhe kaq e kaq detyrime të tjera, do të doja të isha atje për 101 arsye nga të cilat do të veçoja atë që përfaqëson ky autor për mua, një hero që nuk ndenji duarkryq kur vendi tek i cili ai ishte nisur për të studiuar shkruante një nga faqet e tij më të lavdishme, një humanist që kudo që shkoi, me profesionin dhe njohuritë e tia shpëtoi jetë ose ndryshoi jetën e njerëzve ku e çoi fati apo ata që drejtonin fatet e njerëzve, një aktivist që gjithmonë ka ushqyer imagjinatën time duke shtuar « si »-të dhe « pse »-të. Dhe libri i Dr. Dardelit jep shumë përgjigje për « si »-të dhe « pse »-të që unë kam patur për atë çfarë ndodhi në tetorin dhe nëntorin e atij viti tashmë të largët 1956 që ndryshoi shumë imazhin e komunistëve në vendet komuniste dhe në përgjithësi në botë, por që bëri që bota të njohi një popull që për liri jep gjithçka, edhe gjakun.
Libri i Dr Dardelit një radiografi e ngjarjeve të vjeshtës së 1956 në Hungari
Ngjarjet e tetorit 1956 nuk ishin rrufe në qiell të pastër por një shpërthim i ndjenjave liridashëse të hungarezëve, historinë e të cilëve doktor Dardeli n’a e përshkruan që në fillim. Madje për të kuptuar dashurinë e hungarezëve për lirinë mjafton të citojmë vargjet e poetit të madh Shador Patëf :
« Dy gjëra më duhen mua : Dashuria dhe liria. Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë » Si duket Patëf nuk shkruante ndjenja të paprovuara përderia ai e dha jetën për liri në luftën e 1848-49.
Si pjesmarrës në revolucionin antikomunist hungarez, Dr Dardeli n’a transmeton dëshminë e tij të gjallë, por edhe dëshmitë e shokëve të tij, dëshmitë e gazetarëve të kohës, ngjarjet tragjike hungareze sipas medaive të huaja, kujtimeve, vendimeve të gjykatave apo edhe raporteve të diplomatëve perëndimor të vendosur në Budapest drejtuar eprorëve të tyre. Kështu, ngjarjet tragjike të popullit hungarez që u ngrit në këmbë për liri dhe të drejta njerëzore por që fatkeqësisht u mbyt në gjak, është parë nga të gjitha këndet. Nuk e di por, edhe pse e di fundin e kësaj lëvizje, sepse ke atë dëshirën që ajo lëvizje të përfundonte me sukses ashtu seç edhe nisi. Ndonëse ne shqiptarët i kemi njohur komunistët dhe kemi hequr aq shumë prej tyre sa edhe 25 vjetë më vonë nuk mund të ndahemi dot prej tyre, kur shikon mekanizmin e shtypjes së revolucionit hungarez, mund të kuptosh se ata janë të gjithë një lloj, të pa besë (në kuptimin e mos mbajtjes së marrveshjeve), të paskrupull, të pashpirt. Kështu, sovjetikët, në një anë deklaronin se trupat ruse do të tërhiqeshin nga Hungaria, nga ana tjetër, përforconin prezencën e tyre në Hungari duke futur mijëra trupa shtesë në Hungari, i ftuan përfaqësuesit hungarez për bisedime dhe i arrestuan, deklaruan se t’i linin udhëheqësit revoluacionar të lirë dhe nga ana tjetër i arrestuan dhe ekzekutuan, premtuan se nuk do të ndiqnin asnjë revoluacionar por ndërkohë mbushën burgjet dhe kampet e internimit me ta. Për të kuptuar pashpirtësinë e komunistëve mjafton të përmendim ekzekutimin e 16 vjeçarit Peter Mansfeld ditën që mbushi 18 vjeç (ditën që mbushi moshën madhore…)…
Në Shqipëri ndonëse kemi libra që përshkruajnë ferrin komunist, rrallë është marr mundimi për të përshkruar kalvarin e të burgosurve shqiptarë. Nga dëshmitë e shumta të hungarezëve të përfshirë në revolucionin antikomunst të 1956 mund të dalësh në përfundimin se të njëjtin fat kanë pësuar edhe kundështarët e regjimit komunst shqiptar. Në mos më keq. Në faqen 77 të librit të Dr Dardelit, kemi dëshminë e Bela Lucza e cila pasi përshkruan momentin kur e qëllojnë me plumba ajo përshkruan momentin kur pasi i ra të fikët dhe u zgjua :
« …Mbasi erdha në vete duke prekur fytyrën me duar, preka veç rrembave të gjakut, një kokërr sa një arrë e vogël mbështjellë nga gjaku i ngrirë dhe kuptova se ishte kokërdhoku i syrit tim. Nuk e kuptova nëse kisha humbur të dy sytë apo vetëm njërin, e meqë çdo gjë ishte mbuluar nga gjaku nuk isha e sigurtë nëse isha qorruar nga të dy sytë… »
Hungaria dhe Shqipëria
Ndonëse autori i ka kushtuar një kapitull të tërë marrdhënieve shqiptaro-hungareze, gjithë libri të bënë të reflektosh në atë se të ngjashme dhe sa të ndryshme ishin rrugët tona. Ndonëse ne dhe hungarezët na ka lidhur epoka e ndritur e Skënderbeut dhe ashtu si hungarezët e duam lirinë dhe luftojmë po aq sa edhe hungarezët kundër të huajve, problemi ynë është në mos kuptimin e lirisë së brendëshme, që do të thotë se në japim jetën për t’u çliruar nga të huajtë, asgjë nuk bëjmë për t’u çliruar nga bajraktarët dallkauk të brendshëm. Duke përshkruar ngjarjet para revolucionit hungarez, Dr Dardeli përmend një sërë ngjarjesh si në Shqipëri, Çekosllovaki, Poloni etj etj. Por, ngjarjet e tetorit 1956 patën efekt në në ndryshimet e 1989-s dhe ndonëse në Shqipëri, patëm tre kryengritje si në Zhapokikë (Tepelenë), Malësi e Madhe dhe Postribë (Shkodër), shqiptarët ishin të fundit që « u ngritën » për të ndryshuar regjimin. Ndonëse, kanë kaluar 25 vjetë nga ai vit, shqiptarët edhe sot janë në transicion ndërsa Hungaria është prej vitesh anëtar i Bashkimit Europian. Është për të ardhur keq konstatimi i Dr Dardelit se hungarezët në fillim vinin në Shqipëri por me kohë e kanë braktisur një gjë të tillë për shkak të problemeve të sigurisë por edhe pastërtisë së qyteteve që lë për të dëshiruar.
(Kortezi:Tribuna Shqiptare)