• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VDEKJA E IDEOLOGJISË!

December 18, 2013 by dgreca

(Një rilindje e pamundur)/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.

A po vdes, vërtetë, ideologjia? Ideologjia e lirisë?/

Ka një kohë që kjo pyetje intriguese bëhet kudo n’Europë. Po n’Kosovë në ç’stadium është, vallë, shuarja e saj?/

E përse, përgjithësisht, vdekja e ideologjisë? Sociologë të politikës pohojnë se midis formacionesh të mëdha partiake, që suksesivisht ngrejnë pushtete vetore apo koalicioniste, hetojnë gjithherë e më pak diferenca identitare. Ato shpesh janë, thjeshtë, vetëm nominale e syprinore. Gjithçka duket se agon e ngryset në gjakimet për të marrë pushtetin apo për të ruajtur atë.

Po, fundja, ç’të keqe ka këtu? A s’është më elegante e më pak lodhëse dhe, pastaj, më etike e më pak mashtruese kështu? Mbase, nga kjo arsye ky milje politik do të cilësohet romantik, një idilë politike e këndshme dhe prehëse për njeriun politik të Botës së vjetër! Ai, tashmë, nuk vuan vështirësitë e identifikimit  interesor me njërën nga forcat që lypin votën e tij. Ato janë tëpër të ngjashme mes tyre, në një anë dhe me legjislaturat e ikura, në anën tjetër, për ta joshur a eksituar atë me daullet e premtimeve të radhës, tok me titullarët që i deklamojnë me zjarr. E të tilla janë, qoftë kur vetëqeverisin dhe, sidomos, kur, rrallë, koalicionojnë. Për rrjedhojë, zgjedhjet nuk sjellin angushti e dramë. As përplasje e mort partizanësh, vjedhje e deformim korruptiv të verdiktit sovranor. Përkundrazi, shndërrohen në festë të hareshme popullore.

Në paraqitjet autoriale mbi temën ka një kundërshti e mospajtim me teorinë, paksa ironike, të “idilës” e, poaq, shqetësim për apatinë zgjedhore dhe këtë lloj siameziteti të “atdheve” të shumtë politikë. Udo Di Fabio, prof. i shkencave politike në Bon, shprehet se partitë, megjthatë, kanë ruajtur veçanësitë dhe, si dëshmi, jep rivalizimet e ashpëra pozicionale për Kontratën e bashkëqeverisjes. Ç’është e vërteta, atë e kishte refuzuar Rinia socialdemokrate  (Jusos)  që pledon kthimin e etshëm në gjenealogjinë e saj, sikundër dhe dinjitarë të epërm demokristianë. Në fakt, Partia më vjetër demokratike gjermane  (SPD), ka shfaqur, së voni, shenja çorientimi themeltar. Ish-kancelari Schröder do ta çonte atë drejt qendrës dhe, për pasojë, ithtarësia e dëshpëruar do të kërkonte  veten në të Majtën (Linke) e ish-komunistëve gjermanolindorë. Tani, e tretur pa kauzë, ajo vijon të shijojë humbjet pambarimisht. Ndërsa, pra, Fabio justifikon koalicionizmin përfshirës, një koleg i tij tjetër, Uwe Volkmann, autor i termit të “idilës”, ngulmon argumentisht se prirja gjermane për konsens është bjerrje e besimit në shtetin dhe apolitizim dëshpërues i jetës.

Sipërthënja rreket të jetë bindëse, sepse afiniteti uniformitar është shenjë e zvetnimit të kulturës së ndryshmërisë demokratike. Fenomeni, prandaj, trishton shpirtërat e paqetë krijues. A nuk e parashihte këtë dhe i madhi Ludwig Erhard, demiurgu i ekonomisë sociale të tregut në Gjermani? Tash e 45 vjet më parë, në një ligjëratë mbajtur n’Skotlandë ai venëronte se  “koalicioni i madh”  mes kryepartive (si ky i sotmi që është ngjizur në Berlin), është fatal. Pikëpamjen e tij të aherëshme do ta botonte në edicionin special të fundjavës së fillimdhjetorit, “Frankfurter Allgemeine”  prestigjioze, për vrajën e temës sot e gjithë ditën. Qeveritë e kompozuara kësodore  janë të njëmendimta e monolitiste dhe të tilla, i vetmojnë jetimërisht të drejtën dhe lirinë, vlera sublime që humbin, ashtu, dalëzotësit në ftomë vullnetesh arbitrare. Kjo është një fatkeqësi! Dhe droja është e ligjshme. Demokracia është një pemë e brishtë që do mirëkujdesur përherë. Janë të liga ernat e barishtat e egra që i sulen në çdo orë harrimi. Arkmorti i ideologjisë së lirisë, është djeplindja e ideologjisë së vdekjes!..

 

2.

A do të akomodohej dhe në Kosovë ky vlerësim i artë i kolosit gjerman? Hiç aspak! Atje, si një tëhuajsim endemik, gjithçka ngjan e paadoptueshme: edhe politika, edhe rezoni, edhe morali i saj! Profili i i personelit politik është i pashenjë, fluid dhe amorf. Guvernat njëpartite apo koalitive, sidoqë t’ndërtohen, nuk rrjeshtohen askurrë, me dedikim e frymëzim, pranë lirisë dhe të drejtës. Madje, fqinjërojnë zellshëm me paktin përbetues kundër tyre. Më saktë, ato janë pakti demoniak vetë.

 

Po ç’është tani puna e “idilizmit” politik, që nuk është  veçse dyshimsi dhe demobilizim apatik i elektorëve ndaj politikës dhe krijesës shtetërore?  Asgjë për admirim! Nëse idila e politikës është e re në Europë, në Kosovë ajo nuk është as e re dhe as e vjetër, sepse nuk pati të tillë asnjëherë. Në vend të saj kishte: ose pushtet të huaj ose tirani komuniste ose intermezo luftërash e vakumesh të hirta! Në të gjithë versionet e shfaqjes ajo nuk gëzoi kurrë demokraci nacionale alternativash prosperuse dhe as idilën komode të distancës, si “çlirim” nga kthetrat e mundimshme të ideologjive poshtëvënëse. Nëse “romantizmi politik zgjedhor” dhe brënga e Erhardit për lëndueshmërinë e lirisë, janë të luftueshme dhe, pra, të shmangshme e provizoriale – në Kosovë, ato janë të paluftueshme dhe, pra, në këtë vështrim, të pashmangshme e trollëzuese. Pikërisht kjo përherësi totale dhe, disi, e paracaktuar nga tipi i kulturës politike që rezulton në pamundësi të zgjedhjes, është fatkeqësia e vërtetë! Në Europë, së paku, vrujon prore një opozitë reale (koalicionet e mëdha janë tepër të rralla) dhe e drejta e liria kanë zë. Ankohen e bërtasin në kupë të qiellit. Kurse në Kosëvë, çfarëdo konstelacioni t’kenë kooperativat politike,  zëri dhe sytë e tyre – të së drejtës dhe lirisë, janë të ngjirur, dergjur e vërbuar krejt në rrapëllimën dhe shkëlqimin e hyqmetarëve të ndërkryer.

 

3.

Sërish pyetja e fillimshkrimit: a po vdes ideologjia, këtë herë e çlirësisë, në Kosovë?

Jo, gjithësesi jo! Është një retorikë sofiste, sepse ajo, thjeshtë, nuk mund të vdiste. Është parë ndonjëherë të rroposet diç pa u shfaqur, pa lindur akoma? Më parë se të jetëndërronte, si çdogjë tjetër e kësaj bote, ideologjia politike e lirisë në rrethnajën e begatë demokratike, duhej të lindte, që nuk ndodhi e s’po ndodh dot! Kosova ka përjetuar mbi fytyrën e saj të bukur vetëm këtë trini ideologjish: ideologjinë e pushtimit, atë të bashkëpunimit  dhe ideologjinë e çlirimit. Ndërsa të parat janë të qarta si loti dhe nuk lënë hapsirë interpretimesh ekstensive – kjo e fundmja, për shpjegim, do të nënkuptojë se shqiptarët kultivuan ideologjinë e çlirimit, por jo të lirisë dhe të së drejtës në shtetin e vet kombëtar. Që këtej, ata do të dinin të nënshtroheshin heshtur, të kolaboronin zëshëm dhe, primun ideje të çlirimit, të kryngriteshin përgjakshëm. Por, tani, assesi të mësojnë ideologjinë e lirisë. Bashkëjetesën me hopet e pellgjet, truket e magjinë që ajo shkëndijon paprerë.

Por shteti dhe njerëzit nuk bëjnë dot pa ideologji, pa aromën a thonjtë e saj. Aherë, duhej zëvëndësuar ideologjinë e lirisë, që, e munguar siç është, nuk mund t’prodhonte substitutin e lig, “idilën” – këtë mosbesim apatik ndaj politikës dhe pushteteve përverse. Apatia “romancore” e Kosovës  do t’ketë  tjetër shtysë përlindëse. Ndërkohë që akoma hijesojnë errtë të moçmet, tani, mbi mbetjet e tyre, ka lëshuar shtat lulzueshëm, një rrfanë mondane: jo e panjohur në botë, por e njohur për krusmën e ligë mbi krahët e ngushtë të Kosovës. Është ideologjia e mafiokracisë me pajisjet e rënda: vjedhje, mort dhe vobektësim!  Ky është  “pushteti paralel i së keqes”, për të cilin alarmonte një studim i mëhershëm i Organizatës botërore  (relator: Maria Costa), që hidhte tezën se kriminaliteti  i organizuar kërcënon paqen globale e, gjithaq madje, sovranësinë  e kombeve dhe vetë ( si p.sh. në viset veriore të Kosovës) gjithësinë toksore të shteteve të tyre. E pra, vetëjetesën e nacioneve në këtë motin e ri, nuk e gërryejnë  “armiku i jashtëm”, “armiku i klasës” apo “armiku i opozitës”. Është korporata shumëkrerëshe e krimit që sfidon atë dhe, më keq akoma, paritë politike që bëhen karusel tragjik i saj.

Si të dërgohet kjo ideologji dhe eksponentët e saj atje ku kalben të gjitha?

“Nuk njoh të drejtën e revolucionit, por nuk më pengon të shfajsoj masat që shpërthejnë zemërimit”, thoshte Herman Hess.

Ah, sikur ta njihte ai njeriun shqiptar që shumë më lehtë e shtrinë dorën sesa e bën grusht atë!

Berlin, dhjetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Rexhep Kasumaj, vdekja e ideologjise

ZOTËRIT E DETEVE

December 16, 2013 by dgreca

– Një sprovë fantomike e hegjemonisë /

Shkruan: Rexhep Kasumaj/Berlin/

Nga Zyra ovale vjen mesazhi pa holltjerrje diplomatike: ujdhesat do dëftojnë se kujt do i përkasë shekulli 21: vajit e vuajtjes apo paqes e prosperimit! Despotët bolshevikë kinezë e kuptojnë këtë. Skena i përgjason, më saktë,  luftës së ftohtë. Është kohë e sprovës, por jo akoma  kohë e sfidës. Pushtimet, sikundër dinastitë e huaja qindravjeçare – Juan e Qing – kanë thadruar në ndërgjegjen e tyre nacionale ndrydhjen robnore dhe, për pasojë, mëllefin e revanshit veshtarë e systërvitur për të matur armiqtë dhe orën e tyre./

1. Pafajësia e ishujve të braktisur!

Fatin e një trualli, yrti a të një rripi deti të skajuar, nuk e përcaktojnë, shpesh, njerëzit që e banojnë, ajri, retë a shiu që derdhet harrueshëm vjeshtës së vonë. Janë gjeopolitika, nënshtrati i begatë dhe kryqëzimet e mëdha që i vulosin hovzimet a rravgimet e tyre.

Një xhufkë ujdhesash të vogla në portat e Paqësorit jugor, rreken ta japin pikëllueshëm dëshminë për këtë.Të braktisur gjatë në mëshirën e ernave dhe valëve, ata papritur do të bëhen metaforë e sundimit të ujrave të botës. Dhe, vjegë e territ dhe vdekjes.

Ishujt Senkaku (ose Diaoyi, të cilët, prej vitit 1972 riadministrohen nga komuniteti japonez Ishigaki), janë shndërruar, tashmë, në levë ndërrimi të zotërve të deteve: për konfirmim të hegjemonisë së etabluar amerikane, apo për promovim të një padroni të ri të tyre. Më parë se alternim rolesh, a mund të prodhojë kjo përballje sundimin paralel – të mbifuqisë amerikane me japonezët e papenduar historikisht dhe, njëkohësisht, të Kinës  largsynuese në Azinë e poshtme?

Assesi!  Dy zotër të barasndarë detesh nuk mund të kishte asjëherë.Ose do rimbahet  i tashmi ose, në rast rënjeje të yllit të tij, një tjetër do ngrihet në panteonin e fuqisë.

Skena, ndaj, duket të ketë gjithë frymën, itinerarin dhe retorikën e luftës. Kampet provokojnë idhshëm dhe përreth tyre rrjeshtohen aleatë, në një anë – e kundështarë, në anën tjetër. Ndërsa Kina duket fillimisht e pakrahë, ndanë Amerikës afrohen të kërcënuarit (Japonia, Tajvani, Koreja e Jugut), nevojtarë a të frikësuar, nga marshi kinez. Andej diku, anuese e heshtur në larginë, qëndron dhe India të cilën, Uashingtoni, si kundërpeshë ndaj Kinës (e Rusisë, patjetër), do ta lansojë, dhelshëm e dhelpërueshëm, në fuqi botërore duke ngjizur, ashtu, partneritetin strategjik mes “demokracisë më të vjetër dhe demokracisë më të madhe në botë”. Por e rëndësishmja, një tejvështrim 100 vjeçar në kuadrin e dramës, vjen nga Zyra ovale. Shefi i saj do të pohonte një ditë tepër parathënshëm, se ujdhesat dhe cënimi i statu-quosë së tyre, do dëftojnë se kujt do i përkasë shekulli 21: vajit e vuajtjes apo paqes e përparimit! Nga këto fjalë pa holltjerrje diplomatike, nuk mund të rezultonte mesazh më i prerë drejtuar sfidantëve të perandorimit të saj në detet e botës. Kumti i tij, sikur i jepte interesit fundamentin kombëtar, kurse përplasjes së regjisuar dimesionin fatal.

 

2. Kina e mirë dhe Kina e keqe!

 

Në paralelen që ndjekës të temës bëjnë mes Indisë dhe Kinës, kolosëve gjeopolitikë në rritje tek trokasin në dyert e mëdha të botës, ka një intonacion të hollë e interesant. Me zhvillimin e saj të rrëmbyer e kontrastik (mondanitet dhe rend i mykur kastash, superfuqi e dijes dhe analfabetike, strehore raketash kozmike e, fare pranë, vendbanime pa uji, mistikë Sadhu dhe handy në duart e tij), India ndjekë ngadalë fqinjin gjigand e të ndërkryer. Informatika inteligjente induse ka ngjitur majat e teknologjisë. Qyteti Bangalore, ky teknopolis i vërtetë, renditet i dyti mbarëbotshëm për ekspertë elitarë të fushës. Në favor të  pohimit shkon argumenti se shkolla gjermane e Ahenit listohet e 34-ta në botë. Dhe, deri këtu, ngjashmëria mes të dyjave është gati në kufi motërzimi. Por ato kanë dhe një tipar fundor që i ndan humnerisht: Kina është një diktaturë e egër komuniste (edhepse Kongresi i posambyllur përvijoj rrathë më të çlirtë tregu për ekonominë), ku burgjet janë përplot qytetarë të mendimit ndryshe, të cilëve, madje, iu trafikohen shtetërisht organet vitale për trupërat e sëmurë të pushtetarëve a oligarkëve të rinjë. India, ndërkaq, përveç ritmit  ngulmës të ecjes përpjetë, që shpejt do ta bëjë konkurruese të tretë në resurse e tregje botërore, është një demokraci stabile dhe e arrirë, ku ndjeshmëria për të drejtën e tjetrit ka një gjen, gati, natyral të lashtësisë. Atje, fjala vjen, si ndjesi e refleksion i kulturës parake, gurutë e sanyasinët, po dhe njerëz të rëndomtë, mbajnë një rrjetë imtore mbi fytyrë që as insektet e padukshme të mos bien prè e frymëmarrjes së tyre mbytëse. Dhe, prandaj, ndërsa India, nga kjo arsye quhet Kinë e mirë – pra prosperitive dhe e lirë, Kinës vetë i rezervohet emërtimi pezhorativ Kinë e keqe – më e mirëqenë se asnjëherë, por e palirë.

Po çfarë ndodh tani me Kinën, dyfish të keqe: me sistemin brendësor dhe, poaq të keqe, me delikuencën ndërkombëtare? Në fakt, kjo ndërthurje është dialektikisht e dhënë. Nga një Kinë e padrejtë që shtyp  jo veç  55 minoritetet e numërta (vetëm në Xinjiang ose në Turkestanin lindor, si quhet ndryshe, në afro 1 milion e 600 mijë km. katrorë jetojnë mbi 20 milionë ujgurë turqishtfolës), po dhe han-kinezët e vet, nuk mund të jetë e pritshme një sjellje fisnike e legaliste në marrëdhëniet e jashtme. Ajo nuk njeh të drejtën dhe tapinë e Shqipërisë mbi Kosovën e territoret kompaktësisht etnike – kurse refuzon teorinë e dy Kinave, duke pretenduar Tajvanin si pjesë integrale të saj, mandej nuk mbështet indipendencën sovrane të shqiptarëve në truallin e tyre, Kosovë, të cilin vijon ta trajtojë çështje të Sërbisë – kurse shpall arbitrtarisht sovranësinë mbi ishuj të huaj japonezë, dhe, së mbrami, akuzon me çiltëri të stisur proletariste ekspeditat perëndimore  pas burimeve të arit të zi – kurse vetë, si qortojnë vijetnamezët e strukur, aspiron me hipokrizi të kulluar të shuajë etjen naftore në këtë tufë ujdhesash që, tash, së voni, doli të jetë e çmuar nën sipërfaqen e përgjumur.

Më kujtohet sesi, kur Bushi i ri do të shkelte pragun e Shtëpisë së bardhë, një publicist i shquar, duke i bërë profilin nismëtar, shkruante se ai s’mund të mëtojë të jetë, njëkohshëm, edhe Jezus (Krisht) në atdhe edhe Julius (Cezar) jashtë tij, e kjo do të thoshte – i mirë për të vetët e dashur dhe mizor për të mohuarit në botë. Këto pozicione përjashtimore, si sot poashtu, nuk mund të konvergjonin moralisht kurrë. Mirëpo Amerika, edhe ajo e Bushit, do të përshfaqte më pas e gjithherë  të kundërtën: avokimin e vlerave të lirisë dhe barazisë, kudo në skutat e errta të botës. Fjala e saj ishte verdiktore dhe për indipendencën Kosovës. Ndaj, më puthitshëm se askujt, ky portretim i vete prijësve të kuq kinezë, veçse natyrisht, me korrekturën e doemosdoshme: Pekini i ringjallur është, ashtu, edhe Julius (i dhunës) në shtëpi edhe, prapë, Julius dëshirak (i dhunës) në botë!

Por Helmut Schmidt, me sigurinë e, pse jo, me sentimetalizmin që i japin njohjet personale të atjeshme, s’mendon kështu. Në një dialog me Gu-Xuevu, prof. i shkencave politike në Universitetin e Bonit, gati i magjepsur, thotë: Kina robëron pa militarizëm. Dhe këtë model, nënvizon ai, do ia rekomandonte me qejf amerikanëve. Kur moderatoti pyet për të drejtat e njeriut dhe kur Gu kërkon gatishmëri kuvendimi me Tibetin e Dalaj Lamës, ish-kancelari mbetet i habitur e pa fjalë. Si e prej nga ky perceptim kaq altruist i njeriut mëndjehollë? Është kulturë fine apo raport fuqie, përgjegjshmëri apo pamundësi  armësh kineze, përveç  “okupimit  të kadifenjtë” ?  Natyra e njeriut është unike dhe ajo nuk fshehet në kokën, por në zemrën e tij. Shtetet janë të ndërllojshme në rregullimin e intern, kurse të njësojta në marrëdhëniet mes tyre, ku vigjëlon kryehershëm interesi  i ftohtë e aspak ëngjëllsia e ngrohtë. Ndaj, e vetmja ndarje e përjetshme klasike është në: shtete të dobëta dhe në ato të forta, në role që ndërrohen paprerë në shtjellën e kohës. Gjithçka tjetër është lojë e variacioneve demagogjike. Përse kombet kolonialiste të Europës (përfshirë Gjermaninë) tani paraqiten më urtë e butë? Kanë mësuar leksionin, apo pse, thënë më drejtë, ndanë fuqimëdhenjëve të tjerë, janë bërë xhuxhër të botës. I bindur për të kundërtën e shtetarit me nam, shprehet  Henri Kisingjeri legjendar (Libri: “Midis traditës dhe sfidës”). Megjithëse një ëndërr djegëse dhe e qëmoçme e Republikës popullore, ajo, thotë diplomati e intelektuali i shquar racionalist, nuk do t’arrijë kurrë statusin e fuqisë botërore, të parë e supreme, duke spostuar të gjithë për tu bërë vetë një Amerikë e dytë!

 

3. Smirëkeqja e lavdisë!

 

“Pasuria është lavdi” – pat thënë, gati profetisht, Den Xiaoping, i zhgënjyer nga  dogma që qarkullonte pambarimisht vuajtjen dhe njësonte skamjen me premisën e ndershmërisë. Thënja programatike do t’niste shtegtimin e lodhshëm nga Revolucioni kulturor tek kapitalizmi shtetëror i  ekonomisë së dytë nacionale të botës, kurse autorin do ta glorifikonte si atin e saj shpirtëror. Krejt ngjashëm me Indinë, mëkëmbja nga hirnosja rrënuese është e disniveluar e jopërpjestimore. Mbi 400 milion kinezë nga thellësia kontinentale, jetojnë ende në një kohë shtangëse e të këputur prurjesh moderne , si në kohët izolante të dinastëve mangjurë. Mirëpo kriza ka behur tek porta. Norma e rritjes në prodhim e eksporte ka rënë dhe, në horizont, vagëllojnë shenjat e tronditjeve të rënda sociale, që do prireshin në kah turbulencash etnike me tizgën e gjakut.

Dhe s’ka si t’mos jetë kështu. Përzierja e elementëve sistemorë në Kinë është krejt e panatyrshme: monokraci  bolshevike në ideologji dhe, ndesh me të, ekonomi  fragmentare tregu në zona rivierash a në metropolët e mëdhenj. Që këtej, edhe sa kohë do të mbijetojë ky dualitet, doktrinarisht e praktikisht, i pamundur? Tregu, si kurmi frymën, kërkon ngulmërisht gjuhën komplementare politike. Nuk konformohen dot dy çelësa, dy formula të papajtueshme në lidhjen atipike të tyre.

E, pra, në udhë përmbystare (vështirë e supozueshme) ose në udhë evolutive (më shumë probabile ), ajo do të mund të bëhet një “Kinë e mirë”, e shumëpartizuar dhe e lirë. Në fakt, ajo i referohet prore modelit tajvanez, këtij kombinimi fatlum, siç thonë shpresërisht, mes demokracisë parlamentare dhe konfuçianizmit tradicional. Dhe ankohen se “konflikt-demokracia” (përfaqësuese e direkte, që vetëm në Kaliforni ka prodhuar 174 vendosje referendare), si e cilësojnë ata rendvlerën politike perëndimore, ngjan disi e huaj për shpirtin e shtruar kinez, që nuk posedon fillesat kulturore për të përballuar një stuhi të tillë. Po a është njëmend kështu? Është drojë pazotësie apo monopol  pushtetar? Të lëndueshëm nga tallazet e “pranverave popullore” dhe internacionalizmit humanitar, ata,  saherë plasin rebelime popullore në fqinjësi apo larg saj, ngujohen trëmbshëm duke këputur vegëzat filtëruese në rrjetët socialë, në shtyp dhe, madje, në pëshpërimat e thjeshta njerëzore. Me sa duket, e dijnë fare mirë atë që tha ministri frëng i kulturës Filipetti tek priste  Bob Dylanin në Paris, se nëse kultura ka një forcë subversive, aherë këtë forcë do ta ketë dyfish të tillë kultura e demokracisë.

Megjithatë, do t’mjaftonte ligjërimi i opozitës dhe shtypit të pavarur, që e keqja ti riqasej Kinës, kësaj radhe nga “mirësia” e saj. Një Kinë libertare do të zgjonte popujt e ndaluar. Ata do të rimblidheshin rreth bërthamës së tyre etnike, që do të prishte qendërzimin e harmonisë negative të tiranisë. Ajo do restaurohej sërish linjash të moçme provinciale paramaoiste, duke inauguruar dilemën e vështirë: do ta kishin kinezët aftësinë e multikulturalitetit për të bërë një vend të hapur me të cilin do të identifikoheshin të gjithë? Apo rivalizimet do mbruanin legjitimisht idenë e konfederimit a të shkëputjes së tyre? As qytetnia e admirueshme e demokracisë nuk ia doli të mbajë në këmbë sajesat shumëkombëshe sllave në Europë, të krijuara nga vullnete të fuqisë e jo nga parime të së drejtës. Përkundrazi, ishte pikërisht ky rinim i saj që do ti bënte hi e pluhur si rrecka trishtuese të barbarisë. As flamanë, katalonas e skocezë që kanë një investurë koekzistence me popuj të tjerë (valonë, spanjolë e britë), nuk jetojnë idilë të lumur. Madje, afinitetet për vetëjetesë, të përligjura nga kartat e Brukselit, kanë, së voni, edhe, thjeshtë, trajtën e identiteteve rajonale. Dalmacia e Bavaria, Padania e Vojvodina janë disa prej tyre, që kanë a do kenë flamuj e zyra në selinë komunitare.

Përfundimisht prandaj, ç’epilog i ka rezervuar historia Kinës?  Kësaj të sotmes, “të keqe” dhe asaj të nesërmes, “të mirë”? Urtia popullore dhe tejpamësia e prijësve, ndoshta, mbetet të ravijëzojë mënyrën e redizajnimit politik të saj. Përvojat dhe konsekuencat  (implozioni paqësor sovjetik ose eksplozioni i përgjakshëm jugosllav) janë të ndryshme. Ndonjëra syresh mund të trollzohet në mijleun kinez, pa qenë e fiksuar në mbamëndjen kolektive, pa dashjen qëllimore, pa asnjë tabelë përbetimesh… Globalizmi ka rrudhur botën dhe ato transmigrojnë lehtësisht si retë në qiellin e hapur.

Nëse epilogu nuk është – aherë mënyra e vajtjes drejt tij është në dorën e tyre!

 

4. Skema e munguar!

 

Kjo ndërmjetëz  modeste panoramike e Kinës, përpiqet  të konturojë përfytyrimin elementar se cila është ajo, njëmend, në këtë vigjilje të ushtrimeve konfliktore: cila është korrektesa e saj e rreme dhe cila pesha e saj reale! Me një të tillë Kinë, pra, flaka e Luftës gjithësesi do të presë. Dhe, me gjasë, nuk do të kallet fare. Proceset janë, çuditërisht, kontradiktore. Pikërisht në “vitin e bojkotit “, 10 milionë kinezë, sikur të mos vërenin asgjë, punojnë mëtej në kompanitë japoneze, kurse turistët kinezë (sivjet, bile, 74 përqind më shumë) nuk hezitojnë vajtjen në “vendin e mallkuar”. E gjitha do t’mbarojë në një pretekst të shtirur: nga anë e tyre, amerikanët do t’shtrëngojnë ledhet e aleancës për të ligshtuar turrin e influencës kineze, kurse këta të fundmit, poashtu, duan të parakumtojnë impenjim në riskicimin e hemisferave të botës. Pati analistë që krahasuan atmosferën me Sarajevën e vitit 1914, si një prelud të luftës së përbotshme. Mirëpo, jo. Skemës krahasimtare i mungon, pothuajse, gjithçka. Mbi të gjitha, mungon denjësia e armikut kinez. Pekini, si ndodh rëndom në muzg luftërash, rrah të riorientojë revoltën e stanjacionit dhe venitjen e legjitimitetit, jashtë mureve të tij. Por, mbase, vetëm kaq. Ai nuk ka ende as një të vetëm avionbartës për të qenë, tutje, ka stacionuar një minimum raketash interkontinentale në zonë, kurse brigjeve të tij lundrojnë nëndetëse krejtësisht të thjeshta. Pastaj, ndonëse të shtuara, destinimet finansiare për armatë janë gjithnjë poshtë, tepër poshtë buxhetit të Pentagonit prej 570 miliardë eurosh marramendëse. Po arsenali i ri, horror-arma amerikane e mistershme: manipulimi i motit, nxitja e tërmeteve…? Uragani i “Ushtrisë popullore” nuk shpalos veçse një fantom, një mit të paqenë, një tingull të largët. Rrjedhimisht, në të gjithë versionet e hamendësuara të një lufte të kufizuar apo të teatrit të saj, ambicja e pafrè kineze për të sunduar detet, do të digjet dhe leçitja rajonale apo demonizimi planetar i Kinës, do të jenë të korrat e tharta të despotëve  arrogantë. Skema, që këtej, i përgjason, më saktë, luftës së ftohtë. Ata e kuptojnë këtë. Është kohë e sprovës, por jo akoma kohë e sfidës. Pushtimet, sikundër dinastitë e huaja qindravjeçare (Juan e mongolëve dhe Qing e minoritarëve mangjurë) kanë thadruar në ndërgjegjen e tyre nacionale ndrydhjen robnore dhe, për pasojë, mëllefin e revanshit veshtarë e systërvitur për të matur armiqtë dhe orën e tyre.

Sidoqoftë, si thotë Friedman, midis të sotmes dhe të atëhershmes, do të ketë ende shumë histori !

E, ndërkohë, ishujt do t’vijojnë të prehen në qetësinë e vetmisë, krejt të pafaj pse, përveç peshkatarëve të paqëtuar në breg, dikush rrëmon kërkueshëm nën syprinën e tyre.

Berlin, dhjetor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Rexhep Kasumaj, zoeri e deteve

RITAKIM ME HUMBJEN

December 12, 2013 by dgreca

Një reminishencë bajate e Luftës së ftohtë/

Shkruan : Rexhep Kasumaj/Berlin/

1.

Një ish-spiun nga koha e Luftës së ftohtë fërkon duart ngazëllyeshëm. Tash sa vjet shef i Kremlinit (edhe kur nuk ishte banor i tij), Wladimir Putini, shpreson të ketë ngritur një Perde të re mes tij dhe botës së lirë. Premieri ukrajinas, Mykola Asarow, dekretoi ndalimin e nënshkrimit (pritej javën e ardhme në Vilnusin baltik) të Marrëveshjes së asociiimit me Bashkimin europian. Kijevi përplasej moti në vorbën djegëse se ç’anë duhej të zgjedhte: Rusinë apo Perëndimin! Zgjedhja nuk kje e lehtë. Dhe as vetëm politike. Ndarja përgjatë lumit Dnjepër i jepte asaj përmasën e vështirë identitare. Çorientimi etnik i gjysmës popullore dhe shantazhi ekonomik rus, do të vulosnin vendimmarrjen e gjunjëzuar për aderim në Unionin doganor me fuqimadhin e vogël verior.

Europa do të indinjohej keq, kurse Putini (që thuase ishte kthyer prapa në vitin 1939 të Hitlerit a Stalinit të tij, si e përshkruan SZ e Mynihut) ekzaltohej nga fitorja e ligë: arriti të mblidhte mbetje të pluhnosura nga rudimenti i Murit të rrëzuar. Ukrajina, së paku ajo, duhet të kompensonte atë. Të ishte tamponi mbrojtës përreth rrezatimit të vlerave të qytetnisë europiane. Ai i trëmbet, si mortit, afrisë së tyre. Fine e, njëkohësisht, përflakëse, ato lëkundin themelet e despotisë së tij: si frymë dhe praktikë e vjetër lindore.

2.

Po a s’është ky një moment reflektimi dhe për Europën vetë? E para, meqë duket pakëz e rënduar për integrimin flatrues të Rumanisë e Bullgarisë, të parritura ende për vrujimet e saj, a duhej të ngarendte sërish drejt dështakut të radhës: pa një profil unik kulturor, pa caksynim të definuar strategjik dhe pa demokraci të absolvuar parlamentare?!

Pastaj, e dyta, deri ku venë kufijtë e saj? Deri aty ku mësojnë lektyrat shkollore apo deri aty ku ajo refuzohet si hemisferë e huaj?

Europa nuk mund të ngryset në Bosfor dhe të gdhijë një ditë të bukur në malet e Hindukushit, duke përvetësuar problemet që nuk janë të saj. Kështu e ka zakon të thotë shpesh Helmut Schmidt, ylli akoma i pashuar i socilademokracisë, krahut politik gjerman, e kontinental përgjithsisht, që shprehet përherë më i hapur për vende e popuj që rrojnë larg, shumë larg gjeografisë së saj. Më të rreptë akoma janë eurocentristët që mbahen tëpër të rezervuar dhe nuk entusiazmohen fare me teoritë përshtrirëse dhe multikulturale. Ata janë të gatshëm ti ofrojnë, Turqisë fjala vjen, statusin e partneritetit të privilegjuar dhe asgjë më shumë. Mirëpo dhe nga ithtari ngulmëtar për integrim komunitar, i ftohur a reislamizuar, vjen një mesazh tjetër lehtësues: tani vetëm 30 përqind e më pak të banorësisë turke mbështesin idenë e përbashkimit me Europën.

Ndaj, ç’do dhe ç’shenjon ajo, njëmend, në horizonte të tillë? Është rezoni i gjeopolitikës që mbipeshon kulturën e demokracisë – apo kjo e fundmja është ai shpirti mijëvjeçar që gjakon të zbardhë hapsirat e errta? Janë, mbase, të dyjat bashkë. Ajo, si përherë, ka mision planetar, ndërkohë që, në anën tjetër, vajtja andej ngjan të jetë krejt e natyrshme. Fundja, ukrajinasit gjenden pranë, në oborrin e saj, kurse pishtarin përndritës e mban poaq dhe Lindja e vjetër. “Konfederata ose Paqja e Varshavës”  e vitit 1573 (Pax dissidentium) që fabrikoi termin nismor të disidencës (aherë kishtare) bënte një gur të fortë në ngrehën e historisë dhe kulturës së mendimit të lirë (Freidenkerei) në Europë.

3.

E prandaj, tundimi a përulja e fqinijit të poshtëm të Moskës që i thërret lojës së moçme të konfrontimit, ndoshta nuk është veçse një ndërmjetëz e brishtë në midisaktin e dramës. Shfaqja nuk ka mbaruar ende dhe gjithçka do rizhvillohet mbi ligjërinë e historisë. Flamuri i triumfit në Kremlin valëvitet dridhshëm nga era e së Drejtës dhe Lirisë që fryn nga Europa dhe Perëndimi i rinosjes së paprerë. Edhe “vëllezëria myslimane” vodhi tinëzisht e mashtrueshëm (J.Kerry) produktin e përgjakur të revolucioneve pranverore arabike, por jo jetëgjatësisht. Gjaku nuk shkon dëm kurrë dhe tiranët e çdo fytyre s’ndjehen të sigurtë askund.

As Putini me “Perden” e re poashtu. Humbja tashmë i ka lënë takim në një kohë të dytë.

Berlin, vjeshtë 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Berlin, Rexhep Kasumaj, ritakim me humbjen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT